Do të mposhtesh njerëzisht, Rama!
nga Elona Caslli
Njerëzorja do të të mposhtë Rama; veçse njerëzorja.
Do të mposhtesh njerëzisht, nga vajza 15 vjeçare, e cila, ditën e mbledhjes së fondeve për rivendosjen e gërmave (që u vodhën nga Kryetari yt i Bashkisë), e theu arkën e saj të kursimeve, për të dhënë kontributin e saj, për rivendosjen e gërmave.
Do të mposhtesh njerëzisht nga ish-studenti i viteve ’90 emigruar, tashmë në Shtetet e Bashkuara, i cili për së largu thotë: “Jam me ju çdo ditë!” Në pamundësi për të ardhur vetë do të dërgoj një mikun tim, që do të sjellë një porosi në emrin tim, për Aleancën e Mbrojtjes së Teatrit.
Do të mposhtesh njerëzisht, nga trupa italiane e cila për të mbështetur protestën, ngjitet mbi skenën e Teatrit Kombëtar dhe thërret fort: “Il teatro è vita! Viva il Teatro!”
Do të mposhtesh njerëzisht nga aktori kosovar që pas shfaqjes në mbështetje të protestës, ruan marrëzinë tënde gjatë natës për të prekur agun mbi sheshin e Teatrit Kombëtar.
Do të mposhtesh njerëzisht, nga Maestro që rikthehet në atdhe për të rrëfyer luftën tënde me artin dhe artistët shqiptarë prej 20 vitesh.
Do të mposhtesh njerëzisht nga vepra e një njeriu që nuk jeton më, por që rikthehet kurdoherë me mendjen e tij, pasi njerëzit duan ta lexojnë dhe ta njohin. Dhe ai rikthehet mbi skenën e Teatrit Kombëtar për të dhënë mesazhin se: “Njeriu është më i fortë së diktatura!”
Njerëzisht do të mposhtesh, Rama! Veçse njerëzisht.
.
Post Scriptum – Ndonëse pesha e njerëzores ty të duket krejt e papërfillshme, unë jam e bindur se dikur apo diku, ti do mposhtesh njerëzisht.
.