back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Duhet hequr dorë nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë… Promemorie për Enver Hoxhën, Komitetit Qendror të P.P.Sh., Tiranë

Gazeta

Kasem Trebeshina, Albanian writer
Kasem Trebeshina, Albanian writer0

Duhet hequr dorë nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë…

Promemorie për Enver Hoxhën,

Komitetit Qendror të P.P.Sh., Tiranë

Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuar nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar idologjokisht dhe politikisht nga ju, në mënyrë që nuk mund të pranohet që është socialiste.
Kështu sa më sipër, del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik në lidhje me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji, që nuk mund të diskutohet; kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në formën e diçkaje absolute pikëpamjen tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrë të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara, që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë, ashtu edhe për ju personalisht, vendosa që ta shkruaj këtë “promemorje” dhe t’a nis pa humbur kohë.
Tashti le të shikojmë veças secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej këtij realiteti të ndërtuar në mënyrë të tillë.
Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926 – 2017)
I:
Problemi në shfaqjen e tij ideologjike. Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për një realizëm të quajtur “socialist”. Pa qenë nevoja të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një “realizëm” ose, që prej momentit që ai ka nevojë t’ vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet se çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej.
Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Nje inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… e kështu me rradhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!…
Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave, ata vijnë në faqet vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike!…
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty ishin ndarë punët në mënyrën më të qartë . Mbretërit dhe Princat e kishin siguruar pjesëmarrjne e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tani a mund të pranohet si e drejtë që një gjë e tillë të zbatohet në shekullin e njëzetë dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?
Mesa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të drejtpërdrejtë me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si praktikë. Megjithatë gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e shgarravitjeve letrare, se ato si vepra të dobëta do të zverdheshin në vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vetë autorët e tyre. Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhrave fetare të murgjëve.
Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë “funksione” dhe “privilegje”
Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë këtyre viteve.
Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë mendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që “Halili dhe Hajrija” e Kolë Jakovës është një vepër e madhe!… Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si…
Më mirë le ta lëmë këtë pikë!…
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një çensure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë çensurë, atëherë ajo të krijohet si një institucion dhe t’i ushtrojë hapur funksionet e saj. Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimntarë, për mua ose për ndonjë tjetër, këtu del në shesh fakti se, pa u kuptuar , po ndërtoni një letërsi mesjetare, me konceptë mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Prandaj ka ardhur koha të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet një herë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind në një dhe nga një strukturë e caktuar, nga vetë forma e paraqitjes merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të ketë vdekur struktura që e lindi!… Shoqëria e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme ndërhyrjet brutale në punët e artit, sidomos nga njerëz që nuk kanë asnjë kuptim më të vogël rreth natyrës së tij të veçantë. Formave monarkike të ndërhy-rjeve të ndryshme duhet t’u jepet fund dhe të lihen të qetë shkrim-tarët që kërkojnë nëpër shtigje të vështira rrugët e vërteta të artit. Nuk është mirë që të ndërhyni, duke u shtuar vështirësive reale në art vështirsi të tjera artificiale me anë të funksionarëve të huaj, që njohin vetëm, praktikën e përditshme burokratike, se arti nuk mund të jetë një ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara nga një qendër e plotfuqishme. Prandaj ju nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH.
Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t’ju jap më poshtë një, shembull që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë.
Dihet se romani im “Rinia e kohës sonë” është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër “Mbarimi i një mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani “Harbutët” i Sterjo Spasses është shkruar që më 1946!… Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që të shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë “Çlirimtarët”?…
Pse Partia ia boton me një zhurrnë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për t’a trumpetuar si ro-manin e parë në gjuhën shqipe?… Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të letërsisë shqipe…. Dhe dihet se në Shqi-përi janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane… Edhe në gjuhën shqipe!… A është e denjë që të merrej një, parti e tërë në-përmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla?
Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni. Duhet t’i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin e njëzetë, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të shtrenjta.
 
Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926 – 2017)

II:

Problemi në shfaqjen e tij politike. Është pranuar nga të gjithë se, sado i mençërn dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme, që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t’i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyra të pashmangshme tek pushteti një-dorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat, duke ndërprerë të gjitha ato veprirne organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është më një parti, por një repart kazerme. Në parti është një gjë e pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht për të gjitha problemet që ka shoqëria. Vetëm kur t’a kemi diskutuar çështjen gjer në fund, ajo mund të vihet në votë dhe pas votimit do të vihet në jetë vendimi i shumicës.
Po si veprohet praktikisht tek ne?
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën kundër meje ve-tëm gjatë këtij viti. Të gjithë të deleguarit që nga prokurori Njazi Shehu, që erdhi në fillim, dhe gjer te sekretari i KQ. Manush Myftiu, ishin njerëz që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia, Atë-herë si erdhën këta njerëz të diskutonin çështje, për të cilat nuk ishin fare të përgatitur?
Në një numër shumë të madh antarësh partie ekziston mendimi pa bazë se nuk ka kala që nuk e marrin komunistët, por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë se ata nuk mund të bëjnë , bie fjala, një filxhan të thjeshtë kafeje!… Megjithatë duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo kala, vijnë në Lidhje të Shkrimtarëve si “nënoficerë” dhe “oficerë” dhe na kujtojnë se jemi “ushtarë të partisë”.
Në këtë qëndron një gabim shumë i rëndë. Në qoftë se ne do të pranonim se jemi ushtarë të partisë, siç bëjnë me mburrje shumë njerëz, pa u thelluar në një gjë që shkon shumë larg, atëherë do të na duhej të pranonim se ka oficerë… Pastaj do të shkonim më larg, ne do të pranonim se ka edhe gjeneralë dhe, mbi të gjitha, një kryegjeneral!…Dhe ç’do të bënin të gjithë këta njerëz të mbyllur në këtë piramidë të çuditshme?
Kuptohet!… Do të asgjësonin njëri-tjetrin!… Dhe për këtë duhet të mendoheni ju, që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra e gjer në bazë, do të kërkohet gjithnjë e më shumë shtypja e çdo mendimi, gjer sa të arrihet që të mos ketë më asnjë mendim, përveç mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht kardinali Risheljë dhe i shkatërroi me luftat e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë. Shqipëria nuk është në gjendje që të luftojë me ndonjë shtet, rrjedhimisht do të luftojë në mënyrë të çuditshme me veten e saj dhe në këtë mënyrë financat e saj do të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe shtypja e mendimit, edhe brenda rradhëve të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rezikshëm për atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda rradhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë.
Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë “Promemorie” të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do t’i keqinterpretoni mendimet e mia.
 
Mbetem me respekt, Kasëm Trebeshina
Tiranë, 5 tetor 1953

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.