Duke kujtue Kardinal Mikel Koliqin
nga Dr. Lazër Radi
Fati e ka dashtë,
që në nji hark prej gjashtëdhjetë vjetësh
të takohem disa herë me Dom Mikel Koliqin.
Po përpiqem me jua sjellë lexuesve
këto takime mjaft të randsishme
me Prelatin ma të naltë të kishës katolike shqiptare… l. radi
Takimin e parë e pata në Shkodër – në fund të prillit të vitit 1936, mbas suksesit të shkëlqyem që pati me muzikimin e melodramit “Rozafa” vepër e dramaturgut të talentuar Dom Ndré Zadeja. Në at kohë Dom Mikeli, ishte famullitar i Shkodrës dhe drejtues i “Schola Cantorum” të kathedralës së qytetit.
I shkova në qelë se doja me e njoftë dhe me bisedue me të. Në këtë kohë, përveç se nxanës i Gjimnazit të Shkodrës, isha edhe korrespondent i gazetës “Shtypi” që botohej në Tiranë. Dom Mikeli, ndonëse i zanë me punë, më priti me kënaqësi dhe u ndal gjatë në bisedë me mue. U interesua për jetën në konviktin e “Maleve Tona” dhe për trajtimin që na bahej atje.
Më tregoi se ndër ato ditë ishte shumë i zanun, sepse veç punëve të famullisë, shumë kohë i kërkonte edhe muzikimi i disa melodramave shqiptare që ai i kish marrë në ngarkim me i muzikue. Më foli për këto drama dhe më tha se së shpejti ato do të shfaqeshin në sallën e teatrit të Kolegjit Saverian.
U ndava me Dom Mikelin me përshtypjet ma të mira. Me mirsjelljen dhe bujarinë që e karakterizonte, më përcolli deri te porta e daljes:
-Këtu në Famullinë e Shkodrës dyert i ke dyert e hapuna – eja sa herë të duesh, se je i mirëpritun!
***
Më 26 prill 1936, duke përfitue nga fakti se isha korrespondent i gazetës “Shtypi”, u paraqita në hyrjen e sallës së shfaqjes të Kolegjit Saverian dhe, të ngarkuemit me sistemimin e spektatorëve, më vendosën në njenin nga rreshtat e parë.
Do të shifnim melodramën “Rozafa”.
Sa herë kisha shkue n’at kala të famshme për me pà rrjedhën e langut të bardhë gëlqeror në muret e hymjes në kala. Njerëzit, vazhdimisht kanë besue në mrekullinë që mund të bante ai lang i bardhë gëlqeror te nuset që kanë fëmi të gjinit.
Ndërkohë salla po mbushej. Ndjehesha shumë i emocionuem dhe prisja padurim t’fillonte shfaqja. Dom Mikelin e pashë duke drejtue orkestrën dhe korin. Nuk vonoi dhe shfaqja filloi.
Me shumë vëmendje po ndiqja sidomos muzikimin e veprës. Dom Mikel Koliqi, paraqitej për të parën herë me nji vepër të plotë muzikore shqiptare, d.m.th. me nji melodramë të shkrueme nga nji poet shqiptar dhe të muzikueme po nga nji kompozitor shqiptar. Për mua ishte diçka krejt e re, që i paraqitej skenës shqiptare. Ndonëse kisha shumë emocione, përpiqesha me ruejtë gjakftoftësinë dhe me e ndjekë shfaqjen me vëmendje e pasion. Drama, ndonëse e vështirë, u luejt shumë mirë dhe ekzekutimi muzikor ishte aq i përsosun sa mos me ia pasë lakmi as melodramave ma të mira të kulturës botnore. Përmbajtja e dramës ishte e tillë që të emociononte edhe kur e lexon si baladë e jo ma kur e shikoje të zhvillueme si nji melodramë me muzikë krejtësisht me frymë shqiptare.
E theksoj, s’ishte gja e lehtë me u muzikue nji dramë aq e fuqishme, siç asht ngritja e kalasë dhe murimi i Rozafës, kësaj nuseje të ré që vërtet sakrifikon veten, po ajo lente në mëshirë të fatit vajzën e vet të gjinit. Rozafa e vetdijshme se duhet me u varrosë për së gjalli, sepse ato ledhe të fuqishme kërkonin fli njerzore. Ishte parathanë, se pa fli njerzore ndër themele, kalaja s’do të mund të ndërtohej kurrë. Këtu fillon akti sublim: Rozafa sakrifikon vedin, po njikohsisht kemi edhe pabesinë: s’duhej të vinte Rozafa në kala, nuk e kishte ajo ditën me ju sjellë ushqimin mjeshtrave, duhej të vinte njena prej dy nuseve të mëdha. Dy vllaznit, duke shkelë besën mos me njoftue nuset për sakrifikimin që do të bahej – jo vetëm i njoftuen nuset e tyne, po edhe i porositën mos me e sjellë ato at ditë bukën e puntorëve në kala…
Përveç dramës dhe muzikës së shkëlqyeme, aty patëm rast me ndigjue edhe korin e drejtuem prej vetë Dom Mikel Koliqit, ndigjuem kangë shumë të bukura si gjatë shfaqjes së veprës, ashtu edhe midis akteve. Patëm rast të ndigjonim të ekzekutueme pjesë nga Mendelssohn-i, nga Muller-i, nga Heim-i e nga Praglias. Bile kangën “Kthimi i grigjës në vathë“, kompozue nga Muller, u përsërit për së dyti, sepse populli e kërkoi me duertrokitje të parreshtuna.
***
Më 25 prill 1937, në sallën e theatrit të jezuitëve, munda me ndjekë melodramën e ré të Zadejës “Rrethimi i Shkodrës”. Edhe kjo melodramë pati nji sukses të jashtëzakonshëm, sepse edhe kjo preku ndjesitë ma të holla të qytetarëve shkodranë – si nga pikëpamja e krenarisë kombtare ashtu edhe nga ajo lokale, sepse – me të vërtetë ajo luftë ka qenë nji vepër madhështore e popullsisë në shërbim t’atdheut e të idealeve të nalta kombtare.
Pjesët muzikore të melodramës “Rrethimi i Shkodrës” i ka kompozue me mjaft shije dhe mjeshtri Dom Mikel Koliqi, i apasionuem mbas muzikës dhe me nji mjeshtri të hollë ekzekutuese pjesë shumë të vështira të autorëve të njoftun të muzikës botnore.
Aty, në ato ledhe të kalasë zhvillohet epopeja dhe lavdia e pavdekshme e nji populli heroik që ka vendosur të mbrojë veten dhe vendin e të parve, Atdheun, duke flijue edhe jetën.
Te porta e kalasë zhvillohet nji betejë e ashpër që përfundon me fitoren e plotë të shkodranëve. Aty zhvillohet nji luftë e hatashme, nji luftë fyt për fyt, mbi grumbuj krenash të këputuna, nji luftë ku marrin pjesë burra e gra, djelm e vajza – të gjithë luftojnë me heroizëm, shkrihen dhe flijohen në altarin e Atdheut. Në apotezë shpërthen kanga fitimtare:
Largou Sulltan/ Ktu s’ke çka ban,
Shqiptarë na jem/ Një flamur kem:
S’e lshojmë aspak/ E mbrojmë me gjak
***
Shfaqjet e melodramave u banë pjesë e jetës së qytetit të Shkodrës. Me 19 dhjetor 1937, në sallën e theatrit të Kolegjit Saverian shfaqej melodrama e tretë “Ruba e Kuqe” e Dom Ndré Zadejës e muzikue sërish nga Dom Mikel Koliqi.
Melodrama përfshinte ngjarjet prej lëvizjeve shqiptare të viteve 1910-1912. Te hija e nji trungu të vjetër, simbol i përjetshëm i Atdheut, burrat e Malcisë janë mbledhë në Kuvend. Shpendi, lahutari plak këndon:
Atdhé, o trung i vjetër/ T’shtrëngoj me përmallim,
Pret gjethi gjethin tjetër/ N’uzdajë e n’dallëndim.
Në dritë të hanës qetë/ Këndon bilbili plak
Kush di moj llamp’e zbetë/ Se jena gjall’o pak…
Tek ai trung i vjetër, zhvillohet Kuvendi i Krenëve të Malcisë dhe prej aty shpallet kryengritja. Pikërisht aty zen fill lufta e Deçiçit.
Jemi në vitin 1912.
Asht koha e rrethimit të Shkodrës. Përpara spektatorëve shkodranë, shpaloset një skenë e magjishme: Në breg të Liqenit të Shkodrës, mbi nji pelikan lundron zana e Shkodrës. Bashkë me të asht edhe Zana e Toskënisë. Kjo e fundit e tmerrueme nga ngjarjet e përgjakshme të vitit 1914, bashkohet me motrën e vet shkodrane dhe, në at lundrim andrrimtar këndojnë së bashku në duet nji barkarolë, të kompozueme hyjnisht nga Dom Mikel Koliqi:
Hajt letë – lundricë e qetë/ Kadalë e mos ban valë,
Hajt pra e mos ban za,/ Hije të bardha e pelikana
Mir’e dij çka duen me thanë./ Por kto brigje vetmitare
O dëshmorë, për ju nuk janë./ Ju t’përgjakun e t’dermishun
N’zemër t’saj e ngulni at skjep/ ………
Hije t’bardha e pelikanë/ Vetmitar, t’liqenit tonë,
Shok’t e tu heshtojnë për ana/ N’at Himarë, n’atë Korçë, n’atë Vlonë!
Muziktari i “Rubës Kuqe”, Dom Mikel Koliqi, i dha shfaqjes nji shkëlqim të tillë sa që ajo u ngulit fuqishëm në mendjet dhe zemrat e krejt spektatorëve. Si fjalët e dramës ashtu edhe muzika e saj ndikuen në mënyrë të fuqishme në zemrat e rinisë shqiptare. Pikërisht flamurtari i shfaqjes, i riu Ndoc Jakova, disa vjete ma vonë, u pa në krye të demostratave, në krye të rinisë duke udhëheqë atë kundra komunizmit. Janë pikërisht vargjet e flakta të “Rubës Kuqe”, që e frymzuen rininë me frymë atdhetare:
“Nana e jonë asht Shqiptaria/ Për të kur na thrret buria
Bahna copë e bahna flia/ E Shqipës-o”.
Në të gjitha këto shfaqje, poezia e mrekullueshme e Zadejës bashkohej me muzikën e ambël e plot nerv të Dom Mikel Koliqit. Gjithë na spektatorët e atëhershëm s’i harrojmë ato melodrama shqiptare: shqiptar teksti, shqiptare muzika, shqiptare orkestra. Ishte diçka e re që s’kishte ndodhë kurrë ma parë. Ato krijuen nji atmosferë të tillë, sa në krejt qytetin s’flitesh tjetër veç për ato ngjarje. Ishin tri melodrama të shkëlqyeshme: “Rozafa” e shkrime në ambëlsi, “Rrethimi i Shkodrës”, epike dhe luftarake dhe “Ruba e Kuqe” heroikja dhe frymëzuesja e Rilindjes Shqiptare.
Shkodra e melodramave të Koliqit dhe Zadejës kishte ba epokë në muzikën shqiptare…
***
Siç e përmenda ma nalt, kisha qenë pjesëmarrës në të tria shfaqjet, dhe do të kisha dashtë t’i shihja e t’i ndigjoja disa herë ato kangë e valle shqiptare. Të tria shfaqjet më lanë përshtypje të paharrueshme, sepse përmes tyne po më realizohej dëshira ime ma e madhe me ndigjue muzikë me shije dhe frymë shqiptare.
Muzika e Dom Mikelit qe punue vërtet me frymë të ré, ishte e bukur, e thjeshtë, e kapshme. Pjesa ma e madhe e atyne kangëve, në mënyrë të veçantë kanga e Loredanit, të jep përshtypjen sikur e ke ndigjuar vazhdimisht, aq e kapshme qe ajo melodi e krijueme prej vetë Dom Mikelit. Në fund të shfaqjes, duke dalë nga salla, të shungullojshin në veshë fjalët:
“S’e lshojmë aspak/ E mbrojmë me gjak,
Shqiptarë na jem/ Një Flamur kem
Kjo qe nji provë e shkëlqyeme, i cila dëshmonte se kangët shqiptare kanë nji harmoni të përsosun dhe, po të përdoren me mjeshtri e shije notat muzikore, s’kishim pse t’ia lakmonim askujt krijimet artistike.
Asht fakt se mbas kompozimit të këtyne tri melodramave, Dom Mikel Koliqit iu shprehën mirënjoftje të shumta dhe iu banë urime që të vazhdonte të krijonte dhe t’i falte muzikës shqiptare kryevepra të tilla…
***
Mbas pesë vjetësh, në pranverën e vitit 1942 – takohem në Romë me Dom Mikel Koliqin. Kishte ardhë për t’i vu kunorë vëllait të vet, Prof. Ernest Koliqit që martohej me Vangjelia Vuçanin, arsimtare nga Tirana.
Para nji elite të zgjedhun dhe në prani të miqve dhe të dashamirëve ata vunë kurorë në nji kishë të vogël të lagjes aristokrate Parioli. Dëshira e Ernestit kishte qenë që i vëllai i tij Dom Mikeli t’ia vinte njat kurorë. Dhe ashtu u bà!
Pas celebrimit të martesës, ashtu siç ishim, me vetura shkuem në rrugën e famshme Vittorio Veneto, ku në sallën e hotelit luksuoz “Ekscelsior” ishte shtrue për krejt ne të ftuemit nji banket i nji elegance të jashtzakonshme. Aty patëm rast me u njoftë dhe me kuvendue edhe me njerëz të tjerë të artit e të kulturës, me miq të Ernestit të ardhun nga vende të ndryshme. Në at mjedis luksuoz, në fund të banketit, bashkëshortët Ernest dhe Vangjelia na servirën me konfektet e bardha të dasmës.
Mbas ceremonisë, në hollin e atij hoteli luksoz u ndalëm në një bisedë shumë të përzemërt me Dom Mikelin. Unë aso kohe isha në valën e studimeve. Ishte viti i fundit dhe do të jepja gjashtë provime si dhe tezën e doktoratës. Dom Mikeli, u interesua shumë për përmbajtjen e tezit doktoratës sepse simbas tij iu duk mjaft interesante: “Le consuetudini giuridiche come attivita spirituale del popolo albanese” (Doket ligjore si veprimtari shpirtnore të popullit shqiptar).
Zgjedhja e ime iu duk pak e vështirë, veçse e vlersoj si “e bukur dhe interesante”. Kur i thashë se tezën do ta zhvilloja me Profesorin e Filozofisë të së Drejtës Cesarini Sforza, më tha se e njihte dhe se ishte profesor i mirë dhe shumë kërkues. I kallzova se kisha disa muej që po punoja me Profesorin dhe se më kishte dhanë nji ndihmë të madhe për me dalë sa ma mirë. Mbasi më dha disa udhëzime dhe më tregoi disa gjana shumë interesante nga eksperienca e tij, në Malsitë e Mbishkodrës, u ndamë me porosi që kur të kthehesha në Shqipëri të shkoja ta takoja në Shkodër…
* * *
Në qershor të atij viti dhashë gjashtë provimet dhe tezën e doktoratës. U ktheva në Shqipni me krye stazhin e avokatisë. Mbas tetëmbëdhjetë muajsh kisha fitue edhe titullin e avokatit për me ushtrue si profesion në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës dhe Durrësit.
Shqipëria përjetonte ditë të vështira. Mbas kapitullimit të Italisë – ushtritë gjermane u instaluan në vendin tonë. Jeta ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore ishte krejtësisht e paralizueme.
Kah fundi i vitit 1944, në Tiranë u instalue qeveria komuniste. Veprimi i parë i kësaj qeverie monstruoze ishte burgosja masive: do të burgoseshin të gjithë ata që në jetë, në aktivitete dhe në shoqni kishin mbajtë qëndrim nacionalist.
Mbas dhjetë vitesh burgimi, menjëherë më internuan: fillimisht në çuen në Savër, mandej në Shtyllas e në Radostinë… Për me kalue katër vite në Kuç të Kurveleshit! Prej andej më sollën përsëri në Myzeqe, në kampin e Gradishtës. Aty – mbas Shkodrës, dhe Romës u takuem përsëri me Dom Mikel Koliqin në at tragjedi që kishte vite që po e hiqshim mbi shpinë të dy… Të grumbulluem pranë shtratit të kazermës filluem bisedën për ato ditë të mrekullueshme, për me mbrritë te ai kalvar që kishim përjetue e po përjetonim pafund gjatë atyne kohnave.
Eh çfarë qëndrese gjeta te ai njeri! Vuejtjet e tij si vuejtjet e Krishtit!!
Aty, mes baltrave të Gradishtës, kishte ngritë nji kasolle të vogël dërrase, ku kishte vendosë nji shtrat dhe nji tavolinë. Mbi at tavolinë për çdo mëngjes thoshte meshën. N’ato fillime kishte pak liberalizëm… Eksperienca e represionit komunist e kishte shpalosë me gjithë monstruozitetin e vet dhunën e pakufi. Mbas burgjeve pafund, priftat e interrnuem aty si Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazreku, Patër Mark Arapi, Dom Ndoc Sahatçia etj. ishin lejue të bànin ndonji meshë në kamp. Kishim të drejtë edhe të rrëfeshim edhe të kungoheshim. Në raste festash të mëdha si Krishtlindjet dhe Pashkët na lejonin me instalue nji elter përjashta dhe ta ndigjonim meshën si kolektiv.
Si gjithë liritë e vogla e me pikatore, edhe ky privilegj mori fund shumë shpejt! Në pranverën e vitit 1967 – partia komuniste, e egërsueme, e tërbueme si kurrë ndonjëherë – u ngrit sërish me egërsi në sulm, dhe me nji goditje rrufé, shkatërroi krejt institucionet fetare, në mënyrë të veçantë, u ngrit kundër kishave dhe klerit katolik, të cilin e konsideronte si baluardin e reaksionit shqiptar. Me nji barbarizëm të papamë e me nji cinizëm të neveritshëm, mbrenda pak ditëve, të gjitha institucionet e kultit u shndërruen në salla turpi, në salla argëtimesh banale, në teatro karagjozësh e në lokale sportesh…
Komunistat gjithnji i mbanin sytë nga Shkodra, sepse pikërisht aty duhej shkatërrue historia, se n’at qytet i feja i kishte rranjët ma të forta dhe organizimin ma të mirë se askund tjetër. Me kët’ veprim absurd, e çnjerzor, të denjë vetëm për nji komunizëm gjakatar, si ai shqiptar – iu dha goditja ma e përbindshme Shkodrës, fesë dhe dhe kulturës.
Organizata e “Frontit” të këtij qyteti, më 15 prill 1967 organizoi një mbledhje në auditorin e institutit Pedagogjik, ku ma shumë se 3000 vetë kishin mbushë jo vetëm sallën e madhe të falkultetit, por edhe korridorët, edhe rruga në hyrje të institutit me aktivistë.
Prej aty nisi mashtrimi i madh dhe hipokrizia ma e pështirë!
Shpifje nga ma të pacipat, gënjeshtrat nga ma të poshtra, sulme nga ma të egrat e ma të pakontrolluemet dolën nga britma e turmës së egërsueme sjellë përdhunshëm aty me marrë nji vendim të kobshëm. Doemos, që nga ai çast jeta e klerikëve shqiptarë filloi të bahej ma e vështirë se kurrë. Ishte nji jetë pothuaj e padurueshme! Atë që kishte bà komunizmi shqiptar s’e kishte bà asnji pushtues.
Të gjitha shërbimet fetare u ndaluen rreptësisht. Burgjet dhe kampet e përqëndrimit ishin streha e vetme e atyne njerëve që ia kishin kushtue gjithë jetën Zotit. Gjithë klerikët u njoftuen se për çdo veprimtari të kultit – do të procedoheshin me burg ose vdekje. O Zot! Atë që as nëpërmënd s’e kishim shkue këta po e bànin!!!
Këta s’linin gjà pa bà…!
* * *
Për Dom Mikel Koliqin dhe gjithë shërbestarët e Zotit, po fillonin kohna edhe ma të këqia edhe ma të tmerrshme! Asnji shërbim fetar! Ishte porosia e veçantë e komandës. Të vëzhgoheshin me kujdes të gjitha lëvizjet e klerikëve, sidomos kujdes tregohej ndaj tyne nëse mund të jepnin ndonji meshë në mënyrë klandestine. Një veprim i tillë, sipas udhëzimeve të fundit, konsiderohej krim dhe mund të dënohej. Tani, si policët me uniformë edhe informatorët “vullnetarë“ ishin bà shumë aktivë dhe për dyshimin ma të vogël raportonin menjiherë në komandë.
Dom Mikel Koliqi ishte njeri që në asnji mënyrë s’pranonte me i shkelë rregullat e kampit. Nuk pranonte të bante asnji veprim që mund të vinte në kundërshtim me urdhnat e komandës. Megjithatë, edhe në ato kushte tejet të vështira e shumë të rrezikshme ai kishte ruajtë nji “stol” të cilin nga njena anë e kishte vesh me nji shall të vetin dhe e mbante nën xhaketë gjoja për ta mbajtur nxehtë. Me këtë “stol”, shtri mbi shtratin e vet, mbuluar kambë e kokë me batanije, për çdo mëngjes – mbasi lahej e pastrohej – futej në shtrat, mbulohej kambë e kokë dhe, për çdo ditë, thonte meshën e vet, e cila për rrezikun që mund të paraqiste ishte shumë ma e vlefshme se çdo meshë tjetër që mund të celebrohej qoftë edhe në katedralen e Shën Pjetrit.
Mbas ca kohe, Dom Mikelin – për dënim – e transferuen në kampin e Gjazës. Gradishta filloi të konsiderohej si vend i privilegjuem, sepse Lushnjen e kishte më afër. Gjaza ishte nji fshat ma i thellë, ma i zhytur ndër baltra dhe mjaft larg qytetit. Për këtë arsye Gjaza konsiderohej si vend ma i përshtatshëm për interrnim të randë, edhe si njilloj izolimi nga qendrat e tjera të internimit.
Dom Mikelin komanda s’e shikonte me sy të mirë! E urrente sepse ai kishte nji qëndrim tepër dinjitoz, mund të them madhështor: të detyronte të ishe i kufizuem në bisedë me të, të mbaje pak distancë dhe ta respektoje. Asnji autoriteti – kur vinin me vizitue kampin – nuk i jepte konfidencë dhe përpiqej sa ma shkurt të komunikonte me ta.
Natyrisht autoritetet dinin shumë gjana për të! Dinin se ishte i pajisun me nji kulturë shumë të gjanë, se kishte njohuni si për klasikët ashtu edhe për modernët, dinin se ishte kompozitor, dinin gjithashtu se ishte i vëllai i Ernest Koliqit – ordinar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Romës. Ernesti njikohësisht drejtonte edhe revistën letraro-kulturore “Shejzat”. Shpesh vijshin autoritete nga Ministria e Brendshme dhe e pyesnin për Ernestin:
-Tash sa vjet nuk dij asgja për të!
Gjallë e shëndoshë e ke – bile është majmë si derr! Ai boton në Romë një revistë gjoja letrare “Shejzat” – në të cilën na shan e na denigron sa mundet…
-Kam disa vjetë që m’u kanë pré të gjitha marradhënjet si me vllëzërit ashtu edhe me prindërit!
-Ti je shumë i zgjuar: Nuk të shihen kurrë këmbët, është shumë e vështirë me të kap ty në gabim!
-Unë i njoh dhe i respektoj ligjet dhe rregulloret e shtetit.
* * *
Edhe aty në Gjazë – në at fshat të humbun të Myzeqesë – Dom Mikeli u rregulluen mjaft mirë në nji ahure të cilën “komanda” e quente dhoma e beqarëve.
Në Gjazë, sigurisht e sollën për dënim! Mbasi në Gradishtë, qëndrimi tepër dinjitoz i Dom Mikelit, u bà i padurueshëm dhe i pa dëshërueshëm për autoritetet komuniste lokale. Meqë sjellja e tij ishte shembullore, heshtja e tij e plotë dhe rezervimi ishte total. Asnji lëvizje e tij nuk lejonte dyshim. Heshtja e tij ishte e plotë, rezervimi i tij total për çdo gjà që do të mund të konsiderohej si vepër armiqësore ndaj partisë dhe shtetit.
Në kët drejtim Dom Mikeli ishte shembull: shumë korrekt në marrdhanie me njerëzit, si natyrë i heshtun dhe i rezervuem, fjalëpakët – thoshte vetëm ato që i nevojiteshin me u marrë vesh me të tjerët.
Asnjiherë s’e ndërpreu veprimtarinë e tij fetare. Në mënyrë ma klandestine qoftë edhe në shtrat, në vetmi thoshte meshën e tij të përditshme.
Në Gjazë kisha vajzën. Duke përfitue nga kjo rrethanë, shkoja ma shpesh n’at fshat të skajshëm dhe të humbun të Myzeqesë! Shkoja pra jo vetëm me takue vajzën dhe nipat, por – shkoja qëllimisht për me takue dhe me ndejtë pak çaste edhe me mikun tim stoik Dom Mikelin. Vinte edhe te shtëpia e vajzës dhe, duke përfitue nga njifarë vetmie na rrëfente dhe na kungonte me hostje që i mbante të mbështjelluna në nji letër të bardhë.
N’ato vite të shumta burgjesh dhe internimesh – që zgjaten gjer në përmbysjen e komunizmit – Dom Mikel Koliqi qëndroi “integral”, asnjiherë s’e pashë të zemruem, asnjiherë të demoralizuem, asnjiherë të mbante inat me njeri.
Ishte besimi dhe forca hyjnore që e mbante të fortë e të pathyeshëm. Asnjiherë besimi i tij s’u dobësue, asnjiherë s’e humbi shpresën se Katedralja e Zojës së Shkodrës, do të kthehej përsëri kishë, dhe, si dikur shkodranët që e ndoqën në kambë figurën e shenjtë të Zojës deri në Genazzano t’Italisë, përsëri shkodranë të rinj do të gjenin tek Zoja e tyne rrugën e shpëtimit prej së keqes së madhe dhe afrimit me Perëndinë.
* * *
Dom Mikeli – siç jemi mësue ta thërresim për ma shumë se nji gjysë shekulli – kishte besim të madh në mrekullitë e Zotit. Ky besim e mbajti të fortë e të pathyeshëm gjatë gjithë periudhës së shtrëngimeve barbare dhe torturave ma çnjerëzore. Ky besim në Zotin dhe në mrekullitë e tij, i dha forcë e vullnet me u ba ballë shpotive, torturave, akuzave, gjyqeve, e dhunimeve pafund të komunistave. Fyemjet dhe privacionet e kësaj periudhe kaq të mbrapshtë, jo vetëm për nji prelat të tillë të nderuem siç ishte Dom Mikeli, por edhe për gjithë popullin ishin diçka jo njerzore, jo shqiptare.
Qëndrimi i tij burrnor, zemra e tij plot mëshirë e dashni për njerzit – u shpërblye me mirësinë ma të madhe: në fillim arqipeshkëv e ma vonë kardinal – i pari Kardinal i katoliçizmit shqiptar.
Na që e kemi njoftë për së afërmi, që e kemi ndà edhe kafshatën e gojës në kampet e egra të regjimit komunist – e dijmë mirë sa stoik, sa shpirtmadh, sa i durueshëm, i pathyeshëm qe ky njeri, të cilin vullneti i Perëndisë e ngriti në rangun ma të naltë të hierarkisë kishtare shqiptare.
Duke u nda prej këtij njeriu të madh nuk mund të rrijmë pa i thanë se: jonet e bukura të melodramave të pavdekshme të përcillshin kudo në rrugën tande të dritës dhe mundimit.
Dr. Lazër Radi
Dom Mikeli ishte vërtet një njeri që mund të quhej Mirësia vetë… Aq i i urtë, aq i sjellshëm, aq i kulturuem, aq i dashur, me nji fjalë njeri i mrekullueshëm dhe i pashoq me nji buzëqeshje që ja falte kujdo dhe me shumicë…
Si shumë prej familjeve tona që jetuam interrnimin në Gjazë të Lushnjes, patëm fatin ta njofim, të jetojmë dhe ta kishim mik Dom Mikelin… Deri sa të vdes nuk do ta harroj at arrestimin e tij në vitin 1977… U dëshpëruam të gjithë ne miqtë e tij, dhe na dhembi shpirt që na e morën Dom Mikelin tonë të mirë… Po ma e poshtra ishte mënyra dhe skenari se si e morën… Më kujtohet që mbasi i përsëritën at fjalën rrënqethëse “Ne emër të popullit” je i arrestuar… ia vune prangat publikisht dhe e drejtuan për te xhipsi i Degës ata 01 e famshëm me pamjen e nji ujku të uritur, dhe ai me zor po e ulte kokën që të futesh brenda… Polici e shtyu me forcë dhe ja përplasën kokën në hekur të shkretit… Në atë moment e thirra Zotin… A thu i shef, o Zot se ça po bajnë me njerëz të pafajshëm????
Dom Mikeli në atë kohë kur e arrestuan ishte 72 vjeç…
Kur atë e kishin fut në xhips dhe po i bënin kontrollin, të gjithë fshatarët e zonës e gjuanin dhe e pështyshin të mirin prift, të urtin njeri… Në atë kazermë beqarësh ku kishte jetuar gjithë kohën kishte zënë një cep dhe e kishte mbyllë me perde… Ishin motrat e tij të dashtuna që e mbanin gjallë… E ndër të tjera i kishin sjellë edhe një radio të vogël me kufje… Mbas kontrollit ajo ishte e vetmja gjë që i gjetën, po edhe aq u mjaftuan që të përhapnin në popull: “E patë? I gjetëm radio-marrse një krimineli që lidhesh me armikun, sepse jepte e merrte lajme me armiqtë e popullit për të përmbysur Pusht-etin… Mbasi e futën Dom Mikelin në burg… Kampi i Gjazës, nuk ishte më njësoj për mua… Na mungonte ajo mirësia, buzqeshja dhe përshendetja e atij njeriu fisnik, na mungonte ajo pamja e tij i ulur në stol aty te dera e kazermës beqarve…