back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dostojevski: “Të fyem e të poshtnuem – Nazim Saiti

Gazeta

Nazim Saiti 1963
Nazim Saiti 1963

In memoriam di Nazim Saiti…

nga Jozef Radi

Nazim Saitin e kam njoftë përmes kunatit tim, Dine Dines dhe Visar Zhitit… aty rreth fundit të viteve ’80, kur kontingjenti i nji brezi që kishte frekuentue për gati nji dekadë burgjet ma të zashme të shtetit Burg, kishte nisë me i lirue ata…
Nazim Saiti, ishte prej atyne njerzve të rrallë e të mrekullueshëm që rastsia t’ jep shans me i njoftë… dhe ishte prej atyne njerzve që ta jepte me bollëk miqsinë, humorin… e në mënyrë të veçantë kulturën; ishte prej atyne idealistave që edhe pse pjesën ma të madhe të jetës e kishin kalue burgjeve, ndjehesh ma i lirë e ma i kulturuem se ata që dukeshin të lirë dhe kishin gëzue gjitha mundësitë m’u shkollue e kulturue; ishte prej atyne burrave që edhe pse jeta ishte tregue jo njerkë, po kalue shtrigës, Nazimi, si stoik i lindun me nji butsi e besim të papërshkruem e niste jetën nga e para; sikur gjithë shkatrrimet e ndodhuna në trupin e shpirtin e tij, t’mos kishin egzistue kurrë…
Nazim Saiti dukej sikur fliste e jetonte ndër botë që ende s’kanë ardhë… botë fantazmagorike ndërtue sipas modelit të shpirtit të tij fisnik… botë ende të largëta e të pambrritshme prej tjerve, po jo prej tij…
Nazimin, ashtu të hijshëm e të zeshkët, e kisha të ruejtë me kujdes diku sepeteve të kujtesës, e mjaftoi veç nji shfaqje e beftë e këtij dorshkrimi m’u zgjue gjithçka e mshehun…
Sot, ashtu krejt papritmas ndesha dorshkrimin e këtij përkthimi të Nazimit prej Dostojevskit… Befas m’u shfaq ajo kaligrafia e tij e përsosun,  estetika e tij të kujdesshme, gjuha e tij e përkthimit, jo fort të pajtueme me ligjet e dhunshme të Standartit, ajo bota e zymtë ruse e Dostojevskit të Madh, filtrue mjeshtërisht prej punës së tij; e ndjeva edhe at fatin e madh që la mbas edhe nji tjetër djalë, i cili at figurën atnore e ka shenjtnue mbrenda vedit ashtu butsisht, e fortesisht ne të njatën kohë… Dhe ndërsa e lexoja etshëm kët kapitull, ndjeva dhimbje, shumë dhimbje që kjo vepër e përkthyeme në kushtet e prangave, llozeve, kontrolleve, birucave, ndëshkimeve, rrahjeve; ku asht e gdhendun krejt egërsia e përbindshme e burgjeve shqiptare, asht ende e pabotueme, asht edhe sot, asgja ma shumë se nji dorshkrim… prej ma shumë se 36 vitesh, pra prej vitit 1977…!!!
Edhe ikja tragjike e Nazim Saitit, asht nji legjende e mbetun peng në shpirtin tim… sepse u ndjemë kaq të afërt dhe kaq të lidhun me njeni tjetrin, kur ishte e vështirë dhe e pamundun, dhe u harruem e u humbëm me njeni tjetri ndër ato dallgë lirie, ku nji ditë e gjetëm vedin të përplasun ndër brigje të panjoftuna…
Sot mundem me falenderue, Sait Saitin, djalin e mikut tem Nazimit, për krejt përkujdesin e treguem ndaj atit të vet, atij njeriu që dinte të qeshte me jetën, edhe kur ajo i shfaqej me fytyrën e saj të vërtetë… prej bishe!
2 korrik, 2013

Dorshkrimi: "Të fyem e të poshtnuem"
Dorshkrimi: “Të fyem e të poshtnuem”
Dostojevski "Të fyem e të poshtnuem"
Dostojevski “Të fyem e të poshtnuem”

Dostojevski “Të fyem e të poshtnuem”

(Pj.I; Kr. VII – përktheu Nazim Saiti, 1977)

Ajo mbante në dorë kapelen të cilen në ecje e sipër e vendosi mbi piano; pastaj m’u afrue dhe heshtazi më zgjati dorën. Buzët i dridheshin; deshi të thote diçka si përshëndetje por nuk bëzani.
Tri javë që nuk ishim pa. E vështrova me pasiguri e tmerr. Sa kishte ndryshue për ato tri javë! Zemra m’u mbush me mall kur pashë faqet e fikuna e të zbeta, buzët e përthame si në ethe dhe sytë vezullues të cilët, midis qerpikëve të zinj, përshkënditeshin nga një zjarr vendosmenie të papërkulshme.
Por prapseprap, ajo ishte mrekullia vetë! Asnjëherë, as ma parë e as ma vonë, nuk e pashë aq të hijshme sa atë ditë fatzezë. Të ishte ajo Natasha, vallë, ajo çupa që një vjet ma parë, pa m’i shqitë sytë, pëshpëritte nën za po ato fjalë që shqiptoja unë gjatë leximit të romanit tim; ajo që aq e hareshme e shkujdesshëm qeshte e bante hoka me të atin e mue mbas darke? Ajo pra; ajo ishte Natasha që dy hapa ma tej, në odën tjetër, kokulun e mollëzat e faqeve të skuquna nga turpi, më kishte thanë “po”?
U ndigjuen tingujt e shpeshtë të kumbonës që grishte besimtarët në mbramësore. Ajo u dridh, plaka bani kryq.
-Ti sikur doje me shkue në mbramësore, Natasha, erdhi koha – tha plaka – Nisu Natashkë, nisu e Zoti qoftë me ty! Merr edhe pak ajër, moj bijë; pse me ndenjë e mbyllun? Shih sa e zbetë je, sikur të kanë marrë mësysh.
-Unë… ndoshta… s’po shkoj sonte, – foli ngadalë Natasha si tue pëshpëritë – Nuk ndihem mirë… – shtoi e u zverdh e u ba meit.
-Moj bijë, do të ishte ma mirë të dilje; ti sikur doje vetë: edhe kapelen e paske marrë. Dhe lutu, moj zemër, lutu që i madhi Zot të ta kthejë shëndetin – vazhdoi Ana Andrejevna tue e pa me droje e frikë.
-Të dalë që ç’ke me të; sidokudo, shetit e freskohesh pak,- ndërhyni plaku gjithashtu i shqetësuem nga shprehja e fytyrës të së bijës, – nana ka hak. Ja mandej edhe Vanja; ai do të të përcjellë.
M’u duk se shqova një nënqeshje të idhtë në buzët e Natashës. Ajo shkoi drejt pianos, mori kapelen dhe e vuni mbi krye. Duert i dridheshin. Të gjitha lëvizjet e saj dukeshin të pavetdijshme, sikur s’dinte ç’bante. Nanë e babë e ndiqnin me vëmendje.
-Lamtumirë! – u përshëndet me një za që mezi ndigjohej.
-Ç’asht kjo përshëndetje, moj zemër, sikur, Zoti e di, për ç’rrugë të gjatë po nisesh! Del, del se të kap era e të ban mirë; s’e ke pa veten sa e zbetë dukesh. Oh! Gati harrova (gjithmonë harroj!) – Hajmalinë e përgatita; qepa një lutje, moj zemër; një murgeshë prej Kievi ma mësoi moti që shkoi; lutje hakshe; s’ka shumë kohë që i dhashë fund. Vare, Natasha, vene moj bijë. Hé Zoti të dhashtë shëndet! Të kemi vajzë dëshiri.
Dhe nga një kuti e vocërr, plaka nxori një kryq të artë të Natashës për t’u mbajtë përmbrenda, në zinxhirin e të cilit qe kapë nuska e porsaqepun.
-E mbash me shëndet! – shtoi tue ia varë në qafë dhe e bekoi. – Dikur përnatë kështu të bekoja para gjumit; lexoja lutje e ti i përsëdytje. Kurse tashti sikur nuk je ma ajo e maparshmja dhe Zoti s’po të fal fashë. Ah Natasha, Natasha! – dhe plaka u shkreh në vaj.
Natasha ia puthi doren në heshtje dhe pastaj iu drejtue derës. Aty u ndal në çast, u kthye mbrapsht dhe iu avit t’et. Gjoksi i ngrihej e i ulej me forcë.
-Babë! Bekojeni edhe ju… bijën tuej – murmuriti me një za të mbytun tue ra gjunjazi para tij.
Të gjithë u zumë ngusht nga gjesti i saj sa i papritun aq solemn.
-Natashka, bija ime, vogëlushja ime, loçka ime, ç’asht kjo punë me ty! – thirri ai me të madhe me sy të mbushun me lot – Ç’të mundon kaq shumë? Pse qan ditë e natë? Sepse unë i shoh të gjitha: natën s’ve gjumë në sy, ngrihem e vij pranë odës sate!… Tregomi mue të gjitha Natasha, hape zemrën para meje, para plakut, para nesh…
Pa mbarue mirë fjalën, e ngriti dhe e përqafoi me afsh. Ajo u fut në gjoksin e tij, mbështeti kryet në sup dhe mbeti ashtu si ta kishte mbërthye ngërçi.
-Nuk kam kurrgja, kurrgja, po sikur… s’para ndihem mirë… – përsëriti tue u kendirrë nga lotët e mbrendshëm që nuk dilnin.
-Zoti të bekoftë ashtu si po të bekoj edhe unë, vogëlushja, vajzukja ime e shtrenjtë! – tha.- Faltë paqë për ty dhe të ruejtë prej çdo idhnimi. Lutje Zotit që lutja ime të arrijë tek ai.
-Lamtumirë! – pëshpëriti Natasha.
Te dera u ndal prap, i kundroi edhe një herë, deshi të thote diçka, po s’mundi e doli me nxit jashtë. E ndoqa tue parandie diçka jo të mirë.

.
“Të fyem e të poshtnuem”: Përktheu nga origjinali, Nazim Saiti

.
Burgu i Burrelit, 4.VI.1977 – 17.VII.197

 

 

 

 

 

 

 

Related Images:

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

More articles

2 KOMENTET

  1. I dashur Jozef,
    sot vendosa që gjithë ditën të mos merrem me gjë tjetër, veç përfundimit të biografive të poetëve për librin me shqipërime që të kam thënë. Po ngaqë e kam zakon, fillimisht “hodha një sy” te facebook-u dhe, natyrisht, te postimet e tua. E, si mund të rrija pa lexuar, shkrimet e mrekullueshme që na percjell ti?!! E lexova këtë shqipërim befasues të Nazim Saitit, që përkoi në kohë me leximin që po i bëj një libri me 100 nga faqet më të bukura prej veprave të Dostojevskit në italisht. Jam ende në përjetim të tyre, veç edhe me të fuqizuar nga leximi i pjesës së shqipëruar nga Nazimi.
    Kur mendoj kushtet në të cilat ka punuar, gjendem në po atë mjedis për të cilin ka shkruar Dostojevski, dhe më duket se po provoj si me të edhe me të shkretin Nazim të njejtën shtypje. Unë shtypjen e kam provuar, por jo brenda mureve të burgut. Pavarësisht nga kjo, njerëz si Nazimi dhe shumë të tjerë, krahas me ty, më kanë bërë që edhe pse mundohem të rri larg nga politika – aktualisht e ndyrë – të mbetem i pandarë nga përpjekjet e të përndjekurve prej saj që, në çfardo forme që të jenë, janë ndër të rrallat gjëra që më bëjnë t’i them vetes: “s’po rroj kot!”.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.