back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Prill, 2025

“Dikur edhe unë kam shkruar libra të mrekullueshëm…” – nga Sokol Zekaj

Gazeta

Sokol Zekaj
Sokol Zekaj

“Dikur edhe unë kam shkruar libra të mrekullueshëm…”
nga Sokol Zekaj

Këtë shënim po e bëj për rrjetin social Facebook, ku unë jam, me sa shoh, një nga shkrimtarët më të moshuar. Në moshën time, dhe një vit a dy ma shumë se unë, jemi veçse pak veta. Ndërkohë shumë të tjerë në moshën tonë, na kanë ikur, nuk janë ma mes nesh. Nga ne të gjallët, më duket se të gjithë janë mirë, dhe mbahen fort. Kjo më jep kënaqësi sepse i njoh. Unë për vete, nuk jam dhe aq mirë, por jam nën vëzhgim rigoroz mjeksor, dhe nën kujdesin familjar të gjashtë vetave për mua. Por, ne poetët a shkrimtarët, të gjithë jemi të interesuar për poezinë a prozën tonë: si po shkon. Si po lexohet. Si po interpretohet. Çfarë kontaktesh ka. A po njihet nga të tjerët. Si. Në këtë rrugë, disa veprojnë. Dhe kanë sukses. Unë jam ma pasiv. I lë gjanat të rrjedhin vetë. Kjo vjen edhe nga mosha, por jo vetëm. Megjithatë, thjesht me poezinë time kam besimin se kam krijuar jo pak miq të mirë, poetë e shkrimtarë, njerëz të talentuar, të ditur, të suksesshëm dhe përveç këtyre, ma të rinj ose shumë ma të rinj se unë, me të shumtët e tyre as nuk njihemi. Por letërsia kështu funksionon. Ata janë shumë të rëndësishëm për mua, janë garancia ime. Dhe u them: ju falemnderit!

Koha e Qytetit - Sokol Zekaj
Koha e Qytetit – Sokol Zekaj

Muaj ma parë në një status kam shkruar, për një problem timin shëndetsor. Nuk më harrohet se kur pata çelë sytë dhe pata kuptuar gjendjen, më ka ardhë një mendim: ç’paska qenë rasti me ikë njëherë e mirë…! Por disa muaj ma vonë, kur arrita me u ulë para kompjterit, vura re rrëmujë në poezitë e mia. Atëherë, pak nga pak, punova: i zgjodha, i sistemova. Dhe shkrova mjaft poezi të reja. Kështu, me mirëpritjen e SHB Onufri, u botua libri Koha e Qytetit. Nga poezitë e këtij libri, e fundit që kam shkruar, është Kutia e Shkronjave. Sot them se nuk është e mundur që energjia ime krijuese të ndërpritet në këtë pikë, pasi kjo poezi më duket nga ma të mirat që unë kam shkruar ndonjëherë. Megjithatë, kjo gjë, shkrimi, nuk shpjegohet thjesht me frymëzimin, por është një kompleks ndjesish që ndërthuren. Vitet e fundit të jetës Niçja i kaloi i sëmurë, dhe kur kthjellohej, merrte në duar një libër, dhe thoshte: Edhe unë kam shkruar dikur disa libra të mrekullueshëm! Kjo ditë vjen për çdo krijues, përjashtuar ata që vdesin shpejt, ose papritur.
Marrë nga muri i FB, Sokol Zekaj, 23 shkurt 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.