back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dhuna, si instinkt komunist *Dr. Dije Demiri-Frangu

Gazeta

Rezart Palluqi - Romani "193 Kafazet"
Rezart Palluqi – Romani “193 Kafazet” 

Dhuna, si instinkt komunist

*Dr. Dije Demiri-Frangu

mbi Romanin “193 kafazet” i Rezart Palluqit

Romani ‘193 Kafazet’, i Rezart Palluqit, është një befasi artistike në letërsinë shqipe, para së gjithash për prozën e saj romaneske. Diktatura si subjekt, jo që trajtohet për herë të parë në letërsinë tonë, por qasja ndaj saj dhe koncepti i tij demokratik për jetën dhe shoqërinë, krahas frymëzimit të emancipuar, e bën këtë vepër të fortë artistikisht, ashtu si ishte vetë diktatura, mizorisht. Dhuna në këtë roman është një instinkt komunist, një uri për përbuzje dhe një manifest force. Dhuna e dikurshme politike, tani në roman shfaqet në të gjitha format e mundshme të ekzistimit të saj, e sofistikuar në veçantinë komuniste.

Dr. Dije Demiri-Frangu
Dr. Dije Demiri-Frangu

Liria dhe individi, totalitarizmi, konflikti i trilluar i pushtetit me individin dhe shtrirja e diktaturës mbi popullatën, kolektivitetin që bën jetë të thjeshtë, është intriga e veprës. Kjo luftë e shpallur e pushtetit ndaj individit është absurdi i një shteti komunist, në këtë rast i Shqipërisë komuniste, nga fillimet e tij e deri në vitet postkomuniste, duke detajizuar ambientin jetësor të një diktature të pafund, me format morbide të saj.
Romani 193 Kafazet, i Rezart Palluqit, është një befasi artistike në letërsinë shqipe, para së gjithash për prozën e saj romaneske. Diktatura si subjekt, jo që trajtohet për herë të parë në letërsinë tonë, por qasja ndaj saj dhe koncepti i tij demokratik për jetën dhe shoqërinë, krahas frymëzimit të emancipuar, e bën këtë vepër të fortë artistikisht, ashtu siç ishte vetë diktatura, mizorisht.
Autori duke i njohur ultramekanizmat e saj dhe jo vetëm duke dashur të bëjë një akt intelektual, por përmes një frymëzimi dhe realizmi artistik, bën një monument detajor të diktaturës, një muze virtual të dhunës shpirtërore dhe formave të tjera saj. Makrotema e këtij romani është raporti i individit me atdheun, me atdheun komunist, raport që si një rrjet ngulfat gjithë aortat e jetës, për të reflektuar edhe disa mikrotema, që para së gjithash janë universale, por ndikojnë në botën e personazheve. Disa pjesë të romanit, sado që duken triviale, të dëgjuara e të para, megjithatë në romanin e Palluqit marrin një semantikë të re dhe arrijnë të identifikohen mirë me fytyrën e diktaturës.
Përkundër që fillimi, arratisja e familjes së kryeprotagonistit duket shumë e rëndomtë për komunizmin, me shkakun e burgosjes-vrasjes-zhdukjes së babait, më pas autori sikur nis e hyn në psikologjinë e fatkeqësisë njerëzore dhe duke banalizuar shkakun e fatkeqësisë së babait – kishte një palë dylbi dhe po shikonte yjet natën, ndërsa pushteti ia merr si komunikim me perëndimin- nis provokimin intelektual të lexuesit.
Ky udhëtim që kryeprotagonisti e bën si një fëmijë i cili vazhdimisht gjakos kokën e ndyrë me morra duke e kruar me një kryq, gjë kjo shumë simbolike,del të jetë një thyerje e bukur kompozicionale, që implikohet qëllimshëm në monotoninë e udhëtimit dhe kujtimeve mbi të keqen komuniste, pikërisht si një refleks psikologjik brenda episodeve të copëzuara të kujtimeve fëmijërore, e para së gjithash si një retrospektivë.
Strukturalisht romanin e bën atraktiv edhe plasimi i temës qendrore përmes një meditimi naiv të një fëmije, që mbyt morrat me figurën e shenjtë të kryqit që e ëma e mbante fshehtas. Forca e kujtesës së dhembshme do shkojë duke u zhvilluar në një frikë – patologji, e cila e bën romanin me premisë të fuqishme psikologjike, duke i dhënë shumë shtresa kuptimore, si gjenerime të realitetit diktatorial.
Shumë episode më pas, duke zgjeruar gamën e nëntemave, aktualizojnë përplasjen e Perëndimit dhe Lindjes, me theks në kontekstin universal por edhe shqiptar, krahas detajeve të realizuara në mënyrë unikale, si raporti i rrjetit të personazheve si, Ylli- me myslimanin, Pjetrin, Viktorin, Bardhin, ngjarje vargan të cilat meqë në fillim janë të shtruara linearisht, lënë përshtypjen e një romani tradicional, i cili i ikën shpejt kësaj me t’u futur në psikologjinë e personazheve, duke marrë një kahje të një romani modern dhe ironik. Ironia kulmon kur autori parodizon flamujt të qepur për brekë, ky karikim merr kuptimin e mohimit të nacionalizmit si frymë që dëmton frymën qytetare e humane të botës, si dhe folklorizmin e tepruar.
Femra fataliste si personazhe nuk zënë ndonjë vend në letërsinë tonë, derisa në këtë roman ajo bëhet personazh kryesor, duke e luajtur rolin e një të dashure pasionante, pastaj të një nëne të kujdesshme dhe gjatë tërë kësaj, duke qenë një spiune e babait të saj jolegjitim, ish-punëtor Sigurimi që vazhdonte me misionin e tij të spiunit, tani jashtë atdheut. Në kuadër të këtij raporti romani merr premise të forta edhe të romanit kriminalistik, të cilat pastaj janë permanente në tërë romanin.
Mënyra si shkruan autori për diktaturën është shumë origjinale, origjinal është konceptimi dhe përjetimi i kafazit-atdhe . Pavarësisht se libri është i lexueshëm, duket shumë transmetues, me plot emocione, ky roman ka dinamikë dhe parasë gjithash ka rrëfim poetik, duke ndërtuar universin e diktaturës, nga brendësia. Jeta jashtë diktaturës si përmasë këtu nuk është as minore. Diktatura e përcjellë edhe jashtë atdheut e edhe pas rënies së saj, vetëm se tani përmes formës rafine, tani nuk është front i hapur , ajo hyn përmes poreve të shpirtit, përmes ajrit të kontaminuem nga diktatura.
Diktatura – kur themi, duket se e themi të tërën, por jo, të tërë mund ta shohim vetëm përmes Yllit, Zhanetës, Viktorit, vrasja e heshtur e Shefqetit dhe fshehja e sa, nënës në të zeza, eshtrave të pagjetur, gjumit të ankthshëm, çrregullimit mendor, shfrytëzimit, torturave të sugjestionit e autosugjestionit të përcjelljes permanente, ikja nga atdheu, për më shumë ndjekja që të bën atdheu kudo që je.
Atdheu i tillë, si një pemë psikopatike – siç thotë autori, të bën gati të nënshtrohesh ndaj së keqes së pafundme. Humbja e kondicionit në luftë me format e dhunës, me psikologjinë e saj totalisht patologjike në mbjelljen e frikës dhe vdekjes, interpretuar nga rrafshi i humanes, rezulton se ajo është e keqja më e fortë, dhe nëse mundet nga populli, ajo shpesh është fituese ndaj individit-Yllit, i cili me brishtësinë e tij, me iluzionin se drejtësia fiton, me ndjeshmërinë ndaj jetës, si njeri i kultivuar, mendon se përmes paqes e injorimit, do të mundet e keqja ndaj ai nuk e denoncon as vrasjen e Shefqetit nga babai i Zhanetës. Ky është absurdi aktual i Shqipërisë postkomuniste.
Terrori komunist, i dhënë me plotëninë e tij, mund të interpretohet në forma të ndryshme. Ky roman është i tipit polifonik të shkrimit,para së gjithash është forma origjinale e dhuntisë prozaike gjë që i mundëson sjelljen e detajeve të situatave fizike e shpirtërore, të cilat kulmojnë me ankthe, nga situatat reale – produkte të diktaturës. Situata terrori dhe misterioze, me ngarkesa konfliktuale janë të panumërta brenda raportit intim të Yllit me Zhanetën, raport i cili lidhet qëllimshëm nga axha i Yllit, edhe ai punëtor i fshehtë i shërbimit shqiptar, sado që në fillim solidarizohet me fatin e tyre. Zhaneta, është personazhi femër ndër më të realizuarit në letërsinë tonë, ajo është viktimë, dashnore, grua, nënë, bijë dhe në të gjitha rolet  është tip i femrës fataliste, e njohur në letërsinë evropiane, qysh nga romantizmi.

Promovimi i "193 Kafazëve në Kosovë" qershor 2015
Promovimi i “193 Kafazëve në Kosovë” qershor 2015

Episodi Viktor –Yll, përmes një narracion alternativ kuptimisht, lë lexuesin pranë librit, deri në zgjidhjen e fatit të Yllit . Diskursi i autorit këtu e bën lexuesin hulumtues, pjesëmarrës në intrigë, që duke hyrë në të, provon të hetojë zgjidhjen. Dhuna e dikurshme politike, tani e përcjellë edhe jashtë atdheut, e avancuar dhe sofistikuar, bëhet përmes miqësisë, raportit human pra, që reflekton elemente kriminalizimi dhe mafioziteti.
Sado që Ylli ndërtohet si personazh me njohuri për komunizmin, babai i tij ishte viktimë e kësaj diktature, kjo vetëdije e tij ideologjike nuk mjafton, nuk e ndihmon përballë makinacioneve dhe kurtheve të ish diktatorëve, synimin obsesiv të tyre-deri në hapësirat më të errëta të psikikës njerëzore , autori përmes një syri zhbirues na e ofron duke bërë antitezën me botën e kryeheroit. Kjo dëshmon se fytyra e diktaturës për autorin është e njohur, ai analizon edhe poret e saj. Autori ka një liri edhe në paraqitjen e skenave të thekshme erotike, por nuk rrëshqet në banalitet, ato skena janë loja e skenarëve të hershëm komunist për të futur prenë në rrjet dhe si të tilla bëhen funksionale tematikisht.
Ajo që vihet shumë re është mëshira e Yllit ndaj Zhanetës, që duket e paarsyeshme, por është reflektim i autorit mbi demokracinë, përmes Yllit si njeri i kultivuar, i ditur e që vetëviktimizohet, duke u bërë opozitë e heshtur e diktaturës sërish, si antipod i dinakërisë e nëntokës komuniste, që bëjnë vrasje me pagesa si dhe oportunët tragjikë shqiptarë. Dialogët politikë rrjedhin natyrshëm, si bartës të kohës së kaluar, pavarësisht se është një distancë nga hapësira dhe koha e ndodhjes së komunizmit, mbase edhe pse babai i Zhanetës jetonte ende si mbetje komuniste krahas vet Zhanetës, që është njëkohësisht një refleks i së keqes komuniste. Ajo, qoftë edhe përmes trupit, ende i shërben komunizmit, në mënyrën më jomorale.
Romani thyen kornizën e romanit tradicional shumëfish. Këtu nuk kemi personazhe kryesore, ku nga do që drejtohej lexuesi, do të ngujohej duke pritur gjithçka nga ata. Edhe personazhi episodik- axha, i cili del të jetë arkitekti fatkeqësisë së Yllit duke e lidhur me Zhanetën, është intrigues dhe bart peshën ideore më të fshehtë të ideologjisë, që mendohet se mund të ketë vdekur. Pastaj, sado që mund të mendohet se raporti i Yllit me Zhanetën, është një marrëdhënie e afshit dhe që thjesht bëjnë jetën e tyre individuale, personale, Zhaneta ka misionin e saj thuajse partiak, ndërsa Ylli ka rolin e viktimës së shumëfishtë komuniste. Ndaj, kjo vepër është e hapur, mund të interpretohet përmes shumë qasjeve, ajo pranohet si një vepër me shumë zëra.
13 Prill 2015
Mbi romanin e Rezart Palluqit, 193 Kafazet, shb. Dudaj, Tiranë, 2015
marrë nga https://zgjoje.wordpress.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.