back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Djaloshi i Kërçovës – “Ata që e lanë me dritë jetën time” – Jozef Radi

Gazeta

Hamit Ajdini
Hamit Ajdini

Ky fragment i shkëputun nga poema: “Ata që e lanë me dritë jetën time”,
ka nisur diku shtatë vjete të shkueme, dhe u kushtohet
mjaft prejt atyne personazheve që kanë lanë gjurma drite në jetën time…
Asnji prej tyne nuk jeton ma, dhe mundem ta theksoj se:
pjesa ma e madhe e tyne ishin njerëz të thjeshtë, të nji thjeshtësie fisnike,
po edhe n’at thjeshtësi fisnike e të përvuejtshme,
secili prej tyne ruente të veçantën e vet të pangjashme me kënd tjetër…
Nuk ka qenë fort e lehtë paraqitja e jetës së tyne përmes kësaj poezie rrëfimtare…
Ndoshta ky mbetet edhe ai ngurrimi im i vazhdueshëm,
për paraqitjen e kësaj poeme me shumë personazhe të vërtetë…
Para do kohe, u ndala me nxjerrë prej heshtjes nji prej tyne, at Njeri t’Përvuejtun ma zi se Vuejtja,
nji Poet thellësisht i heshtun ma i heshtun se Heshtja, të cilin gjithnji e kishim dashtë,
po  doja me dijtë diçka ma shumë për të, për vitet e fundin të jetës së tij
mbas atij rrënimi të pësuem për ma shumë se nji çerek shekulli në Tokën Amë…
Nji ditë Ai Njeri u kthye n’Itakën e vet, në Kërçovë të Maqedonisë,
dhe e rinisi jetën në kufijtë e ’60 viteve! Ma tepër s’di asgja…!!!
Quhej Hamit Ajdini, ishte poet me shpirt ma të dlirë se bora…
Diku duhet të jetë nji gur me emnin e tij në Kërçovë,
Zoti ia solli dy djem, po vdiq herët dhe e s’e gëzoi as jetën e tyne dhe as të vetën…
Kushdo që mundet me dijtë diçka ma shumë, asht i lutun me e tregue…
jozef radi, 18 prill 2015

Qyteti i Kërçovës
Qyteti i Kërçovës

Djaloshi i Kërçovës…

Fragment nga poema: “Ata që me dritë e lanë jetën time

nga Jozef Radi

***
Hamit Ajdini, nji djalë i hijshëm Kërçove, maturant andrrimtar
qe n’ballë t’protestave të rinisë kundra shtypjes serbe
dhe Udba e Krimit, herët e vuni n’shënjestër të goditjes…
po andrra e tij për Shqipni, e Tokë Amtare
e shtyu me gjetë shpëtim mbasi shpresa krejt afër –
ishte, dhe ai me sy e zemër – njimijë herë kish dalë përtej.

Kur Hamit djaloshi me shokë t’vet, shkelën n’Tokën Amë
ishte vjeshtë – dhe ndoshta malet e ashpra kah kishin shkue
s’kishin pasë lule t’freskëta për djemtë që vinin kah Përtej
po kur mbrritën, gjetën do fytyra t’egra që ua vranë harenë
gjetën pranga të freskëta dhe burgje të rishtë gjetën plot
sa dhe andrra e Tokës Amë, kurrë ma e trishtë s’qe besue…

Hamit Ajdini e kreu at vit maturën n’burgjet shqiptare
Ndoshta po at vit n’burg e filloi edhe universitetin,
e sigurt asht, se profesorët murgj që mbushnin burrelet
jepnin përdit e përnat mësim, po diploma s’lëshuen kurrë
njashtu me pranga n’duer po me shpirt të lirë, Ai u ndje poet
pse t’Keqen e Madhe e preku me dorë, e pa me sy t’vet…

Djaloshi prej Kërçove u ba burrë me burrat e vuejtjes shqiptare
vuejti burrnisht mes tyne, e i ndjeu ata mësuesa edhe prind.
Mësoi se me vuejtë pa asnji shkak, duhet shumë heroizëm,
mësoi se shkolla e vuejtjes, s’mësohej kurrë ndër shkolla!

Hamit Ajdini i Kërçovës e vuejti shqiptarisht andrrën e vet.
Jetoi ndër burgje të gjata e n’humbtina kampesh, qyqe vetëm
po kurrë s’rreshti së shkruemi poezi e vargje, e mbas
çdo arrestimi, vargjet i kish aktakuzë e ia digjnin para syve…
e ai përlotej tinza, me flakët që lëshonte dhimbja e tij!

Ditën kur i madhi Zot, befas e ndeshi n’nji plak flokbardhë
ai me t’madhe thirri: O zotni, a je Lazër Radi ti?! Gjithë jetën
kah t’kërkoj jam! Hamiti prej Kërçove, jam bre… A s’po më njeh?
A s’po të kujtohet Rinasi… Ura Vajgurore a s’të kujtohet?
A s’të kujtohet o Lazër, kur më mbaje si djalin tand,
e ma mësoje njat’ shqipen e bukur t’Koliqit e Fishtës!?
Dhe Plaku i Bardhë e kqyrte habitshem e s’u besonte syve
Jo Hamit, jo! Mos t’më kishe folë, kurrë s’të kisha njoftë!
Po ku asht ai Hamiti i ri plot gaz e jetë, plot andrra e dritë…
Po si të ka shkue jeta mor djalë, kësaj Shqipnie të ngratë?

Dhe u përqafën dhe mbetën njashtu t’përqafun e t’përlotun
shpirtna përplot brengë, që veç pak mjaftonte e derdheshin…
“Më ndjekin gjithkah, mor Lazër, e unë jam i mbaruem!
Ka vite që u lutem, me m’kthye te prindët pleq, te motrat!
Më presin të tanë, pse t’vetmen dritë t’syve m’patën!
E nana m’shkruen: S’vdes pa t’i puth sytë o loçkë! Hajde,
Hamit se nusen ta kam xanë! E ajo t’pret edhe n’dekshim ne…!”

Hamit Ajdini asaj nate e shkeli n’buzagaz pragun e barakës
dhe u ba njeri i shpisë, nji dhimbë ma shumë mes dhimbjesh,
dhe shfaqej kur binte muzgu e zhdukej pa zbardhë drita
e Nana ia lante teshat, e ia arrnonte gjunjtë, bërrylat
ia mbushte njat torbë prej lecke t’errtë me çka i ndodhesh
dhe ia jepte at bekimin rrugave ngado që t’shkonte…
Prej asaj dite, (qe natë) kur e njofta njat njeri, besova
se dhimba e mirësia s’mund t’kishin tjetër pamje: veç tijën.

Hamit Ajdinin e dënuen sërish si edhe tjera herë
për dhjetë kile misër t’verdhë t’vjedhë n’koçekët e fermës
që ai ziente për krejt javën, pse i kishte “bukë e gjellë…
dhe ne vuenim pa pyetje mungesën dhe zhdukjen e tij t’gjatë!

Derisa nji natë u shfaq fantazëm n’terr të thellë,
njashtu i zbehtë, i mpitë veç zhele dhe eshtra bashkë
njeri i tjetër bote, si prej skëterre hikun me ngut
e na rrëfeu t’vërtetën e fundit, at që as vetë s’e besonte:
Se t’nesërmen do të kthehej te vorret e prindve n’Kërçovë
dhe motrat do ta qanin për së gjalli at kufomë vetmie
dhe at rini të bjerrun ndër andrrat e mëdha t’Tokës Amë,
se n’shpi do t’gjente nusen n’pritje me fjalën dhanë prindve…
Po kthehej si fantazmë  vuejtjesh, ku kërkush s’e njifte…

…dhe na puthi n’ballë tre fëmijve me lot që s’thahen kurrë
dhe u përqaf me nanën time e duert ia puthi, e bekimevet ia mori
dhe gjatë u shtrëngue me njat Plak të Bardhë, si hyjni
dhe treti me at trastën prej lecke, hjedhun mbas shpine
nëpër natën e gjatë… dhe prej atij çasti Hamit Ajdin ma kush s’pa…!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Joze,
    më ktheve n’ato vite dhe m’i lëndove plagët… më bërë për të qarë… po edhe më kënaqe! Më bukur nuk ka si përshkruhen ato pak caste që kalonim me Hamitin… I pushoftë në paqe shpirti i mrekullueshëm i Hamit Ajdinit…
    Të falenderoj nga zemra Joze që e kujtove!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.