back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Duke lexuar poemën “Ti m’u bëre Doruntinë” Lazër Radi

Gazeta

Dr. Lazër Radi - Tiranë 1995
Dr. Lazër Radi – Tiranë 1995

Duke lexuar poemën “Ti m’u bëre Doruntinë”*

të Hajdin Abazit nga Lazër Radi

Vetë gjetja e këtij titulli të bukur më intrigroi të “vrapoja” me nji frymë deri në fund të 33 idileve të kësaj poeme. Kush iu bë Doruntinë: e ëma, e motra apo e shoqja?
Dihet se Doruntina është heroina e balladës së Vesës, motra e atij vëllai, që edhe pse i vdekur ngrihet nga varri për t’i plotësuar premtimin e dhanë së ëmës se do t’ia silltë të bijën edhe nga fundi i botës. Ballada me temën e Doruntinës është nji nga krijimet ma të lashta e ma të bukura të folklorit shqiptar. Dimensionet morale dhe artistike të saj janë tejet të thella. Pa droje mund të them se ajo është nji balladë gjithëshqiptare, sepse këndohet si në jug dhe në veri të viseve tona. Në Jug, së bashku me variantin arbëresh, dominon linja djalë-nënë, ndërsa në tipin verior zotëron linja vëlla-motër.
Isha kureshtar të shihja tek Hajdin Abazi në ç’variant na paraqitej Doruntina legjendare, dhe pashë se Poeti nuk ndiqte as variantin e jugut dhe as atë të veriut… Hajdini kishte gjetë një rrugë tjetër, një rrugë të vetën origjinale: të pastër, tradicionale, shqiptare: burrë – grua. Në “kangjelen” e katërt më ranë në sy vargjet:

“…ti u nise/ e mua më bëhet sikur hyre në legjendë
në një përrallë të vjetër/ për të takuar nënëloken/ zemërshkrumbuar.
Tek tundnim duart në ndarje/ ti m’u bëre Doruntinë…”.

Hajdin Abazi (1959)
Zv.Ministri i Kulturës Hajdin Abazi (1959)

***
Ky është i treti libër poetik i Hajdin Abazit që ka marrë udhët e rrugëtimit nëpër viset shqiptare. Është e vërtetë se këto vargje janë të mbushura me shqetësime, por atyre s’u mungon as shpresa dhe as ëndrra.
Poezia e Hajdinit do t’ishte e pakuptueshme po të mos ndiqet më parë me vëmendje at “curriculum vitae” të tij. Historinë e jetës së tij që lindi dhe u rrit në stuhi. Qysh në moshën 20 vjeçe dhuna serbe e përplasi burgjeve sepse:

“…veç nga burgu as një fotografi/ asnjë pamje nga përtej grilash
as kur milicët e huaj t’i vunë prangat/ pse shkrove në mure – LIRI!”

Ndonëse me tema të qeta, si të thuash “minore”, poezia e Hajdinit i fton njerëzit të ecin në rrugën e përparimit, po pa u shkëputë asnji çast nga tabani i kombëtar, i cili gjithsesi, për ne duhet të mbetet ma i miri në botë. Poeti thërret të luftohet padrejtësia, dhuna, tirania dhe mbjell kudo me durim e pasion shpresa dhe ndjenja njerëzore, e përpiqet t’i mbjellë ato edhe n’ato çaste të dhimbshme kur e sheh të birin t’i vdesë ndër duar i helmuar nga armiku. Të ndjekin së bashku disa frekuenca mjaft të trishtueshme të poezisë së tij:
“…
Në një tjetër fotografi/ e ngrirë një pamje e hareshme
nga lindja e parë/ kur ti u bërë nënë/ e unë baba
….
E pashë fotografinë e thellë ofshana/ se m’u kujtua trishtimi i mëparshëm
më erdhi ndër mend ai far shpirtxhelati Maroviq/ që si kobër
në vend që t’i mjekonte fëmijët/ i helmonte ata
ndaj u fishk një ditë/ si lulja në vapën përcëlluese/ Iliri i ynë

Eh ç’mu kujtua/ ai mjekxhelat Maroviqi/ që na e erri diellin
kur qenien e dashurisë sonë/ na e dha/ kufomë…

Përpara kësaj drame kaq tronditëse, Hajdini shpirtmadh, kënaqet vetëm duke na vënë në dijeni se çfarë nuk bën armiku, të na zhdukë si fis nga faqja e dheut. Poeti na jep vetëm shifra, shumat duhet t’i nxjerrim vetë ne të tjerët që me sytë tonë po shikojmë sa dhunë e ç’tragjedi njerëzore po derdhet mbi popullin e martirizuar shqiptar, që para njerëzimit ka të vetmin faj se ka lindun n’ato treva që vetë Zoti i caktoi si fole shqipesh.
Në kët libër të tretë, në këtë poemth prej 33 idilesh, kam përshtypjen se Hajdin Abazi ka ecë përpara në poezi. Pa vështirësi mund të gjeshë përdorimin mjeshtëror të vargut, has nji gjuhë të shkathët e muzikore, ku mund t’i shkëpusësh me gisht edhe nuancat ma delikate. Duke ecur nëpër vargje detyrohesh të kalosh shtigje të befasishme ku mund të lexosh si në pëllambë të dorës, dhimbjet dhe vuajtjet e poetit në vendilindjen e tij të pushtuar prej shkaut, si dhe përuljet e poshtërsitë që pëson në dhe të huaj si emigrant. Të gjitha këto ia mbushën syrin, mendjen dhe zemrën e autorit, i cili të gjitha këto përjetime e përshtypje, na i kthen në imazhe të goditura poetike për nji të ardhme me diell.
Në çdo çast të jetës e përcjell nji mendim i vetëm, në çdo hap e ndjek dëshira për t’u kthyer n’atdhe:

“Sa e largët qenka rruga e kthimit/ e tërheqka sekush
e zgjatka dhe e zgjatka/ pambarim
ik e ik pa pra/ çasti/ i ritakimit
E unë/ e imja Doruntinë/ në pritje/ pi gotën/ mbushur/ pelin!…”

Hajdin Abazi dhe nji aktiviste Koovare
Hajdin Abazi me nji aktiviste Kosovare

Hajdin Abazi ndonse i ka provuar në kurriz gjithë tmerret e burgjeve të komunizmit sllav, ndonëse qysh në djep e ka ndjerë peshën shkatërruese të dhunës, në mërgim e ka kuptuar të vërtetën se atje edhe kafshata e bukës është e hidhur si helmi, prap se prap ai s’e pranon asnjiherë ta përdorë poezinë si vegël që mbjell urrejtje dhe vdekje.
Ai e ndjen poezinë dhe e përcakton atë si nji mision që duhet t’i shërbejë zgjimit të ndërgjegjes së njeriut shqiptar dhe të bëhet instrument i luftës së tyre të drejtë për të fituar lirinë dhe pavarësinë.
Në këtë libër të ri Hajdin Abazi na del mjaft i larmishëm dhe ekspresiv. Vjershat, edhe pse të vogla, zbulojnë plotësisht mendimin e Poetit. Autori e ka të qartë se i gjithë populli shqiptar po përjeton kohën e një prove të madhe: një periudhë e këtillë kërkon edhe poezinë e vet: të thjeshtë, të qartë dhe frymëzuese. Me fjalë të tjera, me anën e thjeshtësisë së nji vargu të fuqishëm të shpërthejë ideja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar.
Vendlindjes ia kemi dhanë besën: dhe ajo po pret Doruntinën e vet…

* Nji shënim sqarues: Ky shkrim i mjaft delikat i Lazër Radit nuk ka shënim si zakonisht, por ka shumë mundësi të ketë shërbyer si parathënie e librit “Ti m’u bëre Doruntinë” të Hajdin Abazit, këtu e njëzet vite të shkuara, o në mos, të jetë nji shkrim që Lazri mund ta ketë botuar te “Rilindja” e Kosovës, aty rreth viteve ’94-’95… ose mund të jetë thjesht, nji shkrim i pabotuar…!! Ajo që ka randësi asht fakti se Ai i parandjeu vlerat e këtij djaloshi poet dhe me shumë dashuri ia ka kushtuar kët shkrim Hajdin Abazit, i cili sot është zv.Ministër i Kulturës së Kosovës… j.r.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.