back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dr. Milan Sufflay – nji jetë kushtue Albanologjisë (2)

Gazeta

Milan Shufflaj (1879-1931)
Milan Shufflaj (1879-1931)

Dr. Milan Sufflay

– nji jetë kushtue shkencës Albanologjike

Dr. Lazër Radi (2)

Në veprat shkencore të karakterit historik të Milan Sufflay-t
kemi anticipim të ngjarjeve të mavonshme
që lidhen me problemet e sotme të shtetit kroat…

Nji pjesë e madhe e punimeve të Sufflay-t asht e shpërndame ndër fletore e revista të ndryshme. Disa prej këtyne atikujve u botuen prej tij në vitin 1928 në volumin: “Hrvatska u svijetlu svetske politike” (Kroacia nën dritën e politikës botnore). Ata që kanë pasë rastin dhe mundsinë me lexue ndonji vepër të tij, kanë vu re se edhe atëherë kur paraqet vetëm fakte dhe dokumenta të thata të së kaluemes së largët dhe të errët, edhe atëherë fjala e albanologut asht e ngrohtë, e gjallë dhe e plotë. Në përmbajtjen e shkrimeve të tij, ai fut gjithë fuqinë e shpirtit të vet, temperamentin e luftëtarit të flaktë për të vërtetën dhe virtytin që fshihet në të kaluemen, fut besimin në pavdeksinë e atyne vlerave, të cilat me forcën e tyne krijuese i nxisin njerzit me punue dhe ban që krejt e kaluemja dhe ngjarjet e saj të dalin sa ma të plota dhe sa ma t’arrime.
Duke analizue veprat e tij; nga ma e para, e botue këtu e nantëdhjet vjet të shkueme, me titull: “Hrvatska i zadnja pregnuca islatocnog imperia u doba triju Komnena” (Kroacia dhe aspiratat e fundit të perandorisë lindore në periudhën e tre Komnenve), në të cilën ai hedh bazat e shëndosha dhe përcakton drejtimin që do t’u japë krejt veprave të veta në të ardhmen, e deri te vepra ma e fundit e tij “Crvena Hrvatska” (Kroacia e kuqe), lexuesi mbetet i habitun se si në krejt artikujt, broshurat dhe veprat e tij s’ka me gjetë as fraza e as fjali të tepërta, pa kuptimin e tyne të vërtetë, të plotë dhe të qartë; asnji fjalë parazitare dhe asnji ide të shkëputun nga landa kryesore.
Sufflay s’asht vu kurrë me shkruejtë – nji vepër të dorës së parë ose të dytë – pa e pasë studiue mirë krejt landën dhe pa pasë sigurue ma parë krejt at material që i dukej i nevojshëm, i randsishëm dhe thelbësor. Veprat e tij marrin dritë e ndriçim edhe nga kontributi i tij si sociolog dhe filozof bashkëkohor.

Milan Shuflaj - Serbët dhe Shqiptarët
Milan Shuflaj – Serbët dhe Shqiptarët

Gjithashtu Sufflay zotronte nji aftësi dhe mjeshtri përshkrimi të tillë sa ngjarjet dhe njerzit e së kaluemes animizohen, flasin dhe ecin para nesh sikur i kemi aty, sikur jetojnë edhe sot, si të ishin bashkëkohës. Prijsat dhe strategët e kohës paraqiten si të gjallë në manovrimet dhe veprimet e tyne luftarake dhe ushtarake.
“Historia e përshkrueme dhe e ilustrueme nga Sufflay, bahet për ne me t’vërtetë: “Magistra vitae” dhe faktor i randsishëm për rilindjen tonë të dytë kombtare. Kjo lloj historie e fisnikëron, e bujarizon prirjen tonë, i jep zjarr ideve tona, na frymëzon besim dhe shpresë për fitoren e fundit dhe i jep konture të qarta, e të përcaktueme unitetin tonë kombtar…”
Ndër veprat historike të Sufflay-t nuk gjen informacion të thatë të ngjarjeve, të personaliteteve apo ndonji rreshtim kronologjik te fenomeneve të paraqituna. Ngjarjet, idetë dhe personazhet, aty shërbejnë vetëm si nji dëshmi e shpirtit të epokës, të cilën ai e ilustron më paraqitjen e fakteve dhe me rrëfimin e gjallë të drejtimit, të ndryshimit, të zbritjes dhe të ngritjes së popujve. Ndër këto përshkrime zakonisht subjekt janë popuj dhe kombe të ndryshëm. Të gjitha pjesët e tjera të veprave të Sufflay-t janë ilustrim i së tashmes në mbrojtje të së ardhmes. Duke studiue viset jug-lindore dhe shtrimjen e emnit “Kroacia”, Sufflay vjen në përfundim se nga ana perëndimore dhe veri-lindore kufijtë etnikë të shtetit kroat ishin të përcaktuem me njifarë saktësie, ndërsa nga ana e jug-lindjes, kufijtë ishin të hapët e të papërkufizuem. Me hedhë dritë mbi kët pjesë të diskutueshme të kufinit, Sufflay ndoqi nji tjetër metodë: e rindërtoi të kaluemen e largët historike dhe ndoqi me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve përgjat shekujve. Duke veprue kështu, ai arriti në përfundimin se ndër ato vende vija e kufinit lëvizte herë para e herë mbrapa e shtyme sipas rastit prej forcave të huaja nga jashtë. Si për fatet e kombit kroat, ashtu edhe për të ardhmen e tij, ngjarjet që janë zhvillue në vijë të kufinit kanë nji randsi të madhe në përcaktimin e kontureve të territorit tanësor të organizmit kombtar, megjithëse ndër ato vise janë futë elementë të huaj jo kroatë!
Në gjitha studimet e tij shkencore, Sufflay mbetet gjithmonë dijetar i mirëfilltë, duke u ruejtë veçanti të mos jepte këshilla, dhe vepra e tij të mos merrte karakter moralizues dhe didaktik. Nji nga qëllimet kryesore të Sufflay-t ka qenë dëshira me ngjallë dhe me forcue ndërgjegjen kombtare të popullit të vet, për të cilin mendonte se duhej të frymëzohej nga e kaluemja e largët dhe e afërme, për me grumbullue forca të reja dhe me fitue të ardhmen!
Lidhja e pjesëve të shkëputuna (ose të grabituna) të nji kombi si dhe lidhja ose bashkimi i këtyne pjesëve, sipas Sufflay-t mund të bahet vetëm duke formue nji ndërgjegje kolektive të së njejtës origjinë dhe për të njejtin mision historik që u ngarkon brezave të tashëm e të ardhshëm: detyra e shenjtë që ata kanë ndaj Atdheut.
Duke lanë mbas shpine Podunavljen (Danubin e Ultë), kroatët u vendosën buzë Adriatikut, buzë këtij deti të vogël Mesdhetar. Ata ishin nji njisi e vogël kulturore, e lidhun me nji seri qytetesh romako-dalmatine dhe italiane. Historia politike e mbretnisë së Kroacisë s’asht tjetër veçse nji përtrimje e luftës së madhe që u zhvillue midis lindjes mesdhetare dhe perëndimit, ndërmjet Bizantit dhe Romës. Mbi trevat e Kroacisë, Perëndimi ishte zot i plotfuqishëm. Pikërisht ky dominim perëndimor mbetet nji karakteristikë dalluese e kombit kroat për gjithë periudhat e mavonshme.
Kroatët, pra mbeten nën ndikimin e perëndimit dhe, ky fakt, s’mund të mos mbahet parasysh. Mbas humbjes së dinastisë, kroatët bahen mur pengues kundër rrezikut turk. Para ardhjes së turqve në Ballkan, në Bosnje lindi nji sekt i fuqishëm fetar: Bogomilët: krijue nga “Bogonosali” (prurësit e Zotit), nji prumje sllavo-stepore. Me lulzimin e sllavizmit në Ballkan, shpikja e kësaj rryme fetaro-mistike luejti nji rol shumë të randsishëm. Çdo mendim dhe çdo lëvizje e tyne tash e tutje do t’ishte besnikëri ndaj atdheut, gjithçka u kthye në mistifikim sllav, gjithçkafen e konsiderojshin sllave edhe gurin, edhe drunin, edhe ajrin, edhe ujin… Ndërsa ma parë vdekjen e njerzve e konsiderojshin si ngordhje kafshësh, tash ata po krijonin kultin e të vdekunve, kultin e varrimeve dhe institucionin e varrezave… si trashëgimi për brezat që s’kishin lindë akoma. Këtu duhet t’i ketë rranjët shovinizmi serb…
Duke analizue kët anë të problemit sllavo-ballkanik, Sufflay nuk mbetet vetëm nji historiograf i talentuem, po bahet edhe nji historiozof i mirfilltë. Njohja me rranjë e historisë dhe e filozofisë, ban që Sufflay-n t’i shohë ma mirë prirjet dhe ngjarjet politike dhe të mbajë ndaj tyne nji qëndrim të premë. Asht shumë i vërtetë mendimi i Sufflay-t se: “Fuqia e nji kombi qëndron në kujtesën e gjatë dhe mbamendjen e fortë”, pra nevojitet njifarë egoizmi kambngulës, sepse gjithnji sipas Sufflay-t: “S’ka egoizëm kombtar pa mbamendje të fortë, sikurse s’ka as komb pa histori… Kështu pra, kush dëshiron që kombi i tij të jetë i ri dhe i fortë, nuk duhet ta shkatrrojë memorien kombtare, përndryshe gjymton dhe shëmton vet egoizmin kombtar…”.
Sufflay nënvizon në mënyrë të veçantë se: “S’mund të ketë ide ma të fuqishme për t’ardhmen e nji kombi se sa evokimi i së kaluemes së ndritun kombtare. Nji rregull në kët drejtim duhet të ruhet dhe të respektohet, përndryshe futet çrregullimi dhe asnjiherë harmonia dhe organizimi.
Kombit të vet i shërben vetëm ai njeri o ai intelektual që punon vazhdimisht me mbajtë gjallë kujtimet e së kaluemes kombtare duke i lidhë ato me penjtë e padukshëm prej së kaluemes së lavdishme e deri në ditët e tona.
Nga kjo pikpamje mund të thuhet se Dr. Sufflay ia ka kalue të tjerëve sepse ai, me veprën e vet, ka zbulue dhe ba të pavdekshme qenien e mendimit kombtar, i cili nis nga burimi i vet i largët, ndonji stepë e Kaukazit, deri te brigjet e Adriatikut e kështu vazhdimisht deri në kohnat e sotme…
Kët pasuni të madhe shpirtnore dhe etike kombtare – nga e cila ai nxjerr gjithë vitalitetin dhe hovin e vet prodhimtar – e ka paraqitë Sufflay në veprën e vet aq të çmueshme dhe instruktive. Me ndihmën e mikut tim Prof. Aleksandër Stipçeviçit do të përpiqem me përkthye ndonji punim të Sufflay-t, i bindun se mund t’i jap rinisë shqiptare nji material shumë të çmueshëm për njohjen ma të mirë të Vendit të vet dhe me ia shtue dashninë për kët tokë kaq të martirizueme!
Përmes këtij shkrimi nuk pretendoj se e kam paraqitë të plotë dhe si duhet veprën e Dr. Milan Sufflay-t, po ndjehem mjaft i kënaqun edhe sikur të kem paraqitë qoftë edhe nji skicë të zbehtë të veprës së tij madhështore.

Dr. Milan Shuflaj (1879-1931)
Dr. Milan Shuflaj (1879-1931)

Skeda Biografike Dr. Milan Sufflay

U lind më 9 nandor 1879, në Lepoglavë. U vra tradhëtisht në Zagreb më 19 shkurt 1931. Nuk duhet me harrue për asnji çast se në vrasjen e tij tragjike ka ndikue fuqishëm edhe bindja e tij shqiptarofile si dhe studimet e tij albanologjike që hidhnin dritën e së vërtetës mbi autotoktoninë iliro-shqiptare në gjithë trevat e Gadishullit Ballkanik. Ai jo vetëm na tregoi nji të vërtetë të madhe historike, por edhe na rrëfen rrugën si duhet me i kërkue të drejtat tona. Ndonëse e zhdukën në moshën 52 vjeçare, historisë dhe kulturës shqiptare ai i ka lanë punimet e veta ma të randsishme, bile mund të thuhet pa frikë se i ka kushtue punimet e veta ma të mira! Kët dijetar të madh kroat, Dr. Milan Sufflay, kombi shqiptar s’duhet ta harrojë, bile asht detyrë patriotike që Bashkia e Kryeqytetit të Shqipnisë, për ta përjetësue veprën, jetën dhe vdekjen prej martiri të këtij dijetari të madh, duhet që nji rruge a nji shkolle të kryeqytetit t’i vihet emni i Dr. Milan Sufflay. Sepse miq të çmueshëm si Sufflay-n Shqipnia ka pasë fort pak!
Vepra e tij ka me mbetë nji dëshmitare e gjallë e dashnisë dhe simpatisë që ka pasë ky shkencëtar për Kombin tonë, pse në veprën e gjanë të punimeve të tij shkencore, studimet albanologjike zanë vendin kryesor. Ato janë nji burim i pashterrë për studimin e së kaluemes sonë historike.
(Rilindja, e premte, 31 dhjetor 1993)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.