back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Dosja 2/B” dhe vrasja e Poetëve nga Urim Gjata

Gazeta

Poeti Genc Leka
Poeti Genc Leka

“Dosja 2/B” dhe vrasja e Poetëve

nga Urim Gjata

Sot, Genc Leka
babai im mbushi 75 vjeç!
Po këtë vit ai bën edhe 40 vjet që është larguar
duke më lënë kujtimet plot dashuri e dhimbje
Shpirti i tij, ka qenë çdo ditë i pranishëm
Ai na mëson e na ndihmon në çdo rast
dhe na bën të ndjehemi krenar me emrin e tij.
Ti je mes nesh çdo ditë
Sa keq që s’mundem të të uroj
së largu ti rrugën ma mbush me dritë
at rrugë plot brenga nga vij e shkoj…
Faleminderit Baba!
Petrika Leka

***

Toka që e deshe aq shumë,
Si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh në dëshpërim.
Urim Gjata

Urim Gjata
Urim Gjata

Shiu i lehtë atë natë korriku 1997, në Përroin i Firarit në Librazhd, nuk kishte të pushuar.
Dy njerëz me kapuconë të zinj diçka gërmonin.
Askush nuk e dinte se përse kaq vonë duhej të gërmonin këta njerëz.
Askush nuk e dinte se ata po hapnin një gropë të zezë që mbas pak do të fusnin në lulen e rinisë dy djem të rinj. Dy poetë!
Mos vallë shiu që binte ishin lotët e pafajesisë, dhimbjes së nënës, gruas a fëmijëve?
Aty ishin mbledhur të gjitha, por vallë këta njerëz që gërmonin a e dinin pse? A e dinin se me duart e tyre po bëheshin dhe ata pjesë e një krimi të shëmtuar shtetëror, apo vallë nuk ishte hera e parë.
Atë natë Sigurimi i Shtetit do ekzekutonte dy kundërshtarë të sistemit, paçka se nuk kishin bërë asgjë, paçka se ishin në lulen e rinisë. Asgjë… dhe askush nuk mund ta ndalte dorën e zezë të sistemit diktatorial.
Shiu vazhdonte të binte ashtu i lehtë në errësirën e natës së zezë, natës që pritej prej kohësh nga bishat e zeza komuniste, atje prane brezit kufitar, atje që askush të mos mundej të shihte dhe të dëgjonte gjë.
Atje ku ishin hapur dhe shumë gropa të tjera, dhe në to ishte tmerri i sistemit, atje do futeshin edhe dy djemtë e rinj.
Bisha komuniste nuk ngopej me gjak.
Gjak nga ai më i miri, gjaku i bijve të këtij vendi, gjaku i poetëve, i së ardhmes… gjaku i lules së rinisë shqiptare.
Zhurma e një kamioni i bëri dy varrëmihësit të nxitonin, por ishte e kotë dhe toka ishte shkëmb, as ajo nuk pranonte t’i mbante brenda vetes këta dy djem, bij të saj… por edhe ajo ndjehej e pafuqishme përballë bishave.
Dy djemtë e lidhur sillen para gropës së zezë, të lidhur dhe në prag të vdekjes.
Përballë, ishin ata që do të qëllonin, ata që me vrasjen e poetëve do të krenoheshin.
“Fjala e fundit!” bërtiti i tmerruar hetuesi kriminel, ai që me duart e tij e kishte mbushur dosjen, ai që me vdekjen e dy poetëve do të bënte karrierë.
Genc Lekës dy lotë i dalin nga sytë:
Më fal vëlla Vilson, të gjitha bishat një fytyrë kanë. Më fal, mbështeti kokën në supin e tij.
Buzët e tij të thara filluan të belbëzojnë ngadalë:

O hënë, pse dole, moj aq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi.
 
ç’më fsheh ashtu me sy lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,
Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.

“Mjaft!” ulëritën kanibalët.
“Mos na mbuloni fytyrën, na hiqni prangat!” – dëgjohet i fuqishëm zëri i Vilson Blloshmit.
Por fjala e tij u pre në mes, ashtu të pushtuar bashkë këputen nga plumbat në lulen e rinisë… në natën e zezë, nga bishat e zeza.
Shiu vazhdonte të binte ashtu i hollë për të mos i zgjuar dy poetët, dy djemtë e rinj, duke ju lagur buzët e thara dhe duke u bashkuar me gjakun e tyre, gjak shqiptari.
Toka filloi të skuqej dalëngadalë, duke i mbajtur të pushtuar ashtu të dy bashkë edhe mbas vdekjes. Të dy bashkë, dy djem të rinj… paçka se i kishin etiketuar armiq… “Armiq të partisë komuniste!” Dy djem kishin guxuar tw sfidonin sistemin.
Kwta dy kwrthinj gjarpwrinjsh tw vjetwr, që për një vit rresht kishin kaluar dhe sfiduar tmerrin dhe ferrin e hetuesisë.
Lopatat në duar e kapuçonëve të zinj, filluan të hidhnin dhe mbi trupat e ngrohtë  që dukej sikur do çoheshin nga varri dhe do të recitonin prap poezi!
Poezi që iu pre në mes ashtu si dhe ëndrrat rinore. Poezi për jetën, hallet, fëmijët, të ardhmen. Ata kishin guxuar të ëndërronin pa marrë leje, të shkruanin pa pyetur bishën e zezë.
Ata nuk i kishin bërë asnjë elozh asaj, dhe kjo i tmerronte, i tmerronte pafundësisht. Ashtu e tmerruar as prangat nuk guxoi t’ju a heqë as telat me gjemba nuk ua zgjidhi.
Bisha komuniste kishte frikë dhe mbas vdekjes së tyre. Dhe ashtu e tmerruar u largua nëpër natën  e zezë drejt strofullës së saj, për të organizuar të tjera vrasje makabre si kjo e natës së zezë të korrikut.
Diku larg mbrapa maleve sytë e fëmijëve të vegjël të poetëve, shihnin gjyshen dhe nënën me lot ndër sy duke vajtuar fshehur. Bisha, edhe të vajtoje nuk të linte. Të habitur pyesnin, por  nuk e dinin se edhe për ta pak më vonë i njejti fund do të vinte.
Bisha kënaqej me vuajtjet e viktimave të saj. Shumë kishte marrë dhe vrarë ashtu fshehur maleve nga ky fis i nderuar, dhe përsëri nuk ngopej. Përsëri kërkonte, kërkonte të zhdukte dhe fëmijën në bark të nënës.
Bisha tmerrohej nga bijtë e shqipes, ata që i  kishin dalë në shekuj zot vendit.
Bisha komuniste me këlyshët e saj e dinte që këta djem bij Shqipërie nuk  e donin atë dhe sistemin e saj të urryer, ndaj dhe kërkonte t’i zhdukte.
Por ata mbetën në altarin e lirisë. Ata ja arritën qëllimit të tyre, ideali i tyre u arrit.
Viktimat e  diktaturës, bijtë e Shqipërisë…
sot janë Simbol i Luftës, përpjekjeve dhe fitores ndaj diktaturës  më të egër.
Në altarin që do përkujtohen viktimat e komunizmit emrat e dy poetëve, Genci Lekës dhe Vilson Blloshmit do të gdhënden me shkronja të arta.

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Nënës

Poezi nga Genc Leka     

U thinj ajo në rrugën e mundimit,
Por mbeti e re në zemër gjithnje,
Ndaj i buzëqesh i pastër njerëzimit
Për të gjithë zemrat që nuk thinjen më.

Si ky lëmsh që ti mbledh sot në duar
Ashtu t’u mblodhën brengat, nëna ime,
Ti më mësove të lexoj në thëllime
Dhe askujt mos i lutem shpirt lëshuar.
Marrë nga http://www.zemrashqiptare.net 25.05.2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.