back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Dostojevski” i letërsisë shqipe nga Reshat Kripa

Gazeta

Reshat Kripa
Reshat Kripa

“Dostojevski” i letërsisë shqipe

nga Reshat Kripa

Ata kishin një dëshirë, një pasion aq të madh për të shkruar atë që mendonin, atë që ëndërronin, atë që dëshironin. Por a mund të shkruheshin ato që buronin nga zemrat, që frymëzoheshin nga mendimet e lira, që shprehnin ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Ndodhte shpesh herë që dora i hidhte këto shkrime në letër. Autori i tyre i lexonte dhe i rilexonte pa guxuar t’ia tregonte kujt, me përjashtim të ndonjë miku shumë të afërt. Kështu ato mbetën “Kangë të pakëndueme“, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.
Talentet e mëdhaja i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Do të përmendja këtu emrat e paharruar të Dom Ndre Zadesë, Trifon Xhagjikës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Havzi Nelës e të tjerë. Martirë të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit. Nuk do t’i përmend emrat e tyre pasi ata janë të shumtë dhe do të duheshin faqe të tëra për t’i përmbledhur në një shkrim. Megjithatë ata shkruan. Shkruan me gjakun e tyre në muret e qelive ku i përplasën egërsisht. Shkruan për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruan për dhimbjen, për mallin, për shpresën. Shkruan për gjithçka. Në shkrimet e tyre ndihej besimi për të ardhmen edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.
Por kishte edhe nje kategori tjetër që shkruante. Kjo kategori i përket atyre të përmendur në paragrafin e parë të këtij shkrimi. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë kurrë lakej oborri si shume prej bashkohësve të tyre që i thurrnin lavde sistemit të dështuar totalitar e që, edhe sot e kësaj dite, nuk kemi dëgjuar asnjerin prej tyre t’i flakë tutje këto të ashtuquajtura vepra të “realizmit socialist” por, në të kundërt, këlthasin kundër njeri tjetrit se dikush paska qenë shkrimtar disident dhe dikush tjetër jo. Këto janë klithma hienash të dështuara. Ata janë si kentaurët e dikurshëm, simbol të dhunës dhe çfrenimit. Ata janë hije që nuk duken, por janë kudo dhe kur shfaqen sjellin fatkeqësi.
Në të kundërt me këta që përshkova më sipër, ngrihet lart figura e një disidenti të vërtetë, një intelektuali të shquar, që kishte dëshirë për të punuar, por që e detyruan të punonte si një punëtor i thjeshtë krahu, që kishte dëshirë për të jetuar, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanëve të regjimit.
Kush ishte ky titan?
Ishte ai që qysh në moshën e rinisë rrëmbeu armën për lirinë e vendit. U rreshtua në rradhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare qysh në fillimet e para të saj, por nuk kaloi shumë kohë, në pranverën e vitit 1944, u bind se kjo luftë ishte tradhëtuar nga Partia Komuniste Shqiptare dhe e denoncoi atë si vegël të Partisë Komuniste Jugosllave. Largohet nga Shqipëria për studime në Austri por, në vitin 1946, e thërret zëri i atdheut. Kthehet… por arrestohet menjeherë. Për mungesë faktesh lirohet përsëri dhe detyrohet të bëjë punë të rëndomta. Në vitin 1960, internohet në ishullin e Manastirit në Zvërnec të Vlorës, ku qëndron për pesë vjet. Kjo është edhe periudha e krijimtarisë së tij më të shkëlqyer letrare. Ndërroi jetë në janarin e vitit 1977, si pasojë e një ataku kardiak që i erdhi pasi u detyrua, si hamall që punonte, të shkarkojë një kamion.
Ky ishte “Dostojevski” i letërsisë shqiptare, Agron Çorati. Për të folur për personalitetin dhe botën shpirtërore të tij dhe personazheve të veprave, mendoj se e ka më të lehtë ai që i ka përjetuar vetë ngjarjet që përshkruan. Them se e ka më të lehtë, pasi duke qenë vetë një Faik apo një Ninetë mund të kuptosh më mirë rënien morale të intelektualit nën presionin fizik, apo nëpërmjet fyerjes dhe denigrimit të ushtruar nga një pjesë e shoqërisë mbi pjesën tjetër të saj. Duhet të kesh qenë vetë një Mirë apo një Linë, një Lilianë apo një Zeliha për të kuptuar më mirë se çdo të thotë të të vriten ëndrrat rinore, apo të biesh shpirtërisht kur sapo ke filluar të hysh në jetë.
Autori shkruan: “Mjerë ata që kanë qënë të gjallë dhe kanë vdekur gjatë atyre dekadave!”
Vini veshin, ai thotë “të gjallë”, mbasi jo të gjithë që jetojnë në këtë tokë janë të gjallë. Shumica e njerëzve të kësaj bote vijnë dhe ikin si hije. Të paktë janë ata që lenë gjurmë, e një ndër ta ishte edhe Agroni.
Lexoj krijimtarinë e tij, librin me tregime “Miqtë e babait” dhe romanet “Në kërkim të vetvetes”, “Njeriu i ri”, “Liliana” dhe romanin në dy vëllime “Klasa e tetë” dhe “Njerëz të shprishur”. Vini veshin! Këto vepra janë shkruar në një periudhë 12 vjeçare, 1963-1975. Çfarë mund të ishte bërë ky njeri në kushte normale? Ai mund të ishte bërë gjithçka. Me karakterin që kishte ai mund të arrinte majat më të larta. Por sistemi i kishte prerë rrugët e krijimtarisë së lirë.
Ai nuk pranonte kurrë të bënte art të imponuar.
Karakteri i tij nuk e lejonte që t’i thurrte “Hosana Barabajt”. Dora e tij mund të shkruante vetem ato që i diktonte zemra dhe jo diktati i të tjerëve. Dalja në dritë e veprave të tij e vërteton këtë.
Agronin e mundonte rruga pa krye në të cilën kishte hyrë atdheu. Atë e preokuponte e ardhmja e tij. Por më tepër e shqetësonte brezi i ri që po rritej pa principe dhe moral. Ai e dinte se ky brez i ri, i ashtuquajturi “Njeri i ri socialist” do të bëhej në të ardhshmen një faturë e rëndë, të cilën do t’i duhej ta paguante kombi. Ja se si shkruan ai: “Njeri i ri! Njeri i ri! Paske shumë frikë të flasësh për atë që ke brënda! Pa dil në shkretëtirë, ngjitju malit më të lartë, aty ku nuk të dëgjon njeri e villi të gjitha, çirru e thuaj një herë me zë të lartë, ato që prej shumë vitesh po i ndrydh me forcë! Mos ki frikë nga vdekja! Ç’qënke bërë kështu mor njeri i ri, Adami i brezave të ardhshëm?”
Duke lexuar veprat e Agron Çorratit, nuk ka se si të mos prekesh nga ndjenjat e shprehura në to. Të duket sikur ke të bësh me një autor të afirmuar. Në veprat e tij secili nga ne do të gjejë diçka nga jeta e vet. Duke i lexuar secili prej nesh do të bashkëjetojë me autorin për ato që shkruan. Dhe kjo për arsyen e vetme se ai ato i ka mbijetuar vetë mbi shpatullat e tij. Heronjtë kryesorë të veprave janë persona realë, miq të ngushtë që shiheshin shpesh të shëtisnin së bashku në bulevardin e qytetit dhe të hidhnin ndonjë gotë në lokalet e mbushura nga tymi i duhanit. Atë e shqetësonte e ardhmja e personazheve të tij. Ai jetonte së bashku me ta. Ai vuante së bashku me ta. Vuante pasi e shihte se këta personazhe të tipit të Fatosit, Besnikut, Piros, Vanit, pjella të të ashtuquajturit “Njeri i ri”, do të ishin kthyer në vrasës profesionistë kontrabandistë, trafikantë, politikanë të paskrupull në të ardhmen e vendit.
Ja se si shkruan ai për njerin nga personazhet e romanit, “Në kërkim të vetvetes”, Foton: “Në kohët e lira kishte filluar përsëri të shkruante. Sa të ndryshme nga shkrimet e tij të para, ku çdo gjë përfundonte me plotësimin e ëndrrave!… Sa të ndryshme nga shkrimet e mëvonshme, ku heronjtë nuk merreshin me ëndrra, por vetëm me aksion e luftë. Kurse tani s’kishte më heronj, as ëndërrimtarë kotësirash… Personazhet e tij tani përmbyseshin. Kërkonin të futeshin diku thellë në brendësinë e sendeve e të ndjenjave, e aty humbisnin e hutoheshin. Ata gjithmonë vuanin. Në fillim tërhiqeshin nga patosi i jetës, pastaj thyheshin… Nuk mund të kishte fitimtarë. Vetë vdekja, kjo dhunti e natyrës, tregonte se ngadhnjimi nuk ishte njerëzor!”.
Të tillë janë edhe personazhet e romanit në dy vëllime. Të trembëdhjetë maturantët e gjimnazit të Tiranës ëndërronin për një Shqipëri të lirë, europiane. Ata kishin idealet e tyre, ëndrrat e tyre. Ndaj hidhen të gjithë në luftën për liri. Midis tyre, Agimi, që, pa i thënë askush, mban një fjalim të zjarrtë në demostratë. Kjo gjë i kushton internimin në Itali. Por, çuditërisht, atje ai arrin të përfundojë shkollën e lartë dhe të diplomohet mjek. Si ka mundësi, do të pyesni ju, që kjo të ndodhë në Italinë fashiste? Unë do t’iu përgjigjem me një pyetje tjetër: Si ka mundësi që në “Shqipërinë Socialiste” një të internuari i ishte ndaluar edhe të mendonte? Por, ja që paska patur mundësi! Kjo është diferenca ndërmjet dy sistemeve totalitare. Ju bëni vetëm krahasimin.

Njeriu i Ri - Satvat
Njeriu i Ri – Satvat

Së fundi, Agimi kthehet në atdhe dhe sheh se si po zbatohej e famshmja “Luftë e klasave”. Sheh se ajo po zbatohej edhe me shokët apo shoqet e klasës së tij. Diziluzionohet nga kjo gjë dhe shndërrohet në “Njerëz të shprishur”, siç do ta quante librin e dytë të romanit autori. Pranon të nëshkruajë deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit të servirur nga shoku i tij, Vani. Ja disa fragmente nga dialogu me Pirron mbi torturat që zhvilloheshin në qelitë e Sigurimit: “Kishim një të burgosur në birucat e drejtorisë. Ndenji afro një vit në atë birucë. Gjatë atij viti mund ta kemi totruruar qindra herë. Edhe unë vetë. I futeshim në birucë… Ai sapo hynte drita nga dera e hapur, mbulonte sytë e “bëhej gati”. E kupton se ç’do të thotë “bëhej gati”? Ishte mësuar aq shumë me torturat tona, sa që nuk donte të humbiste kohë… Na dukej sikur na përqeshte. Nga inati e torturonim më shumë. Ai lëshonte ndonjë “oh” dhe asgjë më tepër. Nuk fliste…Nga urrejtja e torturoja më shumë. Ai na përbuzte ne, që ishim zotërit dhe padronët e tij. Mund të bënim me të ç’të donim, mund edhe ta vrisnim, t’ia bënim mishin copa-copa, apo ta varnim. E megjithatë, ai na përbuzte në mënyrën më përçmuese!”.
Këto fjalë i thoshte Piroja, shoku i tij, që ishte shndërruar në një satana!
Karakterin e Agimit e kanë pothuajse të gjithë personazhet e romaneve të Agron Çoratit. Ata janë njerëz të çoroditur që nuk dinë se ku e kanë kokën e tyre. Ata duan të dashurojnë, por nuk dinë se a mund të ketë dashuri të vërtetë? Të gjitha këto sjellin prishjen e familjeve, tradhëtitë bashkëshortore dhe shoqërore e të tjera. Vështirë se mund të gjesh një personazh me të vërtetë pozitiv në këto vepra. I vetmi, të cilin mund ta quajmë të tillë, është Niku, i çmenduri, siç e quajnë ata që jetojnë në këtë botë të çmendur. Dialogët që zhvillohen ndërmjet Nikut dhe personazheve të tjerë të romanit, ashtu si pjesa më e madhe e dialogeve të tjerë dhe që janë të shumtë në këto romane, janë nga më të arrirat. Në to është kristalizuar një filozofi e tërë. Ja si shprehet Niku në një dialog të tillë: “Në botë nuk ka ‘të mirë të plotë’ dhe ‘të keqe të plotë’, të ndara njera nga tjetra, qoftë edhe sikur t’i marrim të pranueshëm si dogma të përjetshme parimet morale që themi se rregullojnë jetën normale të njerëzve… Nuk ka tezë dhe antitezë të ndarë, nuk ka ‘njerëz të mirë’e ‘njerëz të këqinj’. Nuk ka njeri që të mos bëhet gjatë jetës së tij edhe i dashur edhe i urryer, edhe i drejtë edhe gënjeshtar, edhe i ndershëm edhe hipokrit, edhe i pastër edhe i poshtër, e shumë e shumë epitete të tjera të kundërta…”
A nuk janë ide filozofike këto mendime të këtij individi që opinioni publik e ka renditur në botën e të marrëve? Atëherë, kush është me të vërtetë i marrë? Lexuesit le të nxjerrin përfundimin!
Duke lexuar këto romane më lind pyetja që e kam bërë edhe herë të tjera, kur kam lexuar vepra të kësaj kategorie: Çfarë vendi do të kishte zënë ky shkrimtar në rradhën e bashkëqytetarëve të tij, madje edhe në atë të botës mbarë, në rast se nuk do të kishte jetuar në një sistem totalitar që i qëndroi si shpata e Damokleut përmbi krye dhe që i shkurtoi jetën në kulmin e krijimtarisë së tij? Me siguri që do t’i kishte lënë prapa shumë prej atyre shkrimtarëve që iu nënshtruan pushtetit dhe që edhe sot janë në krye të klasifikimit. Kurse Agron Çoratin, këtë “Dostojevsk të letërsisë shqiptare”, siç e kam quajtur në fillim të këtij shkrimi, e njohin vetëm fare pak. A nuk duhen propaganduar dhe përhapur veprat e tij? A nuk duhen përkthyer ato në gjuhët më kryesore të botës? A nuk duhen ribotuar në mijra kopje për t’u njohur nga të gjithë lexuesit shqiptarë? A nuk duhen futur në programet e shkollave të vendit?
Të gjitha këto pyetje presin përgjigje.
Lexojini veprat e Agron Çoratit dhe po mundët më ktheni një përgjigje nëse kam të drejtë apo jo për këto që kam shkruar. Në mënyrë të veçantë, specialistët e letërsisë.
Unë jam në pritje.  (marre nga http://gazetadielli.com/dostojevski-i-letersise-shqipe)

Njesiti guerril - film
Njesiti guerril – film

Kush ishin Çoratët

Çoratët ishin dy vëllezër dhe dy motra, të cilët njihen si eksponentë kryesorë të gueriljeve komuniste të Tiranës që gjatë periudhës së pushtimit fashist e kthyen shtëpinë e tyre në një bazë të fuqishme.
Origjina e familjes Çorati, është nga Libohova e Gjirokastrës dhe gjyshi i tyre që quhej Beaudin Çorati, pasi ishte shkolluar në Stamboll për Jurisprudencë, punoi për disa kohë në Voshtinë të Janinës. Pas djegies së Janinës nga turqit, një pjesë e familjes Çorati u shpërngul për në Turqi (ku jetojnë akoma pasardhësit e saj) kurse Beaudini erdhi e u vendos me banim në Vlorë dhe u caktua si gjykatës në Tepelenë. Gjatë kohës që Beaudini jetoi në Vlorë, atij i lindi një djalë që u quajt Ferit, i cili është babai i Milës, Vandës dhe dy vëllezërve Muharremit e Agronit që nuk jetojnë më. Pasi Feriti u lirua nga internimi në Ishullin e Sazanit ku e kishin degdisur italianët për pjesmarrjen e tij në Luftën e Vlorës, ai punoi për disa kohë në Post-Telegrafën e qytetit bregdetar. Në vitin 1920, Drejtori i atëhershëm i Postave Sadik Tirana, e transferoi Feritin në qytetin e Tiranës, i cili u vendos me banim në një shtëpi me qera tek Demnerët në afërsi të Pazarit të Ri. (nga Dashnor Kaloçi)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.