back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Domosdoshmëria e një force të re politike për Shqipërinë nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Domosdoshmëria e një force të re politike për Shqipërinë

nga Ervina Toptani

Shpresa e vetme për Shqipërinë janë shqiptarët e ndershëm, jo politikanët e këtyre tre dekadave që Shqipërinë e masakruan!
Turbolencat politike e shfaqjet mjerane të liderve politikë në Shqipëri jo vetëm që nuk njohin masë, por tashmë kanë arritur pikën e kulmit. Mjafton me pa çka përcollën mediat e huaja nga mbledhja e BE-së! O mjerim e degradim, ki mëshirë për ne!
Zakonisht kur arrin pika e vlimit të diçkaje pritet shpërthimi o në të kundërt, qetësimi i situatës nëpërmjet ndërmarrjes së veprimeve të shpejta. Në Shqipëri kjo praktikë arrihet vetiu, pa ndërhyrje as të variantit të parë të sipërcituar e as të dytit. Jemi ndoshta i vetmi komb në botë që shpërthimet i marrim të mirqena nëpër kafene, rrjete sociale a bisedash mes miqsh. Revoltë zero (hiq rastet kur organizohen protestat nën emrin e një individi apo një grupimi të caktuar që nuk përfaqësojnë shumicën e njerëzve që janë direkt të shantazhuar nga politika miope e kriminale në pushtet).
Kush i ka përfaqësuar mijërat e të papunëve, të të rinjve që largohen çdo ditë masivisht nga vendi, të të shpronësuarve, të pronarëve legjitimë, të mijërave që lanë jetën nëpër burgje e internime, të tregtarëve të vegjël që shpesh vetëm taksat arrijnë të paguajnë. Të të sëmurëve që sillen spitaleve pa marrë dot as mjekimin bazë se mjeksia është monopolizuar prej miqve të atyre në pushtet, të fëmijëve që vende si Austria, Gjermania, Norvegjia etj, i jep pagesë nga shteti që kontribuon në mirërritjen e tyre për të qenë krenar gjithë jetën që kanë atë nacionalitet. Të pensionistëve që nuk shkojnë dot as në javën e parë të muajit me pensionet qesharake që marrin e po mos të kishin fëmijët në emigracion do vdisnin për një copë bukë! Të mësuesve, prestigji i të cilëve blihet e shitet prej pareliut të parë që mbin në derën e një shkolle, të punëtorit të thjeshtë që u trokasin në derë vetëm për t’i marrë votën një herë në 4 vjet, të të përzënëve nga puna që vendin tua lenë sekserëve partiakë sipas ngjyrës së teserës që përfaqësojnë.
Kush prej këtyre dje e sot në pushtet e shpalli qoftë edhe njëherë të vetme enver hoxhën kriminel, siç ai ishte në të vërtetë, vrasës i klasit të parë. Kush prej këtyre guxoi t’i shkonte në fund vjedhjeve që familjet e nomenklaturës i kishin bërë Shqipërisë në 5 dekada? Po si mund ta bënin, ndërkohë që vazhduan të bëjnë vetë të njëjtën gjë? Si u bënë politikanët tanë miliarderë me prona të patundshme të panumërta brenda e jashtë Shqipërisë, me resorte turistike, biznese e deri qendra tregtare në mes të kryeqyteteve europiane e gjetkë? Si shkuan në Europë e Amerikë ish sigurimsat, drejtorët e burgjeve të diktaturës, gjyqtarët e prokurorët e atëhershëm me dokumente të persekutuarish? Kush i mbrojti ata e kush i mbron sot e gjithë ditën? Po kush e vodhi këtë popull me firma piramidale e mbajtje peng të pushtetit? Kush vrau shqiptarë nëpër sheshe protestash? Këta që kanë 31 vjet në krye të Shqipërisë!
Këta politikanë që poshtërojnë një komb duke përdorur fatkeqësitë e njerëzve që i kanë sjellë po këta politikanë prej dekadash tashmë, këta janë ekspertë të kamuflazhit. Arrijnë të tërheqin vëmendjen duke u përplasur kinse mes tyre, duke akuzuar njëri-tjetrin për të fituar në fund po ata. Sa emra politikanësh njohim ne këto 31 vjet që i kanë dhënë pushtetin njëri tjetrit e asnjëri nuk e ka prekur tjetrin? Jemi i vetmi vend legjislacioni i të cilit është hartuar në mënyrë perfekte në letër por nuk është zbatuar kurrë. I vetmi vend që kërkojmë drejtësi e institucione drejtësie të ndërtuara nga të huajt se nuk jemi në gjendje të shporrim ata që drejtësinë e vranë që në 1991, jo vetëm me ligjin famëkeq 7501 të pronave, por me vrasjen e qindra shqiptarëve që mund të ishin në krye të drejtimit të demokracisë, deri sot si Arben Broci me shokë.
I vetmi vend që si zgjidhje shohim largimin e jo revoltën, i vetmi vend që luftojmë me mullinjtë e erës e i ndërsehemi njëri-tjetrit në mbrojtje të liderve politikë që pa përjashtim përfaqësojnë të djeshmen, që ruajnë ende teserat e partisë së punës nëpër sirtare e zbatojnë me përpikmëri vijat politike që nuk cënojnë pasuritë e pushtetin e tyre pesonal. E përse ndodh kjo? Sepse ne nuk dimë të revoltohemi! Ne e kemi më të thjeshtë të shpallim armik shqiptarin tjetër si ne sesa të përballemi me armikun e vërtetë që Shqipërinë e ka gjunjëzuar prej dekadash tashmë: klasën politike me formim bolsheviko-komunist! Klasën e arrogancës e papërgjeshmërisë, hajdutët e pronës e të ardhmes së Shqipërisë!
Krizat dramatike që kaplojnë Shqipërinë njëra pas tjetrës kanë fajtorë e faji nuk është kurrë jetim. Çfarë na kanë mësuar deri tani, me qetësi dhe dashuri, u ka shërbyer vetëm atyre që Shqipërinë e ndanë në llokma sipas oreksit e influencës së grupeve të tyre të biznesit e atyre kriminale. Të gjithë e dimë tashmë si funksionon, frikë për të folur kundër këtij apo atij politikani se të gjithë operojnë të ndihmuar apo të mbrojtur nga grupe e klane interesash të qarta, e jo pak herë edhe nga grupe kriminale që as emri nuk u përmendet. Shqiptari i thjeshtë vuan, paguan për taksidarët e rradhës, sipas ngjyrave të partive që vijnë në pushtet e si shpresë të vetme ka largimin e fëmijëve nga vendi!
Jo, dreqi e mori, nuk është kjo zgjidhja! Bashkë, vetëm bashkë, në emër të varreve të babgjyshëve nga veriu në jug, të atyre burrave e grave që në qindra i pushkatuan pa gjyqe, edhe varret ua mohuan, mbetën gropave pa emër ende sot që t’u humbte dhe kujtimi e këtë e kanë bërë me qëllim të mirëpërcaktuar që pasardhësit e tyre ta humbnin identitetin që u sillte emri i gjyshërve e kështu do të ishin lehtësisht të manovrueshëm nga politikanët e kalibrit që kemi sot, por që janë derivat i së djeshmes deri në gjenezë.
Tryezat kombëtare janë në gjendje t’i mbajnë të gjithë intelektualët e të rinjtë që kanë aspirata politike për një Shqipëri të begatë. E ardhmja janë ata, ata të cilët po i përzënë për një rrogë mizerje në fund të muajit, ata të cilët jetojnë sot me dyshimin e pasigurinë e të ardhmes e që shpesh frikësohen edhe të ndërtojnë familje prej pamundësisë ekonomike e mungesës së drejtësisë e rendit. Në Shqipëri të vrasin në mes të rrugës, me bombë të telekomanduar nga shtëpia a nga kafeneja, a me plumb kokës në hyrje të pallatit! Emërimet bëhen nga shpatullgjerët e politikës, nga tigrat, luaneshat a panterat e hajnisë që vlerë të vetme njohin arrogancën, perversitetin e hajdutllëkun!
Ne të gjithë, në çdo lagje, komunë, minibashki, bashki, qytet e rreth i njohim intelektualët e zonave tona, i njohim zërat ndryshe, i njohim njerëzit e ndershëm që janë me mijëra. Ne e njohim njëri-tjetrin se një grusht popull jemi, e në mesin e këtyre njerëzve të ndershëm kërkohen dhe liderët e tryezave civile, intelektuale, qytetare e shqiptare. Bëhuni në 3 a 4 persona e bjerini dyerve të të gjithë atyre që janë të papërlyer me hajni e nuk kanë shitur të ardhmen e të qenin shqiptar për një vend pune a një zarf me para në kohë zgjedhjesh. Bëhuni 100 e bëjini tryezat për të cilat Shqipëria ka nevojë në çdo qytet e nxirrni prej tyre përfaqësuesit tuaj! Shkoni në kullat e bajrakët e shqiptarëve nga Mirdita, në Dibër, në Kukës, në Shkodër, në Vlorë, në Berat, në Durrës, Tiranë, e kudo ku ka bajrak e histori që ka rrjedh gjak shqiptari e kërkojini të zenë karriget e atyre që dikur e mbrojtën Shqipërinë me gjak e nder se tek ata pasardhës jeton krenaria e të qenit shqiptar!
Ka ardhë sot dita që Shqipërinë ta bëjnë shqiptarët e ka besa, ka plot shqiptarë të ndershëm që u dhemb ky vend deri në palcë, që u dhembin varret e gjaku i derdhur, që u dhemb të shohin kryet e fëmijëve pas me lot në sy nëpër dritare avionash e lamtumira tragetesh, që u dhemb ndarja në palcë për një pashaportë të huaj ku gjithsesi dinjitetin e nacionalitetit që shkruhet mbi të ne nuk e gëzojmë dot në shpirt se nuk është i yni.
Sa kohë të nëpërkëmbim Shqipërinë e të ardhmen e saj që është e jona, aq kohë do të na nëpërkëmbin të huajt duke u tallë me vuajtjen e dhimbjen tonë.
Ne e bëjmë dot Shqipërinë, të gjithë bashkë, për këtë jam e bindur!
Ervina Toptani FB, 24 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.