back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj – dhe opinione politike

Gazeta

Ramush Haradinaj - aplikim nga Avni Delvina
Ramush Haradinaj – aplikim nga Avni Delvina

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj

dhe opinione politike

Të nderuar qytetarë,
Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:
Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.
Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.
Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përballë shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.
Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.
Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.
Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.
Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.
Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje.
Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.
Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë.
Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.
Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.
Pas kësaj dorëheqjeje mandatin ia kthej popullit. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.
I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.
Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, Popullit, Atdheut dhe Shtetit tim Kosovës! Faleminderit.
I juaji,
Ramush Haradinaj
.
Haradinaj duke dhënë dorëheqjen
Haradinaj duke dhënë dorëheqjen

Çfarë pritet të ndodhë me Qeverinë?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, Pika 5, thotë: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
.

Ramush Haradinaj dhe proceset ndaj tij

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj jep dorëheqje.
Më 8 mars, të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, ai pati dhënë dorëheqje, mbas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës.
Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm.
Katër vjet më pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës.
Në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.
Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës, ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.
Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shtator, 2017
Ramush Haradinaj dhe Presidenti Ibrahim Rugova
Ramush Haradinaj dhe Presidenti Ibrahim Rugova

Opinione politike mbi Doreheqjen

Hashim Thaçi – President i Republikës së Kosovës
Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë.
As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cënojë askush.
 
Ilir Meta – President i Republikës së Shqipërisë
Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij!
Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit!
Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacënuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane
 
Kadri Veseli – Kryetar i Parlamentit te Kososvës
Me kënaqësi të veçantë sot takova Kongresmenin Lee Zeldin, i cili bashkë me Kongresmenin Eliot Engel ka sponzorizuar Rezolutën për vëllezërit Bytyçi, të vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Përzemërsisht falënderova kongresmenin, që nëpërmjet kësaj rezolute e cila u votua dje nga Komiteti për punë të Jashtme i Kongresit Amerikan, i bëhet thirrje Serbisë që të gjejë dhe të dënojë kriminelët serbë që kanë vrarë vëllezërit Bytyçi.
Gjithashtu e informova kongresmenin për iniciativën për formimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, si një hap që duhet të ndërmerret për të sjellë drejtësi për mijëra viktima civile.
.
Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj
Fatmir Limaj, Zëvendëskryeministri i Kosovës.
“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, është një ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së”, ka thënë Limaj.
Ai ka theksuar se “fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës! Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe drejtësia do të ngadhënjejë edhe në këtë rast”, është shprehur Limaj.
 
Isa Mustafa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo Qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodh për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës. Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe”
 
Behgjet Pacolli, Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, dhe ministër i Jashtëm i Kosovës,
Sot veprimi i KM Haradinaj është një gjest burrështetasi dhe besojmë në pastertinë e luftës së UÇK-së. Kam pasur nderin të bashkëpunoj me KM Haradinaj dhe shprehi simpatine dhe solidaritetin tim për të si Kryeminister dhe qytetar i rendomtë
 
Albin Kurti, Kryetari i i Partise VV
Z.Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje “Ahtisaari Plus” me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj.
Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro…
Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tonë.
Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare.
Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.