back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Do fjalë zemre për Nderim Kupin… – Ndërron jetë Nderim Kupi!

Gazeta

Nderim Kupi (1938-2024)
Nderim Kupi (1938-2024)
Lajm i hidhur – Ndërron jetë Nderim Kupi!

U nda prej nesh, për mos t’u harruar kurrë, Nderim Kupi, djali i patriotit nacionalist, Ibrahim Kupi e njëkohësisht nip i gjeneral Abaz Kupit.
Nderim Kupi, lindi më vitin 1938, në Krujë si trashëgimtar i familjes së njohur patriotike nacionaliste: Kupi.
Pas detyrimit për t’u larguar nga atdheu të xhaxhait të Tij Abaz Kupit, vrasjes së të atit Ibrahim Kupi nga forcat partizane dhe persekutimit që komunizmi vazhdoi të ushtrojë mbi Familjen Kupi, Nderimi, pavarsisht se i mitur, bashkë me nënën dhe motrën, internohen në Shkodër.
Në vitin 1956, Nderim Kupin me gjithë familjen e tij arratisen për në Jugosllavi, të ndihmuar edhe nga miku i tyre, Nikollë Dajani.
Në Jugosllavi, i ndjeri Nderim Kupi fiton familjarisht azil politik për në SHBA, ku ai u vendos për ta kaluar jetën larg atdheut, po me mall e mendje gjithnjë tek vendi i origjinës.
Në New York të SHBA, Nderim Kupi u bashkua me pjesën më elitare të nacionalistave dhe zogistëve, tashmë në ekzil, të cilët ushtronin aktivitet politik të rregullt të angazhuar në Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”.

Nderim Kupi dhe Shpëtim Axhani si përfaqsues të Legalitetit
Nderim Kupi dhe Shpëtim Axhani si përfaqsues të Legalitetit

Në Kongresin e VI të legalistëve, të mbajtur më 26-27 nëntor 1977 (“The Baltimore Hotel” New York) z. Nderim Kupi u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, posti më i lartë politik në parti, për atë kohë.
Me ardhjen e pluralizmit politik në Shqipëri aktiviteti dhe kontributi i të ndjerit Nderim Kupi do të ishte dhe mbetej deri ditën e fundit të jetës së tij, i madh e i pazëvendësueshëm: gjithmonë i hapur në mendime sipas rregullave demokratike brenda një force politike moderne. Vitet e fundit të jetës Nderim Kupi së bashku me të shoqen, Lolitën, drejtojnë aktivitetin në llixhat e Fushë-Krujës.
Varrimi i zotit Nderim Kupi, bëhet ditën e Premte, me datë 26.04.2024, në orën 11.00, në Krujë.

Marrë nga Muri i FB i Shpëtim Axhani, 25 prill 2024

Nderim Kupi dhe e shoqja Lolita në Familjen Merrnaçaj - shkurt 2024
Nderim Kupi dhe e shoqja Lolita në Familjen Merrnaçaj – shkurt 2024
Do fjalë zemre për Nderim Kupin…
marrë nga libri “Mrí Dedja e Merrnaçajve”

Familja Kupi, asht nji familje e njoftun dhe fort e nderueme e Shqipnisë së Mesme. Na kena miqsi qysh herët me nji përfaqsues të k’saj familjeje të respektueme, me zotin Nderim Kupin.
Vjete ma parë, kur edhe jena njoftë, Nderimi ka punue si oficer në Emigration, e zyra e tij ishte diku në Manhatan, në të dhjetin kat t’nji billdingu. Mbasi nji kushri i jemi, Rrok Nilajn, ishte arratisë në vjetin 1985, edhe kishte mbetë në Jugosllavi, na ka shkrue me e ndihmue, edhe kishim ra n’hall me e prù n’Amerikë… Ishte i pari njirì prej fisit tem, që ia kishte dalë me u arratisë prej Shqipnie, e po kisha mall me e pà e me kuvendë me të. Kështu, bashkë me Marashin, i kem shkue në zyrë Nderim Kupit, e ai na ka pritë shumë mirë. Na ndigjoi me vëmendje e na premtoi se kishte me ba çmos me na ndihmue. Na bani dy garanci për djalë t’axhës tem, edhe ne i bamë nji dhuratë simbolike. Mbas do kohe djali i axhës ka ardhë n’Amerikë e të dy me Marashin kem dalë e kem pritë… Mandej e kem ndihmue boll me u sistemue, po histori të shkueme… Po kajherë ndodh që edhe ndihmën edhe nderën do njerz të çojnë hupë, po nejse… Ajo çka deshta me kallzue, asht se mbas kësaj historie, lidhja jonë familjare me Nderim Kupin mbeti, ajo u forcue edhe ma tepër mbas viteve ‘90, kur e kishim vendosë me shkue thuejse përvjetë në Shqipni, mbasi Marashi ka pasë do probleme me reumatizmën, edhe na e kem nda mendjen, që të dy bashkë me i kalue s’paku dy javë n’llixhat e Shqipnisë…
Njeriu që e kem pasë gjithnji krah n’ato kohna, ishte Peku, kushrini ma i afërt i Marashit, e ai na ka pvetë:
-Ku po doni me shkue n’llixha? Se n’Shqipni ka llixha gjithkund: në Peshkopi a në Elbasan, në Krujë, në Gjinokastër apo Përmet…?”
Un i kam thanë:
-Ku t’jenë ma të mirat Pek, njatje po duem me shkue. M’kallzo ku ka shkue diktatori, njatje po shkojmë edhe na!” – edhe kena qeshë të tre…
-Ai ka shkue n’Krujë! – tha Peku.
-Edhe na njatje po shkojmë! – edhe kështu e kem vendosë.

Mri Dedja e Merrnacajve - Rrefime t'nji jete - Jozef Radi
Mri Dedja e Merrnacajve – Rrefime t’nji jete – Jozef Radi

Jem regjistrue e kem shkue atje. Kur erdh puna, kem marrë vesh se n’Llixha të Krujës, drejtonte Nderim Kupi, nip i Abazit, shpi me emën të madh e fort e respektueme, e gjithçka na u ba e lehtë. Nderimi na ka pritë mirë e na ka respektue edhe ma fort kur e ka pa Marashin aty. Na i ka zgjedhë odat ma të mira, që ishin n’të dytin kat, na caktoi në tavolinën Number One, ajo e personaliteteve, që vinin me kalue aty fundjavat o do ditë pushime, e mundem me thanë se respektin që kena pasë prej Nderim Kupit e grues së tij Lolës, s’e kam pasë prej kërkujt n’dynja. Për njat Zot, ata të dy, burrë e grue, me i lypë n’tanë Shqipninë s’ua gjen shokun ma të mirë!
N’ato kohë, Nderimi e Lola jetonin në Krujë, po vinin kohë mbas kohe edhe n’Amerikë. Ma të shumtën e kohës jetonin, punonin e rrinin n’hotelin e tyne. Kur dilsha në ballkon tue kqyrë vendin përreth, e shifsha Nderimin që gjithnji merresh me puntorët e shërbimit. E thirrshin “Axhi Neri”, e ishin do burra pak si t’vogjël, e ai u printe gjithkah ndër punë. Un po kqyri e po ju them Pekut e Marashit: “Kqyrnie pash Zotin, si po u prin trimave t’vet “Axhi Neri”, si Hajredin Pasha në Dibër!” – e kena qeshë të tre. Kur erdh Nderimi e na gjeti tue qeshë, po na thotë:
-Me siguri jeni tue qeshë me mue…
-Po, – i them vetë – me ty kena qeshë e ta kem qitë emnin Hajredin Pasha…! – e jena knaqë të tanë bashkë.
N’Llixha të Krujës, gjithkush ka ardhë prej njerzve tonë prej Malit të Zi me na pà, Nderim Kupi s’i ka lshue kënd pa hangër e pa pi njaty n’hotel me ne.
Kur ktheheshin n’Amerikë, gjithnji na kanë lajmërue, edhe 2-3 ditë para kur na vinin për vizitë në familje. Nji ditë e kanë lanë gjithnji, me e kalue bashkë n’familjen tonë e un e dijsha çka u pëlqente ma fort e për njat Zot, kurrë s’u ka mungue as mikpritja e as respekti jonë!
Për dekë të Marashit, më kanë ngushllue të dy prej Shqipnie Të nesërmën kur janë ardhë n’Amerikë, m’erdhën n’shpi për vizitë ngushllimi.
Dhimbtë boll u ka edhe atyne, burrë e grue.
Tash, sa herë vijnë prej Shqipnie, flasim gjithnji me Lolin. Më merr zakonisht ajo, po kohët e fundit kam pasë do probleme me shnetin e me mjekët e ndoshta m’kanë telefonue e un s’i kam ndie. Po gjithnji m’kanë thanë: “S’shkojmë n’Shqipni, pa ardhë me ndejtë pak te ti Mrì…!”
Nderimi e Lola kanë nji djalë e nji vajzë dishiri… po edhe nji mbesë shumë të sjellshme, t’edukueme e t’mirë, që e kam dashtë e m’ka dashtë fort. Edhe m’ka dhimbtë fort, pse do punë s’shkojnë njashtu si duhet e ky asht kenë edhe rreziku jem…!!
Me thanë të drejtën, ç’ka kanë ba ata të dy, burrë e grue, për mue e Marashin n’Shqipni, s’e ka ba kush.
Nderim e ka emnin… e ma fort se aj, s’na ka nderue kush!

Nderim Kupi dhe e shoqja Lolita në Familjen Merrnaçaj - shkurt 2024
Nderim Kupi dhe e shoqja Lolita në Familjen Merrnaçaj – shkurt 2024

Familja Merrnaçaj, si mik shtëpie që e kishte, i shpreh ngushëllimet më të ndjeme Lolitës, Kupit, Ilirjes dhe gjithë të afërmëve për humbjen e të dashtunit të tyne.
Pushofshtë në paqe Nderim Kupi dhe Zoti e pastë në kujdes shpirtin e tij fisnik…!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.