back to top
-2.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Dy ballo për një muzg… nga Anissa Markarian

Gazeta

Solemnitet i Muzgut...
Solemnitet i Muzgut…

Anissa Markarian,
asht nji ikonë  kohësh paksa të largëta e frymësh paksa të reja,
ajo asht nji përpjekje dhe nji vetvedi ndryshe,
asht nji kuptim dhe nji lexim ndryshe i botës!
Në të vërtetë Anissa Markarian asht botë që të mbush me botë,
asht shpirt që të mbush me shpirt,
asht nji za që duket sikur jehon prej larg,
po në t’vërtetë jeton në teh të veteve tona,
të atynë pjesve ende të mbetuna gjallë prej Shtrydhjes së Madhe.
Prej kohësh lexoj çka ajo derdh aq bukur.
Sepse me thanë drejtën, Anissa nuk shkruan, ajo derdhet ndër fjalë
njashtu si ujnat, si ajri, si fryma, si dashnia, ajo derdhet gjithkah
e mjafton qoftë edhe nji pikëlz e saj
dhe je i lagun, i flladitun, i terun, i dashunuem,
me nji fjalë je edhe s’je…
Derdhja që paraqesim sot, asht e nji bukurie të pashoqe.
Asht nji dehje me fjalë, ndjenjë dhe botë,
asht nji ndërthurje emocionale e nji bukurie që ndjehet në qelizë,
asht nji shqipe e kultivueme aq bukur, aq pastër e aq kthjellët,
sa dukesh i përtrimë fjale…
Thanë ndryshe asht: Anissë!
Dhe unë kët derdhje tanden Anissë mundem me e lexue pa prà… j.r.
1 korrik 2016

Dy ballo për një muzg…

nga Anissa Markarian

Ballëzhubrosur qënka deti im, këtë muzg prilli. Sytë përzhitur nga arturinat e diellit, lëvoren plasaritur nga kripa e tharë e djersës. Po buzët? Paskan humbur nën dantellën e mjekrës…
Andrallëtar qenka pylli yt, këtë muzg prilli. Mollëzat perlëzuar nga kristalë vese të rruzullt; vështrimin, në horizontin e gjelbërt humbur. Ahishtja përskaj, në heshtje dremitur, epohet nën hapat e tu, çapitur…
-Më puthesh! – tha deti im. – Këtu, tani, pambarim! – dhe tyl leshterikësh ngriti mbi valët për të na mbrojtur nga sytë e peshkatarëve.
Tek ty, qielli laraman i fiku kandilët. Butë-butë, hojëza-hojëza, pylli pështillet në shpërgënj gjumi. Shkurret gërmuqe shtrojnë dyshekët e myshkët; një velenxë aty, një jorgan këtu, çarçafë luleshqerrash më tutje.
Tek unë, valët kanë ngjyrë manushaqe. Thëngjilli i fundit i diellit lëpin, hezitues, cipën e fildishtë të detit. Paskam ngut t’ia përshpejtoj zhytjen finale. Edhe ti?! M’i jep gishtërinjtë. Majëzën përvëluese t’ia shtyjmë bashkë, t’ia fundosim në mbretërinë e algave.
Tani po, mund të fillojë spektakli madhështor i natës!
-Ejjj, më përkëdhelesh lehtë… – shushurit plazhi.
-Më gërricesh, mace! – gugat sykaltri.
Nga fidanishtja e koniferëve, arrijnë tingujt e një Tokate Blu. (Blu janë gjilpërat e pishave-flamuj; blu i kanë leskrat qiparisët, selvia shtatlartë londitet në blu, gjithashtu…) U dha sinjali. Nxitoni, nxitoni! Nxirrni curlet nga sepetet, shpluhrosni tingëzat, akordoni harqet. Po fillon Ballo e Pjalmimit të Parë!
-Më përqafohesh. – fërgëllon pylli yt.
-Më pëshpëritesh…
-Më shtrydhesh, moj, më gëlltitesh! – shkulmon deti im.
Kavalierët buzëdërsitur (lisi, dushku, frashëri, bredhi, vidhi…), po zbresin trumbë nga kurora e pyllit. Vijnë të zgjedhin të vluarat. Nëpër zgavrat e rrapëve të moçëm, sapo fshehën bucela me nektar çudibërës. Në kuqërrimth të agut, kur t’i ringjiten shtegut, do t’u nevojiten për të shuar etjen.
Zabelit me sixhadé manaferrash përvesur, sonte filiza të rinj do të ngjizen hareshëm. Zanat, në vegjë, pelenat po endin; me degëza bajamesh djepe thurrin Elfët.
Të virgjëra e të përndezura, janë dëllinjat. Qafës u vezullojnë gjerdhanë lianash; gjinjëve u rrymon një curril dlirësie. Mështeknat këmbësorkadhe, petkat hënore nxorrën nga dollapet. Boçe të njoma i kanë vjedhur pishnajës, kreshkave çamarroke t’ua vënë bigudi.
Si balerina virtuoze majëgishtërinjsh lartësuar, panjat pulpëkërcyera provojnë lëvizjet e valsit të uverturës. Sfondin përvijojnë me kofshët muskulore. Hapin e parë majtas, të dytin lart, djathtas. Një, dy…, një, dy, tre. Fundazi, një katror vizatojnë. Rrotullohen, tërhiqen, përparojnë. Thembrat vashërore ritmojnë ikjen përpara; gishtërinjtë e këmbëve, tërheqjen komandojnë. Një çerek o një gjysëm-rrotullim, në çdo tre kohë!
Murrizat, mjedrat, balthuket, klekat, xinat, trumzat…, nuk janë të ftuara. Njomëzake akoma, u duhet të presin ballon e motmotit.
-Më ngacmohesh, zemër. Pak, butë, me shije… – flluskon batica.
-Më lëpihesh, ëndërr. – jargavit plepishtja.
-Më kafshohesh, ylber…

Dea e Dehun me Det
Dea e Dehun me Det

Kurmit i shtrova melhem magjistricash, rrëmbyer kur lodronin në shtrat me xhindët. Nuk ia ndjen tundimin?! Krifës luspake i vura karfica korali; këmbët i zhyta në musht lulebliri…
Jam thellësia e nëndetit. Jam nënura, nënbregu, nënporti. Jam barkëza me direk sedefi e ankoruar tek moli i sirenave. Jam duna ranore, që rrëshqet drejt pyllit tënd, e magjepsur.
Je nënpylli im. Nënlëkura, nënbuza, nëngusha, nëngjoksi. Je nënveshi. Luginëza ku mjafton puhiza e frymës tënde, që t’më shkrythen poret.
Si u ngatërruam kështu?! Lëmsh u bëmë që kur u hasëm. Unë dhe ti. Ti dhe unë. Një masë amorfe e mbrujtur me lëngje, inde, nerva, buzëqeshje, lotë… Humus e jod. Ngatërruar jemi gjymtyrësh. Vetullkacafytur jemi. Ti, nën qepallë, nyje m’i lidhe qerpikët. Unë, mbi nënkrejsen, kaçurrel t’i enda mendimet…
-Më dalldisesh!
-Ouu??!
-Më shpupuritesh!
Në amfiteatrin e thellomave detare pritet të fillojë Ballo e Lëngëzimit të Parë. Kuajt e detit, të mbarsur me vezët e femrave të tyre, u rrëfejnë udhën vallëzuesve: gaforre, peshq, kërmijë, moluskë, karkalecë, sepje, iriqë, oktapodë…
U ndezën prozhektorët në pistën e kërcimit. Ka vend për të gjithë – muzikantë, koreografë, duetistë, koristë, solistë… Bubullojnë tupanët, organot, e gajdet; cingëllojnë defet e cimbalat; xixëmojnë klarinetat, fyejt, pipizanet; lazdrohen violinat, sazet, fizarmonikat; cinxërojnë lirat, kitarat, mandolinat…
Perritë e Ujërave mbërrijnë mbi silurë rubinësh. Dhelkatare, lozonjare, pa bërë zë, pa u ngutur. Bishtin e fustanëve tërhequr nga delfinë; për truprojë, yje deti të purpurt.
-Më festohesh!
-Eejj, më oksigjenohesh…
Në festën time nuk ka valse. Këtu flirtohet me tango! Lëvizje të mprehta, si të goditura dalte; spirale fluturake me af të kadifenjtë, pasione arrakate trupvijash përputhur, frymëthithje gojë më gojë përmbytur…
Dil nga pylli, shpirt, mos iu druaj detit. Jam e ftuara e vetme pa kavalier. E paske harruar notin?! Një litarth flokësirenash të mblodha çikrik, mbi flatra xixëllonjash ta postova. Kapu pas tij e zbrit vrapthi tek unë. Në Sallën e Ballos po të pres. Tangon e uverturës me ty dëshiroj ta kërcej.
Heshtni ju, veglat ahengxhije! Bëni mënjanë. Në podium të ngjitet paria: kontrabasi, violonçeli, kitarra, flauti, piano, violina. Princit Bandoneon hapini udhën! Le të nisë orgjia…
-Një tango fundprilli, Maestro!
Oh, ti erdhe! Nuk më le vetëm…
Gati jam. Balluken e pashtruar e hodha prapa veshit, me gjethe jasemini e trëndafilë të egër kurorë i thura flokët; qafës i dhashë një ngërç të mermertë, gjinjtë i lartësova nën mjekër; fundkurrizin shtyllë e bëra drejt.
Ja tingujt e parë… I dëgjon?
-Më vallëzohesh, yll.
-Po, shpirt, edhe mua! S’po duroj dot më…

Si u ngatërruam kështu?! Lëmsh u bëmë që kur u hasëm. Unë dhe ti. Ti dhe unë.
Si u ngatërruam kështu?! Lëmsh u bëmë që kur u hasëm. Unë dhe ti. Ti dhe unë.

Merre timonin e hapave tanë, një tango mërgimtare të trillojmë. Ujërat e nëndetit jargaman t’i flakërojmë, t’i tollovisim, t’i vorbullojmë! Krahun ma lako rreth belit, brinjë më brinjë ma shëtit dorën, ngjitma butë nëpër kurriz, pastaj mbi ijet rrëzoje. Je lisi im, jam kulpra jote… Pëllëmbët t’i kulmojmë, t’i shkasim, t’i lëmojmë. Vijë më vijë t’i përputhim. Më e thella cila është? Vija e jetës, apo e zemrës? Vija e kokës, a e shëndetit? Vija e skajpyllit apo e bregdetit? Zverkut t’u përngjita me nënkyçin, me rrëzëdorën, me tulin e gishtërinjve, me gjysëm-hënëzat e thonjve. Pas kofshës tënde e harkoj thembrën; shputën mbi tënden e fërkoj. Takat e larta majucë-gjilpërë, ulluqet e mesgishtave të tu vizitojnë. Ti, të puthura kërmillore mbjell mbi relievët e mi. Tërthorzohemi në sinkronì. Pa folur. Nuk është nevoja. Kuptohemi me fjalë të pathëna. Po nuk më kape fluturimthi, rrëzohem. Po m’i shuajte fenerët e syve të tu, verbohem. Jam thulpër shelgu pushpambuku, nga qullëzimi zbrumur. Lëng deti jam. Jo, ç’them?! Jam ajkë kulloshtre. Nën bërryl i degdisa flokët, qafën e puthshme ta kesh pranë…
-O zemër?
-Po, jetë…
Tejshtriji penjtë muskulorë, të të thukem pas bustit; lartoi krahët mbi supet, nën sqetull të të strukem. Mbi kokë më ngre trupthi, në ajër të lundroj – për mos të të rënduar, peshëpupël jam bërë. Më rrotullo më shpejt, vrijshëm, marramendthi! Të rrëkëllehem dua, të tarkalitem, të zallahitem! Fluturimthi, në prehërin tënd vij të pushoj. Të shpërvarem në zverk, të kacavarem në gjoks. Edhe një çerek rrethi, edhe një tjetër, edhe një! (Melodia në sfond nuk është veçse preteksti për të mos u çbërë më.)
Unë dhe ti; ti dhe unë. Deti brenda pyllit; pylli i bërë ujë.
Pranë më tërheq, puthitesh tek unë. Befas, kur nuk e kam mendjen, larg vetes më shtyn. Në çast, si fëmi, përmallesh e pendohesh. (Ke frikë se allnohem?) Hyritë e Detit ndjekin xheloze tangon tonë. Rrengun e afrim-largimit s’arrijnë ta kuptojnë. Lojën e dua-nuk dua, të hije-dritës, të buzë më buzës, të qafës dhe të gushës, të qeshje-qarjes, të qarje-qeshjes, të qeshjes dhe të përqeshjes, e njohim vetëm ne…
-O jetë!
-Po, zemër?
Jam prushërimë thëngjillësh deti, shkulmi i oqeanëve mjekërbardhë. Zjarrishtja e nënkores së dheut, tërmeti i thellinave jam…
Po agullon qielli, spërkla drite pluhrëzuar. Të përgjumur, muzikantët fusin veglat në këllëfet. Shtambat me musht pjalmor, thërmokulla hëne paskan brënda.
Një puthje të fundit? Një vals-tango-vals, këmbëzbathur, përpara se t’i vidhemi ëndrrës?
Një përqafim hyjnor, me afsh asfiksues? Nuk ndihem e lodhur. Me ty të veselitem, të qullem, të pupërriqem, jam gati, përsëri.
-Më thuhen fjalë…
-Cilat?
-Më bëhesh!
-I masakrove foljet…
-Ohuu!
-Mënyra paskajore nuk thuhet kështu… -guxoj të të korrigjoj.
-Je e sigurtë?!
-Besoj… -kruaj ballin, mendueshëm. – Jo, nuk jam e sigurtë.
-S’dua ta di në thuhet, apo s’thuhet. Më thuhesh ti, e tëra! Më dëgjon?
-Po.
-Tani, në çast!
-Po, shpirt…
-Vetëm me ty më thuhen fjalë! Më bëhet i gjithë Fjalori ynë…
A.M.© Maj, 2016.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.