back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Diskriminimi i qeverisë së sotme ndaj Veriut të Shqipërisë – nga Mal Berisha

Gazeta

Ambasadori Mal Berisha
Ambasadori Mal Berisha

Diskriminimi i qeverisë së sotme ndaj Veriut të Shqipërisë 

Monizmi krahinor

nga Mal Berisha

Disa ditë më parë filloi një debat në rrjetet sociale rreth shpërpjestimit të pa-imagjinueshëm që ekziston midis super- përfaqësimit me staf Jugor ndaj atij Verior në administratën e sotme të Shtetit Shqiptar. I nxitur nga ky debat krejt embrionik, bëra një kërkim në internet në të gjitha faqet e Kryeministrisë dhe të Ministrive të Qeverisë së sotme Shqiptare.
Ja çfarë zbulon njeriu në këtë kërkim: Sot, si kurrë ndonjëherë, ekziston një përfaqësim tmerrësisht shpërpjestimor dhe diskriminues Jug – Veri në adminstratën e shtetit shqiptar.
Asnjë Ministër, asnjë zëvendësministër, asnjë drejtor i rëndësishëm dhe asnjë këshilltar në qeverinë e sotme nuk është nga veriu;
Në shërbimin e sotëm Diplomatik Shqiptar midis 51 titullarëve, Ambasadorë dhe Kryekonsuj, veriorët numërohen me gishtat e njerës dorë.
Rezultati i kësaj qeverisje: Që nga fundviti 2013, i vetmi investim në Shqipërinë e Veriut është: Terminali Taksambledhës i Tunelit të Kalimashit.
Ky është rezultat i përfaqësimi tmerrësisht shpërpjestimor e diskriminues Jug – Veri në adminstratën e sotme të shtetit shqiptar. Këto të dhëna e vlen t’i bëhen të njohura publikut të përgjumur shqiptar sidomos atyre që jetojnë në Veri të vendit dhe në emigracion.
Le të supozojmë për një moment që një parti politike shqiptare vjen në pushtet dhe bën të njejtën gjë duke përjashtuar Jugorët siç janë përjashtuar Veriorët sot!? Çfarë do të ndodhte!?
Në Shqipërinë e kësaj dite kur po shkruaj unë, është i njohur sundimi Një-Partiak në çdo qelizë të shtetit. Megjithatë, Monizmi Politik i sotëm është të paktën temë e diskutimeve të përditshme mediatike, analizave politike dhe debateve ndërpartiake edhe pse:
Askush nuk ua ve veshin!?
Por ndërsa monizmi i frikshëm politik bie më shumë në sy, një anësim tjetër edhe më i tmerrshëm është Monizmi diskriminues Krahinor, ose përfaqësimi me njerëz nga Jugorët e Shqipërisë ose Toskët dhe përjashtimi pothuajse absolut nga qeverisja, i veriorëve ose i Gegëve të vendit tonë.
Të gjithë antropologët e huaj kanë vënë re dallime jo-esenciale midis banorëve Gegë dhe Toskë të Shqipërisë. Dallime Jug-Veri vihen re tek shumica e kombeve të vjetra të botës. Por ajo që është nënvizuar gjithmonë është se populli ynë është i njëjti si në Jug ashtu edhe në Veri, pasi flet të njejtën gjuhë me dallime jo të rëndësishme dialektore. Shto këtu edhe faktin se çdo përpjekje për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë ka qenë njësoj e iniciuar dhe e zhvilluar nga të dya anët e vendit Jug – Veri – Gegë – Toskë. Kësaj harmonie i duhet shtuar edhe harmonia fetare e veçantë dhe e pashoqe në botë. Kjo është një e dhënë nga Zoti e ngulitur në Virtytin e Popullit Tonë. As pjesa e popullsisë jugore – Toskë, po të pyetej, kurrë nuk do ta dëshironte një ndarje dhe diskriminim të tillë si ky i sotmi!
Unë që po e ngre këtë problem për publikun kam një avantazh të madh që më bën të rrëzoj çdo hamendje se shkrimi im ka për qëllim të ngre problemin e ndarjes krahinore midis shqiptarëve, Gegë e Toskë, temë shumë herë e preferuar e vetë përçarësve për të fshehur keqbërjet e tyre.
Pra, kam të drejtën të shkruaj për këtë fenomen nga pozitat kur familja ime përbëhët nga një përzjerje Veri – Jug. Unë jam Gegë. Bashkëshortja ime është Toskë. Për rrjedhoje fëmijët e mi janë 50 përqind Gegë e 50 përqind Toskë. Ndërsa nipi dhe mbesa ime janë 25 për qint Gegë dhe 75 përqint Toskë. Ata i kanë prindërit me fe të ndryshme por, siç thotë At Fishta: “Bajram dhe Pashkë i festojmë Bashkë”.
Emri, edhe mbiemri im që po e ngre këtë problem i “ndihmon” stigmatizuesit ndaj njerëzve të krahinës time. Ata më shumë “kujdesen” për të drejtat e të zinjëve të Amerikës, sesa për poshtërimin që iu bëjnë vëllezërve e motrave të tyre shqiptare, nga veriu të cilët i quajnë “Malokë”. Emri im, jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga tre germat e para e ndihmon stigmën. Është ky përçmim që ka sjellë këtë anësim përfaqësues-diskriminues në administratën e shtetit. Le t’i referohem asaj Rilindjes së vërtetë se si e ka trajtuar këtë çështje më një varg poetik:
 
Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci - 1936asgushi-dhe-fishta
Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci
Gegë e Toskë, Malsi jallia,
Janë nji komb m’u da s’duron,
Fund e maje nji a Shqipnija,
E një gjuhë t’gjithë na bashkon.
Le të zgjoj interesin, brengën, shqetësimin, kërshërinë dhe turpin e atyre që nuk brengosen sesi është përfaqësimi në administratën e sotme në kuptimin krahinor të fjalës?
Tre krerët e shtetit, Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri janë nga Toskëria. Asnjëri nga Gegnia!
Asnjëri nga 15 Ministrat e kabinetit të sotëm nuk është Gegë nga Veriu. Asnjëri nuk është katolik dhe asnjëri nuk ka lidhje me Veriun e Shqipërisë!?
Asnjë nga Zëvendësministrat e Qeverisë së sotme shqiptare nuk është nga Veriu!?
Nga 51 Misione Diplomatike, vetëm katër – pesë titullarë janë nga veriu.
Sipas të dhënave në ëebsitet e Ministrive rezulton se nuk ka: Nuk ka Asnjë drejtues të qeverisë së sotme, i cili të ketë lidhje me zonat në veri të Lumit Ishëm, pra, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Mat, Bulqizë, Dibër, Shkodër, Malësi e Madhe, Kukës, Pukë, Has dhe Tropojë. Përkatësisht, po të bësh një kërkim të thjeshtë në websitet e Ministrive, nuk të kap syri as këshilltarë të Ministrave që të jenë nga këto anë;
Spastrimi në emër të vetingut nëpër gjykata ka sjellë edhe spastrimin krahinor duke mos lënë asnjë verior në Gjykatën Kushtetuese dhe as në atë të Lartën! Kjo tendencë spastrimi vazhdon në manyrë të frikshme në instancat tjera të gjyqësorit.
Të jetë vallë kjo një koincidencë e rastit, apo një veprim i qëllimshëm që vjen erë të rëndë anti-kombëtare?
Imagjinoni që as në Ministrinë e Diasporës nuk gjen dot një verior në detyrë, as edhe si këshilltar, a thua se tërë emigrantët shqiptarë janë nga Jugu i Shqipërisë!?”
Habia më e madhe është sesi përfaqësuesit e popullit të krahinave të veriut në strukturat e partisë në pushtet dhe në Parlament, janë strukur nga frika dhe squllur nga rehatia e favoreve personale që përfitojnë nga heshtja dhe pajtimi me të keqen! Ata nuk e ngrenë zërin për këtë keq-përfaqësim diskriminues grotesk përpara elektoratit të tyre. Të jesh në pushtet do të thotë të kesh qeverisjen e vendit dhe kur e ke këtë të fundit, atëherë ke edhe shpërndarjen përpjestimore të vendeve të punës, pozitave në qeverisje dhe të fondeve për punët dhe investimet publike. Pra barazi, të paktën për ata që sundojnë.
Le të shohim se si është reflektuar ky shproporcion përfaqësues diskriminues në qëndrimet e qeverisë qendrore ndaj pjesës veriore vendit. Mjafton të kujtoj se një qeverisje e tillë nuk ka bërë asnjë investim në veri të Lumit Ishëm që prej tetë vjetësh. I vetmi investim është Terminali i Thirrës në Kalimash, i cili nuk është bërë për ta ndihmuar, por për ta ndëshkuar Veriun e Shqipërisë. Ishte hakmarrja ndaj Rrugës së Kombit, e mallkuar për tetë vjet të të qenurit në opozitë e pushtetarëve të sotëm, që prodhoi Terminalin e Thirrës. As Ura e Kukësit ende nuk është bërë!?
Për ta krahasuar atë që siç thotë poeti ynë Rilindas i vërtetë:
 
Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime
Ndër kto vllazën shoq me shoq:
Kush e dán me fjal’e shkrime
Ça natyra vetë përpoq.
 
Tirana e vitit 2010
Tirana e vitit 2010
Po sjell shkurt sesi e ndërtuan shtetin e parë shqiptar Baballarët e Kombit tonë, nën drejtimin e themeluesit, Ismail Qemalit:
Midis nëntë ministrave, në kabinetin e parë të Ismail Qemalit, katër ishin nga veriu dhe pikërisht, Dom Nikoll Kaçorri, Gjeneral Mehmet Pashë Deralla, Abdi bej Toptani dhe Dr. Luigj Gurakuqi. Katër të tjerë, Myfit bej Libohova, Dr. Petro Poga, Mit’hat Bej Frashëri dhe Pandeli Cale ishin nga Jugu. Toskët dhe Gegët, Muslimanët, Ortodoksët dhe Katolikët ishin përpjestimisht të përfaqësuar.
Ky përfaqësim Toskë-Gegë u ruajt edhe në atë qeveri jetëshkurtër të Princ Vidit. Kështu nga nëntë portofole tre ishin Gegë njëri prej tyre katolik.
Gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare është i njohur kujdesi që Ahmet Zogu, bënte për ruajtjen e balancave krahinore dhe fetare në drejtim të shtetit. Pandeli Evangjeli dhe Kostaq Kota të dy ortodoksë nga Korça do të ishin kryeministrat e përhershëm Toskë në të tëra qeveritë e Mbretërisë Shqiptare. Ndërkohë emra të tillë si Hilë Mosi e Mirash Ivanaj, të dy katolikë, gjendeshin përherë në qeverinë shqiptare.
Edhe në periudhën komuniste, edhe pse ka patur pabarazi të ngjashme me këtë të sotmen, është bërë një farë kujdesi. Të paktën nuk ka pasë një diskriminim kaq absolut!!
Në qeverinë e parë demokratike të vitit 1992, shohim një përkujdesje të madhe për të vënë në krye të shtetit përfaqësues jo vetëm nga dy krahina, pra Toskë dhe Gegë por edhe në pikëpamje fetare. Kështu, një Shqipëri Demokratike e sapodalë nga ateizmi, vendos në krye një President Verior musliman, një Kryeministër Jugor ortodoks dhe një Kryetar Parlamenti verior, katolik. Ndërkohë, për shkak të një epërsie në krye të shtetit shqiptar, të dy veriorëve, shohim një “kompensim” me antarë të qeverisë. Kështu nga 21 anëtar të qeverisë, vetëm pesë syresh janë nga Veriu i Shqipërisë ose nga Gegnia ndër ta edhe katolikë.
Kur njeriu sheh këto evidenca pyet veten: A jetojmë sot në një shtet Unitar? A mos jemi të drejtuar nga një qeveri ku taksat e qytetarëve mblidhen nga të dy anët e vendit por investohen vetëm në njërin krah? Për shembull:
Sot kërkohet të bëhet Tuneli i Llogarasë dhe një Lungomare në Vlorë. Paratë për ato i paguan çdo shqiptar si në Jug si në Veri. Shumë bukur!
Po pse për tetë vjet nuk janë shpenzuar para për rrugën Tiranë – Fushë Krujë – Milot – Lezhë – Shkodër apo Milot – Rubik? Pra në rrugët që lidhin Veriun e vendit me kryeqytetin dhe Jugun dhe që mban më shumë se çdo tjetër gjallë, sektorin e turizmit?
Janë rrugë që lahen çdo ditë në gjak dhe që kanë fluksin më të madh të udhëtarve që mbushin çdo ditë hotelet tona me vizitorë e turistë nga Kosova? Asnjë investim nuk është bërë për tetë vjet në ato segmente rrugore që çojnë dhe sjellin njerëz nga veriu i vendit dhe Kosova. Ajo ka mbetur si një gryke shishje ku njerëzit më shumë kohë harxhojnë nga Miloti në Tiranë sesa nga Prishtina në Milot!?
Pse nuk ndërtohet rruga që të çon në Theth, vendi më i preferuar i turistëve nga e gjithë bota e që gjendet në thellësi të zonës veriore – katolike – shqiptare?
Në dy mandate të Partisë Demokratike u ndërtua Tuneli i Thirrës që e solli Prishtinën për tre orë në Tiranë, por u ndërtua edhe Tuneli Krrabës që e solli Elbasanin për 21 minuta në Tiranë. Sepse kishte barazi dhe jo diskriminim.
Pra shpërpjestimi i tmerrshëm diskriminues në drejtimin administrativ të vendit ka rezultatin e vet: Mbledhje taksash në Veri dhe punësim dhe investime në Jug.
Kjo nuk është një gjë që nuk duhet vënë re. Përkundrazi duhet vënë re dhe ndryshuar! Jo duke bërë të njejtin gabim, kushdo që të vijë në pushtet
Tashmë gjithkush e di sesi zgjidhet kjo!
.
21 janar 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.