Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan
28-29-30 Tetor 2016
nga Ilir Seci
Në datat 28-29-30 tetor 2016, në shtetin e Michigan-it në SHBA, u mbajt Edicioni i 15-të Letrar, “Ditët e Letërsisë Shqipe”, një aktivitet që mbahet për 15 vjet me rradhë në SHBA, që nga viti 2001. Ky aktivitet letrar për 15 vjet me rradhë është bërë i mundur falë kujdesit të Revistës “Kuvendi” që botohet në Michigan nën drejtimin e krijuesit Pjetër Jaku. Aktiviteti është lënë për t’u mbajtur në fund të muajit Tetor të çdo viti në perkujtim të datëlindjes së Homerit Shqiptar, At Gjergj Fishtës…
Këtu gjej rast të theksoj se për këto 15 vite me rradhë ky aktivitet është mundësuar nga përpjekjet e çiftit të poeteve, Pjetër Jaku dhe Elinda Marku.
Nuk mund të rri pa e theksuar dhe vënë në spikamë sakrificën e madhe të këtij çifti që për 15 vjet me rradhë me përpjekjet e tyre, me shpenzimet e tyre, me kohën e tyre, për vit kanë mundësuar realizimin e këtij aktiviteti.
Respektin më të madh për ta!
Për vit që nga viti 2001, në këtë aktivitet ftohen krijues shqiptarë, jo vetëm me banim në SHBA, por edhe nga krejt viset ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Çamëri.
Aktiviteti u mbajt në mjediset e Kishës Katolike Shqiptarë në Rochester, Michigan që bujarisht ofroi mjediset e veta për këtë aktivitet.
Këtë vit i ftuar nga Dheu i Atit ishte shkrimtari Agron Tufa, që erdhi nga Tirana, me bashkëshorten Elvana, po ashtu nga larg, nga Franca erdhi edhe poetja Enkeleda Kondi.
Moderatore e aktivitetit ishte zonja Albina Palushi.
Aktiviteti letrar filloi në mënyrën më të magjishme të mundshme, me bekimin që i bëri ketij aktiviteti, kleriku i nderuar Dom Ndue Gjergji.
Sofër poetike e bekuar nga një prift shqiptar…! Magjike!
Bisedë për letërsinë, pastaj vazhdoi me fjalën e mbajtur nga shkrimtari Agron Tufa, fjalë që u prit me interes nga të pranishmit, pastaj përshëndetën shkrimtari mikpritës i aktivitetit, botuesi i revistës “Kuvendi” zotni Pjetër Jaku, shkrimtari Ramiz Gjini, shkrimtarët dhe poetët Raimonda Moisiu, Safet Hyseni, Ruzhdi Gurra, Pierre-Pandeli Simsia. Elinda Marku, etj…
Në këtë aktivitet Revista “Kuvendi” nderoi me tituj “Mirënjohje” post-mortum, ish-klerikët e nderuar shqiptarë për kontributin e tyre në lëminë kulturore si krijues dhe mbështetës të aktivitetve kulturore, zotnitë -Imam Vehbi Ismaili, mirënjohje që iu dorëzua anëtarit të Këshillit të Xhamisë Shqiptare të Detroitit, poetit Ruzhdi Gurra;
-Nderim per Baba Rexhep Beqirin, prijësit të Teqes Bektashjane të Detroitit për më shumë se gjysëm shekulli, (dervishi i kësaj Teqeje Elidon Pashai, ndodhej në spital dhe përshëndeti nga telefoni këtë vlerësim, mirënjohjeje)…;
-Mirënjohje per Dom Prek Ndervashaj si krijues, vargjet e të cilit për të pranishmit i lexoi Fran Gjoka, ndërsa titullin e mirënjohjes në emër të tij e mori Dom Ndue Gjergji, i cili edhe përshëndeti;
-Mirënjohje ju dha zotnisë Marash Nucullaj si përkrahës i vazhdueshëm i aktiviteteve kulturore dhe aktivist i njohur i komunitetit;
-Mirënjohje ju dha zotnisë Ramiz Gjini si prozator i suksesshëm në Diasporë;
-Mirënjohje ju dha zotnisë Vasel Ujkaj si krijues dhe aktivist, arkivues i ngjarjeve të Diasporës Shqiptare në Amerikë;
Në këtë aktivitet u ndanë çmimet vjetore të akorduara nga Revista “Kuvendi” për letërsi dhe publiçistikë…
Juria, kryetar i së cilës ishte Ilir Seci ndërsa anëtarë Qëndresa Halili dhe Albina Palushi ndau këto çmime:
-Elida Rusta, çmimin e parë në poezi;
-Safet Hyseni, çmimin “ Migjeni”, poezi;
-Teuta Osmani, çmimin “Gjergj Fishta”, poezi;
-Ilir Demaliaj, çmimin e parë në publicistikë;
-Pierre-Pandeli Simsia, çmimin “Petro Marko” në prozë;
-Raimonda Moisiu, çmimin “ Rozi Theohari”, publicistikë;
-Albert Vataj, çmimin “Faik Konica”, publicistikë;
-Agim Agalliu, çmimin e interpretuesit;
-Istref Haxhillari, çmimin “Anton Pashku”, prozë;
-Vlash Fili, çmimin “Betim Muço”, prozë;
-Gjovalin Lumaj çmimin “Shtjefën Palushi” ne fushën e humorit;
-Ruzhdi Gurra, çmimin e Këshillit Botues të Revitës Kuvendi, për cilësinë e publikimeve;
-Agim Kurti, për ndihmën e dhënë revistës Kuvendi në disa aktivitete;
***
Edhe njëhere për këtë aktivitet nuk mund të rrimë pa vlerësuar dhe nderuar punën e madhe të çifteve Pjetër Jaku dhe Elinda Marku, çifteve Paulin e Albina Palushit, të cilët pareshtur për ditë me rradhë sakrifikuan kohën e tyre për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti…
Respekt!
New York, 2 Nëntor 2016