back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ditë mbas dite (1940-1946) – Poemë nga (Giuseppe Ungaretti)

Gazeta

Giuseppe Ungaretti (1888-1970)
Giuseppe Ungaretti (1888-1970)

Giuseppe Ungaretti (8 shkurt 1888 -1 qershor 1970)

“Poema ‘Dite mbas Dite’ u shkrue prej Ungarettit,
mbas vdekjes së djalit nantë vjeçar Antonietto, me 1939.
Tronditja e kësaj humbjeje e bani poetin të mbijetojë me vështërsi.
Në poemë kjo gjendje përcaktohet si “dhimbje e pafundme”,
po edhe si nji ngushëllim i të ndjemit të djalit gjithnji pranë,
me shpresën se nji ditë ka me e mbrritë ai n’botën e përtejme.
Fjala poetike e Ungarettit nuk i dorëzohet dhimbjes,
as e sublimon atë, thjesht e shpërfytyron dhimbjen!”
Poema asht shkëputë prej veprës së plotë të Ungarettit: “Jeta e nji Burri”,
dhe asht në proces botimi ne 50 vjetorin e vdekjes
Giuseppe Ungarettit (1 qeshor 1970).
Së shpejti kjo vepër e plotë do të jetë në duert e lexuesve,
e sjellë në shqip prej Jozef Radit.
.
Ungaretti dhe i biri Antonietto pak para vdekjes
Ungaretti dhe i biri Antonietto pak para vdekjes

Ditë mbas dite (1940-1946)

Poemë nga (Giuseppe Ungaretti)

1.
“Askush, o nanë, s’ka vuejtë kaq shumë…”
E ftyra thuej zhdukë
Po sytë ende t’hareshëm
Prej nënkrejse rrotullohej te dritarja
E mbushej dhoma me trumcakë
Me dromcat prej gjyshit shpërnda
M’e hutue voglushin e vet…
 
2.
Tash mundem me t’i puthë veç n’andërr
Duert besimplota…
E kuvendoj, punoj,
Posa jam ndryshue, druhem, duhan pi…
Si mundem m’i ba ballë k’saj nate kaq t’gjatë?
 
3.
Vitet kanë me m’dhurue
Kushedi edhe sa tmerre tjera,
Po të ndjeja pranë,
Me m’ngushëllue sado pak…
 
4.
Kurrë, kurrë s’keni me e kuptue si m’përndriste
Hije që m’derdhesh përbri, e ndrojtun,
Kur ma s’shpresoja…
 
5.
Tash ku asht, ku asht njaj za i pafajmë
Që n’jehonë përsillesh ndër dhoma
Dhe e shkulte prej andrallash njat njeri t’lodhun?…
Toka e ka shpartallue, po e mbron
Nji e kalueme e prrallshme…
 
6.
Çdo zà tjetër asht nji jehonë që shuhet
Tash që dikush m’thërret
prej majash t’pavdekshme…
 
7.
N’qiell e kërkoj ftyrën tande t’lumtun,
E sytë e mi mbrenda meje s’shofin asgja
Pse edhe ata duen m’e mshehë mbrendë Perendinë…
 
8.
E të due, të due, dhe asht dhimbje e pafund…!
.
Ungaretti ne shetitje
Ungaretti ne shetitje
9.
Tokë e egërsueme, det i frikshëm
Më ndan prej vend vorrimit
Njaty ku tash tretet
Trupi i martirizuem…
S’vlen për asgja… E ndij gjithnji e ma tepër
At zà shpirtnor
Që s’dijta me e mbrojtë n’at botë…
Gjithnji e ma gazmore, ma e dashtun, m’veçon
Prej nji çasti te tjetri,
Me at misterin e saj të thjeshtsisë…
 
10.
U jam kthye kodrinave, pishave të dashtuna
E ritmit të flladit, ai zà atnor
Që s’do ta ndigjojmë ma sëbashku,
Ma gërryen çdo grahmë fryme…
 
11.
Hiku dallndysha, e bashkë me të edhe vera,
E unë, them me vedi, njasaj rruge jam…
Po mbetet dashnia që m’sfilit
Jo veç shenja e nji lbyrje të shkurtë
N’se prej ferrit po m’vjen ndonji qetësi…
 
12.
Degë e zhgënjyeme nën teh
Të shpatës ra e nis m’u ankue, jo ma pak
Se gjethja nën përkitje të flladit…
E ishte tërbimi që i rrihte format
E brishta dhe mëshira
E njerzishmja e nji zani që m’bluen…
 
13.
S’më sjell ma trazime vera,
As pranvera me parandjenjat e saj;
Mundet m’u përthye, vjeshta,
Me lavditë tua t’çmenduna:
Për nji dëshirë të xhveshun, dimni
Shpalos stinën ma t’mshirshme…
 
14.
Tash deri n’eshtra m’ka zbritë
Thatsina vjeshtore,
Po zvarris prej hijesh,
Pafundësia befas m’sjell
Nji përshkënditje të çmendun:
Tortura e mshehtë e perëndimit
t’gremisun…
 
15.
Kam me e kujtue gjithnji pa dhimbje
Njat agoni magjepse ndjenjash?
Ndigjo, o i verbën: “Nji shpirt ende i paprekun
prej ndëshkimit t’randomtë asht nisë…”
 
Kam m’u ligshtue ma pak po mos t’i ndigjoja
Klithmat e gjalla t’pastërtisë së tij
Se me ndje thuej t’shueme mbrenda meje
Dridhërimat e frikshme t’fajit?
 
16.
Lajthitjeve që tringëllijnë prej xhamash
U dallohet nji refleks i mbulesës n’hije,
Kthehen n’shkëlqimin e brishtë t’nji shtambe
Luleboret e gufueme n’livadh, nji sorrajkë e dalldisun,
Qiellgërvishtsi nën afshin e reve,
E mbi pemë, kërcime t’nji carroku…
 
Rrapëllimë e pafund dallgësh
Merr hov me mbrritë tash n’dhomë
E n’shtangien e trazueme t’nji linje
Të kaltërt, çdo ndamje davaritet…
 
17.
Shfaqet ambël e ndoshta kndej pari sillet
Tue thanë: “Ky diell dhe krejt hapsina pafund
Të qetsojnë. Në frymën e erës mundem
Me e ndje kohën që shkon po edhe zanin tim.
 
E kam mbledhë pak nga pak e mbyllë mbrenda meje
Vrullin e pagojë të shpresës tande.
Ndjehem agu dhe dita e virgjën”.
.
Sjellë në shqip prej Jozef Radi

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.