Dom Simon, t’mbajtë Zoti nderën
se ja rrite Shkodrës vlerën.
nga Gjosho Vasija
***
Bash n’ktë kohë kur vlonte sherri,
kur n’Atdhè sundonte Ferri
e çdo truell mbulonte terri,
që prej Jugut n’bjeshkë t’Kelmendit
ishte djalli zot i vendit,
që përzhiste me barot
për kush thoshte, besoj n’Zot..!
Kur nderkohë burgjet n’Shqipni
kishin mbrendë ka nji për shpi,
ku nji pjesë u vrane n’Zall,
e nji pjesë doli tek gjallë..
Bash n’kte kohë, kur nëpër shpija
në çdo kand u sillte urija,
edhe fmijtë me vàj në gushë
mbushën mal e shpat e fushë…
Po n’k’të kohë kur diktatura
si postblloku nëpër ura
“mizë” nuk lente me i kalue
“Prej kah vjen, ku don me shkue?
Edhe kurr mos të mendoni
se prej plumbit tim shpëtoni,
në k’të vend kurr’ s’do guxoni
as të flisni, as t’mendoni” –
E n’sa bante zhurmë cikloni,
nxorri kokën Dom Simoni…
“Kush asht vallë ky Dom Simoni
që kaq shum po e vlersoni,
a mos asht bre Kastrioti
q’e ka ngjallë së dytit Zoti?”
“Jo bre mik, ky Dom Simoni
që po thoni e diskutoni
s’asht luftari që mendoni,
por nji Hyll që bani dritë
bash at ditë kur s’e kem pritë..
Pra, në kulmin e mjerimit,
të trishtimit të regjimit,
i bamë shpirti paçavure
me’i hy Kishes n’katër mure,
me pà Meshë, me puthë Figure,
Baaaaam! kërset nji pushkë pa pritë.”
“O çka asht pushka more n’ktë ditë,
a mos asht ndoj krisëm vàjit
ajo pushkë sot n’Fushë të Rrmajit?
“Jo bre jo, mos u friksoni
nuk asht vàj ai që mendoni
por qet “pushkë” sot Dom Simoni…
.
.
E kur “krismën” ndigjoj Shkodra
mori turr me male e kodra
plak nuk mbet atë ditë te votra,
nuk mbet grue n’at fund motmoti
pa shkue atje ku lutet Zoti,
me’i fmij n’krah e dy përdore,
tue marrë turr si ortek bore,
e madje e zhgrehun vàjit
aty fill e n’Fushë të Rrmajit..
U mbush Fusha, aman o Zot
çka s’kish pà syni deri m’sot,
me t’thanë mendja qinda e mija,
me t’thanë mendja t’tanë Shqipnija
kishte hy atë ditë n’atë lamë,
thue dhe t’vdeknit janë çue n’kambë…
“Hapi sytë mori njiherè
a din gjà, kush duel n’Eltèr?
Ai po m’duket shkamb mermèr
q’e kanë hypë mbi piedestal?
Po ti shih, Ai duket mal??”
Ate fill e shpërthyen pritjet,
aty plasën duertrokitjet
e s’u mbajtën brohoritjet…
……………
Dom Simoni trim dhe Murg
njiqind stinë iu kalbën n’burg…
N’njiqind stinë q’u burgos trimi
s’e ligshtoi jo kurr rregjimi
me torturat ma çnjerzore,
pa u hjekë kurr hekri dore,
veç lagshtinë, uri e gjak,
pshtyjë e shtyjë gjitherë n’dajak.
Por ama aq sa lot mali,
sa mund t’bahet fushë Cukali
aq u lodh dhe Dom Jubani,
atherë n’fund foli dushmani:
“E ka fajin prokurori
kur në gjyq kryeneçen nxorri
e me i plumb shpirtin s’ia mori”
Por mendue s’e kà “lavdia”
se kur vritet pafajsija
asht në Qiell i Madhi Zot
që s’e mban kandarin kot
por me to mbushë Ferrin plot..
Ndërsa “Prifti” pa farë fajit
sot thotë Meshë n’Fushë të Rrmajit!