back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dr. Milan Sufflay – nji jetë kushtue Albanologjisë (1)

Gazeta

Milan Shuflaj (1879-1931)
Milan Shuflay (1879-1931)

Milan Sufflay

– nji jetë kushtue Albanologjisë

Dr. Lazër Radi (1)

Veprat e Sufflay-t
kanë nji vlerë të përhershme
dhe zenë nji vend të randsishëm
në lamin e albanologjisë…

Në rrethet intelektuale shqiptare Dr. Milan Sufflay asht mjaft i njoftun. Nuk ka historian, albanolog ose studiues që të mos e njohë veprën e tij kryesore “Serbët dhe shqiptarët”. Studiuesit shqiptarë që s’e njohin serbo-kroatishten janë të detyruem me e lexue atë në nji përkthim jo fort të saktë! Para kësaj vepre Dr. Milan Sufflay ka botue mjaft studime në formë artikujsh apo broshurash, të cilat, për fat të keq, nuk janë përkthye në gjuhën shqipe, prandaj ai njifet pak o fare pak prej studiuesve tanë. Nji pjesë e mirë e këtyne materialeve janë botue pa emën ose më siglën “S”. Në kët artikull do t’përpiqem me dhanë disa njoftime të shkurta rreth këtij studiuesi të dalluem dhe do të përmend disa prej artikujve të tij ma të randsishëm. Për kët punim kam pasë si bazë broshurën e S.M. Stedimilia, të botueme nga “Naklada” “Putovi”, Zagreb viti 1942, dhe të përkthyeme në tri gjuhë: frengjisht, gjermanisht dhe italisht.
Ishte Prof. Tadija Smiciklas që zbuloi talentin e Dr. Milan Sufflay-t, qysh kur ishte akoma student, ndaj e mori si ndihmës dhe e caktoi redaktor të “Codes diplomaticus regni Dalmatiae, Croatie et Sloveniae”. Në kët funksion Sufflay pati rast me u futë në kontakt dhe me njoftë nji landë të gjanë arkiviale mbi Dalmacinë, ku, ndër shekuj ishin kryqëzue qytetet, ritmet e ndryshme, të cilat lanë mbas edhe gjurmat e kulturës së tyne. Ma tepër se historia e vendit të vet, Dr. Sufflay-t i interesonte me kuptue dhe me zbulue forcat – që kishin veprue në të kaluemen – në Gadishullin Ballkanik, në mënyrë të veçantë, gjatë bregdetit të Adriatikut.

Milan Shuflaj - Serbët dhe Shqiptarët
Milan Shuflaj – Serbët dhe Shqiptarët

Pra, qysh në zanafillë të punës së vet shkencore, Sufflay u përgatit me kuptue dhe me hulumtue drejt problemin e koklavitun të së kaluemes shqiptare, me që, siç dihet, ky problem ka lidhje me të gjitha çeshtjet historike të Ballkanit Perendimor, ose, ma mirë të themi, problemet shqiptare janë kyçi që mund t’u japin përgjigje pyetjeve të ndryshme të historisë së popujve fqinjë ballkanikë.
Duke u ndodhë para nji materiali të tillë të jashtzakonshëm dhe tejet të randsishëm – material që s’ka qenë zbulue ma parë – Dr. Sufflay s’mbeti thjesht nji historian, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por, u thellue ma tej duke kërkue ndihmesën e landëve të tjera si sociologjisë, etnologjisë, etnopsikologjisë, filologjisë, arkeologjisë etj., të cilat i përvetësoi deri n’at shkallë sa fliste për to me nji kompetencë të tillë si të ishte fjala për fushën e historisë, që ishte landa e studimeve të tij.
Shpesh herë ai detyrohej me e përgatitë terrenin e studimeve të veta shkencore më anën e artikujve të shumtë që i botonte në të përditshmet dhe revistat letrare. Punimet e tij publicistike janë shumë interesante dhe zenë nji vend të randsishëm në publicistikën kroate. Si publicist, ai asht marrë edhe me politikë dhe pikrisht për kët gja, shkrimet e tij të kësaj natyre mbeten gjithnji burim i gjallë mendimesh dhe idenash të paçmueshme.
Milan Sufflay, ma tepër se nji historian, asht nji erudit i kompletuem, nji ideolog nacionalizmi, nji zbulues i madh i forcave shpirtnore të së kaluemes së lavdishme e shpesh herë edhe të ngatrrueme njimijëpesëqindvjeçare të Kombit Kroat dhe, me vdekjen e tij tragjike, ai u ba dëshmitar i denjë i pavdeksisë dhe i vitalitetit të këtyne forcave kombtare.
Midis historianëve bashkëkohorë, Dr. Sufflay asht i vetmi, ndër autorët e këtij lloji që me veprën e vet – mbrenda mundsive që i lejonte rigoroziteti shkencor, – mbrriti me përdorë edhe artin dhe letërsinë. Në fushën e gjuhësisë ai njihet si nji prej albanologve ma të kualifikuem. Veprat e tij në përgjithësi kanë nji vlerë të përhershme dhe formojnë nji fond shumë të randsishëm në shkencën e albanologjisë.
Sufflay e studjoi me rranjë sistemin shoqnor të atyne viseve malore të banueme prej sllavëve dhe ilirëve, duke fillue nga rrafshinat e Bosnjes e deri në lumin Shkumbin të Shqipnisë së Mesme. Ai u thellue në kët studim duke e lidhë vazhdimisht me historinë e duke nxjerrë gjithë pikëtakimet që mund të kenë pasë kroatët me popujt e tjerë përreth. Ishte Shuflaj që zbuloi dhe tregoi në mënyrë bindse jo vetëm vendin po edhe kohën ku dhe kur ishte vendosë qendra e organizimit kombtar kroat jashta kufijve etnografikë të sotëm në jug-lindje dhe, pikërisht në brigjet e Adriatikut. Ai vërtetoi logjikën shoqnore dhe atë historike, logjikë simbas së cilës, pjesa e organizimit qendror duhej të shtrihej deri në zemrën e zonës lindore të Gadishullit Ballkanik. Nga përshkrimi i tij si edhe nga rindërtimi i figurës historike kroate të Mesjetës, ne shohim se si kroatët iu ngjitën bregut verilindor të Adriatikut dhe aty ngritën njifarë ure, përmes së cilës ata u futën në kontakt të vazhdueshëm me kishën romake dhe me qytetnimin perëndimor. Para ndeshjes përfundimtare të fitimtarëve lindorë, të cilët u imponuen vendasve kulturën, besimin dhe etnologjinë e tyne. Në Ballkan, rrethi kroat fillon me u shtri përgjat Adriatikut nga jug-lindja e deri në veri-perëndim. Në ekspozenë e Sufflay-t vërejmë se nga distancimi i vazhdueshëm prej kufinit të vjetër, pra nga dyndjet qoftë ritmike apo të avashta, u shkaktue largimi i popullsisë kroate nga toka mëmë.

Einstein në mbrojtje të Shuflaj-t
Einstein në mbrojtje të Shuflaj-t

Po në kët kohë, shfaqet nji varg i gjatë peshkopatash kroate dhe shtrimja e tyne në Ballkan, përgjat bregut të Adriatikut… por pushtimet ushtarake, fillojnë me shfaqë shenjat e islamizmës dhe të orthodoksizmit lindor. Paraqitjes dhe zhvillimit të këtij procesi karakteristik, Sufflay i ka kushtue pjesën ma të randsishme të studimeve të veta. Bash për kët arsye Sufflay duhet konsiderue i veçantë prej gjithë historianëve të tjerë kroatë e ballkanas. Ma e mira dhe ma e arrituna vepër e Sufflay-t në degën e Albanologjisë, asht padyshim studimi “Serbët dhe shqiptarët” (Serb i Arbanasit). Në parathanien e këtij libri Prof. S.Stanoheviqi thotë: “Autori i këtij libri, me ndihmën e dijenive të thella që ka, me praktikën e shkëlqyeshme që e dallon, me nuhatjen e hollë për kohën e kalueme dhe me metodën fantastike të shtrimit dhe zgjidhjes së problemeve, ka mbrrijtë me paraqitë jetën historike të Shqipnisë, sidomos t’asaj pjese t’Shqipnisë ku ajo lidhet me jetën dhe me kohën e shkueme të popullit tonë…”
Kjo vepër e Sufflay-t s’u krye në mënyrë spontane, por u përgatit dhe u parapri nga nji varg disertacionesh, artikujsh dhe broshurash, të gjitha këto punime, të mëdha e të vogla, kanë nji randsi të madhe shkencore. Në radhë të parë, Sufflay, qysh në moshë të re, në vitin 1913, filloi me botue në Vjenë, së bashku me historiografët ma të shquem të Ballkanit dhe të Europës jug-lindore si Thalloczy e Jeriçek: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustranzia”. Nga ky edicion qenë botue tre libra që përfaqësojnë sot koleksionin ma të mirë të materialit për historinë e Shqipnisë dhe shteteve fqinje.
Sufflay ka bashkpunue gjithashtu edhe në botimin e veprës me titull “Illyrisch-albanische Forschugen”, e cila u botue në dy volume nga vet Thalloczy. Po të nisim me paraqitë krejt punimet e tij, do të na duhej nji listë tejet e gjatë. Për kët arsye ne po përmendim veç disa prej tyne, pikërisht ato që kanë ma shumë lidhje me vendin tonë dhe me albanologjinë.
Në rend të parë vlen të përmendim: “Die Dalatische Privatur hunde”, Vjenë 1904, mandej “Die Kirchenzustande im vorturkichen Albanien”, Zagreb 1915. Kanë randsi edhe veprat: “Biologie der albanichen volkstammes”, Budapest 1916, “Stadte und burgen Albaniens hauptsuchlich volkstammes”, Budapest 1916, “Stadte und burgen Albaniens hautsuchlich ulhred des Mittelaltres”, Vjenë 1924 dhe “Povjet sjevernih Arbanasa”, Beograd 1924. Me vlera të mëdha asht edhe vepra “Hrvati u sredovjeçnom” (Kroatët në vorbullën botnore të Mesjetës), botue në Zagreb më 1930. Në kët vepër, që dallohet për nji stil konçiz dhe sistem tepër shkencor, asht paraqitë në mënyrën ma të qartë historia e kroatëve, qysh nga shfaqja për herë të parë e emnit të tyne e deri te pushtimi turk, natyrisht pa lanë mbas dore edhe historinë e popujve fqinjë me Kroacinë e asaj kohe.
Ky libër përmban edhe nji bibliografi të plotë të veprave historike si dhe të burimeve të historisë kroate me vërejtjet kritike mbi secilën vepër. Kështu që ky libër mundet të shërbejë edhe si udhrrëfyes i mirë për t’u thellue në njoftjen ma mirë të historisë së Kroacisë së Mesjetës.
Po e kësaj gjinie asht edhe romani historik i Sufflay-t “Kostandin Vlasiç” ku janë paraqitur ngjarjet dhe njerzit e Shqipnisë dhe të Malit të Zi në periudhën e Mesjetës.
(Rilindja, e premte, 24 dhjetor 1993)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.