back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Disá vjerrsha të Salvatore Quasimodo-s – përkëthye nga Ernest Koliqi

Gazeta

Salvatore Quasimodo & Ernest Koliqi
Salvatore Quasimodo & Ernest Koliqi

Disá vjerrsha të Salvatore Quasimodo-s

përkëthye nga Ernest Koliqi

Në gjymsën e dytë të qershorit 1968, vdiq n’Amalfi, ku ndodhej si mis i njâj komisjoni për të shênjue nji çmim poezije, Poeti zâmadh, Çmim Nobel, Salvatore Quasimodo. I lindun në Sirakusa në 1901, nga nji familje e vobekët, kreu studimet me shum vishtirsí, tue qindrue si nëpunës në nji zyre të vogël shtetnore. Kaloi prej Sicilís mâ parë në Romë e në Firenze e mâ vonë zûni vend në Milan, ku trupí i tij u suell për vorrim.
Të parat përpjekje poetike i paraqiti në 1930 në vëllimin me titull: Ujna e dhéna. Mandej botoi njânin mbas tjetrit edhe vëllime tjera vjerrshash, qi ia bânë të njoftun emnin n’atdhe e jashta atdheut. Me 1940, duelne përkthimet e tija nga klasikët grekë e romakë, të cilat u pritën me miratim të madh nga kritikët letrarë. Ngjitas me Ungaretti-n e me Montale-n, Quasimodo njehet si shprehës i shquem i frymës së kohnave të reja. Poezija e tij ndoq në fillim rrymbën e ermetizmit, por erdhi shkallë-shkallë tue u bâ mâ korale. Nuk e harroi kurr vendlindjen: Sicilija, zêmër e Mesdheut, trevë ku lulzuen në rrjedhje të moteve qytetnime të ndryshme, i dhuroi frymzimet mâ të lume. N’at ujdhesë shkëlqei qytetnimi helenik e në gjak të Quasimodo-s lëvizte gjillesa e tij kështu qi edhe pëlhura ligjiruese e vjershave mâ të mira përsritte thjeshtësín e njiherit fuqín skalitëse të lyrikve grekë të lashtësís.
Salvatore Quasimodo shkroi mirsisht në të përkohëshmen Ore Nr. 25 – Nuova Serie – 5 Seltembre 1963 – pag. 28) mbi përkthimet italisht të lyrikve shqiptarë botue nga Ernest Koliqi në vëllimin Antologia della lirica albanese(Milano 1963) tue u shtrî n’at reçensim edhe mbi fazat e ndryshme të zhvillimit historik të poezís shqiptare. Këtu po paraqesim të përkthyeme shqip disa ndër lyrika mâ të njoftuna të Quasimodo-s.

[Kjo hymje, pa emën autori, mund të jetë shkrue nga Martin Camaj, i cili asokohe ishte kryeredaktor i “Shêjzave”.]

Tre Hermetiket Nobeliste Montale-Ungaretti-Quasimodo
Tre Hermetiket Nobeliste Montale-Ungaretti-Quasimodo

★ – Dhe arrîn mejhera mbrâmja

Çdokushi rri vetëm mbi zêmër të tokës
shporue prej nji rrezjeje dielli
e arrîn mejhera mbrâmja.

★ – Erë në Tindari

Tindari, t’njof të butë
n’rreth kodrash t’gjâna i mvarun përmbi ujnat
të t’âmblave ujdhesa të hyut,
sot më sulmon
dhe priresh mbi zêmër.
Ngjitem kreshtave humbnerave ajrore,
mendueshëm n’erën e hàlave,
e tuba e shokve kamb-leht’ qi më përsjell,
largohet n’ajr të shpatitt
val’ tingujsh e dashnije,
e ti prej t’cilit
vishtirshëm unë u ndáva
m’rrëmben me tut’ hijesh dhe heshtjesh
dikúr streha âmbëlsísh bukur të shpeshta
dhe vdekje shpirti.
T’âsht e panjoftun toka
ku përditë un’ humbas
e rrokje të mshefta ushqej:
tjetër drit’ përmbi xhama t’i shkoq’ fletët
n’veshën e natës,
e haré qi nuk âsht e imja
t’pushon n’prêhen.
Mërgim’ â’ i ashpër,
kërkesa e harmonís qi ndryjshem n’tý
n’rrebullí shëndrrohet sot
të nji vdekjeje së parakohëshme;
e çdo dashní mbulojë âsht e disprimit,
hap i hesht’shëm n’errsí
ku më caktove vendin
nji buk’ të thart’ me thye.
Tindari, kthe i qetë;
m’zgjon nji mik i njerzishëm
e m’fton t’sodis nga nji shkamb qiellin
dh’un’ frigacak i shtîhem kúj nuk din
se ç’erë e thell’ desht t’m’përpinte.

★ – Tash qi drita po zbardhë

Àsht nata n’e sosun dhe hâna
po shkrîhet dal-dal’ n’qiell të qetë,
prendon n’vija t’újit.
E kështu kaloj shtatorin në kët dhé
fushash, e t’blerta jan’ livadhet
sikur ndër lugina të jugut kah prendvera.
Unë i u shtëmanga shokvet,
edhe e mshefa zêmrën mbrenda mureve t’vjetra
për me ndejun vetëm me t’kujtue.
Sa larg jé, shum mâ larg se hâna
e qiellit tash qi drita po zbardhë
e mbi gur t’udhës kërset thundra e kvalve.

★ – Engjulli

Po flên engjulli
mbi drandofille ajri,
i bardhë,
e n’prehen t’kryqzueme
mban të bukurat duer.
Zâni i em ia nxjerr gjumin
e m’buzqeshë,
resh’ me ènd lulesh
mollzèn e faqes së njomë.
Këndo; m’lén n’zêmër
nji mall qielli agimuer.
I êm âsht èngjulli:
unë e zotnoj: t’àkullt.

★ – Njerí i kohës s’ime

Endé ké mbetun ai i gurit dhe i hobés,
njerí i kohës s’ime. N’avjon ti ishe,
me flatra dâmtore, me vegla qi mbjellin vdekjen,
– t’kam pá – mbrenda qerres së zjarrmit, ti ké drengat,
ké rrotat e mundimit. T’kam pá: ishe ti
me dijen t’ande t’përpikun lakmues sodûmjesh,
pa dashuní, pa Krisht. E prap e prap ké vrá
si gjithmonë, ashtu si vráne etnit, si vráne
shtâzët kur të páne për herë të parë.
E ky gjak érrson edhe sot si në ditën
kur vëllau i u suell vëllaut edhe i tha:
“Eja t’dalim te arat”. E ajo jehonë e ftoftë,
e pashueshme erdhi deri te ti, mbrenda ditës s’ate.
Harroni, o bij, rét me gjak të mbársuna,
ngjitnju sipër tokës, harroni etënt t’uej,
vorret e tyne po mbyten në pluhun
dhe zogj t’zez, rriba e erës, po ia mbulojnë zêmrën.

.
[Përgatiti publikimin Agim Morina]

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.