Dy Autorё nёn njё Kopertinё
nga Vehbi Skёnderi
-Shёnime pёr librin “Muret e muzgut” tё Lazёr e Jozef Radit –
Dalja e njё libri me poezi besoj se ёshtё njё ngjarje mё e rёndёsishme, se sa njё gol i humbur a i realizuar nё ndeshjet e javёs. E ndoshta ёshtё diçka mё tepёr, se sa kёnga e njё tё dёshtuari, qё mungesёn e talentit tё vet e mbush me tё thirrurat e tё çirrurat “moderne”. Por “Muret e Muzgut” veç asaj qё i takon çdo libri, ka edhe tё veçantёn e vet. Diçka tё jashtёzakonshme: pёrmban dy vёllime poetike dhe dy autorёt: At e Bir!
***
Po si u krijua portreti i dy poetёve?
Krishti shkeli zbathur gjithё rёrёn e shkretёtirave. Dy Radёt tёrё baltrat e kampeve. Gjithё thёngjijtё e rёrёs tё internimeve! Natyrisht ka edhe plot tё dhёna tё tjera, qё i afrojnё e i pёrngjasojnё me njёri tjetrin. Dikush, tejet dashamirёs, i shtyrё nga mendimi i njohur “bёmё o babё tё tё ngjajё” nё vend qё tё kёrkojё diversitet e tё zbulojё diversitetin (qё ёshtё gjithandej i pranishёm) rrёmih nё tё dhёnat gjenetike, biografike, historike, demokrafike, etnografike, etj e bёn çmos pёr tё “vёrtetuar” identitetin e tyne. Por, kjo “pёrkujdesje” ёshtё e pamenduar. Sado tё lidhur qё tё jenё nga trungu familjar dhe sado tё afёrt e tё dashur, si at e bir ata janё krejt tё ndryshёm si poetё. Ndoshta pikёrisht kjo ashtё dёshmia mё kokёforte, qё vёrteton se ata janё poetё!
Dikush tjetёr, edhe ky tejet “dashamirёs”, duke u nisur nga ndonjё paragjykim “klasor” dhe anakronik “Muret e Muzgut” i identifikon me muret e burgut e tё burgjeve. Dhe, padashur, ka prirje qё poetёt t’i kallё pёrsёri pёrbrenda katёr mureve tё birucёs. Ky zotni, qё mund tё jetё vёrtet dashamirёs, harron se poezia, kudo qё tё lind e tё ngjizet: nё fund tё honit apo nё fund tё detit, nёntokё apo mbi tokё, ka dimensionet e hapsirёs dhe ёshtё e destinuar qё tё matet me hapsirat.
Por çfarё mund tё themi tjetёr pёr tё dy autorёt sёbashku e nё veçanti?
Radi (At): Tragjik. Konçiz. Nganjёherё edhe cinik, megjithatё pёrpjekjet e stёrmundimshme pёr t’i shqyer vargojtё, ngelet prapё nё pranga. Eshtё si tё thuash, njё demon i lodhur. Gjysmё i gjallё, gjysmё i vdekur. Qё edhe kur ndihet i gjallё e i fortё, u truhet tё gjallёve.
Radi (Bir): Gjithnjё i brishtё. I butё. Diku i plagosur. Diku nё baltёn e dilemёs. Diku i penduar. Diku duke u nisur. Diku pret tё vijё dikush, pёrpara se tё niset. Diku… Po gjithnjё nё kёrkim tё vetes e tё poezisё. Por, natyrisht, ai qё kёrkon nuk gjen vazhdimisht. Nganjёherё poezia nis nё mes, apo nё stofёn e fundit. Nganjёherё, kujton se e ka kapur Luanin e Nemeas pёr lejlesh, dhe nuk e kap dot. Kёshtu qё ngelet diku, nё hyrje. Pa e gjetur e pa e zotёruar lёndёn.
I thashё qё tё gjitha kёto, jo pёr t’u pёrgatitur qё t’u them: Jozefi nuk ashtё poet! As pёr t’u thёnё: Ja poeti! (Eshtё apo nuk ёshtё, ju do ta shikoni vetё!) As pёr t’u thёnё: ёshtё diçka. Por ka humbur rrugёs, si ai pёrroi qё teret e zhduket nё ranishte. Jo! As pёr t’u thёnё: Faljani mёkatet tё ngratit! Posa ka dalё nga burgu. Dihet, se njё nga kryeveprat e poezisё botёrore ёshtё shkruar nё Ferr!
Po. I thashё kёto tё gjitha, pёr t’u dhёnё sihariqin: Erdhi Poeti! Dhe pёr tё dhёnё kёtё lajm tё gёzuar, nuk qenka nevoja pёr tё tundur zilet e kumbonat, te 70-80 poezitё e librit. Mjaftojnё edhe 5 poezi, 7 ose 10 poezi. Pra, unё kam kёnaqёsinё qё t’u them tё gjithёve: Ardhi Poeti! Bile jo vetёm. Erdhi me Babanё e vet. Duke e mbajtur pёr dore. Edhe duke u mbajtur pas dorёs sё tij!
Pra ata vinё qё tё dy midis nesh, duke ecur secili me hapin e vet dhe duke u mbajtur pas njёri-tjetrit. Kёshtu qё herё janё vёllezёr siamezё, herё tё veçantё. Bile tё kundёrt.
Dhimbja, bie fjala, ashtё e kudondodhur. Por te Radi (At) ajo ashtё gati plagё. Plagё e hapur! Kurse te Jozefi disi mё e butё, mё e pranueshme. E ndoshta mё e thellё.
Radi (At): Ka strukturё mё tё pasur. E thyen vargun kur tё dojё e kur t’i vijё pёrmbarё. Stis rimё tё brendёshme, aliteracione, asonanca. Shfrytёzon pa kurrfarё sforcimi mjetet stilistike tё cilat, jo vetёm i njeh, por edhe i zotёron mirё. Dhe befas, sikur ngec diku… Po ku ngec? Ku pёrplaset? Brenda strukturave tё padukshme, qё edhe pa i llogaritur, vazhdojnё tё jenё tё pranishme, brenda mbeturinave strukturale tё dikurshme apo brenda vetes?
Ndёrsa te Radi (Bir) poezia pёrcakton strukturёn e vet (kam parasysh poezitё mё tё arrira!) pa e piketuar kush. Domethёnё as vetё Jozefi! Eshtё frymёzimi, intensiteti poetik, lёnda, mendimi, dramaciteti ata qё pёrcaktojnё shtrirjen e poezisё, vargun, ritmin, muzikalitetin etj. Vreni pёrshembull poezitё: “Mall pёr diçka tё vdekur” , “Im bir”, “Ylli i vockёl”, “Vdekja e vjeshtёs”, “Pasditja”, “Ti je det shpirti im”, “Shpёtojeni Venezian”, etj.
Njё element i kudondodhur te poezia e Radёve nё “Muret e muzgut” ёshtё vuajtja. Dilema e vazhdueshme. Si ta themi: dёshira pёr tё ecur, pёr tё çarё dhe muret! Ndonёse prometeizmi Lazёr Radin, nuk e lё tё rrёzohet, barra e rёndё e vuajtjeve e gozhdon. Nuk e lё tё çapet!
Livadhet e blerta kanё mbetё larg
ku as kujtimet nuk mbrrijnё
veç do gurё t’bardhё murranash
mё rrethojnё si qingja t’braktisun
E pastaj vjen kambana:
Oh! Atje pёrfund stinёve tё mia
ku s’shkel ma askush
bien bora e harresёs…
Njё thirrje kaq rrёnqethёse me kaq shumё dramё e pikllim, zor ta ndeshёsh nё njё libёr tё tёrё! Por ja se si i pёrgjigjet kёsaj kambane ugurzezё i biri Jozefi. Gati me inat:
Ditёn, vёlla, jetoje gjer nё thёrrime.
Ndoshta edhe nё nji orё t’vetme
mund tё ndёrtosh
gjithçka tё shkatёrroi ky shekull (fq.81)
Kёto vargje duken si vijim i atij dialogu tё supozuar, At e Bir… por nё tё vёrtetё Jozefi nuk i pёrgjigjet vetёm babait tё vet, po edhe gjithё atyne faktorёve tё panumurt, qё i ka ndjekur mbrapёsira e mjerimi kёmbakёmbёs!
(Rilindja Demokratike, e Martё 19 Prill 1994)