back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Dielli dhe Rrëkerrat – Poemë nga Faslli Haliti (1972)

Gazeta

Faslli Haliti - Skicë
Faslli Haliti – Skicë

Kjo është poema që dënoi Faslli Halitin.
Një poemë shumë moderne, po të mendosh që është botuar në 1972.
Shumë guximtar Faslliu!

Dielli dhe Rrëkerrat

poemë nga Faslli Haliti (1972)

Çatia e shtëpisë sime është qaramane.
Shtëpia ime është sentimentale,
Dy re në qiell
Ajo vu lotët,
Dy re në qiell
Ajo vu me të madhe.

Nga sytë e tavanit tim
(Tavani ka dhjetëra sy)
Lot gjerbësh rrjedhin vu, vu,
vu, vu
Natë e ditë
Rrjedhin me të madhe
rrjedhin
Pi-
kë,
Pi-
kë,
Jorganët e mi
Si jorganët e një personazhi melodramatik,
Mbytur në lot gjerbësh të verdha
Librat e bibliotekës sime
Me faqe të përlotura nga gjerba

Beni,
Blerta,
Zamir!
Këto faqe librash
Kur t’i lexoni
Pas viteve shtatëdhjetë
Mos i merrni për lotët e mamasë
Mos i merrni për lotët e babait këto gjerbë.
As mamaja,
As babai
Nuk ishin sentimentalë,
Sentimentale qe shtëpia jonë
Sentimental ishte tavani i saj,
(megjithëse dhe shtëpia dhe tavani
ishin frymë e vjetër
Dhe s’kishin shumë faj.)

Çatia ime sentimentale,
Dy re në qiell –
Ajo vu lotët,
Dy re në qiell –
Ajo vu me të madhe.
Nga sytë e tavanit tim
Rrjedhin lot gjerbësh vu, vu,
Vu,
Vu,
Natë e ditë,
Rrjedhin me të madhe.
Rrjedhin
Pi-
kë,
pi-
kë!
Janë dadot tona,
Janë gjyshet tona
Këto pikë,
Këto gjerbë
Që na vënë në gjumë,
Me zërin e tyre të verdhë
Dhe për çudi,
Këto gjerbë,
Këto pikë
Vënë në gjumë edhe shokun Lili
(Shefin e strehimit në komitetin ekzekutiv.)

Jashtë erë,
Jashtë shi,
Kurse gjerbët heshtin tashti!

Faslli Haliti - Dy libra poetike Sot (1969) - Mesazhe Fushe (1984)
Faslli Haliti – Dy libra poetike Sot (1969) – Mesazhe Fushe (1984)

Zgjoj gruan,
Fëmijët i zgjoj
Dhe mes gjerbave të verdha, familjarisht,
I drejtohem Enverit,
I drejtohem Partisë:
Mos rrini fare të menduar!
Ne për ju flemë edhe në ujë,
Ne për ju flemë në dyshekë akujsh,
Ne për ju flemë
Edhe në çarçafë dëborërash mbuluar!
Ne për shokun Lili na vjen keq
(Shefin e strehimit)
Ne për shokun Koli na vjen keq
(Kryetarin e këshillit)
Që në pallatin e ri që mbaroi
Nuk na caktoi ne,
Nuk caktoi traktoristin Qazim Gjoni,
Nuk caktoi elektricistin Met Myzeqari,
Nuk caktoi muratorin Llazi Lala;
Nuk caktoi arkitektin Koço Mina,
Por
Soj –
e
soro-
llopin e tij caktoi.
Soj-
e
soro-
llopin e tij
Që dezertoi nga fshati.
Që la shtëpinë në fshat,
Që erdhi nga fshati tashti
Dhe i pari mori hyrje në pallat.

Qazimi zbukuron fushat me traktorin e tij,
Qazimi në një dhomë u bë dhëndër,
Qazimi në një dhomë bëri shtatë fëmijë.

Met Myzeqari elektrifikoi disa fshatra,
Meti në qindra dhoma dhëndurësh vuri llamba.
Dhe gjeti një nuse në fshat,
Një nuse si shtyllë elektrike,
Një nuse të bukur syllambë,
Por Meti ende rri fejuar
Për një hyrje, shoku Lili,
Elektricisti Met ende s’është martuar.

Muratori Llazar
Ka zbukuruar qytetin me pallate,
Por Llazi ka disa vjet
Që rri në një barakë pupuliti 3 me 3
Me gruan, nënën, fëmijët, vetë i tetë.

Kurse kushëriri yt,
Ka një hyrje, shoku Lili,
Ai dhe gruaja, vetë i dytë.

Shoku Lili,
Shoku Koli,
T’u ankua Qazimi, Meti, Llazari,
Të erdhi Qazimi, Meti, Llazari,
Në zyrë,
Në komitet?
Dhe mos mendoni se ishin të ndrojtur,
Mos mendoni se ishin leshko,
Mos kujtoni se s’e dinin që kishin të drejtë!
Jo!
Ata e dinin që kishin të drejtë,
Por i mbanin hatrin Partisë,
Që strehimin s’e ka të lehtë.
Ju me sakrificën e tyre keni abuzuar
Dhe vite me radhë s’i keni strehuar.
Për një hyrje,
Për një hall,
Ne trokisnim tek ju,
Trokisnim në portat e buzëve tuaja,
Me gishtin e halleve tona trokisnim,
Shoku Koli,
Shoku Lili;
Portat e buzëve tuaja s’hapeshin
Dhëmbët tuaj kyçeshin
Me nervozizëm kërcisnin.
Vinte miqësia,
Hynte pa trokitur,
Vinte shoqëria, hynte pa trokitur,
Portat e buzëve hapeshin vetë,
Muret e dhëmbëve shkëlqenin.
Qindra kërkesat tona thyenin kokën,
Nuk futeshin dot,
Nuk i hapnim dot.
Një trokitje miku,
Një trokitje shoku,
Një cigare me filtër,
I hapte fare lehtë.
Një rekomandim,
Miku,
Shoku,
Një porosi
Shoku,
Miku
Përpara ju vinin ata
Ju vinin përpara një cigare, një paketë.
Ju-
Një hyrje iu vinit atyre përpara
Një apartament.

Shtëpia ime sentimentale
Vazhdon të qajë,
Të pikojë,
Të gjerbojë.
Por
Në secilën pikë të shtëpisë sime,
Në secilën gjerbë,
Ne po hapim nga një themel
Nga një pallat të ri vigan do të ngremë.
Në truallin e shtëpisë sime sentimentale,
Ne do të ngremë një lagje të re vigane.

Shkretëtira e kontradiktës së strehimit
Do të bëhet një qytet i ri banimi.

Urdhër!
Me grushtin e klasës punëtore
Thyejani dhëmbët e burokracisë!
Thyejani dhëmbët shokut Koli,
Shokut Lili!
Po ua thyejmë,
Por
Na duhen gurë,
Makinat në gurore u vonuan.
Po i murosim dhëmbët tuaj.
Ne s’mund të rrimë pa punë
Ne s’mund ta lemë me duar nën gjerbë
Enverin,
Partinë,
Ne i kemi piketa duart e tyre,
Piketa ku duhet të hapim themele
Piketa ku duhet të ngremë çatira.
Partia,
Enveri
Zgjuar rrinë?!
Dhe vënë dorën aty ku pikon?!
Dhe s’ka gjerbë që s’e dinë?!

Si s’ka gjerbë që s’e din?!

Botuar 1972, Zëri i rinisë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.