back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Duke lexue nji opingë… nga Jozef Radi

Gazeta

Nji opingë...
Nji opingë…

Duke lexue nji opingë…

nga Jozef Radi

Ky objekt s’asht ndonji ufo i zbritun prej s’di se cilit qiell… as ndonji breshkë e zezë e dalun prej gjirizesh të ndonji kanali…
Ajo asht thjesht nji opingë e randomtë, (o nji opangë si mund ta quej ndokush) e cila ma parë se ta kishte nji emën të tillë, ka qenë ndonji gome makine, o gomë zetori… dhe mbasi ka bà rrugë e rrugë ndër baltna e asfalte, nji ditë t’bukur mbas lodhjeve e mundimeve të shumta asht ba martire, e ka shkue si për shërbim t’fundit me mbulue kambën e ndonji hallexhiu prej nesh… dhe kështu asht shfaqë me nji ftyrë paksa të re, duke vazhdue me bà rrugë e rrugë pafund, po tashma maleve, shtigjeve e monopateve derisa asht lodhë, e ka shkye gojën prej britmës dhe ka mbetë e vetmueme, e hjedhun diku midis rruge, njashtu me gojëhapë si nji ulërimë rrenqethse që s’e ndigjon ma askush…
Kjo opingë e pashoqe, s’asht as e Shekullit të shkuem, as e kohës së Mozotmakeqit, as pjellë e ndoj fantazie… asht thjesht opingë e kohës sodit… e sigurisht asht dhimbë e madhe që ende në kët vend ka kambë që mbulohen e mshehen mbas ksi gomash të shkyeme; asht trishtim pse për fat të keq paska ende njerëz që n’vend që me u ndalë para ndonji dyqani këpucësh, dhe me i pa kambët e tyne të ngrohen e të shndrisin, ndalen para ma t’parës gomë të hjedhun rruge dhe ju lumtunohet shpirti dhe sytë ju ndrisin… pse kambët e zbathuna edhe për do kohë, i kanë gjetë do “kundra”, dhe as dimni i rradhës, as shtigjet e maleve s’kanë çka me ju bà edhe për kët herë!!!
Edhe unë jam ndalë e po e lexoj me dhimbje kët opingë të mbetun jetime!
Deshta, po s’mujta me e lexue ndryshe… dhe besoj se as ju s’mund ta lexoni ma mirë…! Pse kur vorfnia i hyn njeriut për palcë, aq sa mbrrin me iu gëzue edhe nji opinge prej gome makinash… kallzon se koha jonë asht ndalë, se ajo s’mundet me ecë ma përpara! Edhe pse njeriu me të ne kambe, mundet me mendue se i ka hypë nji rrote simbolike që ecën shpejt, ajo kurrë s’ka me e mbrritë ritmin e botës!!!
I rashë nji shkelm asaj opinge mbetun midis rruge, me drojen se mos nji ditë ajo bahet fytyra e çdonjenit prej nesh!!!

27 shtator 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.