back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Dr. Rexhep Krasniqi (12 shkurt 1906 – 24 prill 1999) nga Mexhit Yvejsi

Gazeta

Prof. Dr. Rexhep Krasniqi (1906-1999)
Prof. Dr. Rexhep Krasniqi (1906-1999)

Dr. Rexhep Krasniqi (12 shkurt 1906 – 24 prill 1999)

nga Mexhit Yvejsi

Prof. Dr. Rexhep Krasniqi,
është një figurë e shkëlqyeshme shqiptare,
me prejardhje gjakovare,
ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme
në çështjen kombëtare shqiptare.
Ai ka qenë Kryetar i Kuvendit Shqiptar,
Drejtues i Arsimit Kombëtar,
doktor i shkencave historike
dhe luftëtar i paepur për Shqipninë Etnike...
 
Rexhep Krasniqi lindi në vitin 24 prill 1906, në Gjakovë. Qysh si fëmi, në moshë të njomë, mbeti jetim pa babë, e pa nonë. Nana i vdiq në vitin 1908, kur Rexhepi ishte dy vjeçar, ndërsa babai, Hoxhë Deda, ndrroi jetë në vitin 1914, kur djaloshi Rexhep ishte 8 vjeçar…
Rexhep Krasniqi u rrit, mbasi i vdiqën prindët, nën kujdesin e Bajram Currit, në shtëpinë e tij, në Malësi të Gjakovës…
Mësimet fillestare ia nis në Gjakovë, dhe i përfundon në Shkodër.
Në vitin 1920, Bajram Curri e përcolli Rexhep Krasniqin nga Shkodra deri në Bari të Italisë – për me vazhdue shkollimin në Vjenë të Austrisë.
Bajram Curri (1866-1925)
Bajram Curri (1866-1925)

Në Vjenë të Austrisë ai kreu shkollën e mesme “Theresianum”, që ishte një prej shkollave më aristokrate në tërë Evropën Qendrore.

Në vitin 1934, djaloshi jetim, pa nanë e pa babë, i lindun në Gjakovë e i rritun në Malësi: Rexhep Krasniqi, merr në Vjenë, titullin akademik “Doktor në filozofi”. Teza e doktoraturës ishte: “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore”, Relator i Temës së Doktoraturës qe Dr. Karl Potsch, Drejtor i Institutit Ballkanik, ekspert për Historinë e Ballkanit, në veçanti në Sllavistikë dhe Albanologji.
Mbas afër 15 vjet qëndrimi, mësimi, studimi në Vjenë, që nga regjistrimi 1920, deri te doktorimi 1934, Dr. Rexhep Krasniqi menjiherë kthehet në Tiranë, siç thoshte, për t’i ndihmue Shqipnisë Nanë…
Kur u kthye në Tiranë, ai troket në dyert e Ministrisë së Arsimit, tue iu thanë: “Ju falënderoj për bursën që më keni dhënë. Jam i gatshëm të punoj kudo që do t’më caktoni.”
Ministria e Arsimit, e cakton profesor në Gjimnazin e Gjirokastrës, ku Dr. Rexhep Krasniqi e filloi punës si profesor i historisë dhe gjeografisë, ku ishte më i pari profesor me gradë shkencore, pakëz më vonë erdhi për të dhënë mësim edhe Prof. Eqrem Çabej…
Në vitin 1939, Dr. Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit dhe më pas Kryeinspektor pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Në vitet 1941-’42, kur Kosova, kryesisht, ishte bashkue me Shqipninë, Dr. Rexhep Krasniqi qe Drejtor i Gjimnazit në Prishtinë, Komisar i Lartë i Shkollave Shqipe dhe për një vit caktohet edhe profesor në lëndët histori e gjeografi…
Organizimi e zhvillimi i arsimit shqip në “Kohën e Shqipnisë”, gjatë viteve1941-1944, u bë për pishtar ndriçues në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë…
Më 1943, në Qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, Dr. Rexhep Krasniqi merr pjesë si Ministër i Arsimit.
Po në këtë vit, 1943, zgjidhet Kryetar i Kuvendit Kombëtar të Shqipnisë, ndërsa zgjidhet në Prizren N/Kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit…
Në fund të vitit 1944, kur komunistët e morën pushtetin në Shqipni dhe Jugosllavi, forcat partizane-çetnike në Kosovë vranë mbi 50.000 shqiptarë, midis tyre ishin edhe disa nga drejtuesit e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” si Musa Shehu, Aqif Blyta, Asllan Boletini, Qerim Begolli, etj., ndërkohë që qindra e mijëra të tjerë u burgosën e u arrestuan….
Në fillim të muajit dhjetor 1944, Dr. Rexhep Krasniqi, me një grup atdhetarësh nga Kosova, me në krye me Ing. Xhaferr Devën, Tahir Zajmin e Xhelal Mitrovicën u vendosën në Austri…
Rexhep Krasniqi - Melburn (Australia)
Rexhep Krasniqi – Melburn (Australia)

Nga Austria, në vitin 1947, ai doli në Itali, nga Italia në Egjipt dhe nga Egjipti në Damask, Siri….

Nga kryeqyteti i Sirisë, Damasku, Dr. Rexhep Krasniqi shkoi në Australi, ku në fillim punoi punë të rënda fizike, më vonë në industrinë e automobilave, deri në vitin 1956..
Në vitin 1956, ftohet nga Ministria e Jashme Amerikane, përmes Komitetit të Radios Amerikane “Free Europe”, për të themelue Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qëllimi i të cilit ishte lufta kundra komunizmit…
Komiteti “Shqipëria e Lirë” , me zyrat në një nga qendrat e New Yorkut, nën kryesinë e Dr. Rexhep Krasniqit, veproi deri në vitin 1992, kur u shembë komunizmi…
Për herë të parë me Dr. Rexhep Krasniqin jam takuar në zyrën e tij, në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, kur në një ditë, të muejit dhjetor të vitit 1972, shkova për t’i ba një vizitë.
Sekretari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, z. Mexhid Dibra, kur më pyeti si quhesh dhe nga jeni e unë iu përgjigja se: quhem Mexhid Yvejsi, jam nga Gjakova, sekretari sikur u step, u befasue, menjëherë në kambë u çue, më përqafoi dhe hyri në zyre të kryetarit, Dr. Rexhep Krasniqit, duke i thanë: Na ka ardhë një djal i ri, me emnin, sikur temin, Mexhid, por që qenka nga vendlindja e yte, Gjakova.
Dr. Rexhepi, një burrë i gjatë, zotni, më doli përpara, edhe ai dukej i befasuem, dhe tani që të dytë me rend më përqafuen….
Përveç detyrës zyrtare që kryente në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi është marrë edhe me krijimtari. Ai është autor i një numri të madh punimesh, shkrimesh, studimesh, të cilat janë botuar në gjuhën shqipe, angleze dhe gjermane.
Ka marrë pjesë me kumtesa në shumë konferenca shkencor akademike nëpër Qendra Universitare Amerikane dhe Evropiane…
Gazeta “Shqiptari i Lirë”, që e botonte Dr. Rexhep Krasniqi, si Organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në New York, për shumë kohë do të mbetet shembull i gazetarisë shqiptare…
Ditën e mërkurë, më 16 janar 2008, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” në Tiranë, në sallën e kinemasë paraqiti librin “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipërisë”, të autorit Prof. Dr. Rexhep Krasniqi…
Studiuesit Luan Malltezi, Beqir Meta, Ferid Duka dhe Muharrem Dezhgiu, para një auditori të gjerë me qytetarë, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të historisë, vlerësuan studimin e vitit 1934, si mjaft të rëndësishëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare.
Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj...
Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj…

Ish-kryetar i parlamentit shqiptar, ish-drejtuesi i arsimit shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë, doktor i shkencave historike Rexhep Krasniqi, nga Gjakova, shkroi gjermanisht në Vjenë këtë tezë doktorature në fillim të viteve ’30, të shekullit të kaluar, mbi fatin tragjik të verilindjes së Shqipërisë dhe përpjekjet kombëtare për shtetformim, një libër që erdhi në shqip vetëm sot pas 60 e ca vjetësh.

Historiani, Dr. Ferid Duka, për këtë vepër, ndër të tjera tha: “Risjellja e kësaj vepre përpara publikut shqiptar, i ndihmon njohjes së një periudhe shumë të rëndësishme, asaj të lëvizjes kombëtare shqiptare, të nacionalizmit shqiptar, pra, shekullit 19, kohë kur nacionalzimi shqiptar lindi, u zhvillua, kur pati edhe zhvillime të tjera kulmore si Lidhja Shqiptare e Prizrenit”
Ndërsa, historiani, Prof. Beqir Meta, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, për autorin, Dr. Rexhep Krasniqi, ndër të tjera, tha: “Dr. Krasniqi e provoi veten që ishte një njeri brilant si në fushën e shkencës ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe të kombit të tij. Pikërisht për këto dy kontribute të mëdha që nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, por janë pjesë e njëra-tjetrës, ai mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për gjithë brezat e shqiptarëve…”.
Prof. Dr. Rexhep Krasniqi ndrroi jetë me 13 shkurt 1999, në New York. Meqë nuk ishte i martuar, nuk la pasardhës, për varrimin e tij u kujdes miku, bashkëpunëtori i tij, shkrimtari, studiuesi, publicisti, z. Idriz Lamaj…
Zoti e shpërbleftë!
Marrë http://www.sa-kra.ch/rexhepkrasniqi.htm

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.