back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Drita Çomo – Requiem për nji vajzë, nji ëndrrimtare, nji Poete

Gazeta

Drita Çomo (1958-1981)
Drita Çomo (1958-1981)

Drita Çomo (19 mars 1958-19 shkurt 1981)

Requiem për nji vajzë, nji ëndrrimtare, nji Poete, 

Drita Çomo,
personifikon fatin e gjithë atyre brezave
që pësuan padrejtësisht fatet e prindërve të tyre.
Ky mbetet nji nga krimet më të mëdha të diktaturës,
nji krim ende i patrajtuar, i padenoncuar dhe i anashkaluar.
Janë dhjetramijra ata fëmijë që u rritën pa prindër,
që u lindën, jetuan dhe vdiqën në kampe çnjerëzore,
që nuk patën asnji mundësi shkollimi dhe punësimi,
që punuan në punët më të rënda dhe në humbëtirat më të thella,
e që në mënyre sistematike pësuan edhe burgje
vetëm se ishin bij të atyre prindërve
që partia i kishte ndëshkuar përtej gjithë ligjeve…
Drita Çomo
dhe gjithë simotrat dhe sivëllezrit e saj,
ende s’e kanë kapur ritmin e asaj jete
të mbushur fytas me privime dhe padrejtësi,
me kampe, ndëshkime, survejime… shpesh edhe pa prindër…
Ajo vajze e pafajshme personifikon nji ëndërr të thyer,
po mos harroni se janë qindramijra ëndrrat e thyera të disa brezave,
që ashtu si kjo vajzë 23 vjeçare
besonin në nji botë më të mirë, në nji shoqëri më vlerësuese
në nji dritë në fund të tunelit, që as syri i saj as i shumë të tjerëve si ajo,
ende s’ka mundur as ta shohë e as ta prekë…
jozef radi, 19 shkurt 2016

Drita Como - Vetmia
Drita Como – Vetmia

Kush është Drita Çomo

Drita Çomo lindi më 19 mars 1958.
Më 1960, nëna, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për disa vjet anëtare e Byrosë Politike dhe babai, Maqo Çomo, udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist”, “armiq të partisë e të popullit” dhe për 30 vjet u persekutua egërsisht në burgje e internime nga diktatura komuniste. Kur u dënuan prindërit, Drita ishte 2 vjeç. Jetoi në ankthin e diktaturës dhe të kancerit. Vdiq më 19 shkurt 1981.
Ditarin dhe vjershat, Drita i shkroi për vete, pa menduar se një ditë do të botoheshin, pra, pa kujdesin e autorit që i përgatit shkrimet e tij për publikim.
Drita nuk mund të shkruante haptaz për të vërtetat e hidhura. Me anë të shënimeve në fund të faqeve është bërë i mundur nga Shtëpia Botuese “Onufri” të plotësojmë kuadrin tragjik. Këto shënime janë të nënës së Dritës, zonjës Liri Belishova.
Ditari dhe poezitë botohen jo të plotë.
http://www.voal-online.ch

Rajmonda Bulku e kujton kështu Drita Çomon pas inaugurimti të bustit te saj ne qytetin e Cerrikut, duke theksuar se tashmë po mendohet edhe një film me skenar të bazuar në ditarin e saj “Ajo ishte vërtet një dritë jo vetëm si një nxënëse e shkëlqyer në mësime që mësuesit nuk ia vinin asnjëherë notën 10, por ajo ishte dritë edhe për ne shoqet e shokët e klasës dhe shkollës së saj, ajo u bë një dritë edhe për qytetin tashme me emrin e kësaj shkolle, po aq sa është një dritë për të ndriçuar tëb ardhmen me mesazhin që jep jeta e saj e mbushur me dritë-hijet e forta të një regjimi që nxinte si nata”.
Hyqmet Zane Gazeta 55 21/11/2013

Drita Como - "Dritë që vjen nga humnera"
Drita Como – “Dritë që vjen nga humnera”

Tri Poezi nga Drita Çomo

Skifteri i Xh. Suiftit

(Për diktatorin)

Ai nuk lindi shqiponjë,
Nuk ëndërron për qiej të kaltër
Ai ka një sqep të stërmadh, të llahtarshëm
Dhe me të kërkon të shqyejë të ardhmen
Brezat që vinë, do ta quajnë Don Kishot
po s’do qeshin me të si me Don Kishotin
Prej tij neveri do t’ju vije dhe ndot…
Po ç’them kështu? Ata as do ta njohin!
Ata do jenë shumë të pastër për ta njohur atë
Emri i tij së bashku me kufomën do varroset
Pastaj në shi, mbi varr, një rrufe do bjerë
Sepse dheu s’do dojë t’ia tresë kockat.

Pa titull

Për ditët që ikin dhe nuk kthehen më
Ditët që bartin gëzimin dhe dhimbjen
Për pritjet e gjata dhe për çdo gjë
Që akoma ka mbetur ëndërr
Për dashuritë e botes dhe për ata
që kërkuan diçka në jetë
Për zhgënjimet e vogla dhe të mëdha
Dhe per veten
Për ndonjë fyerje të vogël dhe heshtje të madhe
Për durimin e dhimbshëm pa fund
Për fëmijët me botë të bardhë
Që pastaj bardhësinë e humb
Për çdo gjë që është e zakonshme
Dhe që ne na duket e bukur
Për njerëz me fytyra joshëse
Dhe me shpirtin që nuk duket.

Poezia e Drita Comos - Vetmi siberiane
Poezia e Drita Comos – Dashuri siberiane

Shi

Shiu përplasi mbi xhama trishtimin
Shiu përplasi në xhama mërzinë
Shiu i lagu të gjitha mendimet
Për ditët që ikën dhe ato që do vijnë
Mendime të lagura… si të jetosh
Në ketë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh
Ç’mund të bësh tjetër veç të qeshësh me zor
Në ketë turp të dhimbshëm dhe pa fund
Të gjithë fjalë të bukura të thonë
Po askush nuk ngurron të bëjë ç’të mundë
Fjalë të bukura…Sa hipokritë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellin me llustër.
18 nëntor 1979

“Dritë që vjen nga humnera”

Një natë shkurti të ftohtë të vitit 1981, në një nga dhomat e spitalit onkologjik të Tiranës, ndodhte një skenë e dhimbshme, tepër e njohur në këto mjedise: përbri shtratit të një vajze te re njëzetetrevjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, nëna e saj, e kërrusur nga brenga bënte të vetmen gjë që shumica e të afërmve e bëjnë ne kësi rastesh: i lagte buzët.
Skena ishte diçka e përsëritur qindra herë në këtë ndërtesë të trishtë. E veçantë ishte se te dera e dhomës së vajzës që po jepte shpirt, nënën e mjeruar e prisnin në këmbë dy oficerë të policisë së fshehtë shqiptare. Ata nuk e fshihnin padurimin, madje njëri prej tyre i tha gruas të shpejtonte.
Gruaja kërkoi të rrinte dhe pak, por shoqëruesit, fare shpërfillës, e urdhëruan haptas të ngrihej.
Te dera ajo bëri përpjekjen e fundit: “Unë njoh Nexhmije Hoxhën. Më lejoni t’i telefonoj. Ajo është nënë dhe do më kuptojë”.
Rojet qeshën me zë të lartë: “Si shumë e lart e vrake. Dashke të shqetësosh edhe shoqen Nexhmije. Nuk thua faleminderit që të lamë dhe kaq”.
Gruaja uli kryet dhe doli.
Vajza që jepte shpirt në spitalin onkologjik ishte Drita Çomo, një nga letraret me interesante të brezit të vet, por në atë kohë krejt e panjohur, për arsyen e thjeshte se të atin e kishte në burg dhe nënën ne internim, (nëna Liri Belishova, ish anëtare e Byrosë politike, kurse babai Maqo Çomo, ish ministër).
Libri: “Dritë që vjen nga humnera”, del në dritë 16 vjet pas fikjes së vajzës dhe bën pjesë në ripërtëritjen e ëndrrës me te vjetër të njerëzimit: rikthimit prej territ dhe asgjësë. E në këtë rast ne i themi vajzës: mirëserdhe në jetën tënde të dytë, në atë që s’njeh as veçim, as ankth.
(Fragment nga parathënia e librit shkruar nga Ismail Kadare)

Imazh me Drita Çomon...
Imazh me Drita Çomon…

Si e vranë Drita Çomon

nga  Aleko Likaj

Arkivolin e ulën për një çast në tokë. Kishin kaluar pragun e një shtëpie, që gjasonte më tepër me një barangë të vjetër pas postës së policisë së qytetit, ku përgjoheshin prej viteve. Dy gra që lëviznin drejt derës. Njëra prej tyre e mbylli bravën dhe çelësin e futi në xhepin e një xhakete të vjetër të zezë, të dalë boje. Gruaja tjetër diç kërkoi në çantën që mbante në supin e djathtë, pastaj u afrua drejt kreut të arkivolit. Burri që ishte aty dhe që i dalloheshin nga larg një palë mustaqe të holla, bëri një shenjë refuzimi. Nga dritarja e dhomës së fjetjes, i mbështetur mbi parvaz, pashë “zukun” gri të komunales së Cërrikut. Së bashku me shoferin, një punëtor me kombinoshe gjithë gëlqere e llaç, hapën spontin e makinës që dukej tepër e vjetër. Qëndruan aty. Mbase dikush nga larg nga një kënd që unë nuk mund ta shikoja, i urdhëroi. Duhej të ishte një hije. Mundet edhe sigurimsi i ri, i sapombërrritur në atë qytet të vogël, që kishte marrë përsipër të zëvendësonte fytyrëkuqin, Karlo, që i kishte gjurmuar prej më shumë se tre vjetësh Liri Belishovën me të bijën, Drita Çomon.
I heshtur, arkivoli u vu përsëri në udhë. Katër personat që mezi e mbanin, kaluan kanalin që ndan asfaltin e prishur nga oborri i shtëpisë. Të dyja gratë mbanin fundin, por u duk se u lodhën shpejt. Aty në rrugë e ulën përsëri. Njëri prej burrave kërkoi të ndërroheshin dhe gruaja me flokët e mbledhura topuz, doli në fillim. Çantën e mbante në krah. Dukej se e pengonte. Në një çast fërkoi duart. Mbase nga lodhja. Liria dy metra më tej kaloi lehtë dorën mbi suprinën e ndritshme të arkivolit, sikur donte të përkëdhelte edhe njëherë të bijën, që ishte shtrirë brenda si në gjumë të thellë. Pastaj fshiu lotët me një shami. Një prej burrave e kapi nga krahu dhe e tërhoqi duke e mbështetur për një çast pranë gjoksit të tij. Dukej që dëneste. Burri tjetër erdhi pranë. Diçka i foli e pastaj i kaloi dorën në supet që i dridheshin. U kthye nga pallati ynë. Më pas e kaloi vështrimin tek dy pallatet e tjera që rrinin përballë. Me siguri që dalloi dritaret e mbyllura dhe perdet e hapura. Kuptoi se qyteti përgjonte. I heshtur dhe gojëprerë. Me një ndjenjë frike, por edhe keqardhjeje për vajzën me sy të veçantë, të hijshme dhe nga me bukurat në hapësirat e tij.
Nëna ime më bëri me shenjë që të mbyllja dritaren. Një çast më parë ajo kishte zgjatur kokën dhe kishte pëshpëritur: “Të shkretën Liri ç’e gjeti. Korba, ajo…” Ime shoqe që ishte nuse e re në shtëpinë tonë, kafshoi lehtë buzën e poshtëme, sikur donte të më thoshte: “Mos u bëj i keq! Kërkon të na shkatërrosh?” Kishim mbërritur atë mëngjes nga Elbasani ku jetonim së bashku prej dy muajsh. Fund jave, si zakonisht mblidhesha te prindërit e mi, të cilët më dukej sikur i kisha braktisur dhe harruar. Babai në kuzhinë lexonte “Zërin”. Fshihte sytë e vegjël gri poshtë kristalit të qelqtë të syzeve dhe herë pas here shfrynte me kraharor. Gjetiu e kishte mendjen… E ndoqa në një çast të vetëm me sytë nga dera e hapur dhe u ndjeva vërtet keq. Nuk mund të flisje edhe pse tej një vajzë e ndrojtur po largohej nga kjo botë e mbyllur brenda një arke, jo krejt e panjohur për ne, edhe pse askush nga familja ime nuk mund t’i fliste. Por ne e njihnim atë. Edhe jetën e saj deri në detaje.  Me motrën time të vogël shpesh herë përshëndetej me një ulje koke të lehtë. Ishin vajza fqinje prej disa vjetësh, edhe pse ime motër ishte disa vite më e vogël. Shpesh herë ajo na tregonte, por babai një ditë i kishte thënë: “Je e vogël dhe ca gjëra nuk i kupton. Ajo nuk është e lirë. Jeton si në një burg të vërtetë. Mëkat…!”
-Po e hipin në Zuk, – tha motra ime e vogël që zgjati një çast të vetëm kokën në dritare duke më shkundur edhe mua nga përhumbja.
Arkivolin vërtet po e vendosnin në karrocerinë e makinës që një çast më parë kishte transportuar llaç për brigadën e muratorëve të komunales, të cilët po riparonin fasadën e banjos së vetme të qytetit, diku pranë kinemasë, në qendër të qytetit të Cërrikut. Këtë herë punëtori dhe shoferi po e shtynin arkën drejt mesit të mjetit. Pastaj  fërkuan duart sikur kërkonin t’i shpëlanin ato. Ndoshta për të thënë se: “Në këtë histori ishin krejtësisht të pafajshëm!”. Por ky çast nuk zgjati shumë. Lirinë njëri prej burrave e mori për krahu për ta hipur përpara me shoferin, por ajo nuk pranoi. M’u duk më e kërrusur se zakonisht. Mbase edhe nga pesha e gjëmës që i kishte rënë mbi kokë. Gruaja tjetër mbylli derën duke e përplasur me zhurmë. Zuku lëvizi dhe mori kthesën majtas përpara çerdhes e pastaj devijoi për në rrugën kryesore që të çon në Elbasan. Diku pas lagjes së Malasejit, ku banonin një pjesë e familjeve çame të Cërrikut si dhe disa familje jevgjësh, ndodheshin edhe varrezat e qytetit. Makina lëshoi një tym të hollë e u zhduk përfundimisht nga sytë tanë vetëm një çast më vonë. Ndjeva një peshë në gjoks. E ndala frymën në një çast. Ishte një dhimbje njerëzore…
Kurrë nuk do ta harroj atë çast…
Kështu më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite.

E ëma e Drita Çomos - Liri Belishova - Antare e Byrosë Politike
E ëma e Drita Çomos – Liri Belishova – Antare e Byrosë Politike

***

Varrin e Drita Çomos e kam parë edhe disa vite më pas. Si gazetar u ndodha aty kur ish pronarët  kishin bllokuar gjithë procesionet mortore të Cërrikut. Nuk lejonin të bëhej më asnjë varrim në tokat e tyre. Sherr me Bashkinë e qytetit.
Nuk e mbaj mend se kush ma vuri përpara librin me lirika të Drita Çomos. U befasova, por edhe u gëzova njëkohësisht. Për të qenë i sinqertë, asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se autorja e një lirike maji, që shkruante me aq ndjenjë: “një natë pa hënë”, e cila më kishte emocionuar së tepërmi në atë kohë, do ta shihja në ballinën e një libri. Do të më emociononte sërish me të njëjtin intensitet si atëherë përpara një dekade e gjysmë. Më solli një kujtim të largët. Historia dhe jeta e një vajze që jetoi së bashku me familjen e saj persekucionin më të egër që lamë pas. Brenda saj është jeta. Është drama e papërsëritshme jo vetëm e një grushti njerëzish që figuronin në listat e zeza të internimeve e dënimeve makabre, por e një kombi. Kemi jetuar marrëzinë e madhështisë sonë false.
Më duket se Drita Çomo aty ka thënë shumë gjëra, për të mos thënë, të gjitha. Ato që na kanë munguar, por edhe jetën që e jetuam ndryshe. Nuk e di, por që atëherë kam menduar se komshia ime ” gojëprerë” duhej të mbante ditar. Të mbante ditar për të thënë të pathënat që nuk mund t’i thoshte dot, por edhe për ne që kishim “lirinë”, që në thelb na mungonte. Atë na e kishin vrarë dhe na e vrisnin çdo ditë,  çdo orë e çdo minutë.
“Dritë që vjen nga  humnera” është në thelb ditari për ditët që ikën, por edhe për ato që do të vijnë. Tani më pas shpesh vras mendjen dhe si në një celuloid filmi më kalojnë ato vite, ato ngjarje që realisht më trishtojnë dhe përpara syve më del vajza me emrin Drita Çomo, me buzëqeshjen si një karafil në buzë. E çiltër dhe me botë të madhe. E ndjeshme si një fije bari…
Sapo i kishte kaluar të njëzet pranverat  e një jete brenda katër mureve të shtëpisë. Portreti dhe imazhi i saj ende nuk më hiqen nga mendja….
Por shteti aso kohe kishte shpikur një mekanizëm, pa pushkë e plumb, pa karrige elektrike: izolimin dhe vetminë. Të dyja të vrisnin njësoj. Ky mekanizëm mjerisht funksionoi dhe mori me dhjetëra e qindra jetë të pafajshme. Edhe Drita Çomon. Ajo kishte shumë këngë që i buronin brenda kraharorit të brishtë… dhe kënga e fundit e mjelmës:

Të jesh kudo i tepërt, i huaj,
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të bëjë të vuash,
Pa një shpresë, për atë që do të vijë…

Dhe pastaj … humnera…ku e rrëzuan atë.

Dy fragmente marrë nga http://www.fryma.info

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.