back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dritëhije të Legjendës Osman Gazepi – Rrëfime dhe dokumente

Gazeta

Kolonel Osman Leskoviku - Gazepi (1885-1953)
Kolonel Osman Leskoviku – Gazepi (1885-1953)

Dritëhije të Legjendës Osman Gazepi 

Rrëfime dhe dokumente

Osman Gazepi lindi në 7 prill të vitit 1885, në Leskovik, Osmani ishte një nga tre adjutantët besnikë të Mbretit Zog.
Shoqërues i tij në Beograd, 27 qershor i 1924-ës, e më pas në dhjetor 1924, kur erdhën nga Jugosllavia dhe rrëzuan qeverinë e Fan Nolit, derisa Zogu u arratis në prill 1939 (Koha Jonë, 5 Shtator, 2015, Fatos Daci).
Ai ishte pjesëmarrës në shtypjen e rebelimit të Et’hem Totos në Gjirokastër, e cila donte të rrëzonte Ahmet Zogun. 
U arrestua në shkurt të vitit 1945, dhe më 23 qershor të po këtij viti, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 30 vjet heqje lirie, si zogist legalist, bashkëpunim me gjermanët, tradhëtar në shërbim të qeverisë kuislinge etj, etj. Vdiq pak vite pas daljes nga burgu në vitin 1953. (marre nga Konica.com)

Qeveria e Pandeli Evangjeli dhe Osman Gazepi në sfond
Qeveria e Pandeli Evangjeli dhe Osman Gazepi në sfond

Dihet se Osman Gazepi – Leskoviku, ka mbetur në histori për mjaft bëma, shumica të pavërteta, aq sa dhe mbiemrin ja deformuan, pasi në të vërtetë e kishte Leskoviku, pra Osman Leskoviku.
Ndërsa cilësimi “Gazepi” ishte një nofkë, që ia ngjitën në vitin 1921, kur luftonte të vinte rregull në Shqipërinë e Mesme. (Ylli Polovina “Tirana Observer”, 20 maj 2009). 
Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, viti 1980, fq 539, fjala Gazep-i – do të thotë veç të tjerash, mundim, i tmerrshëm, qamet i zi, gjëmë, prapësi e madhe, etj.

Osman Gazepi dhe dy vajzat e tij - Leskovik 1943
Osman Gazepi dhe dy vajzat e tij – Leskovik 1943

“Shqipëria e Harruar” 

Kolonel Osman Gazepi – Adjutant personal i Mbretit Zog, figurë karizmatike dhe legjendare në të njejtën kohë. Ushtarak i trupave Perandorake dhe pjesmarrës në luftimet e otomanëve me trupat koloniale Angleze në Çanakala dhe Galipoli. Vjen në Shqipëri ku ngjit shkallët e karrierës ushtarake në krah të politikanit të ri nga Mati, Ahmet Zogut. Bëhet një prej njerëzve më të besuar të tij dhe personi që arreston në Parlament atentatorin e Mbretit Zog, Beqir Valterin. Besnik i Mbretit edhe pasi ai u largua nga vendi. Nuk dihet përse Zogu nuk e mori me vete, ndoshta mosha e kaluar, o dëshira e Kolonelit për të qëndruar, Osman Gazepi u tërhoq në shtëpinë e tij në Leskovik. 
David Smiley, oficeri britanik i Misionit Anglez e përshkruan në Librin e tij me Kujtime si një figurë tejet egzotike dhe karizmatik. Ata u takuan në Leskovik, ku Osman Gazepi hypur në një kalë të bukur i shoqëruar nga të dy vajzat e tija partizane takoi Misionin Ushtarak Britanik. I veshur gjithmonë me uniformën ushtarake, qillotat, çizmet e lustruara dhe gradat që ja kishte vendosur vetë Mbreti, ai bënte një figurë mjaft eksentrike në qytezën e vogël të Leskovikut. Në vitin 1945, u arrestua në moshë të thyer si besnik i Zogut, akuzë për të cilën nuk u ankua pasi ishte dhe mbeti besnik i Mbretit. U lirua nga burgu mbas 8 vjetësh vetëm me ndërhyrjen e Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu. Edhe pse kishte dy vajza partizane dhe një djalë dëshmor mbeti vetëm rrugëve pa shtëpi dhe pa një strehë ku të kalonte natën. E gjetën të vdekur nën një urë ku mjeku që bëri raportin shkruante se kishte vdekur nga uria dhe sëmundjet e morrit. Shtëpia e tij në Leskovik tashmë është një rrënojë ku i janë marrë edhe gurët e qosheve si për të tentuar ta fshijnë edhe nga historia figurën kaq kalorsiake të këtij fisniku nga Leskoviku.

Marre nga muri i Fb i Erion Tares, 5 dhjetor 2021

Rrënojat e shtëpisë së Osman Gazepit - Leskovik 2021
Rrënojat e shtëpisë së Osman Gazepit – Leskovik 2021

Misioni englez dhe Osman Gazepi

Osman Gazepi, kishte qenë dhe partizan, ndër më të moshuarit e formacioneve, që me zotësinë e tij habiti dhe misionin anglez në Shtyllë të Korçës. Sipas kujtimeve të Davide Smajli, mbas qershorit të vitit 1943, misioni Anglez në Shqipëri kaloi nga Leshnja e Skraparit në Shtyllë, ku qëndroi dy muaj.
-Më 26 gusht 1943, Maklini dhe unë (David) ishim ulur te tavolina në dhomën e pritjes, kur dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. U thyen të gjitha xhamat dhe u rrëzua suvaja e tavanit. Na kishin sulmuar italianët, me shpresë që të na zinin rob dhe të shpërndanin partizanët.
Predhat binin brenda fshatit e rreth komandës sonë, gjithë ditën, me një aeroplan që fluturonte mbi ne, …fshatarët filluan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar strehim në pyll. Edhe ne e braktisëm shtëpinë dhe vajtëm te një barakë….
Pak më vonë, kur bombardimi u bë më i fortë, pamë një gjë të çuditshme: Kolonelin Osman Gazepi, veshur me uniformë, mbi një kalë të bukur, të shoqëruar nga dy vajza veshur partizane, dhe të armatosura me pushkë.
Ai nuk shqetësohej fare nga predhat që binin rreth e rrotull tij, dhe kur po na afrohej, mendova se do të vritej, pasi një predhë shpërtheu nja pesë metra larg tij. Ai u zhduk në një re tymi dhe pluhuri, por doli duke buzëqeshur.
As kali nuk ishte goditur! Na përshëndeti dhe vazhdoi rrugën (si bënë dhe një foto). Nuk patëm rast të takoheshim prapë me të (Kujtime nga David Smajli, “Vitet Shqiptare ’43-‘45”, fq 64-69).

.
Marrë nga https://konica.al/2019/04/osman-gazepi-si-realitet-dhe-si-fenomen/

Osman Gazepi - Mission englez die vajzat e tij - Leskovik  1943
Osman Gazepi – Mission englez die vajzat e tij – Leskovik 1943

Si u përball Osman Gazepi me Mehmet Shehun

Në burg Osman Gazepi ishte i vjetër dhe njeri pa farë njeriu në këtë botë. Një grua që i kish mbetur, kish vajtur e rrinte në Fushë të Korçës, sepse, si nënë dëshmori që ishte, ajo nuk donte ta prishte biografinë e saj, duke u quajtur në opinion si gruaja e Osman Gazepit. Kështu që, jam dëshmitar okular i faktit se ai burrë plak për katër vjet rresht, d.m.th., deri sa Enveri bëri gjoja sikur u prish me Titon, dhe filloi e vuri atëherë në burg atë kazanin e supës, kolonel Osman Gazepi e ka mbajtur shpirtin vetëm me 650 gram bukë të zezë thatë, pa pranuar asgjë nga askush. Dhe një njeri me një personalitet kaq të theksuar, nuk mund të jetë apo të ketë qenë as bufon dhe as budalla.
Shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, ai pranonte të shkonte për drekë ose darkë te ndonjë, me të cilin kishte shumë muhabet dhe që e njihte për tepër serioz.
Teshat e fjetjes së tij përbëheshin nga dy batanije nga ato fare ordineret, të ushtrisë greke, nga të cilat, njërën e shtronte si dyshek dhe tjetrën e hidhte mbi vete. Sa për jastëkun, këtë ky e kishte anuluar, duke u bërë, në ditë të pleqërisë një spartan i vërtetë, sepse ai kokën e mbështeste gjithmonë përmbi njërën llërë.
Në një gjendje të tillë Osman Gazepi jetoi plot 8 vjet dhe do t’i kish bërë edhe shtatë të tjerat, nëse nuk do ta kish ndihmuar një rrethanë specifike dhe krejt rastësore.
Na erdhi një ditë për inspektim ministri i Brendshëm, i tmerrshmi Mehmet Shehu, i cili, kudo që shkelte, mbillte terror dhe vdekje… Në fillim, ai dëgjoi ndonjë ankesë ose pyeti ndonjë të burgosur se si i shkonte jeta. Shumë nga ata që i paraqitën ndonjë farë ankese ose kërkesë, ai me qëndrimin e tij të ashpër i bëri të gjithë të pendoheshin për hapin që kishin bërë, sepse ai i shau e i bëri rezil dhe ua hodhi fajin atyre vetë…..
Pastaj, duke dashur t’i jepte vizitës së tij ndonjë farë humori që të mbahej mend për shumë kohë, ai iu kthye nga Osman Gazepi me të qeshur e me një ton tërë ilaritet:
-Po ti, kolonel Osman Gazepi, me kë je dhe ç’kërkon nga unë, se kërkesat e këtyre të tjerëve i mora vesh?
-Unë, zoti ministër, jam vetëm me Zogun dhe me Rininë, ia priti Osmani.
-Po, kur e doje Zogun aq shumë, dhe ai po ashtu ty, si shpjegohet që ai iku e fluturoi, dhe ty të la këtu?
-Unë, zoti ministër nuk kisha merita të tilla që ai të më merrte jashtë. Për këtë jam shumë i ndërgjegjshëm. Po zotrote the që ai fluturoi e iku… Mirë ka bërë, se ndryshe atij nuk do ia thonin emrin Zog. Zogu ynë, ashtu si fluturoi e iku, po ashtu do fluturojë një ditë dhe do të kthehet prap në çerdhen e vet… Po t’i lemë këto, or Mehmet Shehu… Më kanë thënë se je trim dhe vetë dëshiroj që ta besoj një gjë të tillë. Po trimi ama, ka dy gjëra: O të vret ose të fal…! Jam burrë i vjetër, kam bërë gjer tani tetë vjet burg, nga të cilët katër të parët vetëm me 650 gram bukë thatë, kurse katër të fundit, veç bukës së thatë, kam ngrënë dhe një lugë supë të burgut. Tërë këto vite që rroj këtu, i pa larë, i pa ndërruar, i pa qepur dhe i pa arnuar. Prandaj or Mehmet Shehu, faqe këtyre burrave, po të them si burri burrit: Ja më vrit, ja më lësho. Dhe gjakun ta kam falur me zakon e kanun.

Mehmet Shehu & Osman Gazepi
Mehmet Shehu & Osman Gazepi

Mehmet Shehu s’e zgjati më tej, po doli për dere dhe iku, me gjithë suitën e tij.
Afërsisht pas dy muajsh, Osman Gazepit i erdhi lirimi. Për këtë, nuk mbeti i burgosur pa u gëzuar. E them me bindje dhe me prova të shumta se të gjithë njerëzit e ndershëm dhe seriozë, kishin rënë në pikë të hallit me kolonel Osman Gazepin, sepse ai i refuzonte kategorikisht ndihmat e tyre.
Kështu ai doli nëpër Tiranë me një palë pantallona të ndyra, të arnuara si mos më keq, dhe me një batanije të kuqe leshi që e kishte lidhur në fyt me tel, dhe hedhur prapa si pelerinë. Si muhabetçi të madh që e njihnin tërë Tirana, fillimisht ai e kalonte ditën me qyfyre e tregime, kafe më kafe. Për të fjetur e mbanin të gjithë përgjegjësit e lokaleve se e dinin që me florinj të ishte shtruar dyshemeja, ai ishte nga ata që nuk prekte asgjë.
Pas disa kohësh, kur kuriozët e Tiranës filluan ta ndjenin veten të ngopur nga muhabetet e Osmanit, filluan të mos ia varnin dhe mos të pyesnin më për të. As e thërrisnin dhe as e qerasnin me ndonjë kafe apo çaj.
Kur e kuptoi se kishte mbetur si kofini pas të vjeli, që s’i duhej më kujt, dhe nuk kishte më jetë tjetër për të në Tiranë, veçse duke u bërë lypsar, Osman Gazepi i shkretë kishte marrë rrugën në këmbë, për të shkuar në Fushë të Korçës, te fisi i gruas, me shpresë se mund të gjente vend sa të fuste kokën dhe të vdiste atje.
Nuk e di kurrkush se për sa ditë e ka bërë Osman Gazepi në këmbë rrugën gjer në Elbasan. Ajo që dihet, është se dhe atje ai u bë personazh i njohur për tregime, humor dhe qyfyre kafenesh.
Si i kishte gjallëruar edhe aty tërë kafenetë dhe dyqanet e zanatçinjve, me ato muhabetet e tij në formë tregimesh, të cilat lidheshin njëri me tjetrin si përrallat e njëmijë e një netëve, ai e kishte nuhatur se, edhe Elbasani qe ngopur me qyfyret e tij, dhe se kishte ardhur koha që të shkonte në strehën e fundit të tij, në Fushë-Korçë, ku shpresonte se kur të vdiste, do ta kishte për rixha të Zotit, dhe ai një varr, si gjithë të tjerët…
Kështu, shkon lavdia dhe kështu i merret kuptimi kësaj jete të rreme. Askush nuk ka qenë i zoti as ta gëzojë e as ta kuptojë. 
Osman Gazepi që kishte hyrë dikur me kalë në Parlament dhe i kishte kërkuar Ahmet Zogut leje që t’i qiste ujët të zi Parlamentit, Ai Osman Gazep, të cilit njerëzia ia dinin përmendësh si orarin kur dilte nga shtëpia, ashtu dhe itinerarin se nga do shkonte, ja që kishte edhe një ditë që, askush s’e mori vesh se kur kishte dalë nga Elbasani dhe kur kishte marrë rrugën për në Fushë të Korçës. Ky ishte një mësim filozofik, për ata që thellohen në kuptimin e jetës.
Ajo që dihet me siguri, është fakti se kolonel Osman Gazepin e gjetën të vdekur në buzë të rrugës automobilistike, pranë urës së Haxhi Beqarit. Mjeku i dërguar atje dhe prokurori, konstatuan se ky kishte disa ditë që kishte vdekur, jo nga vdekja natyrale, po se e kishin sosur e mbaruar së ngrëni morrat…

.
(Marrë nga libri i Beqir Ajazit “Nga shkaba me kurorë, te drapri me çekan”)

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.