Ditë e trishtë për futbollin shqiptar…
nga Saimir Kadiu
Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare,
futbollisti i madh Sefedin Braho, “Shigjeta” gjirokastrite…!
Mbi 15 vjet në fushën e blertë, duke luajtur për Luftëtarin e Partizanin si edhe ekipin përfaqësues (9 ndeshje; 1 gol)
Me fat që e kam parë dhe e kam ndjekur këtë talent të madh të futbollit shqiptar.
Në vitet ’70, në futbollin shqiptar luanin tre “shtata” të mëdha:
Ilir Pernaska – Sefedin Braho – Petrit Dibra!
Të tre të jashtëzakonshëm…
Përnaska më i madhi, Dibra më i shpejti e më aristokrati, kurse Braho padyshim më spektakulari… një mini Garincha shqiptar.
Kur shikoj sot Mo Salah e Liverpool-it, në Premiere League gjithmonë mendoj për Sefedin Brahon… për më tepër, mendoj që Braho ishte më spektakular.
Nëse do të pranonte ofertën milionëshe të Celtic-ut në vitin 1979, krahasimi me Salah nuk do të ishte edhe aq hipotetik!!
Sefedin Braho, padyshim, talenti më i madh i Jugut të Shqipërisë! Ai do të kujtohet për elegancën, driblimin, shpejtësinë në fushë, dhe golat…
E nuk mund të harrohet gjithashtu edhe trinomi i Luftëtarit, Braho-Kalluci-Seiti!
Sulmuesi fisnik ishte më i “sulmuari” nga ndërhyrjet brutale në fushën e lojës… por ai asnjëherë nuk u tremb as u tërhoq…
Do të ishte në nderin e Bashkisë së Gjirokastrës që stadiumi i qytetit të mbante emrin “Sefedin Braho”.
Emri aktual i tij s’ka asnjë lidhje me futbollin.
Lamtumirë Sefedin Braho!
Marrë nga Muri i Fb Saimir Kadiu, 6 tetor 2024,