back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Dinjiteti i njeriut dhe dinjiteti i artistit n’nji emër të vetëm!

Gazeta

Visar Zhiti
Visar Zhiti

Dinjiteti i njeriu dhe i artistit në nji emër të vetëm: Visar Zhiti!

nga Jozef Radi

Në fundverën e vitit 1971, do të shkelja për së pari hyrjen e gjimnazit të Lushnjes… Mirseardhja më befasuese s’do të ishte e ndonji mësuesi, as e ndonji të njohuri, po e nji djaloshi, që at vit sapo e kish mbaruar shkollën e mesme… Natyra ime kureshtare më shtyu te stenda e “Letrarit të Ri”, krejt përballë portave së mëdha të hyrjes… ku në katër faqe të shkruara bukur: (jo veç si shkrim, po edhe si brendi artistike), m’u shfaq ashtu i butë, miqsor, i sjellshëm dhe mjaft poet: Visar Zhiti…
Ishte nji takim disi absurd i të porsaardhurit me të porsaikurin, i nji realiteti të ndërdyshtë me ëndrrën e prekur, dy të njohur të panjohur e të patakuar kurrë, Ai ishte djaloshi që fati befas i kish dhënë flatra, unë ai tjetri që i thoja vetes: “Po unë, pse jo…!?” Nji takim fantazmagorik, po që në kohra do t’i jepte kuptim gjithçkaje mes nesh…
Im atë dhe i ati Visarit, Hekurani ishin mjaft miq… po edhe mjaft të kujdesshëm për mos t’ia rënduar dukjen njeri tjetrin.
Asokohe, Lushnja ishte nji qytet ku krahas vendasve po vërshonte edhe nji konglomerat të ardhurish, ku shumica mbanin barrë ndëshkimesh, mjaft me ulje postesh, mjaft të tjerë me shërbime humanitare… e plot të tjerë me shërbime speciale!! Kjo e bënte Lushnjen “Qytetin e Kleçkarve”, por ia vlen të theksohet se lufta e klasave aso kohe jetonte çuditshëm nji çmprehje të tehut kokëkëputës…
E kujtoj si sot Hekuran Zhitin me at ballin e gjerë e të pjerrët, me ato dallgët e flokëve paksa të thinjura, me at energjinë në lëvizje, në biseda, në humor… me tim atë e me të tjerët, kur zhvillohesh festivali i teatrove amatore të qytetit dhe rrethinave… S’kishte gjë më magjepse… Flitesh për dramat, për skenat, dekorin, personazhet, provat, vërejtjet; vinin aktorët, puntorët, nëpunsit, muzikantët, regjisorët, sekretarët e partisë, drejtorët e ndërmarrjeve… po kishte edhe mjaft “armiq” vërdallë… sepse ishin aty edhe Seit Selfo, Lek Pervizi, Hekuran Zhiti, Lazër Radi, Fotaq Filipeu, Shahin Hrushiti, Vango Lezo, Faslli Haliti… kishte edhe mjaft të rinj kureshtarë, si puna ime, që si këpushë mbas tim eti, ndiqja grupet teatrore të ndërmarrjeve të qytetit myzeqar që befas dukej sikur jetonte nji ëndërr që do të shuhesh mjaft shpejt…
Midis asaj morie njerzish dhe personazhesh, syri im kish përzgjedhur veç dy: Hekuran Zhitin që ishte shpirti i organizimit dhe i humorit, dhe Murat Banon, nji djalosh që luante rolin e nji gjenerali gjerman… Edhe ai ashtu bjond, i pashëm, me at shpinën pak të krrusur, dhe at zërin grykor e determinant, edhe pse personazh negativ, më shtynte ta admiroja figurën e Muratit dhe ta harroja personazhin…
Po le ta lemë kohën në shenjtërinë e saj dhe t’i kthehem personazhit të shkrimit tim, të mbetur te ajo pika më e hershme e referimit tim: Visari i Letrave…
Mbas asaj dite të parë në shkollë, jeta e secilit prej nesh vazhdoi n’at hullinë e vet… Tashmë për Visarin, edhe pse i panjohur, dija gjithçka: dija se kush ishte, i njihja babanë, nënën, dija ku e kish shtëpinë, bile mëngjes e mbasdite kur kaloja aty pranë, i hidhja sytë me shpresë se ndonji ditë papritmas, mbasi Ai të mbaronte studimet në Shkodër, do të kishim mundësi ta pinim nji gotë birrë bashkë te “1 Maji”, të flisnim për letërsinë, t’i tregoja edhe “marrëzitë” e mia, që me guxim i quaja “poezi…!!” Pra ta kisha edhe unë shok Visarin, ashtu si Hekurani me Lazrin…
Po shpesh, kur ti pret që jeta të shfaqë anën e ndritshme të saj, befas të shfaq anën më të përbindshme… dhe ajo ëndrra e nisur prej Visarit… dhe e mbjellë edhe ndër ne, pësoi thyerjen e saj të madhe… nji ditë nëntori (për dreq kish qëlluar 8!!!) Mësuesi Gjuhës dhe Letërsisë në nji fshat të Kukësit iu shfaq shtetit si armik, ose më mirë shteti kish zbuluar te shpirti i nji poeti të brishtë të quajtur Visar varrëmihsin e vet…!!! O Zot! (S’paska pasur kategori më të madhe armiqsh ky vend se sa poetët!!! Prandaj me aq lehtësi Ata i rrëzonin para plotoneve të pushkatimit ose i lëkundnin trikëmbshave…)
Sapo kisha mbaruar ushtrinë, kur at mbrëmje vjeshte… im atë me zymtësi e trishtim të thellë na tha se: “…djalin e vogël të Hekuranit, shpresën ma të madhe të tij e kanë burgosë…!! Harrojeni çdo shpresë, o ju që n’kët Ferr hyni…” mërmëriti n’italisht vargun e famshëm të Dantes… Dhe fytyrën e tij ia mbuloi nji mjegull dhimbjeje…
Ajo ëndrra ime e nji mbrëmje me birrë dhe me bisedë letrare me Visarin, tashma qe shty në pritje… edhe për dhjetë vite të gjata… E ndërsa ai do të shtynte ditnetët burgjeve, unë do të vazhdoja baltrave…
Në burg do ta gjente Visarin kunati im, Dine Dine, dhe do të ishin shokë e bashkudhëtarë të “Rrugëve të Ferrit” në Spaç e Qafë Bari, ku regjimi shtynte ditët e tij të mbrame me vagonat e kromit që nxirrnin të burgosurit politikë… Ja ashtu, ndërsa shkëmbnin ndonji cigare apo përshëndetje mund të jetë futur edhe emri im atyre humbellave, si nji ngushëllim…
Me Visarin u takuam vetëm mbas daljes së tij nga burgu…
Nji mbasdite, në të errur, lamë biçikletat te derë e pallatit dhe ngjitëm shkallët e ndërtesës dykatëshe prej guri, për t’u futur te Tempullin e Tij… Qe nji mbasdite nga ma të bukurat e jetës sime… Ishte viti 1988, duhet të ketë qenë vjeshtë… Ndejtëm aty në sallën e pritjes që ishte dhoma e tij… plot me libra, kuadro dhe lule… Po më shumë ngrohtësi njerzore! Visari me mahniti me at mënyrën e tij rrëfyese gjysëmtallse, endërruese po edhe besuese… për punët e burgut, për projektet, më tregoi valixhen e dorshkrimeve… m’u shfaq përsëri ai shkrimi i tij ashtu të bukur… (s’ia kish prishur dot as kromi dhe as kroma…!!) E njihja at shkrim prej 17 vitesh, qysh ditën e shkeljes në gjimnaz… e kisha lexuar me nji frymë… po at ditë e takoja për së pari Njeriun! Prej asaj mbrëmje ai më rrëfeu krejt jetën e tij prej Shkodre në Kukës; krejt shokët e dikurshëm, nji pjesë e të cilëve e kishin rënduar me akuza fshehtas; më tregoi poezitë, dramat, tregimet, essetë që prisnin “kohë të tjera”; me rrëfeu për shokët e prangave, për jetën e burgut, ndërsa mirësia e nënës e dëgjonte me dhimbje, heshtje dhe adhurim, verbëria e të atit sikur i gjente sytë për ta parë at djalin e tij “të vogël”, që vazhdonte të besonte te ëndrra…
***
Nji mbrëmje vjeshte, (gjithnji vjeshtë!!) ndërsa terri mbulonte Myzeqenë, pa lajmëruar… Visari na e trokiti me droje portën e shtëpisë… Nuk ishte vetëm… ishte së bashku me nji pianiste, nji vajzë të bukur dhe sykaltërt, që i jepte dritë edhe territ!! Quhesh Mira, kishte sjellë nji trëndafil të bardhë, sikur krahas bukurisë na sillte paqe dhe mirësi… Ndejtën gjatë at natë tek ne… Dikur vajza nxorri nga trupi, (sikur shkuli nji brinjë), dy libra në serbo-kroatisht të nji poeti rebel malazes, Jevrem Bërkoviç… Ia dha Lazrit që me të shpejtë i hodhi nji sy kopertinës: Nji Ou e zgjatur iu bashkua titullit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, pastaj kaloi në faqen e parë ku ishte dedikimi ndaj Saj, e ndër të tjera shkruhesh “Princi yt”, ai qeshi dhe e pa vajzën drejt e në sy… Ndaloi te parathënia ku flitesh për edukimin e “armiqve të popullit” dhe ai fillim tronditës i asaj poeme antidiktaturë… ku Stalini jetonte ankthin e orëve të fundit të jetës… e futi paksa në të thella!!!
Diktatura ishte në këmbë dhe e kish deklaruar me bujë Vazhdimësinë… Po aty te ajo barakë kampi qeshej dhe ngrihej dolli… për ëndrrat! At mbrëmje Visari na kish sjellë Shpresën dhe kur doli meri me vete lirinë…!!
Jashtë ishte terr… Shumë terr… Qielli qe nxirë si të dilte nga shpirti i regjimit… Rrufetë i lëshonin kthetrat e tyre verbuese dhe të përbindshme gjithandej… E përcolla Visarin me pianisten, deri te rruga kryesore, folëm, qeshëm ashtu kot… ndërsa terri i thellë shpërthehej herë mbas here nga verbimi dhe gjëmimet… Edhe natyra sikur po e përcillte ashtu trazuar kohën që duhej të vinte…
Për dy javë poema u përkthye mjeshtërisht dhe u lexua në klandestinitet, duke kaluar dorë më dorë…
Në qiell ndjehej koha e ëndrrës…
Pastaj gjithçka u bë nji pafundësi takimesh, bisedash shkrimesh, diskutimesh, dëshpërimesh, shpresash dhe librash të botuar…
Visari s’rreshti së punuari dhe së luftuari… s’rreshti së dëshmuari krimet e diktaturës… Krahas kontributeve si përfaqsues i shtetit, ai bëri gazetarin opozitar, bëri drejtorin e botimeve, bëri poetin, deputetin, shkrimtarin, eseistin, por mbi të gjitha bëri Njeriun… askush si ai s’është lodhur duke shkruar të vërtetën e skëterrës së burgjeve, askush si ai s’ka nxjerrë nga errësira ngjarje, personazhe dhe heronj të gdhendur magjishëm; askush si ai s’e ka ngritur zërin në mbrojtjen dhe përkrahjen e të përndjekurve, prandaj askush si ai s’ka më shumë të drejtë për të folur haptas dhe pa lutje, sepse Visar Zhiti di të dëgjojë, di të mbrojë, di të vuaj, di të shpresojë, njeh thelbin e vuajtjes njerzore, dhe s’ka iluzione se e Mira mund të triumfojë aq lehtë… Dinjiteti i njeriut dhe dinjiteti i artistit tek emri i tij janë shkrirë në nji të vetëm! Prandaj Ai e thekson gjithkund se s’ka kapital që mund ta blejë shpirtin e lirisë dhe as dinjitetin e njeriut kur lufton për të…
Çdo njeri prej nesh mund të dënohet për lirinë e fjalës, po kurrë s’mund të dënohet shpirti i lirisë… Visari e ka dëshmuar me shembullin e tij personal se ka qenë dhe mbetet njeriu i shpirtit të lirisë… Dënimi dhe vitet e burgut, s’bënë asgjë tjetër veçse i dhanë krahë shpirtit të asaj lirie që jetonte brenda tij… Prandaj Ai mbetet gjithnji fitimtar… dhe s’mund të jetë ndryshe as kësaj here… as kurrë!!
Qershor 2013
(Botuar me titullin: Të takohesh me Visarin, të takohesh me Fitoren… Gazeta Telegraf 18 qershor 2013)

Visar Zhiti qershor 2013
Visar Zhiti qershor 2013

Biografi e Visar Zhitit

Ekspert në fushën e diplomacisë dhe komunikimit social, shkrimtar, poet, eseist, gazetar.
Z.Zhiti është Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që nga 3 prilli 2013.
Ai ka punuar në detyra të ndryshme në diplomacinë shqiptare, ka qënë
Ministër këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, Itali, 1995-2013;
Drejtor i Arkivës dhe Shtypit, (Asambleja e Tiranës) 1993-1995,
Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues i qytetit të Lushnjës (1996);
Drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1992-1993;
Gazetar në gazetën e parë opozitare, “RD”, Tiranë, 1990-1992;
Mësues në Kukës 1975-1979.
Z.Visar Zhiti është persektuar nga regjimi komunist, i burgosur politik, Spaç, Qafë-Bari, 1979-1987 dhe pa të drejta elektorale, botimi e ushtrim të profesionit, Lushnjë, 1987-1990.
Z.Zhiti është diplomuar në Universitetin e Shkodrës, Gjuhë dhe Letërsi shqipe 1971-1975;
studime pasuniversitare në Komunikim Social, Itali, Universiteti Katolik i Milanos dhe Udines, 1991;
Studime Gazetarie, Itali, “Il sole 24 ore”, “Corriere della sera”, “Avvenire”, Milano, 1991-1992;
specializuar Bibliotekat dhe arkivat parlamentare, Bruksel dhe Luksenburg, 1994;
Biblioteka e Kongresit Amerikan, Washington, SHBA, 1994;
Studime në “Diplomaci”, Kajro, Egjipt, 2006;
Master: Peace Building Management – per costruire la pace nel mondo, Medio Oriente-Balcani, Fakulteti i Teologjisë San Bonaventura, Romë, 2007-2008.
Z.Visar Zhiti komunikon në Italisht, anglisht dhe rusisht.
Është autor i shumë librave, të përkthyer dhe në gjuhët anglisht, italisht, rumanisht, kroatisht, maqedonisht. Poezitë e tij janë futur në tekste e antologji të ndryshme dhe në frëngjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, malazeze, boshnjake, etj. Ndërkohë ka përkthyer autorë të huaj në gjuhën shqipe.
Visar Zhiti ka marrë disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Fitues i “Çmimi i Madh i Letërsisë”, Tiranë, 2012
Ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës/Maqedoni; anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali, anëtar i PEN Clubit Ndërkombëtar, Itali, etj.
Si njeri i letrave është i përfshirë në enciklopedi të vendit dhe të huaja si ato italiane, angleze, amerikane, etj.
(Sipas Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve)

 

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.