
Dom Mikel Beltoja
nga Kastriot Dervishi
Dom Mikel Beltoja lindi në Beltojë më 09.05.1935.
Në kulm të regjimit komunist, meqë Seminari Papnor Shqiptar ishte mbyllur, ai u përgatit për meshtar në mënyrë private prej Arqipeshkvit Imzot Ernest Çobës, i cili e shuguroi meshtar më 08.12.1961, sëbashku me Dom Marin Shkurtin. Ishte famullitar i Dajçit të Bregut të Bunës e më pas i Barbullushit. U arrestua në Beltojë dhe u burgos në Shkodër më 19.04.1973. U dënua me 7 vjet burg më 15.08.1973, dhe me vdekje më 04.09.1973. U pushkatua në Shkodër më 10.02.1974.
Marre nga https://kishakatolikeshkoder.com/dom-mikel-beltoja/

Hilë Gjergj Gjoni, lindur në vitin 1935, në Beltojë të Shkodrës, i njohur ndryshe si Dom Mikel Beltoja është kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate. Regjimi e bëri shembull, sepse ai ushtronte fenë edhe pse ajo ishte ndaluar. Madje sendet e tij, ia ekspozoi popullit. Është fiksuar kjo foto teksa fëmijëve dhe kooperativistëve iu tregoheshin orenditë që përdorte kleriku.
Mikel Beltoja u arrestua më 19.04.1973. U akuzua në bazë të neneve 64 (tradhtia ndaj atdheut) në kombinim me nenin 10 (përgatitja dhe tentativa), nenit 73/1 (agjitacioni dhe propaganda), nenit 239/2 (kundërshtimi përfaqësuesit të pushtetit) dhe nenit 185 (mashtrimi, d.m.th. feja konsiderohej “mashtrim”). Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr. 229, datë 04.09.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi me vendimin nr. 1775, datë 06.12.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk pranoi të nënshkruajë kërkesë për faljen e jetës. Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 30.01.1974 refuzoi t’i falë jetën. Në mungesë të dokumenteve të tjera plotësuese, d.m.th. praktikës së ekzekutimin, e cila nuk është gjendur, besohet se vrasja të jetë bërë më 01.02.1974.
Te rasti i Hilë Gjonit, spikat qëndrimi i qartë antikomunist, i demonstruar në sallën e gjyqit dhe botërisht. Ai ishte i akuzuar, por akuzoi publikisht klikën e Enver Hoxhës dhe regjimin e tij antikombëtar. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, ndër të tjera thuhet: “Ai është shprehur haptazi kundër sistemit kooperativist, në mbrojtje të armiqve të popullit, kriminelëve të luftës, etj., udhëheqësit e partisë dhe të shtetit i ka quajtur servilë dhe të shitur në vendet e tjera. Haptazi gjithashtu, ka deklaruar ndër persona të ndryshëm se nëqoftëse do të ndryshojë gjendja politike e vendit “nuk kam çka të bëj tjetër, vetë se këto komunistët dhe me i pa jo të pushkatuar, por me i gri copa me brisk rroje”.
Bile edhe gjatë hetimit si dhe gjykimit të çështjes, i gjykuari ka mbajtur të njëjtin qëndrim armiqësor, gjë që vërteton se ai është i vendosur në rrugën e tij prej armiku të betuar të pushtetit popullor”.
.