back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dromca “Bukowskiane…” – nga Kastriot Fetahu

Gazeta

Charles Bukowski - Poezi
Charles Bukowski – Poezi

Dromca “Bukowskiane…”

nga Kastriot Fetahu

Në çfarë kam shkruar unë më poshtë, jam inspiruar nga mënyra
sesi e shikon botën shpirtërore Charles Bukowski. 
Ai, në optikën time është madhështor, për stilin modern prej bohemi,
me të cilin trondit shpirtin njerëzor, duke i shkuar në zemër te vërtetës së ndjesive të atij shpirti.
Lexojeni Bukowskin, ai ju lehtëson jetën dhe ju mënçuron me mendjen e tij brilante.
Vlera e respektit ndaj botës femërore, është çelësi që e bën Botën tonë më të mirë, se sa kjo që kemi.
 
* * *
Ajo erdhi në zyrën time dhe kërkoi një shërbim, për të cilin ngeli shumë e kënaqur, pas tri takimesh pune. 
Më kishte treguar se punonte mësuese dhe ishte poete.
-Do ju ftoj si zyrë të pimë një gotë verë – më tha, – sepse gjeta tek ju, jo vetëm çfarë doja në zgjidhjen më të bukur të mundëshme, por edhe një person, që më vjen keq pse nuk e kam mik – dhe po më shihte “paturpësisht” në sy.
-Ok, – i thashë shumë zyrtarisht.
Por do ju lutesha, – vijoi, – të kem mirkuptimin tuaj, se unë edhe mund të dehem dhe flas budallalliqe, prandaj mos m’i merni për bazë – dhe buzëqeshi fëmijërisht.
Pasi mbaroi, në pak çaste kryqëzuam shikimet, ku nuk i rezistova dot, duke marrë pa arsye një stilolaps në tavolinë, kohë që më mjaftoi të përmblidhja veten dhe i fola.
Njëjtë edhe unë me një ndryshim të vogël nga ty, që… dehem përpara teje – dhe buzëqesha me një tundje të lehtë koke shumë miqësisht, me një lloj triumfi sikur të kisha hedhur dorezën para saj si në duelin e famshëm francez.
Qeshi me të madhe dhe mbyturazi nga e qeshura me ndërprerje, për një çast më tha – mos ki merak se je në duar të sigurta, ta premtoj për këtë.
Ajo vazhdonte të qeshte si fëmijë me një brishtësi të kristaltë, ku po kuptoja se ishte një grua që sinqeritetin dhe mirësinë i kishte të shkallës sipërore, ndërsa edhe një mike kampione, të cilën e respektoja pafundësisht si më parë, për sjelljen elegante shumë njerëzore të saj dhe pse akoma nuk po i shpëtoja dot gjendjes së turbullt, kur kupton se Bota ka njerëz, të cilëve mund t’iu besosh miqësisht veten, pa pasur probleme “kalimi kufijsh në mënyrë të paligjshme!”
Ajo vazhdonte akoma të qeshte, se nuk e kishte pritur atë reagim, më fëminor se sa vet kërkesa e saj ndaj meje.
 
* * *
Tani mendon se po të njoh? Ti vuan shumë, se ke shpirt aventure të bukur në praninë e një mashkulli, të cilit do t’i besosh shumë, madje jetën, nëse e gjen ashtu si e koncepton darkave pasi mbulon kokën me mbulesë, sepse nuk ke gjumë.
Ti nuk jeton dot pa “shpella stalaktitesh” në mendjen tënde, ku vetëm ai do jetë pranishëm dhe ti një “Liza në botën e çudirave” duke i shtuar edhe dashuri shpirti asaj atmosfere romantike dhe aventureske.
 
* * * 
Eh, është shpirti i aventurës, hipur në kuvertën e asaj valëzës gazmore shkumbardhë, që drejtimin ia lë me dëshirë velave kryeneçe të padëmshme asnjëherë me atë kryeneçësi, pasi ngado që të drejtohet ajo, lundron në universin e dashurisë.
 
* * *
Raporti fizik, është gjëja e fundit që mendon një grua e zgjuar, ndërkohë gjithmonë kërkon “ta zgjidhë dhe ta lejojë” shpirtin e saj të “harbojë” si një kalë i hazdisur, në lëndina të pashkelura më parë.
Ajo është një aventuriere e bukur, në një botë pa njerëz në praninë e saj përveç atij që i ka dhuruar zemrën, duke ja dhënë këtë të drejtë ekskluzive në mënyrë të pakthyeshme, përsa kohë ekziston besimi i ndërsjelltë absolut në mes tyre.
 .

Charles Bukowski (1920-1994)
Charles Bukowski (1920-1994)
* * *
Edhe të dashur të kisha, nuk do të shkruaja kohë pa kohë dhe akoma më pak, për raportin që kemi.
Ruaje një grua, që kërkon shtigje të bukura të jetës, pa rënë në sy publikisht.
Ajo është krijesa më e dlirë, më e mirë, më e brishtë, më e çiltër, e sinqertë dhe që e do Lirinë e saj mbi çdo gjë edhe në kushtet e një pushteti absolut mbi të.
Ajo është një grua, që nuk kërkon asgjë tjetër, veç miqësisë së pastër. 
Kujdesu me shumë elegancë dhe respekt për atë.
Ajo të çmon shumë në këtë mënyrë sjelljeje ndaj saj, sepse është një fisnike dhe nuk ndodhet aty për asnjë lloj raporti tjetër.
 
* * *
Poeti fle me retë, për dyshek ka tokën dhe mbulesë ka qiellin.
 
* * *
Unë i njoh aq mirë neuronet dhe edhe qelizat e tua, sa e di se çfarë kanë ato në bërthamën e tyre.
 
* * *
Për të arritur tek Ty, do ta filloja nga gota e verës, sepse nuk do arrije të më kuptoje çfarë do të thoja, pa kaluar më parë nga ajo gotë vere.
 
* * *
Të kalosh kufirin do pasaportë, por ka kufij që duan shumë shpirt për t’i kaluar, pasi pasaporta nuk hyn fare në punë në to.
 
* * *
Unë vdes, që Ti të arratisesh në mendjen tënde me… mua.
 
* * *
Ndonjëherë nuk duam të shtyhemi thellë, për të ruajtur veten nga fluturimet pindarike, kur na mungon objekti i mbërritjes.
 
* * *
Njerëzit mendojnë shpesh se koha është vlerë kalendarike. Sa gabim e kanë, sepse në fakt koha është shpirt dhe nuk rrjedh thjesht si ndërrim numrash, nëse raportet njerëzore janë edhe ato shpirt, në një lidhje.
 
* * *
Më indukton aq shumë gjëra të bukura në shpirtin tim, sa nuk po arrij dot t’i sistemoj në kokën time.
 
* * *
Nëse kërkon t’i shpëtosh skllavërimit të saj, bën mirë të dyllosësh veshët dhe të mbyllësh sytë. Asgjë tjetër nuk të mbron dot nga Ajo. Edhe Zoti është i pafuqishëm të jetë në anën tuaj.
 
* * *
Ju mund të bëni çfarë të doni për t’u integruar në ditën tuaj, dikush e fillon me kafe, dikush me tjetër gjë, ndërsa unë do mendoj për Atë, duke parë foton e saj, për ta filluar ditën me adrenalinën e rritur, sikur të kem pirë kafen e gjithë Botës.
 
* * *
Çdo ishte bota pa gratë? 
E mendoni dot Tokën tonë pa Diellin, po tastierën e pianos pa tingujt magjikë të saj, apo kinemanë pa shfaqjen e një filmi të bukur me ngjyra? Të gjitha këto nuk janë asgjë para një Bote pa gra. Lartësojeni figurën e saj dhe shikoni sesa bukur do jetoni në një Botë, ku idiotësia jonë është pengesa më e madhe për bukurinë e saj.
 
* * *
Të flasësh me gra të bukura dhe të ëmbla është e frikshme, po nëse këto janë aristokrate dhe shumë inteligjente??
Lutuni mos ta keni këtë mundësi, nëse Zoti do t’iu donte Ju, pasi paqja në shpirtin tuaj, do të ishte hedhur në erë në mënyrë të pakthyeshme.
.
Përzgjodhi dhe përktheu Kastriot Fetahu
Chicago, Shkurt 2021
.
Marrë nga Muri i Fb i Kastriot Fetahut, 7 Maj 2021 
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.