back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dramaturg i shkëlqyer – pse jo edhe i pashok – shqiptar – In memoriam… Et’hem Haxhiademi

Gazeta

Et'hem Haxhiademi (1902-1965)
Et’hem Haxhiademi (1902-1965)

In memoriam… Et’hem Haxhiademi

(8 mars 1902 – 16 mars 1965)

Dramaturg i shkëlqyer – pse jo edhe i pashok – shqiptar

***

“Na duhet të merremi edhe me dramën e re të Et’hem Haxhiademit, me titull “Abeli”. Duke pasur parasysh poetikën e dramës së
tij, nuk do ta tepronim aspak po t’i kushtonim radhë të pafundme këtij dramaturgu të shkëlqyer – pse jo edhe të pashok – shqiptar. Me këtë punim të ri, ai ka mundur të kapërcejë çdo përpjekje të mëparshme të tij dhe të shpëtojë nga tematika e rrezikshme e dramave “Akili”, “Ulisi”, “Aleksandri” dhe të tjerave, që meritojnë një studim më të hollësishëm në të ardhmen, përderisa dramaturgu shfaq vlera të larta poetike. Do të ishte me interes për ne të hetojmë burimet e frymëzimit (mitologjia greke) dhe mësuesit e tij (Eskili, Sofokliu, Euripidi). Edhe pse, tek drama e fundit, i shmanget frymëzimit prej mitologjisë greke, kjo mbart, sidoqoftë, të gjitha cilësitë teknike të tragjedisë antike…
Jani Lili, “Vatra e Re” Nr. 294, 1939

Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)

***

Dikur, disa vjet më parë, dhe në një revistë që dilte asaj kohe në Tiranë, Haxhiademin e kam quajtur dramaturg humanist. Me të vërtetë, kultura dhe temperamenti e kthejnë Haxhiademin nga vjetëria klasike, ku i pëlqen të kërkojë e të marij thema: Ulisi, Akili, Aleksandri, Pirrua, Diomedi. Kur u hodh për një çast në histori, në historinë shqiptare, kapi personazhin më zotëronjës të saj: Skënderbenë. Tani Haxhiademi kërcen në truallin bilbik edhe mer Abelin, të vdekurin e parë dhe të varrosurin e parë.
Vangjo Nirvana (Vangjel Koça) “Abeli” dhe “Lyra”: të Etëhem Haxhiademit, “Tomori”, Tiranë, 1940

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi –
Vepra poetike – Lyra 1939

***

…vepra e Haxhiademit lëçitet me kënaqësi dhe ajo na dhuron atë që ne kërkojmë nga tragjedia e vërtetë klasike, domethënë që na prekën estetikisht shpirtin dhe na jep ndjenjën delikate të bukurisë së tragjedisë. Mjetet që përdorë artisti për t’arritur në përfundimin e tragjedisë klasike, janë po ato të dramaturgëve klasikë, mjete që sa i cekëm më sipër. Kontrastet psikollogjike në veprën e tij gjenden ku më pak ku më shumë në llogjikën që kërkon klasicismi. Me maestrin e tij Haxhiademi mund të shkakëtojë luftën e brendëshme të ndjenjave t’ona dhe si përfundim na dhuron ndjenjën e lartë të compassioni-t.
Haxhiadèmi është për të përgëzuar edhe për këtë veprë të rè, të mirë e të çmuarë, me të cilën shton edhe një gur në ndërtesën dramatike shqiptare, që po nis të ngrehet. Bota këndònjëse, që e ndjek veprën e tij me sympathì dhe e çmon, pret nga Haxhiadèmi edhè vepra që të çpalòsin disa anë të sotme të jetës shqiptare, jetë psykologjikisht komplekse dhe e zorshme po që ka çdo të drejtë të tërheqij vëmendjen e atyre që kanë pëndën në dorë.
Lyra e Haxhiadèmit përmblèdh vjershat që ka botuar kohë pas kohe në Austri dhe në Shqipëri. Nga këtò vjersha duhet të veçojmë “Nymfat e Shkuminit”, që e nderojnë poezinë shqiptare. Nuk bien poshtë edhe “Nata e Zezë”, “Naim Frashërit”, “Lufta e Drangojvet me Kuçedrën”. Janë xhevaìre që mallëngjejnë.
Vjersha “Naim Frashërit”, botuar me rastin e sjelljes së èshtravet të Poetit dhe Apostolit Kombëtar nga Stambolli në tokën shqiptare, i ka shkakëtuar Haxhiademit ndjekje e dëme lëndòre nga ana e regjimit të kaluar, i cili nëpër vargjet haxhiademiàne shihte dënimin e pamëshirëshmë të atij regjimi.
Nymfat, Najadat, Driadat, Zanat, Galatèa, Fàtet, Fèbi, Amazònat, një botë e tërë e Parnàsit helenik popullòn vjershat e Haxhiadèmit dhe bëhet zinxhir për të bashkuar lyrën me tragjedinë në një synthezë, që e vë në dukje poètin dhe dramaturgun humanist të parë të lètravet shqiptare të ditëvet t’ona.
Elvira Taro, “Tomori i vogël”, Tiranë, 1942 – Etëhem Haxhiademi: tragjedist!

Jup Kastrati
Jup Kastrati

***

Me vjerrshëtarin tanë Elbasanas nisë letratyra tragjedike shqiptare.
Haxhiademi asht bartës e përfaqsues i denjë i këti emni. Haxhiademi: përkëthyes, prozatuer, poet e dramaturg “humanist” – siç e pat quejtë dikùr Vangjo Nirvana – e ma në fund i vetmi tragjedist në gjuhë Shqipe, asht ai që ka krijue dramaturgjinë – a ma mirë me thanë tragjedinë – e gjuhës sonë. Përpos përkëthimit të “Bukolikeve” të Virgjilit dhe librit të poezive “Lyra”, ai na ka dhurue plot shtatë tragjedina origjinale!
E s’asht punë e vogël! Tue u nisë nga mitologjija helenike (Ulisi, Akili, Diomedi) mërrinë në historinë e shenjtë biblike (Abeli) e s’andejmi hidhet në historinë tonë të vjetrën (Pirrua, Aleksandri) prej kah n’ate të heroit t’onë kombëtar: Skenderbeu.
Vepra e Haxhiademit asht prova e parë guximtare për të krijuar nji Typologì të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatosi i ynë kombëtarë, ky bùrr i madh me origjinën e tij Shqiptare, me edukatën bizantino-isanike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe “par excellance”, produkt gjigant i mitit primitiv të Malsìs s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejtë dënimit të “fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mu në pragun e historisë. Njerëz që rrojnë jetën si nji tragjedì, kanë vdekjen e një heroit…
Jup Kastrati, Dramatika Shqiptare, “Revista letrare”, Tiranë, 1944

Marrë nga revista letraro-kulturore “Poeteka”

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shkrimtarët, dhe shkrimtarët që flasin për shkrimtarët, janë grupi ma i bukur në kët faqe ️t’dheut!
    Kur mblidhen e rrëfejnë ç’ka dinë e mendojnë, të marrin në kët rrugtím elegant.
    Dy poetët, kanë zgjedhë kët buqetë t’hijshme t’hershme, për mua nji urë kohnash e mallesh; rreshta të shkruar, të lexuar e të jetuar në kohë t’arta… Asht kaq e bukur ta mendosh…
    Falemnderit Arian Leka e Jozef Radi!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.