Ishte fillimi i vitit 1982. Sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe isha e detyruar të filloja punë në bujqësi, aty në Savër, ku edhe kisha lindur. Befas një mbasdite na thirrën ne si familje Spahiu, familjen e Vasfi Canes me nënën plakë, Dedenë, po edhe Ali Dema, i interrnuari i përjetshëm dhe Zef Grisha. Mihal Llazi u shfaq ashtu i zi dhe i lumtur, e në prani të sekretares dhe operativit të Savrës, një djalë nga Tirana, na lexoi si me triumf vendimin e interrnimit të të gjithëve ne që ishim të pranishëm. Qe tronditje për të gjithë. Në veçanti për mua që isha më e reja e tyre.
Asnjëherë s’e kam kuptuar qartë, pse na ndodhi një gjë e tillë. Prindët e mi Tahsin Spahiu dhe Leleta Jenisheri – Spahiu ishin pensionistë dhe njerëz në punë të tyre. Kishin dy vajza: motrën e madhe, Brunildën 21 vjeçe, dhe mua 19 vjeçe. Për fat, në kohën kur na ndodhi kjo mënxyrë, motra e madhe, Brunilda punonte në bujqësi (mbasi vazhduam së bashku shkollën e mesme), qe fejuar në Durrës, dhe kishte bërë celebrimin duke hequr pashaportizimin, pra nuk figuronte në trungun familjar! Kur na e deklaruan interrnimin, e nisëm për gjithë natën në Durrës, mbasi prindët u frikën mos e internoin dhe atë!
Mbaj mend, e gjitha kjo ndodhi pak muaj mbasi “vrau veten” Mehmet Shehu.
E kujtoj si sot, sepse na erdhi dikush, jo fort i njohur, në shtëpi për t’iu shprehur babait për këtë ngjarje, e për të parë reagimet e tij. U kuptua menjëherë, se pati edhe një justikim tejet banal për ardhjen. Megjithatë, i tha babait se: “Ai qeni e vrau veten!” duke nënkuptuar Mehmet Shehun.
Babai me ton të prerë prej ushtaraku ia ktheu: “Nuk merrem me politikë! Po ti, vetëm për këtë paske ardhur!?” Ai iku i shpërfillur po edhe i nënkuptuar në misionin e tij provokues!
Nuk shkoi shumë ditë, dhe të dy prindët dhe unë iu nënshtruam internimit. Një internim në dukje i pakuptim. Edhe babi edhe mami ishin në pension, kë rrezikonte mosha e tyre… Unë sapo kisha filluar punë, e me sa mundja punoja.
Se kam kuptuar kurrë këtë masë ndëshkimore, por sot po përpiqem ta shpjegoj ashtu si ma merr mendja mua…
Babai im, Tahsin Spahiu, ishte i datëlindjes 1913. Ai jo vetëm qe i një datëlindje me Mehmet Shehun, po edhe në Akademinë Ushtarake të Modenas, në Itali e kishin kryer bashkë në rini. Babai ishte njeri fjalëpak, i sërtë dhe i vetëizoluar. As hynte e as dilte, me njeri, bile as te kushërinjtë e tij që ishin aty në interrnim. Jam i bindur se interrnimi ynë familjar duhet të na ketë ardhur vetëm prej asaj ngjarje!
Babai kishte shërbyer si ushtarak nga koha e Zogut e në vazhdim. Edhe kur u themelua Shkolla e Bashkuar Ushtarake, ai u thirr dhe shërbeu ndër instruktorët e pedagogët e parë të saj. S’di sa mund të ketë ndikuar njohja e tij me Mehmet Shehun, por besoj se mund të ketë ndikur. E sigurt jam, se pak kohë më vonë ishte po Mehmet Shehu që duhet të ketë ndikuar jo vetëm që babai të hiqej nga Akademia, po edhe të futej në burg. Mbas burgut ai e internuan fillimisht në Shtyllas e më pas në Savër, ku ai krijoi edhe familje.
Nuk e di nëse mbas “vetvrasjes” së Mehmetit, t’i kenë bërë presion babait për njohjen mes tyre, por ai interrnim i pamotivuar dhe familjar, mendoj se ishte një presion terrorizues ndaj familjes po edhe ndaj opinionit përreth.
Babai në atë kohë ishte 70 vjeç! Interrnim i gruas dhe vajzës 19 vjeçe, të lindur në interrnim, e tronditi së thelli. Ishte kjo tronditje e thellë që e tjetërsoi babanë, dhe shpejt ai pësoi edhe një infrakt. Ai u mërzit aq shumë, jo për veten e tij, po mbi të gjitha u trishtua për mua që isha aq e re, dhe që unë s’do të kisha asnjë mundësi për të pasur një jetë normale, për shkak të tij.
është pikërisht kjo kohë, kur jetës sime të përditshme i shfaqet Mihal Llazi, kjo krijesë që nuk pati asgjë njerëzore në veten e tij. Atë do të më duhej ta shihja dy herë në ditë, e duke qenë se apeli bëhej para zyrës së Këshillit, më ka takuar të shihja spërdredhjet e tij me operativët e sigurimit, kënaqësitë që ndante me spiunët e tij të dashur, po edhe atë cinizmin prej maskarai ndaj neve që ishim të interrnuarit e rishtë të asaj kohe që bëheshim nja dhjetë vetë.
Mund të tregoja shumë për këtë njeri, por po ndalem vetëm tek një ngjarje që s’më shlyhet nga mendja, edhe sot mbas 40 vitesh: vdekja e Babait…
Siç e shpjegova edhe mësipër, babai u trondit të tepërmi. Ajo paraqitje e të treve në apel, dhe në mënyrë të veçantë ai trishtimi im po e rrënonte… Si njeri dhe si ushtarak, ai ishte i paepur. Ishte gjeneral në shpirt, por apeli, dy herë në ditë na vendoste përpara Mihal Këshillit dhe spërdredhjeve të tij të neveritshme.
.
Ishte 17 Gushti i 1984, dhe babai atë ditë u ndje shumë keq. Me të shpejtë thirrëm Zoga Veliun, infermierja e Savrës, motra e Lenka Çukos, por një grua zonjë dhe tejet humanitare, e cila erdhi menjëherë bile lajmëroi edhe doktorin. Na u tha se duhej urgjentisht të shkonte në spitalin e Lushnjes.
Të tronditura shkuam të Kryetari i Këshillin, Mihal Llazi dhe i kërkuam leje, duke i treguar për gjendjen shëndetsore të babit! Na u përgjigj ftohtë, se nuk mund të shkonim, pa marrë më parë leje në Degën e Brendëshme. Ndërkohë babai përkeqësohej. Më në fund rreth orës 7 të mbrëmjes, erdhi ambulanca për ta marrë. Iu lut mamaja të shkonte ajo së paku me babin në spital. Por Mihal Llazi s’na dha leje asnjërës.
Në Spitalin e Lushnjes, kardiolog në atë kohë ishte Vasil Kuli, shkodran dhe profesionist i zoti, me të cilin babai njihesh prej kohësh.
Mbasi e vizitoi babin, ai kishte marrë disa herë në telefon Savrën, që të vinte urgjentisht familja, sepse babai ndodhej në momentet e fundit.
Atë natë ne nuk na lajmëroi askush! Mbas tre orësh përpëlitje, atë natë krejt i vetëm, babai kishte ndrruar jetë.
Edhe atë mëngjes kishte marrë sërish spitali, për të lajmëruar se Tahsin Spahiu kishte ndërruar jetë, po ne askush s’na lajmëroi. At mëngjes kur dolëm në apelin e përditshëm, pa ditur gjë, mami iu lut Mihalit për leje, të shkonte ta shihte Tahsinin në spital. Dhe ai duke u përdredhur e buzëqeshur hidhtë iu përgjigj: “Vetëm mbas orës 10, do të kthej përgjigje, se më duhet të komunikoj me shefin e Degës!” Ndërkohë që e dinte se babai kishte vdekur, e ne ende s’dinim asgjë.
Ndërkohë, që i kishte thënë një të interrnuari në apel me ne, Ali Demës, se “Tahsin Spahiu, ka vdekur mbrëmë në spital!”
Ali Dema kishte shkuar te Lazër Radi dhe mbasi e kishte lajmëruar erdhën të dy bashkë atë mëngjes në shtëpinë tonë…
S’do ta harroj derisa të vdes atë mëngjes…
Isha e vetme në shtëpi, mbasi mami qe nisur për Lushnje pa ditur asgjë, bile pa lejen e Mihalit për të parë babin… kur në derë pashë xha Lazrin me Ali Demën,
Xha Lazri nisi të më flasë butë e të më pyesë me kujdes, kur befas Aliu më përqafoi me sy të përlotur e më tha: Mos u mërzit Najadë, se babi ju la!
Xha Lazri i bërtiti: “Çfarë bën mor gomar, si ja thua kështu një fëmije!” Mua ndërkohë më ra të fikët në çast! Si duket, Aliu s’e mendoj për momentin, o ndoshta kujtoi se unë e dija atë gjë! Xha Lazri më ndejti afër gjithë kohës derisa e mora veten dhe më erdhi mami nga spitali!Pritëm derisa e sollën edhe babin! S’do ta harroj kurrë atë çka bëri Lazër Radi! Ai e lau babin, ia përgatiti të gjitha dhe na ndejti gjithë kohës që që na vinin njerëz!!!
Me vdekjen e Babait na ndodhi edhe një e keqe tjetër.
Zakonisht të gjithë ata që vdisnin në Savër, varroseshin në varrezat publike të qytetit të Lushnjes. Nuk e di nëse urdhëroi ndokush, apo si ndodhi, por… babin nuk e lejuan të varroset në Lushnje… Pritëm me ankth derisa u mor një vendim! Babai u varros në Karbunarë, edhe aty jashtë varrezave të fshatit. Varri i Tahsin Spahiut, qëndroi vetmitar për një kohë mes asaj kodre, derisa u plotësua me të tjerë të interrnuar…!! Mbas ’90, posa ra diktatura, Babanë e morëm prej aty dhe e vendosëm në varrezat e Durrësit!!
.
Kur na internuan për së dyti, (1982 kësaj here si familje), isha vetëm 20 vjeçe! Kisha lindur në internim, isha rritur aty, pa mbushur njëzet vitet më interrnuan, dhe për kater vite më rradhë e mbajta këtë peshë të padrejtë… Gjashtë muaj mbas vdekjes se babait, nga fundi i vitit 1985, na liruan nga interrnimi edhe mua edhe Mamin.
Kështuqë, për një pjesë të jetës Mihal Këshillin e kam pasë të përditshëm, me ato poshtërsitë e tij të pafundme, prandaj më del nga shpirti kur them: Mos paftë hajër! Sepse çdo gjë në këtë botë një ditë paguhet, sidomos poshtërsitë!
Jam e sigurt!
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.