back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Diçka rreth autorit Robert Prifti – nga Edgar Prifti

Gazeta

Robert Prifti - 45 vjet Letërsi klandestine nën diktaturë
Robert Prifti – 45 vjet Letërsi klandestine nën diktaturë

Diçka rreth autorit Robert Prifti

nga Edgar Prifti

Jam i lumtur që i përmbush, babait tim… një premtim, bashkatdhetarëve të tij edhe më tej… një mesazh, të cilin ai dëshironte ta përçonte më se dy dekada përpara tek fqinjët përtej detit.
Javë të tëra përgatitore iu deshën tim eti për të rishkruar me një kaligrafi tepër të imët, romanin “Syri i Polifemit” dhe disa nga poezitë e tij.
Ishte tetori i vitit 1987, kur ai më së fundi arriti të marrë vizën e udhëtimit për në Itali. E përmbledhur (komprimuar) kështu në ato pak fletë, dhe e fshehur me kujdes nën tabanin e çantës së udhëtimit, vepra e tij arriti t’i shpëtonte çensurës doganore, duke kapërcyer me sukses pengesën e parë, sipërmarrje kjo, tepër e rrezikshme për atë kohë.
Afati tepër i kufizuar i qëndrimit, nuk i dha atij mundësinë që të realizonte qëllimin e tij. Vepra mbeti tek nipi i tij në Itali, i cili me gjithë përpjekjet e bëra, nuk arriti të deshifronte dorëshkrimin. Më vonë dhe përpjekjet e mija të herëpashershme, për ta botuar romanin si në Itali ashtu dhe në Gjermani, me gjithë kritikën shumë të mirë të lektorëve të huaj që e kaluan atë nëpër duar, mbetën të pasuksesshme.
.
Shkrime të punuara me lupë nga Robert Prifti
Shkrime të punuara me lupë nga Robert Prifti
.
Robert Ilia Prifti lindi në Korçë, më 15 Dhjetor të vitit 1925.
Rridhte nga një familje rrobaqepësish. Prindërit e tij sëbashku me dy vëllezërit dhe motrën e tij më të madhe u shpërngulën në Tiranë, kur ai ishte akoma dy vjeç. Gjatë viteve të pushtimit ndoqi Liceun Klasik. Mbas çlirimit punoi për disa vjet si kimist në Istitutin e Kërkimeve Shkencore, ku njohu dhe bashkëshorten e tij të ardhshme, Luigjina Kodhelin. Më vonë kontriboi si arsimtar në shkollat e mesme, duke dhënë lëndët e shkencave natyrore dhe gjuhë të huaja.
Për idetë e tij të avancuara, duke u konsideruar si një “rrezik” për ideologjinë dhe sistemin edukativ komunist në shkollë, u pezullua nga puna dhe u dërgua të punojë në shkollën fillore të fshatit Surrel të rrethit të Tiranës.
I prirur për gjuhët e huaja, duke patur dhe baza të shëndosha të greqishtes së vjetër dhe të latinishtes, ai përvehtësoi në mënyrë autodidakte frëngjishten, anglishten, rusishten, italishten, gjermanishten dhe spanjishten.
I përgatitur shumë mirë dhe me një bagazh njohurish jo të zakonta, provoi zhgënjimin e sistemit ku ai jetoi dhe përjetoi pamundësinë e çfaqjes së vlerave reale intelektuale të kombit tonë. Ky fakt dhe frika se mos hidhte hapin e gabuar, bënë që rrethi i tij i të besuarve të ishte shumë i kufizuar. Si reaksion i kësaj gjendjeje u mbyll në vetvehte. Për të luftuar pakënaqësinë dhe dëshpërimin, gjeti shkrimin si të vetmin mjet kompensimi e dhe për të qetësuar ndërgjegjen e tij patriotike. Sarkazma dhe ironia u bënë shoqëruese të kësaj lufte të brendëshme që zhvillohej në shpirtin e tij. Një goditje, që e tronditi në themel qenien e tij dhe që u bë shoqëruesja e tij e përditëshme, ishte dhe lëngata prej gati tre dekadash e të shoqes së tij të paralizuar.
.
"Syri i Polifemit" - Roman - Robert Prifti
“Syri i Polifemit” – Roman – Robert Prifti
Duke shkruar fshehurazi për vite të tëra, në kushte të pavolitshme dhe ndrydhjeje, arriti të hedhë në të pastër, dy romane, dy ese, një përmbledhje me tregime dhe dy përmbledhje me poezi. Roberti vdiq papritur në Tiranë, më 22 tetor të vitit 1993.
Mesazhi që i trasmetohet lexuesit nuk ishte vetëm një thirrje e heshtur urrejtje dhe zhgënjimi ndaj atyre që shkatërruan shpirtërisht dhe materialisht një popull, por dhe një thirrje për kujtesë, si atyre që e përjetuan diktaturën dhe vuajnë akoma plagët e saj, ashtu dhe brezave që patën fatin të jenë të privuar nga konseguencat afatgjata të kësaj epidemie të tmerrshme.
.
Buxtehude (Gjermani) maj 2009
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.