back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy fjalë për gjuhën shqipe… dhe nji poezi “Veç Shqip” Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015 (perpunim grafik)
Jozef Radi 2015 (perpunim grafik)

Dy fjalë për gjuhën shqipe…

dhe nji poezi “Veç Shqip n’mujsh”

nga Jozef Radi

Që gjuha shqipe asht gjuhë e vjetër, s’asht ndonji zbulim i imi, e as më takon me e nënvizue kët fakt historik, bile as synoj me bindë ndokënd për çka mendoj… Veç, si lavrues i zelltë kësaj gjuhe e si gërmues kambngulës e i kahershëm, mundem me thanë se nji gjuhë që mbrrin me i pshtue tana të zezave të kësaj bote e krejt sundimeve të pësueme prej popujsh të fuqishëm – edhe ka mbijetue njashtu e pashkrueme e hjekakeqe – ka diçka të madhe mbrenda saj, që don a s’don ti, të ban me reflektue… E kur e theksoj se përreth saj ka pasë ushtri pushtuesash të mëdhej, me gjuhna aq mirë të përpunueme e të rafinueme, të cilat sot e tan ditën rrinë n’themele të shumë gjuhëve; e mandej kur i mendoj elaboratet për sundimin, nënshtrimin e zhdukjen e kësaj gjuhe “të vogël”, ia lshoj  frenat e guximit vedit me thanë se kjo gjuhë madhështisht e mbijetueme futet n’rrethin e atyne t’pakta gjuhë, që shkojnë baras me ngjizjen e botës…
Mandej më duhet me shtue, se kjo gjuha e ruejtun ndër malet shqiptare, ndër kangë e mallkime, ndër kode legjendash e korda lahutash, ndër polifoni e kangë nizamësh… e mban ende të gjallë tharmin e kësaj s’vërtete të madhe, e ma plotson ma s’miri gjithçka guxova ma sipër…

***

Edhe kjo poezi që paraqes, e që mundet mos me u quejtë tamam poezi, simbas meje ruen në thelb nji mendim temin mbi vjetërsinë e kësaj gjuhe. Fjalë Njirrokshe, – ato arkaiket e themelit, kur gjuha ngjizesh prej buze e bahesh kod në bashkimin e dy-tri tingujve, që për çudi shqypja i ka aq të shumta e i rrinë njashtu si gur të ngjeshun e të randë ndër themele të saj…
Poezia asht e gjitha njirrokshe, diku me trajta të cungueme e apostrofe aq të lehta të gegnishtes… Asht nji mendim e nji mundim i kahershëm, që nji ditë m’u shfaq ksisoj… nji frymë e gjatë njirrokshesh, që rreken me ndërtue nji koncept poetik… gja për të cilën jam i sigurt se s’mundet asnji gjuhë tjetër!
Janë diku te 150 fjalë njirrokshe, të përdoruna harmonishëm ndër 20 vargje, dëshmi që veç nji gjuhë rranjëthellë si shqipja mundet me ia mbrritë… e me ia dalë n’krye…
13 mars 2015
Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Veç shqip n’mujsh

Asht ma shum se drit, për bes’
djell them, dhe ndjej, dhe vrej
e ma as shof, as send prek
flas, veç flas pa droj’, pa prà,
lus njat Zot, njat Hyll, njat Han’
larg m’tret e m’run e m’kqyr
e m’pret  e m’flet e sa frym marr
rend mbas m’ka, e buz m’buz
tuj m’fol, e sy m’sy tuj m’kqyr
si zog je, – m’thot – n’e kapsh njat fjal
gdhend hyjsh n’gur e n’dru
e n’rras, e n’drras, e n’vorr ma ruj
e mos ma truj! Dhe m’fal, pse n’gjunj
t’kam ra, ma vrej njat dhimb’ o Zot,
prej nalt kah je, ku hesht e s’bzan,
e për njat nder, njat buk’ që mban
njat uj që m’lan e m’shplan
n’jet e ma tej s’muj ma vret
njat hov që n’shpirt e kam, njat zà
Je ti o Fjal shqyp, pra jam dhe vet’ n’kët jet!
Pensacola, Florida mars 2015
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.