back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Dy fjalë për Poetin Dritëro Agolli nga Ferdinand Radi

Gazeta

Ferdinand Radi (1942-2003)
Ferdinand Radi (1942-2004)

Requiem për pendimet e vona…

nga Jozef Radi

Para pak ditësh po lexoja në Fb e nji mikut tim, pjesë nga një intervistë e Dritero Agollit… ku ndër të tjera fliste edhe për Ibrahim Rugovën… Ajo çka më bëri mjaft përshtypje ishte moskuptimi Poetit ndaj atij Njeriu Misionar dhe kritika e pavend e tij kur Ai kishte nevojë qoftë edhe për pak mbështetje… duke manifestuar sot mbas kaq vitesh të shkuara njifarë pendimi… të cilin unë edhe mund ta besoj… Por, për dreq m’u kujtua diçka që kishte shkruar aktori Ferdinand Radi, këtu e njizet vite të shkuara për Driteronë te “Arbëria 11”… dhe ky pendim i vonë për Rugovën, tregon se sa vizionar ka qenë Rugova dhe pse nji gjest i vonë i Driteroit ngjan paksa i pabesueshëm dhe më  shumë si një veprim prej ponspilatësh… Ju ftoj t’i lexoni për sa më sipër shkrova…
15 shtator, 2013

Kujtim Spahivogli në një rol...
Kujtim Spahivogli në një rol…

Dy fjalë për Poetin Dritëro Agolli

nga Ferdinand Radi

Duke përkujtuar “Artistin e Popullit” Kujtim Spahivogli

Me 7 korrik 1987, në orën tetë të mbrëmjes, ngjisja për të parën herë shkallët e apartamentit tuaj. I rashë ziles me ngut… Dera u hap pak me vonesë dhe në korrnizën e saj u shfaq nji vajzë e re.
-Shokun  Dritero kërkoj, – i thashë duke m’u marrë fryma.
-Nuk është këtu – m’u përgjigj ajo shumë sinqerisht dhe në portret iu vizatua menjëherë keqardhja…
Mora frymë thellë, siç marrin zakonisht njerzit kur kapërcejnë një situatë të vështirë. As vetë se kuptoja pse tundohesha aq të takohesha me Ju!!
-I thuaj babait – u përpoqa t’i flas qetësisht vajzës, pas disa çastesh hezitimi – se Kujtim Spahivogli vdiq!
Desha të shtoja edhe diçka tjetër, por nuk e di pse m’u duk e arsyeshme t’i thoja vetëm një “natën e mirë” të thatë… Një parandjenjë se do të mund t’iu takoja shkallëve më bëri të zbres nxitimthi…
E pra sot mbushen gjashtë vjet nga ajo natë. Ju nuk erdhën qoftë edhe thjesht si poet ta përcillnit mikun tuaj artist në banesën e përhershme! S’erdhët sepse “zyrtari” s’e lejoi “poetin” ta nderonte as në vdekje mikun artist. Ndërsa për të shkruar diçka në gazetë për djalin “plangprishës”, as që mund të bëhej fjalë…
Sonte në kët mbrëmje, gjashtë vjet larg prej asaj nate të zezë për artin, a ndjeni ju “poeti dhe miku i tij”, detyrë morale të thoni qoftë edhe dy fjalë për atë artistin e dhunuar gjer në vdekje nga diktatura…?!

Diku në një fjalor xhepi, që ia patët dhuruar Kujtim Spahivoglit, duke pirë në një lokal, përveç firmës ju kishit lënë edhe këtë autograf: “Kujtim, je një njeri që për të kënaqur ty, zjej në raki! Miku Juaj Driteroi!
Vërtet, e thënë bukur!
Sepse Kujtim Spahivogli meritonte kaq dhe më shumë!!! Po qëndrimi juaj dhe ajo heshtja juaj e gjatë, jo vetëm nuk e justifikon autografin, po ajo sot ka marrë edhe nuanca fyese. Unë kam dëshirë t’jua sjell fjalorin për nji korigjim fare të vogël (ju kërkoj ndjesë për sugjerimin). “Kujtim, je një njeri që për të kënaqur rakinë, të zjeva ty… D.!”
Do të ishte një fatkeqsi për poetët, nëse mendojnë se vetëm të pirë njerzit janë të sinqertë…
Ferdinand Radi – aktor (Arbëria 11, 1993)

Dritero Agolli (1931)
Dritero Agolli (1931)

“Pendimi i Agollit” nga muri i fb i A.G.

z.Agolli ju keni qenë shpesh edhe kritik ndaj mënyrës që praktikonte Rugova. A jeni penduar për këtë gjë? Agolli: Mendoj se ne nuk e kemi kuptuar aq mirë Rugovën. Unë e kam kritikuar për anën paqësore të drejtimit të tij, kam bërë edhe ironi me shallin e tij, dhe tani ndjej njëfarë pendese që në atë kohë nuk e kam kuptuar aq shumë. Por tani unë kam kuptuar që nuk kam pasur të drejtë.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Se mos vetem një pendim ka shkrimtari Agolli?????
    Ai dhe pse kane kaluar shumë vite pas rrëzimit të censurës kulturore (më saktë… siç e vetëquajtën autocensurë) nuk dëgjuam akoma pendimin e tij për krejt atë veprimtari artistike të rreme, fallse dhe aspak një përshkrim të realitetit shqiptar!!! Ai në veprat e tij të asokohe të mbrapshtë, nuk kishte si synim paraqitjen e së vërtetës, të gjendjes së mjeruar të popullit, ku ai bënte pjesë, por veç një synim të vetëm: servilizmit, hipokrizise dhe përkrahjes së politikës së zhdrejtë të sundimtarëve komunistë!!! Me këto ide e servilizëm, ai krijonte vepra pas veprash dhe i shërbente atij sisitemi famëkeq me besnikëri, e të mos fshehi të vërtetën, jo vetëm ai, i vetëm, por një armatë e vërtetë punonin çdo ditë për betonimin e asaj diktature tashmë falë Zotit, dhe fatit e shporrëm nga qeverisja!!!! Po, po ky si dhe të gjithë të tjerët, të artit e kulturës ndihmuan me zell atë shëmtirë të rronte gjatë!!! Kadareja sot thotë se nuk i bihet murit me kokë!!!
    Njerëz me emër të “madh”, por medet sa shpirt të vogël kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë!!!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.