back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Djaj dhe Djallusha… – tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Djaj dhe Djallusha…

tregim nga Jozef Radi

Një mesnatë vjeshte në të dalë, në ndrrim të kohrave, Djajtë e Zinj dhe Djajtë e Përhimë, u mblodhën me urgjencë sëbashku edhe në prani të një krijese që askush prej tyre s’e njihte, po që e ndjenë si një ndërmjetëse hyjnore, dhe e quajtën Djallusha e Brishtë, për të vendosur fatet e një hapësire, (që në hartë ishte sa një gishtëz), se çka mund të ndodhte në gjysëmshekullin që pritej të vinte…
Djajtë e Zinj, me kostume disi ushtarake në më t’errtën e ullirit, me një rregullsi thuajse perfekte ishin vendosur në një tavolinë të gjatë mbuluar me kadife të kuqe e cila lëshonte njëlloj shkëlqimi të butë mbi fytyrat e tyre, që stërmundoheshin të dukeshin të paqme. Në krahun tjetër, e njëjta gjatësi tavoline, i përkiste Djajve të Përhimë. Midis tavolinave, skajet e të cilave humbisnin në terr, shtrihej tejetej një tapet kuqezi, mbi të cilin ecte me pamje solemne prej mjelme, një thuajse grua: Djallusha e Brishtë!
Thuhej se ajo ndodhej aty vetëm t’u fliste të dyja palëve dhe se ajo ndërmjetësi do të ishte ngjarja më e rëndësishme e shekullit, po mbi gjithçka e mbijetesës së atyre dy palëve që kishin mbas shpinave terrin e thelle…
Djajtë e Zinj qenë të vendosur mbi një platformë e cila dukej dy-tri shkallë më lart se platforma ku heshtnin Djajtë e Përhimë. Çka binte në sy mes palëve ishte se Djajtë e Zinj dukeshin mjaft të rinj, kurse Djajtë e Përhimë ishin të gjithë “kokëlakra” të bardha, e ndoshta nofka i “Përhimë” buronte prej këtij fakti, o mund të ishte edhe diçka tjetër!
Ajo që habiste ishte Djallusha e Brishtë, e cila bënte ecejake të pafundme solemne mbi atë tapet dyngjyrësh, me duart e kapura me mjaft delikatesë mbas shpine. Dukej e re, shumë e re, sa i ngjante aq shumë një fëmije të rritur parakohe o nji plakë e thinjur bukur dhe e konservuar me mjete jashtëtokësore. Kur dikush prej Djajve të Përhimë, gdhendi në fytyrë habinë e tmerrtë, “nji çupulinë kësisoj të jetë ndërmjetëse, o arbitër ndoshta edhe katalizator” ajo iu përplas në çast me një buzqeshje që e mpiu. Djajtë e Zinj dukeshin thuajse të bindur, edhe pse shtrëngimi i nofullave ua prishte paksa moshën.
Atë mesnatë vjeshte në ndërrim të kohrave, ajo krijesë thuajse iluzive, do të guxonte ta trajtonte kohën si të pakohë, dhe asgjë e atyshme s’mund të shfaqej as si histori dhe as të bëhej publike e vërteta e saj…!!!
Çdo Djall i Zi kishte përkundruall si të përzgjedhurin e vet, simetrikun e Përhimë, edhe pse diferenca në pamje ishte e dukshme, në përzgjedhje të aftësive duhej të ishte e kundërta!
Si duket, Djajtë e Zinj, kaq shumë i kishin presuar e diktuar të Përhimët për detyrat që kishin kryer sa pakti mes tyre tashmë ishte i përjetshëm. E vëreta ishte se Djajtë e Përhimë i kishin edukuar të eprorët e tyre me sjellje të rafinuara dhe kulturë të mjaftueshme për ta trajtuar bashkërisht të Keqen e misionit që do të kryenin, në mënyrë që ai të shfaqej në formën më të paqme të mundshme, të bëhej diçka normale e pothuajse e zakonshme…
Djallusha e Brishtë, e veshur e gjitha në të bardha, në ecje të pandërprerë, dukesh aq e re sa shpërndante ndjesinë e të qenit e pamoshë dhe aq e sigurt sa dukesh e përjetshme. Për Djajtë e Zinj, ishte një adoleshente e përjetshme, e mbathur me një kostum shik të bardhë; për të Përhimët një e panjohur e kristaltë, nën petka t’një nuseje o një Ore Malesh, joshja e së cilës bëhej edhe më gërryese në atë magjinë kontempluese që ata e ruanin diku thellësisë së tyre, ku gjithë dijet e genetike, të përthyera në histori tragjike, ata sërish guxonin t’ua avisnin mendjeve, edhe pse të mbytura në borë të përhime…
Djallusha e Brishtë, e gjitha prej drite, prej kristali, prej mermeri ndoshta edhe prej akulli, shfaqte një fytyrë aq të ëmbël, sa Djajve të Zinj u qe përzgjedhur enkas, si maskotë e krimeve të tyre; ndërsa Djajtë e Përhimë, u shfaqej si një shpëtimtare e së keqes, ku ata ndjeheshin të zhytur… Djallusha e Brishtë mund t’u shërbente dyja palëve si Urë Psherëtimash. Kur lakadredhat e trupit të saj afronin kokën drejt Djajve të Zinj, këmbët e saj sikur aviteshin te Djajtë e Përhimë, dhe sa herë kryet e saj prej kokete anohej butësisht drejt Djajve të Përhimë, këmbët e saj u shfaqeshin si thundra Djajve të Zinj…!
Për një copë herë Heshtja e sundoi atë hapësirë të pakufi, ndërsa gjithkah rrotull e sundonte terri. Aq pak dritë kishte jashtë Djallushës së Brishtë, sa askush prej Djajve s’e shihte as saktë, as qartë simetrikun e vet. Dy fishekë drite lëshoheshin si skifterë mbi çdo hap të Djallushës së Brishtë, duke ia goditur sa fytyrën e saj të latuar aq edhe shpinën e lakuar paksa prej gjoksit të bëshëm. Koka e saj, me një pamje të dyfishtë fytyrash si prej Jaunusi, ishte i vetmi objekt që mes heshtjen së thellë lëshonte një buzqeshje thuajse konstante, gradacioni i së cilës ngjante si ngrohtësi stufash elektrike, sikur prej asaj grimase buzqeshjesh varesh e vërteta e asaj mesnate ndërkohrash…

inquisizione-3

Për një kohë të pacaktuar, mund të ketë qenë ndoshta çast, ndoshta muaj o krejt një jetë, Heshtja ndoqi vetëm butësinë e atyre këmbve të vogla që shkelnin të matura mbi tapet e bënin një zhurmë të lehtë si shfletosje libri, e cila shumfishohej prej të qenit gjithçka pezull.
Dhe vërtititej e vërtitej ashtu pafundësisht. Çudia e të dy palëve, vendosur si në gjyqet e egra inkuizicioniste ku flitesh veç për vdekje, o në Darkat e Famshme ku bëhesh veç intrigë, ishte ajo: Djallusha e Brishtë, që vazhdonte ecejaket e patrazuar prej ankthit mashkullor, e ndjekur ngultësisht prej dritës që përplasesh mbi fytyrat e saj, duke lëbyrur e bërë gjithçka mjegull. Dy projektorët e ndiqnin pa u lodhur fytyrën e saj, si çelës enigme që tashmë i kish lodhur sytë e djajve… që ndaleshin e përhumbeshin ndër format e lakuara të atij trupi diktues.
Vetëm kur buzëqeshja e Djallushës së Brishtë doli paksa mbi seriozitetin e saj, u duk se pushteti i asaj Heshtjeje acaruese mori fund!
“Jena mbledhë me vendosë për fatet e shumë t’tjerëve, për pesëdhjet vjetët e ardhshëm. Ndihem e sigurt se shumë prej krijesave të Përhime, në fund të kësaj rruge s’do t’jenë, për arsyet e së Përhimes së tyre! Sigurisht mjaft prej jush veshun në të zeza do t’jeni. Un as kam kenë, as kam me kenë, pse në t’vërtetë as tash nuk jam! Gjithçka do të flitet këtu sonte, ka m’u përcjellë prej meje n’formën ma korrekte e ma perfekte të mundshme atje ku duhe. Askush prej jush s’ka me e marrë vesh kush jam, pse jam e çka duhet me ba për ju. Krejt e keqja që i keni shkaktue k’saj bote, ka me vazhdue të jetë e padukshme, e patrajtueshme, e pandëshkueshme e gjithsesi e shpërblyeme…! Ju jeni lidhje të kahershme, veç shtyhuni në gjenerata!! Keni me i forcue ato. Jo si dikur prej nalt poshtë, po paralel! Un kaq kisha! Tjerat s’kanë nevojë për fjalë!”
Heshtja u bë më e thellë se e fillimit. Ajo vazhdoi ecejaket mbi tapetin kuqezi duke u valvitë si mjelmë, pa guxuar askush prej atyre dy rreshtave të ndërfutej qoftë edhe me një fjalë të vetme…
Nga qendra e Djajve të Zinj, të gjithë me duar të mbështetura mbi mbulesën e kuqe, dikush u ngrit në këmbë. Në mënyrë automatike edhe nga tavolina me mbulesë të zezë e Djajve të Përhimë, u ngrit në këmbë një prej tyre. Dy fishekët e dritës, e braktisën Djallushën e Brishtë, duke e lanë veç në dritën e bardhësisë së saj, dhe u përplasën mbi fytyrat e dy Kryedjajve!
Kryedjalli i Zi ishte i pashëm, po shumë i pashëm…
Kryedjalli i Përhimë dukej i fisshëm, po shumë i fisshëm.
Kryedjalli i Zi me sigurinë e një bishe për gjithçka kish kryer; Kryedjalli i përhimë me gjithë nënshtrimin e një vemjeje për gjithçka kish ndodhur.
E vetmja fjali që Kryedjalli e shqiptoi me ton urdhërues ishte: “Binduni! Vetëm bindja është lavdia e juaj dhe e jona… është lavdi e përbashkët!”
Jehona e atyre fjalëve mbeti pak gjatë pezull.
Kryedjalli i Përhimë, me një kravatë jashtëzakonisht të bukur, që lidhur rreth qafe e ndjente si konop ndëshkimi, derdhi gjithkah pamjen e një njeriu që të mbushte me qetësi. Ai u gjegj thuajse me të njëjtën sasi fjalësh: “Binduni, se bindja jonë ka qenë aq e verbër sa kemi shkelur mbi gjakun tonë, n’emër të Bindjes!”
Djallusha e Brishtë, i dha një kënd të dyfishtë fytyrës së saj të athët, e hodhi si dorashkë një buzëqeshje joshëse që vërtitej si top pingopongu sa prej tavolinës me mbulese të kuqe te ajo me të zezë!
Lakadredhat e trupit dhe lajkaderdhjet e fytyrës së saj ndoqnin secilën prej palëve, por buzëqeshja e saj ndaj Djajve të Përhimë u ndje me ngjyrsoje paksa më delikate, çka zgjoj një xhelozi të epshme ndër Djajtë e Zinj…
Më pas, Djajtë korrespondues folën secili me tekste të thukëta, thuajse të koduara, që u përputhën me përballësit, edhe pse jo sa duhet me ata të përskajmit e tyre.
Djajtë e Zinj edhe pse u shfaqën paksa superiorë ndaj Djajve të Përhimë, atë mesnatë u vendos që ata ishin të barabartë në detyra, sepse u nënkuptua që koha e mëpasme Djajtë e Zinj do t’i Përhnjte… ndërsa Djajtë e Përhimë do t’i nxinte më të zinj se nata!

Djallusha e Brishtë
Djallusha e Brishtë…

Djallusha e Brishtë, ndërmjetsja e asaj mesnate që bëhet gjithnjë e më të largët, do të flitej e përflitej gjatë, thuajse për një gjysëm shekulli. Gjithçka e atyshme, e mbledhur në një shirit të zi, thonë se u dyllos në masën e përhime të Djallushës së Brishtë!
Ajo s’u shfaq kurrë askund, e askush s’mori vesh asgjë për të.
Gjithë të pranishmit e asaj mesnate, besuan se ajo kish qenë e dërguar hyjnore e një bote të panjohur, që atë mesnatë vjeshte, vendosi fatet e mbarë një kohe dhe një njerëzimi ishullues.
Sepse koha paska nevojë gjithnjë për diçka të bukur, për diçka shumë të bukur, për diçka thuajse iluzive o të gënjeshtërt, si velloja që mbulon një nuse që s’paku një ditë në jetë kërkon të duket e bukur, duke dëshmuar se vetëm kështu mund t’i shiten shëmtitë e dukshme e të padukshme kësaj bote…
Ndërsa vazhdonte të ecejakesh majegishtash me skarpina mbi tapetin kuqezi, një çast Djallusha e Brishtë, e uli paksa kryet e lëshoi një fjali, që u duk si një fjalë të vetme, ku secila palë Djajsh e kuptoi siç i voliti…
Me kokë e sy ngulur në tapetin kuqezi, ajo mërmëriti: “Un jam e jueja, e mbarsun prej jush! I shërbej nji kohe që ende s’ka ardhë, e ju duhet t’uroni: Kurr’ mos ardhtë!!”
9 janar 2023

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Jozef Radi – Ju falenderoj per gjithe shenimet tuaja!

    Xhabir Tabaku Adnan Ramadani – T’ia fus nji like unë i herë pa e lexu. He he!

    Jozef Radi – Xhabir Tabaku Adnan Ramadani po ti shave para do ditësh ata që pa e mirë figurën bajnë like shkrimit që don sëpaku dhjetë minuta, tash ja fute likes shpejt e shpejt te unë, që të dola krah!!!! Nuk asht burrni kjo!!!(qesh)

    Xhabir Tabaku Adnan Ramadani – Jozef Radi Rri se jam tu lexu!

    Kylheku L’Aura – S’di sepse, po gjatë gjithë leximit, këta “djajtë” më përfytyroheshin më tepër si minj; ndoshta sepse pështirosja ime ndaj kësaj specieje është në shkallën sipërore.
    Tregimi yt ja arrin këtij qëllimi, mi piace!

    Jozef Radi – Kylheku L’Aura – Kjo shprehja që “Tregimi yt ia arriti qëllimit!” se si m’u duk si shprehje: pak si e vjetër… (qesh) Po kisha edhe ca “minj mullini” aty vërdallë edhe ata janë këndshëm hanë në dy sahanë…!

    Kylheku L’Aura – Jozef Radi Do përpiqemi të rinovohem jo vetëm në shprehje… Unë s’para ndjek ç’bëhet dhe ajo që shkrova më erdhi vetiu dhe natyrshëm. Unë ha bukë në sahanin tim; nuk di ku ishe ti…!

    Jozef Radi – Kylheku L’Aura e paske qa leximin tim!!

    Gezim Zilja – Më ngatërrove ca. M’u duk si një ekuacion i thjeshtë fillimisht! Këta djajtë i marr vesh por atë shprehjen e Djallushës “…Mos ardhtë kurrë…!” nga e nxorre? Të tjerat në rregull. Stil jozefian, gjysmë filozofik, shqipe e bukur, fraza të punuara me kujdes, gabime ortografike nuk pashë, gegënishte tepër e rafinuar, mungesë e plotë e fjalëve të huaja.. po ajo fjalia e djallushes! Nejse… As mos merr mundimin të më shpjegosh ndonjë gjë, se do e kuptoj vetë pak e pak!

    Jozef Radi – Si gjërat e shkruara me një frymë, u përpoqa të ndjek një linjë që quhet Realitet – Simbolikë dhe Fantazi!! U gjeta aq mirë mbasi e shkrova sa m’u duk sikur hoqa një peshë që më rëndonte 80 vite! Çelësi i leximit simbas meje është Djallusha e Brishtë, që e kapërcen pak fantazine! Fjalia përmbyllëse ka gjithë çorodinë e një realiteti, fundi i të cilit mbetet më shumë se dramatik… Ja kështu Prof… Pak matematikë ka edhe letërsia… Mos e harro! Po ti nuk ke shumë dashuri për hermetikët as surrealistet!!(qesh)

    Gezim Zilja – Jozef Radi – Prozën e shkurtër e kam për zemër. Edhe hermetikët i respektoj se më duket jam ca edhe vetë. Kjo fjala dashuri është fjalë e madhe. Jam duke lexuar Alain De Botton: Rrjedha e dashurisë, ku ai studion disa faza të dashurisë: Romantizmin, Përgjithmonë, Fëmijët, Tradhëtia, Përtej romantizmit. Po ti hajde te ajo Mejhanija e famshme, e lirë dhe e pastër, të diskutojmë më nga afër çeshtjen… Pastaj kalojmë nga ajo rruga ku shiten libra të vjetër e çalltisim ndonjë gjë të hajrit…

    Elida Hysenbegasi – Simbolike tejet tronditëse Jozef, e shkëlqyer në atë çka synon të përcjellë tregimi… U ndjeva në angështi, sikur lexova Lulëzimin e s’Keqes brenda nesh. Tash në përmasa moderniste futuriste, nëpër kohra boll të vjetra sa me pasë shkathtësinë për t’u rilindur të reja fringo e ma kërcnuese!

    Jozef Radi – Elida Hysenbegasi – Së pari të falenderoj për leximin e veçante tëndin, çka e konsideroj emocionues… E kam shkruar si një kaos brenda meje që doja t’i jepja një formë edhe e dhashë ashtu si një radiografi politiko-letraro-historike! Ku të gjitha m’u bënë bashkë dhe u derdhën kësisoj. Të falenderoj Elida!

    Alice Margherita – E imagjinova si një film që të mban pezull për mbylljen. Bukur në çdo përshkrim të detajuar. Mbyllja më kujtoj pak tim atë. Kur e pyeta një herë: “Sa vite duhen për të zhdukur komunizmin?” Ai m’u përgjigj (500 vite të jem realist).

    Jozef Radi – Alice Margherita e vërteta është se ka një konceptim dramatik, edhe unë e kam përcjellë brenda vetes të tillë. E ndërsa ju e theksoni unë vetëm mundem t’ua përforcoj idenë time…! Pastaj fjala e Babait është monumentale, në dhimbjen e saj!

    Vrethee Lnika – Realiteti i mitit transfiguru në realitetin politik. Fabula mbi nji lloj procesi kafkian si gjyqi i mbramë. Miti femëror – ka indekset e veta – me funksion transfigurues. Kuptimet sipas kontekstit – proces i ndëshkimit të mëkateve – skena e Procesit të Kafkës – kthyer në mit shqiptar. L. N.

    Jozef Radi – Vrethee Lnika si profesionist e ke përcjellë. Në të vertetë nuk ka lidhje me ndëshkimin e mëkateve, po atmosferën e vazhdimësisë të së Keqes, me transformimin e saj si te ajo loja e tre kutijave që fshehin kokrrën! E të iludojne për të qenë humbës… Falenderimi i leximit dhe interpretimit është gjithnji kënaqësi, e në mënyrë të veçantë prej atyre që e kanë vemendjen të tehtë!!!

    Vrethee Lnika – Jozef Radi Kritika strukturaliste nuk merret me kuptimet -semiotika po. Merret me elementet e gjuhës si ligjërim artistik mënyra e ndërtimit dhe kodet narrative. Miti i përpunum përfshihet në modernizem ok.
    Se po mund t’i ndaje skenat për hir të subjektit “el diablo” do pëlqente dhe aksion. L. N.

    Shqipe Saraçi – E vuna re që dje, por meqe ishte pak e gjatë, thashë ta lexoj kur të kem kohë.
    Pak e vështirë për lexuesit e zakonshëm si puna ime, por e shkrume me stil. Sidoqoftë, rrethuar me djaj kemi qenë dhe jemi… edhe arbitrat djallushe i kemi!!
    P.s., meqe doje koment…

    Jozef Radi – Shqipe Saraçi të përshendes dhe uroj të kalosh ditë të mira amerikane! Tregimi është pjesë e jetës sonë e trajtuar me simbolikë e metaforë, sigurisht pak i vështirë për lexuesin linear, por ti si e respektueshme qe je e çove deri në fund porosinë time!

    Vasilika Gjoka – Shqipe Saraçi e gjatë, por Perlë e rrallë që kam lexuar në letërsinë shqipe në tre dekadat e fundit!

    Shqipe Saraçi – Vasilika Gjoka e vërtetë!

    Alma Budini Negri – Sa me stil dhe elegancë ke arritë me tregu gjithë historinë e kohërave. Fantazia te çon gjithkund, të fut ne tempullin e së Keqes, deri në takimet masone ku dorashkat e bardha mbulojnë thonjtë e mbuluar me gjak që grryejn plagë, e Djallusha që riprodhon të keqen… Komplimente për tregimin.

    Thoma Note – Me tepër se tregim, ky shkrim, sipas mendimit tim, i përngjet një gje a gjëze lehtësisht të kuptueshme. Ideja është e saktë dhe përcillet te lexuesi. Ndoshta përkon disi me rrymat letrare moderniste, por teper proliks për të thënë diçka që tashmë e dinë të gjithë. Kërkoj ndjesë për shijet e mia çehoviane, ku permes “reçelit të qershisë” apo “fëshfërimës së erës” transmetohen ide universale që zgjojnë ndjesi në shpirtin e çdo lexuesi.

    Jozef Radi – Thoma Note pikërisht që çdo lexim të ketë nuancat e veta e të mos jemi gjithë çehovianë kam shkruar simbas asaj që e kam ndjerë me një frymë! Jam tejet falenderues për shënimin tuaj Thoma!

    Kostandin Lefta “……Djallusha e Brishtë, ndërmjetsja e asaj mesnate që bëhet gjithnjë e më të largët, do të flitej e përflitej gjatë…”
    E përjetova me dhimbje këtë rrëfim tuajin, i nderuar Jozef! Shumë ëndërruam! Shumë shpresuam! Sa shumë po zhgënjehemi! Përse?! Zoti vente dorë!

    Jozef Radi – Kostandin Lefta tregimi është ndërtuar thuajse mbi një ëndërr dhe simbolikë të thukët! E përcolla ashtu, me një frymë…!

    Ilir Namik Preza Bukur Jozef! Punet e Djallit duhet t’i indentifikosh, që t’i luftosh, fatkeqesisht sot Djajtë dhe Djallushat po dalin me teori të reja. Djalli i zi ke ne e ka thënë me kohë: “Prisni, s’keni parë gjë akoma!”

    Jozef Radi – Ilir Namik Preza kam ikur prej konkretes dhe jam munduar të futem te përballja e dy kategorive të Djajve! Në një lexim më të qetë, simbas meje thuhet gjithçka!

    Avni Delvina – “Binduni, se bindja jonë ka qënë aq e verbër sa kemi shkelur mbi gjakun tonë, në emër te Bindjes!”
    Një e vërtetë e llahtarshme dhe e frikshme kanë shkelur mbi gjakun e tyre!!!

    Jozef Radi – Avni Delvina Riçe këtë tregim e kam ndjere si një tabllo piktorësh që i dua, kryesisht hollandezë po edhe si një film me cortometrage i një shoqëri që ngre në Kult të Keqen!

    Vasil Marku – Tregim interesant, imagjinata të çon edhe kndej edhe andej, në kohë dhe jo vetëm, protagonistja dyftyrshe, e përshkrueme deri në detaje dhe n’veprim, ndjesitë e kundërta, e folmja gegnisht e saj, edhe më befason, krejt tregimi; mjeshtërisht tepër i arritun, ka dendsitet, frymë metaforash të andshme, dhe zgjidhja, e natyrshme, edhe pse pak misterioze por mjaft me nivel dhe shumë premtuese, si nji bërthamëz e nji proze të gjatë.
    Përgëzime miku im Jozef Radi.

    Jozef Radi – Vasil Marku – Të falenderoj Vasil. Sepse vlerë e një shkrimi nuk është autori, por është leximi dhe lexuesi. Mënyra se si ai e përthith atë çka është ngjizë me një frymë brenda teje… dhe që e ke derdhë edhe pak instinktivisht! Më nderon mënyra e jote e leximit dhe interpretimit…

    Lekë Pepaj – Sonde e lexova se tash e gjeta kohën! Duhet të thom faleminers shum që e keni nda me neve në fb!

    Jozef Radi – Lekë Pepaj Edhe unë gjej rast me ju falenderue për leximin!

    Hortensia Haxhiademi Pellumbi – Realizmi Magjik i Radit!!! (Opps, 2 fjalë:) (qesh)

    Jozef Radi – Hortensia Haxhiademi Pëllumbi edhe me fare pak fjale, ke një THANKS të gërma të medha…!

    Robert Martiko – Tregimi është pasqyrim artistik i kohës së mbyllur të një shoqërie ku e keqja është ne gjendje të pakontrolluar. Konceptimi i djajve është pasojë e një jetë të kaluar në Diktaturë gjithnjë i shoqëruar me ndjenjën e shtrëngimit shpirtëror dhe neverisë. Megjithëse ne tregim ndjehet prania e së Keqes, fakti që autori e përfytyron në simbolikën e saj maksimale, është një akt çlirues dhe fitoreje morale.

    Jozef Radi – Robert Martiko leximin tuaj e përcolla me kënaqesi si një autopsi e së Keqes brenda nesh me një imazh alla Jeronimus Bosch! Falenderimet e mia Robert!

    Suzana Cupi – E unë lumturohem sa herë ju postoni dhe ju lexoj plot endje, lexoj atë gegënishten e mrekullueshme që ju e përcillni kaq amël.❤️

    Jozef Radi – Suzana. Çupi të falenderoj për këtë fryme të ngrohtë që më përcillni për këtë tregim që është i gjithi në terr dhe me njerëz të territ!

    Behar Arllati – S’di pse gjatë gjithë kohës që lexoja, “me dilnin përpara” figurat politike të Shqipërisë në këto 30 vitet e fundit bashkë me djallushën e bukur (gay) kryediktatorin koha e të cilit “mos u ktheftë kurrë”.

    Shire Caka Kasapi – E ke “t’hollur” kaq bukur, mor Nin’ me një gjuhë aq metaforike të veçantë sa më bëre ta rilexoj.
    Si përherë i veçantë, artisti im!

    Jozef Radi – Shire Caka Kasapi zysh të falenderoj! Po është kënaqësi e madhe që zysha edhe mbas një gjysëm shekulli më jep notë emocionuese, që nuk di se kujt t’ia rrëfej!!

    Fatmira Allmuca – …Djallusha më “trembi”… Na u vra edhe shpresa… Bukur shumë Jozef!

    Jozef Radi – Pse kaq kollaj tremesh ti… ! Po letërsi bona… jo kabinet qeverritar!!!

    Fatmira Allmuca – Jozef Radi hahaha… Letërsia më tremb mua… është më e fuqishme se kabineti qeveritar më të zinj dhe të perhimtë… (qesh)

    Tom Tola – Jozef, për mua, alegoria është kuptimplote, e qëlluar. Të përshëndes!

    Jozef Radi – Tom Tola prej teje më vjen shumë mirë që ma quan të qëlluar! Kur mbarova së shkruari m’u duk sikur hoqa peshë…!

    Tom Tola – Jozef, pesha që mban, është e shpërblyer. Unë të vleresoj për ç’ka bën.
    Dhe unë nuk jam i vetmi! Të falenderoj e të uroj shëndet për të shtuar, zgjatur rrugën e suksesit!

    Klaudia Gargjola Shllaku – Nuk të kishe lexu kurr kshtu dhe u befasova tuj mendu atë dellin e artistit e shfrymjen e nji mllefit me elegancë e me nji fantazi pak rreale e shum surreale, të përzime me rrealitetin e nji dhimbjet pa shpresë, mbi tapetin kuq è zi ku krimi kërkon me u paraqite me ftyrën e shejtnisë të përlyme në gjak..! Duhet me e studju kët shkrim, haaaa Bravo!

    Shpresa Vrana – Një kombinim i përkryer dhe pa kohë… ose me saktë… e vlefshme për çdo kohë dhe çdo situatë, po mua më përngjet me dy Partitë që janë në Shqiperi… Djajtë e zinj – komunistët… Djajtë gri – demokratët… ndërsa Djallusha Evropa ose me qarte ajo çka kanë krijuar Ata. Ishte njeë analizë fantazmagorike… nuk ka ku shkon më mirë!!

    Tomi Rotta – z. Radi, i keni rënë gjatë, për mos me i rënë shkurt. Shumë më pëlqeu!

    Jozef Radi- Tomi Rotta e t’holla pakëz si petë bakllavaje! Pastaj fjalë janë, pa lek i kemi të shkretat! Po sikur të thonë… 500 fjalë keni me shkrim! çfarë do të benim…

    Xhabir Tabaku Adnan Ramadani – Gegnishte për merak.

    Jozef Radi – Xhabir Tabaku Adnan Ramadani vetëm në gjuhën e nji personazhi ishte! Tjetra ishte korrekt me Kongresin!

    Xhabir Tabaku Adnan Ramadani – Jozef Radi Po po, djallusha plangprishëse!

    Lucija Dollani – Un mendoj se Djallushe asht Demokracia në Shqipni, Djajt e zi komunistët që e torturuen për afër 50 vjet popullin, Djajtë e përhimë janë pjella e komunistve që po shpopullojnë Shqipninë për 30 vjet! Dhe për të dyja palët e djajve Ardhja e Demokracisë së vërtetë do jetë fundi i tyne!

    Vasilika Gjoka – Kjo që sapo lexova, me kaq fantazi, vetëm ata shkrimtarë që vuajnë me limfe realitetin e hidhur dhe kaq gjatë në kohë, ufffff….! Sa e thellë!
    Bota e nëndheshme, larg Dritës Hyjnore, ka frikë të Mirën dhe shprehja e fundit “Uroni kurrë mos ardhtë” ka kuptimin se e keqja është në përmirësim e sipër, pra nuk mbaron kurrë aq sa edhe vetë djajtë pleq (të përhimtë) e djajtë e rinj (djajtë e zinj) duhet të kenë frikë! E keqja ka shkallët e saj, si në Ferr….! Ndaj ajo djallushka që ka dalë nga “shishja” dirigjon ose drejton rrugët poshtë e me poshtë Ferrit…
    Uau! Jozef! Çfarë kam lexuar sot!
    Kjo, Djallushka (buçe) lindur ne vitin 1941 në “Shtëpinë me Qerpiçka”, nuk plaket kurrë, përkundrazi mbetet gjithnjë e “bukur” dhe pjell herë pas here tuj furnizu botën e nëndheshme me djaj…

    Jozef Radi – Vasilika Gjoka – Djallushka është më përtej Vaso…! Ideja e djajve edhe mundet të futet aty ku ti mendon…!

    Aleks Kapllaj – Një purgator me 100 rrathë, plot me djaj dhe djallushe, të të gjitha epokave, brenda individit dhe shoqërisë, për të gjetur rrugën drejt dritës së lirisë, dashurisë vëllazërore, interesit të përbashkët universal për të jetuar njëherë e përgjithmonë në paqe e në sintoni me vetveten, në harmoni me të afërmit dhe të largët, që na ka lidhë fati i ynë për të jetuar në këtë copë të vogël të pafundësinë të yjeve të galaksive
    Asht historia e njerëzimit, qysh në gjenezë e deri sot, plot me djaj e djallushe të maskume si engjuj që e kanë rrethua egzistencën tonë në prangat e urrejtjes dhe ambicies për teprinë për ata që kanë gjithçka, dhe për jetikën e mbijetesën, për ata që nuk kanë asgja.
    Janë veprat e Pieter Brugel, i vjetri dhe i riu, që e kanë pasqyrua ma mirë se askush tjetër me pikturë, natyrën njerëzore të varfërisë shpirtërore dhe ligësisë djallëzore të një pjese të shoqërisë, që edhe pse në pakicë e mban peng një shoqëri të tanë, me armën e terrorit egzistencial.
    Asht Simfonia e V e Bethovenit, drita e shpëtimit të njerëzimit që e ka gjetë rrugën e tij sa herë e ka humb, nëpërmjet dashurisë për artin, bukurinë, kulturën, krijuesin dhe njeriun.

    Bukra Hysenukaj Kastrati – Nuk m’u duk hiç rastësi që djallusha fliste gegnisht… dhe ajo koha “kurrë mos ardhtë”, ka ardhë apo jo ?

    Jozef Radi – Bukra Hysenukaj Kastrati unë e kam kryesisht me Djajtë që janë tonët! Djallusha është si të thuash arbitër ose dobësia jonë ndaj së panjohurës dhe së huajës! Gegnishtja e saj lidhet me njëlloj drite dhe shpëtimi që ne e kërkojmë jashtë nesh! Fraza e mbylljes është çorodia kolektive e jona… Pse më detyrove të shpjegoj… Ti zakonisht nuk bën pyetje?!

    Bukra Hysenukaj Kastrati – Jozef Radi e megjithatë, ajo koha ka ardhë… Përgzime për tregimin. Të mban pezull!

    Fatmara Morina – Sa shumë marramendje, ndjesi deri në thellësi. Do të më lejoni ta ruaj, duke i bërë copi-past në thesarin e shkrimeve prej njerëzve të rrallë? Me zemër në dorë ju falenderoj!

    Jozef Radi – Fatmara Morina Kur nje tregim si ky, që drejt me thene e kam të dashur, zgjon kësi ndjesie brenda jush, unë më kënaqesi mund t’ua dhuroja, mjaft që falenderimi juaj i veçante bëhet pjesë e konsideratës sime… Ju uroj çdo të mirë!

    Emrije Krosi – Këto djajtë të gjithë njëlloj janë. Si me ngjyra si pa ngjyra, nuk ka rëndësi emri. Përshëndetje Jozef Radi!

    Gledis Cala – Djajtë na e bënë të zezën në mesnatë 32 vjet më parë dhe ne u besuam. Tani sa s’na çahet zemra nga dëshpërimi i zhgënjimit.

    Hasan Kostreci – Edhe pse shkrimi është alegorik, nënkuptohen situatat reale që ka kaluar dhe po kalon Shqipëria në këto 80 vjet!

    Bardha Nurka – Dy palë djajsh 46 plus 33 bëjnë 79 vjet. Hiku edhe jeta jonë!

    Fatmir Keqi – Shif se mue më ke prekë pak besoj unë nëse at Djallushën e ke për Kimeten që do largohet me mall e me mallë!

    Avenir Ibërshimi – Risi!

    Tryeza Mozaiku – Luciferi: krenaria; Beelzebub: zili; Satanai: zemërimi; Abadon: përtaci; Mamon: lakmia; Belphegor: grykësi Asmodeus: epsh nëse e lemë një fjalë atëhere – Janus

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.