back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Duel për nderin e një prostitute (2007) nga Agron Tufa

Gazeta

Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa

Duel për nderin e një prostitute (2007)

nga Agron Tufa

Ky shkrim është botuar te “Panorama” këtu e 10 vjet më parë,
 kur azganat huqëmëdhenj të shtypit
u vërsulën në mbrojtje të kakademisë së shkëncave,
me të atillë vrull revolucionar,
a thua se po mbronin nderin e shtëpisë së tyre.
Sot, nuk e di pse janë lëmekur.
Shoh se edhe pas 10 vjetësh, shkrimi nuk është zbehur…
agron tufa, shtator 2017
 
Instituti i Studimeve Shqiptare - Tirane 1942
Instituti i Studimeve Shqiptare – Tirane 1942
Gjatë ditëve të Panairit Kombëtar të librit-2007, midis botimeve të shumta, ndesha edhe në stendën me botime të Akademisë së Shkencave. Faktin se fytyra e Akademisë paraqitej aty tej mase e lodhur, me volume e studime të stërvjetëruara, me emra aspak të lavdishëm, të njohur me vlerën perogative si çensorë dhe amplifikues të tezave komuniste apo nacional-komuniste – e kishin vërejtur një numër i madh kolegësh të mi, të një brezi të ri në studimet shqiptare. Sigurisht botimet e Akademisë, qofshin bashkarisht, qofshin veç e veç, paraqesin zgjatimin kokëfortë, prirjen e theksuar e retrograde në shkencën shqiptare, vijimësinë principiale të trashëgimisë komuniste, sidomos në shkencat humanitare. Duke e marrë në hesap si të mirëqenë faktin se, ashtu siç qahen akademikët, edhe ato pak botime i kanë bërë me “sakrifica”, lypa të këqyr se për çka është sakrifikuar… Dhe gjeta përsëri botime jashtë kohe, jashtë konteksti dhe jashtëshkencore në koncept dhe metodologji. Kujt do t’i hyjnë vallë në punë volumet e akademikëve tanë, studimet dhe monografitë për historinë, gjuhën, Naim Frashërin e përjetshëm, estetikën, letërsinë dhe filozofinë?
Prandaj e quaj jashtëzakonisht hipokrit pathosin dhe neurozën që kanë sunduar tonet dhe argumentet mediatike në mbrojtje të Akademisë së Shkencave, e po aq edhe cektësi karakteristike të disa penave të njohura, të cilat – gjithmonë në postrojë – iu bënë edhe njëherë barrierë një mendimi të ardhur “nga lart”. Mirëpo nuk është e thënë që gjithmonë, po hapi gojë doktori, duhet t’i kundërvihemi syverbuar.
Tani le ta gjykojmë çështjen jashtë “direktivave”, madje sikur ky debat mbi Akademinë të kishte nisur atëherë kur duhet të bëheshin punët e mbara të shpëlarjes nga trashëgimia komuniste, që në vitin 1991.
Atëherë ku qëndron sekreti okult i kësaj Akademie që, përpos të tjerash, pretendon të quhet e “Shkencave”? Çfarë vlere e saj po mbrohet me kaq xhelozi? Për këtë propozoj t’i qasemi problemit, zhveshur, pa paragjykime, në zanafillë.

.

Akademia e Shkencave Shqiptare - Tirane 1972
Akademia e Shkencave Shqiptare – Tirane 1972
Kryetari Aleks Buda, majtas Eqrem Çabej djathtas Kol Popa. Midis Sotir Kuneshka, Petrit Radovicka, Mahir Domi, Kol Paparisto, Shaban Demiraj, etj.
Si u krijua Akademia e Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë?
Në urdhërin e lëshuar nga Kryeministria që i përket vitit 1972, qysh në kokë thuhet: “Të krijohet Akademia e Shkencave, e cila të kontribojë për ndërtimin e shtetit socialist dhe zhvillimin e shkencës socialiste në frymën dhe metodologjinë e filozofisë marksiste-leniniste”. Pjellë dhe zbatim i kësaj direktive të shtetit stalinist shqiptar, Akademia e Shkencave, e pagëzoi veten po atë vit me masakrën mbi gjuhën shqipe, duke imponuar hibridin e të ashtuquajturës “Gjuha e unifikuar standarde”, ose “gjuha letrare” – një krijesë e kontenstuar gjerësisht në të gjitha nivelet shkencore, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithë aktiviteti i kësaj Akademie, deri në rënien e diktaturës ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm, sidomos në shkencat antropologjike e humanitare, duke sjellë një përçarje të pariparueshme me keqkuptimet dhe mitet antishkencore në frymën nacionalkomuniste.
Kryesisht, trashëgimia e rëndë që u la brezave ASH përqendrohet në këto sfera, lehtësisht të vërtetueshme, të jetës shpirtërore dhe publike:
a)Në shkencat historike, Akademia krijoi një përçarje të thellë mes shqiptarëve, duke ndërtuar një perceptim polarisht të ideologjizuar, ku principin qëndror të lëvizjes historike e përbën miti i “luftës së klasave” dhe roli vendimtar i Partisë Komuniste dhe Partisë së Punës me shokun Enver Hoxha në krye. Çdo e vërtetë tjetër historike – përjashtohet ose denigrohet.
b)Në shkencat filozofike dhe propagandistike, Akademia u përqendrua në një aktivitet të sforcuar e artificial për glorifikimin e figurave kombëtare dhe të huaja, kryesisht të përfshira në lëvizjet komuniste. Aktivet, seminaret, konferencat shkencore dhe sidomos botimet e veprave të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit etj., e po ashtu botimet speciale të estetikës së m-l, të Plehanovit, Lunaçarksit; sulmet profane kundër artit modernist, etj., vetëm se e bëjnë demonstrative njëanshmërinë. Akademia nuk qe e zonja të mund të krijonte, së paku, një traditë të mendimit materialist-dialektik, që ne të kishim një traditë të tillë, duke nisur nga Demokriti e deri tek neomarksistët.
c)Politika gjuhësore antishkencore e Akademisë, nëpërmjet mutantit “gjuha e njësuar”, përjashtimi i paskajores si kategori gramatikore, përqendrohet në tendencën e kolonalizmit kulturor brendashqiptar.
d)Akademia e Shkencave krijoi një situatë përçarjeje, diskomunikimi e diskriminimi në Letërsinë shqiptare, duke izoluar dhe përjashtuar nga komunikimi pjesën më të vyer të repertorit të teksteve tona letrare. Ajo përjashtoi dhe nxorri jashtë komunikimit krijuesit më të rëndësishëm të gjuhës dhe letërsisë shqipe si Zef Skiroin, Faik Konicën, At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Anton Harapin, At Justin Rrotën, Mitrush Kutelin, Arshi Pipën, Martin Camajn etj, duke ndërhyrë në proces dhe duke e deformuar atë. Lufta e klasave qe kriteri orientues dhe nga kjo politikë, letërsia shqipe ka patur një dëm të pallogaritshëm.
Atëherë, pyes, përse dhe me ç’arsye duhet mbrojtur me kaq pathos Akademia e Shkencave? Çfarë shkence u solli ajo studiuesve dhe brezave të rinj? Cila qe metodologjia dhe qëllimi i Akademisë, përveç konsekuencës ndaj dekretit të Kryeministrisë që e legjitimoi?
.
Kryeakademiku Gudar Beqiraj (2017)
Ketu desha te vendos nji kornize bosh… po le te jete Kryeakademiku Gudar Beqiraj (2017)

Nëse penat intelektuale të shtypit tonë që po e mbrojnë me aq zell nuk duan t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, nëse reagimi i tyre u ngjan reflekseve të kushtëzuara të peshqve dhe, ashtu, syverbuar, nuk pranojnë të dinë kë dhe çfarë mbrojnë, atëherë debati mbi Akademinë mbetet një angazhim ideologjik në mbrojtje të trashëgimisë së komunizmit, tani në vitin 2007! Dhe të korruptosh penën me një mbrojtje të tillë, kjo është njëlloj si t’i hysh një dueli për të mbrojtur nderin e një prostitute.

Zotërinjtë e Akademisë, si veç e veç, ashtu edhe të tërë së bashku, kanë patur kohë të korrigjojnë shumëçka përgjat këtyre 17 vjetëve të postkomunizmit. Megjithatë, edhe pse e kanë patur detyrë, edhe pse janë financuar me paratë e taksapaguesit publik, ata nuk kanë mundur të na japin asnjë tekst të depolitizuar historie, por përkundrazi; asnjë tekst apo diskurs mbi masakrën e gjuhës, por përkundrazi (kujtoni egërsinë ndaj tezave të Bahri Becit me 1995); asnjë tekst asnjëanës të Historisë së Letërsisë Shqipe, por përkundrazi – orët kanë mbetur në Historinë e Letërsisë së Realizmit Socialist të Koço Bihikut, që më 1980. Në këtë pikë, Akademinë e Shkencave nuk e ka prekur as ndërrimi i sistemit politik dhe rënia e komunizmit. Se çfarë ka ndodhur pas vitit 1990, në shkencat tona humanitare, për Akademinë kjo është një terra incognita.
Të mos harrojmë edhe një gjë me natyrë thelbësore: shumica e akademikëve janë pranuar jo në bazë të kontributit të veprës shkencore, por si tituj nderi të dhënë gjatë komunizmit. Ateherë çfarë shpikjeje, çfarë zbulimi shkencor i përket kësaj Akademie? E them me plot bindje – dhe le të më kundërshtojë, nëse mundet, dikush – Akademia e Shkencave është e vetmja fantazmë shëtitëse e komunizmit, i vetmi Bunker solid i komunizmit, që përveç emrit të madh dhe punëve të dëmshme, asgjë tjetër nuk ka mundur t’u japë studimeve shqiptare. As edhe një fjalor termash letrarë apo filozofikë! Ndaj është e tepër të gjykojmë mbi instrumentarin shkencor apo metodologjik të saj tani në shekullin XXI.
Megjithatë Akademia e Shkencave ka mbrojtës të papërkulshëm, luftarakë e solidarë. Sikundërse çdo trashëgimi e komunizmit! Përveç nostalgjisë dhe ringritjes së recidiveve të djeshme, asgjë tjetër nuk është e denjë t’i nënshtrohet gjykimit të esëllt intelektual. Përkundrazi, fakti që në krye të Akademisë së Shkencave zgjidhet presidenti i Fondacionit “Qemal Stafa”, na bën me dije se vektori i shkencave tona duhet reideologjizuar edhe njëherë, duhet kthyer mbrapsht të pijë “ujin e cemtë” të burimit – në akt-themelimin e saj, të motivuar nga Kryeministria e Enver Hoxhës që më 1972.
Pyetja më normale shtrohet se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë.
Por jo “të mos bëhet asgjë”! Me këtë të fundit nuk ka të drejtë të më fyejë askush.
Panorama, 26/ 12/ 2007
marrë nga Muri i Fb i Agron Tufës, 6 shtator 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.