back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Dita e Pavarësisë në ferrin e Burrelit – rrëfim i 92 vjeçarit Avni Xhomaqi, i burgosur në burgun e Burrelit

Gazeta

Avni Xhomaqi
Avni Xhomaqi

Dita e Pavarësisë në ferrin e Burrelit

rrëfim i 92 vjeçarit Avni Xhomaqit,

i burgosur në burgun e Burrelit

A ia rrok ndokujt mendja se çfarë ndodhte brenda këtij burgu? Brenda këtij ferri ku një numër ende i papërcaktuar shqiptarësh do të vuante dënimet më absurde në vitet e gjata të diktaturës…? Një tmerr dhe një tragjedi ende e parrëfyer dhe e pashkruar si duhet, e shkaktuar jo prej të huajsh, por prej vetë shqiptarëve…

Ndonëse kanë rrjedhur shumë vite nga atëherë, ndonëse përveç disa tregimeve të atyre mandelave që i mbijetuan Burgut të Burrelit, shumë pak është shkruar për ngjarjet për atë burg-ferr të kohës së diktaturës. Pavarësisht kësaj zbrazëtie të thellë, pavarësisht këtij rrëfimi të thjeshtë, të qetë e fjalëpakë, këto histori duhen treguar, sepse edhe atje në kashot e atij burgu festohej 28 nëntori, festohej dita më e shënuar e shqiptarëve, dita e Pavarësisë. 

Përshkrimi i këtyre ngjarjeve është shërim për plagët e thella, rrëfimi i këtyre historive të dhimbshme qetëson dhe paqëton shpirtërat e zemëruar, njohja e tyre e vërtetë, e vret në embrion rilindjen e krimit dhe kuptimi i origjinës së tij, është mënyra më e mirë për të vështruar drejt dhe qartë botën në të cilën jetojmë…

***
Nuk më del nga mendja 28 nëntori i vitit 1947, – tregon Avni Xhomaqi. Atë mbasdite na kishin nxjerrë për të marrë pak ajër dhe për të mbushur ujë në pusin që ishte në mes të oborrit të burgut. Ishte Festa e Flamurit atë ditë, dita më e shënuar e shqiptarëve!
Kjo datë e shënuar do të festohej atë ditë edhe aty, do ta festonim edhe ne atë jubile në atë burg-ferr të Burrelit ku na kishin hedhur… do ta festonim ashtu duke ia marrë këngës… Dhe më shumë se 500 zëra burrash shpërthyen bashkërisht në oborrin e burgut. Burra, pleq e djem të rinj filluan të këndonin për flamurin, për mëmëdhenë, për Kosovën dhe për Çamërinë:

Me Kosovë e Çamëri/ Do të jetë prapë Shqipëri…

Kori i Skllevërve nga opera Nabucco Donossor
Kori i Skllevërve nga opera Nabucco Donossor

U tronditën muret e burgut nga kënga dhe gjëmimi i gjokseve të tyre. U vu në alarmin policia, administrata e burgut dhe gardianët… Me automatikë nëpër duar, u binin bilbilëve si të tërbuar dhe na detyruan të futeshim brenda.
E ndaluan këngën. Drejtori i burgut rrethuar me togën e policëve na pyeste një për një:
-Kush e filloi i pari këngën, kush ja mori këngës?
-Të gjithë bashkë ishim në këngë, të gjithë bashkë ia morëm këngës, të gjithë bashkë!- ishte përgjigja e të burgosurve.
Atëherë të gjithë nuk i merrnin dot… por veçuan prej nesh rreth 30 veta, që i kishin gjithnjë në shënjestër; e midis tyre edhe ish ministrin e arsimit, Gjergj Kokoshin, avokat Ramin, Ibrahim Biçakun, Qemal Vrionin dhe plot të tjerë.
Pasi i urdhëruan të hiqnin këpucët, çorapet e xhaketat, i futën në birrucat e mbushura me ujë të akullt të nëntorit burrelas. Ato biruca ishin të posaçme për tortura të tilla. I lanë me orë të tëra…

Avni Xhomaqi pak përpara vënies në pranga.
Avni Xhomaqi pak përpara vënies në pranga.

Unë u afrohesha në dritaren e birucës së tyre ku vuanin dhe u jepja kurajo duke recituar ato vargje që na mëkonin atëherë shpresën e shpëtimit:

Luftë e vazhdueshme, jeta e të fortit
Në monopate të këqija ajo kalon
Duke ecur përpara, gjen vdekjen
Shpresë dhe kurajo!”

Marrë nga Muri i fb i Ermira Xhomaqi – Godo, 28 nëntor 2016   

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.