Dublin, Irlandë – Qershor 2017
nga Ilir Seci
.
.
.
Ndryshe nga Londra apo Parisi, Dublini mund të thuhet se asht nji qytet “i madh dhe i vogël” njiherit, si me e thanë asht nji version i madh i nji qyteti të vogël. Kjo për faktin që edhe pse Dublini asht kryeqytet dhe metropol, aty njerëzit janë njajtë si në qytetet e vogla, janë me të vërtetë miqësore, këtë gjà e ndesh kudo, deri edhe shoferët e taksive apo banakierët të hapen në bisedë si me qenë të familjes, diftojne sa fëmijë kanë, ku jetojnë, përshkruejnë të shoqen, të kallzojnë për pasionet që kanë, për fëmijët… Njeriut në Dublin mund t’i qillojë me u ulë diku me pi nji kafe ose nji birrë, o thjesht në nji stol parku, dhe vendasit ta grishin në bisedë, t’i flasin përzemërsisht, ta ftojne me pi me ta… Në pub me mikun tem ëarren, dublinasin që e kisha njoftë në Neë York, e pyes se kush i paguente muzikantët që tanë pasion po na argëtonin me muzikë irlandeze… Askush nuk i paguen, – më thotë ëarren, – janë muzikantë amatorë që mbas pune duen me iu gëzue muzikës, dhe vijnë e bajnë muzikë te pub-i, kush do iu blen nga nji birrë…
Dublin asht votue disa herë si nji nga destinacionet ma të parapëlqyeme me u vizitue në Europë, i katërti mbas Londrës, Parisit dhe Romës, po ashtu simbas sondazheve asht nji nga qytetet ma të pëlqyeme në botë. Arkitektura elegante gjeorgjiane e Dublinit e ban atë nji nga kryeqytetet ma tërhjekëse të Europës. Dublini ka rreth 1 milion e 800 mijë banorë, nuk asht qytet i vogël, por asht nji qytet që mundet me u shetitë edhe në kambë… Ai ka sistemin e autobusëve, të tramvajit dhe sistemin hekurudhor periferik që sigurojnë lidhje në të tanë pikat ma të largëta të qytetit…
.