back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Dy koburet e Dhimitrit dhe saga e Koleas, nga Lidhja e Prizrenit – nga Nuri Plaku

Gazeta

Jakov Milaj (1911-1997)
Jakov Milaj (1911-1997)

Dy koburet e Dhimitrit dhe saga e Koleas,

nga Lidhja e Prizrenit

nga Nuri Plaku

Objektet e personaliteteve të njohura historike janë një pasuri e rrallë që flasin me gjuhën e heshtur të lavdisë së tyre duke e konvertuar atë në krenari kombëtare dhe vlerë të shtuar në edukimin patriotik të masave. Të tilla janë edhe dy koburet e patriotit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Dhimitër Kolea, të cilat ndodhen të ekspozuara në pavijonin e Muzeut Historik të Fierit. Janë dy armë stralli që evokojnë personalitetet e fisit Kolea, copëza historike nga aktiviteti i tyre i shquar, ndodhi, fate dhe drama të thella njerëzore përjetuar në momente të vështira përgjat një shekulli e gjysmë. Armët janë dhuruar nga pasardhësit e tij në vitin 1981, dhe është interesante se, bashkë me vlerat e origjinës autentike, ato mbartin me vete edhe një vel historik të praruar që i përket odisesë së lëvizjes së tyre nëpër vite, deri në destinacionin e sotëm institucional. Nën prarimin e tij të purpurt shfaqen dy figurat karizmatike të qytetit të Fierit, Vasiliqia, mbesa e Dhimitër Kolesë dhe i shoqi i saj Jakov Milaj, personalitet i njohur i viteve ’30 dhe autor i librit të parë shkencor në fushën e antropologjisë “Rraca shqiptare”
Koburet janë model i njehsuar me çark dhe gur stralli zbukuruar me argjend. Njëra e ka fundin e dorezës në formën e kokës së gjarprit, punë e mjeshtrave të Beratit dhe me sa duket është arma e parë e Kolesë. Ndërsa tjetra është punuar me savat dhe përbën një prodhim artizanal të nivelit të lartë artistik. Sipas kujtimeve të familjarëve, kjo armë është blerë në Janinë dhe duket një punë zejtarie nga qyteti i vogël Bovila, i njohur në atë kohë si qendër e zhvilluar zejtarie. Kjo armë është e dekoruar me motive antropomorfe, zoomorfe dhe vegjetale. Fundin e dorezës e ka në formën e çallmës së pashait, çka dëshmon për sërën e lartë të poseduesit të saj.
Koleat njihen si një nga fiset ortodokse më në zë të qytetit të Beratit. Kanë qenë tregtarë dhe kanë manifestuar ndjenja të thella patriotike. Dhimitër Kolea është i njohur në historinë tonë si një nga figurat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai ka qenë anëtar i degës së Lidhjes së Beratit dhe bashkëpunëtor i ngushtë me disa nga figurat kryesore të saj si: Mehmet Ali Vrioni, Omer Pashë Vrioni, Babë Dud Karbunara, Todi Naska, Adil Sula, Baki Gjebrea etj. Emri i këtij ortodoksi me shumë influencë në këtë organizatë nacionaliste që luftonte për pavarësinë e Shqipërisë dhe ishte shprehur kundër rrymës serbo-malazeze dhe helenistike të udhëhequr nga patriakana e Stambollit bëri përshtypje të thellë në të gjitha qarqet monarkiste të kohës që ishin lëshuar kundër lëvizjes autonomiste shqiptare. Për të zvetnuar këtë përshtypje dhe çoroditur opinionin publik, gazeta progreke që botohej në Stamboll në gjuhën frëngjisht “Faire de Bosphorus”, njoftoi një lajm të rrejshëm sikur “Dhimitër Kolea, përfaqësuesi i Sanxhakut të Beratit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kishte mohuar nënshkrimin që kishte vënë në një protestë telegrafike drejtuar Kongresit të Berlinit kundër shkeljes së të drejtave kombëtare të Shqipërisë”. Shpifja revoltoi gjithë opinionin publik patriotik dhe Avdyl Frashëri, më 29 gusht 1878, shkroi një artikull me titull “Letër nga Janina”, të cilin ja dërgoi Samiut ta botonte në gazetën “Tercuman-i Sark.” Në këtë artikull Avdyl Frashëri denonconte shpifjen e bërë nga gazeta dhe ftonte patriotin Dhimitër Kolea të ripohonte publikisht besnikërinë e tij ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
.
Jakov Milaj dhe studentë shqiptarë në Torino 1938
Jakov Milaj dhe studentë shqiptarë në Torino 1938
Letra u botua më 7 shtator 1878. Dhimitër Kolea njoftoi për gënjeshtrën e organit helenik.
Më 11 kallnuer 1878, Dhimitër Kolea ka marrë pjesë në kuvendin e jugut mbajtur nga Avdyl Frashëri në teqenë e Frashërit. Në vjeshtë të këtij viti ai ka shoqëruar Avdyl Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin në takimet që këta kanë bërë me një sërë qytetesh të Shqipërisë së Jugut për të marrë mbështetjen e popullit si përfaqësues i tyre në Kongresin e Berlinit. Kolea ka mar pjesë gjithashtu edhe në Kuvendin e Gjirokastrës, mbajtur më 23 korrik 1880. Dhe kudo ku vinte, mbante në brez dy koburet e njohura që sot janë pjesë e fondit arkivor të Muzeut Historik të Fierit.
Dhimitër Kolea lindi një vajzë, Anën dhe dy djem: Sofokliun dhe Leonidhën. Të dy djemtë, rreth vitit 1890, u shpërngulën nga Berati për në Vlorë. Themistokliu emigroi në Madagaskar dhe kur u kthye solli me vete një shumë të madhe të hollash me të cilat bleu një ullishte dhe ndërtoi dy shtëpi, njërën në lagjen “Topana” dhe tjetrën në lagjen “Varosh” pranë restorant “Sazani”. Të dyja shtëpitë janë edhe sot. Vajin që nxirrte nga ullinjtë e shiste para shtëpisë me qypa. Mbas derës mbante edhe qypat me vaj që ua bënte dhuratë familjeve të varfra. Nga ky përdorim i mbeti mbiemri Qypi.
Leonidha lindi në vijë mashkullore Sotirin dhe Petron. Nga këta Sotir Kolea është një figurë e njohur e Pavarësisë. Ndërsa Themistokliu në vijë mashkullore lindi dy djem: Dhimitrin dhe Markon. Dhimitri mbante emrin e të gjyshit dhe në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës ka qenë Krahinar në Krahinarinë e Libofshës. Më pas, në qeveritë e tjera ka kryer detyrën e nënprefektit në nënprefekturat Himarë e Lushnje. U sëmur nga tuberkulozi dhe qëndroi i shtruar në sanatoriumin e Ardenicës disa muaj deri sa vdiq aty më 5 maj 1930.
Marko Kolea njihet me emrin Marko Qypi. Ai ka qenë me profesion rrobaqepës dhe në kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1911-1912 formoi çetën e Myzeqesë së Vlorës dhe doli malit për liri. Në vitin 1937 me rastin e 25 vjetorit të vetqeverimit shkollës në fshati Zhukë në Novoselë ju vu emri i tij. Markua kishte për grua Poliksenin nga Zvërneci dhe lindi 2 vajza, Elpizën në vitin 1909 dhe Vasiliqinë në vitin 1912.
Vasiliqia kishte marrë emrin nga ish gruaja e Ali Pashait. Kulti i Vasiliqisë ka qenë i njohur në Berat e Vlorë dhe kjo është një e dhënë interesante për këto treva. Dihet se Aliu e adhuronte pafundësisht të shoqen deri sa i ngriti këshjellë në brigjet e Jonit dhe i derdhi portretin në kishën e Shën Mërisë në Kolkondas. Atëherë bëri përshtypje në popull refuzimi i saj për t’u martuar sërish pas vrasjes së tij. “Nuk hedh burrë tjetër mbi vete veç Aliut” – ishte përgjigja e saj, megjithëse ishte 40 vjet më e re se i shoqi i ndjerë. Dhe ajo heshti e mbyllur në zinë e saj të përjetshme, vejushë e pikëlluar që fliste me yjet e natës e fshehur në një guvë historie si guvat e murit të rrënuar nga tërmetet e shekujve. Por nuk heshti kujtesa e popullit. Besnikëria e saj u vendos si diamant në gjerdanin e emrave më të shquar të grave shqiptare. Me emrin e saj shqiptarët pagëzonin bijat e tyre. Midis tyre ishte edhe Marko Kolea (Qypi), i cili i vuri emrin bijës së tij duke përjetësuar emrin e saj si një shenjtore.
Aty nga viti 1914, Polikseni u nda nga jeta duke lënë vajzat në moshë të mitur. Mbas dy vitesh vdiq edhe Markua dhe vajzat mbetën të vetmuara. I mori xhaxhai i tyre, Dhimitri. Midis plaçkave të tjera, vajzat morën me vete edhe dy koburet e gjyshit, të cilat Markua ua la si relike së bashku me një jelek të qendisur me fije ari. Ato u rritën me historinë e luftërave të familjes së tyre dhe armët ishin një shenjë e udhëtimit historik të kësaj familjeje. Nga të dyja motrat, Vasiliqija i adhuronte armët dhe nuk i ndante nga vetja. Herë herë i pastronte, i vaiste dhe i mblidhte sërish me jelekun e gjyshit, Dhimitër Kolesë.
Ndërkohë, pas vdekjes së xhaxhait, Dhimitrit, e motra Elpiza u martua. Vasiliqinë e mbetur vetëm e mori gjyshja nga nëna e cila jetonte në Vlorë me të birin, Spiro Sulin. Të parët e Spiros kishin ardhur nga Suli pas barbarive të Ali Pashë Tepelenës dhe ishin ngulitur aty përgjithmonë. Edhe Spirua ishte patriot aktiv dhe drejtonte shoqërinë “Bashkimi” në Vlorë. Tashmë armët i mbetën Vasiliqisë. Vajza i mori me vete te gjyshja dhe i shihte si dy objekte të rëndësishme pa të cilat nuk mund të bënte dot.
.
Gjimnazi i Shkodrës 1926-1927
Gjimnazi i Shkodrës 1926-1927
Mbesa e Kolesë dhe Jakov Milja në Kryengritjen e Fierit
Në vitin 1937, Vasiliqia u fejua në Fier me Jakov Milaj. Jakovi i përkiste një familjeje tregtare dhe patriotike në Fier. Ai ishte gjak me Naun Grigor Priftin, (Doko) figurë e njohur në qytet si protagonist në lëvizjet politike të viteve 1920-’24 dhe më vonë rektor në Universitetin e Tbilisit në Kazakistan. Nëna e Jakovit e kishte kushëri të parë dhe Nauni në letrat që i dërgonte nga emigracioni e thërriste nip. Jakovi përbënte ajkën e rinisë fierake dhe një ndër përfaqësuesit kryesorë të elitës së këtij qyteti që shpërtheu në vrullin kulturor të viteve ’30. Ai ishte një djalosh me pasione kulturore të nivelit sqimatar dhe vazhdonte studimet për veterineri në Torino.
Mbas pjesëmarrjes në Kryengritjen e dështuar antizogiste të vitit 1935, Zogu ja ndërpreu bursën dhe ai filloi punë në revistën prestigjoze të kohës “Përpjekja Shqiptare” që drejtohej nga Branko Merxhani. Më vonë vazhdoi sërish studimet në Torino dhe kur u kthye solli me vete edhe poezitë e Migjenit, pas vdekjes së poetit, pasi ishte bashkëstudent me Ollgën, të motrën e tij. Në periudhën e Luftës, aty nga viti 1943, ai qe për pak kohë Ministër i Bujqësisë dhe në vitin 1944 botoi librin shkencor “Rraca shqiptare.”
Vasiliqia kishte mbaruar shkollën italiane të Vlorës dhe sipas traditës së kohës ushtronte profesionin e rrobaqepëses. Nga periudha e fejesës së çiftit në arkivin familjar të të birit, Agronit, ruhet një fotografi e saj ku të bën përshtypje dedikimi i veçantë që i bën të shoqit. “Jakovit. Kujtim fytyrën time të fejesës. Vasiliqi!”
Një vit më vonë, Jakovi u martua dhe nusja, krahas pajës tradicionale, solli me vete edhe dy koburet e gjyshit mbështjellë me jelekun e tij. Jakovi i vlerësoi mjaft reliket e së shoqes dhe u kujdes për t’i mbajtur ato si një kujtim të vyer historik. Më tepër se kushdo ishte pikërisht ai që e vlerësonte peshën e tyre reale. Kishte vizituar shumë muze në Itali dhe pisqolla të tilla kavalierësh kishin vlerë të lartë qytetërimi. Madje relike të tilla zbukuronin hijshëm edhe muret e shtëpive të ndryshme. Këtë privilegj e kishin familjet e mëdha e me kulturë të qëndrueshme. Diku kishte lexuar edhe për Borgesin, i cili mbante të ekspozuar në murin e bibliotekës së tij thikën e gjyshit, shalën dhe yzengjinë e kalit të tij dhe sa herë që vinin vizitorët ju fliste me krenari për të gjyshin që kishte marrë pjesë në luftën civile për bashkimin e Amerikës.
Kalonin vite dhe fëmijët e lindur nga filluan të njihen e t’u gëzohen dy kobureve të strallit. Ato përbënin një burim të pashtershëm bisedash patriotike për patriotin e madh gjyshin e nënës së tyre. Në kuptimin më të drejtë të fjalës, koburet u bën edhe faktor i rëndësishëm edukativ dhe krenarie për fëmijët e Jakovit. “Unë i merrja në duar, – thotë Agroni, – i përkëdhelja dhe më dukeshin gjëra historike të shenjta.”
Jakovin detyrohet të dorëzojë reliket në muze.
.
Koburja e parë e Dh. Kolesë
Koburja e parë e Dh. Kolesë
Koburja e dytë e Dh. Kolesë
Koburja e dytë e Dh. Kolesë
Koburet ruheshin si relike të çmuara të familjes, por ato nuk mund të ekspozoheshin. Periudha e diktaturës me spiunimet dhe përndjekjet e vazhdueshme, dyshimet dhe sajesat e qëllimshme mund të krijonin incidente të rrezikshme me to. Ngjyrimi i errët politik që Jakovi kishte marrë nga periudha dymujore e kolltukut ministror, do ta shoqëronte atë hap pas hapi gjatë gjithë jetës së tij. Koburet ruheshin me fanatizëm dhe asnjë person i huaj nuk kishte mundur t’i shihte. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Në vitin 1981, në familjen e tij u krijua një moment banal që u bë shkak për dorëzimin e tyre. “Po lyenim shtëpinë, – tregon Agroni – dhe koburet ishin të mbledhura e të vendosura mbi dollap. Në këtë kohë bojaxhiu shtyu dollapin dhe pa fundin e dorezës së njerës prej tyre. I bëri përshtypje dhe pyeti me kureshtje se çfarë ishin. Pastaj pa marrë përgjigje, tha vetë, “aha, e mora vesh”!
Vështrimi tinëzar i bojaxhiut e rrëqethi Jakovin. Atë natë e kaloi pa gjumë. Rrinte shtrirë në krevat dhe kujtonte të shkuarën e tij. Kishte vuajtur nga presioni politik i karrierës së shkurtër si ministër i bujqësisë. Qeveria ishte kuislinge, por vendi nuk mund të mbetej bosh dhe sëra e tij e konsideronte sakrificë. Ai ishte një përfaqësues i denjë i Belepokës. Një trendi. Atëhere liria ishte ndryshe. Ishte koha kur simpatizohej filozofia e diktaturave të ndritura dhe shembulli i Ataturkut ishte bërë frymëzues deri në adhurim. Madje Ismet Toto e përktheu monografinë e tij dhe e botoi në Tiranë. Branko përkthente filozofin gjerman Heidegger dhe e botonte pjesë-pjesë te “Përpjekja…”. Të dy ishin modeli intelektualëve të kohës. Debati me Fishtën për fenë i dha potencë intelektuale Ismetit. Pastaj ai u bë pikëllimi i rinisë shqiptare. Vrasja e tij nga Ahmet Zogu në ngjarjet e Kryengritjes së vitit 1936, kishte bërë bujë. Jakovi sapo kishte shpëtuar nga ekzekutimi i Kryengritjes antizogiste të vitit 1935 dhe e dinte mirë dhunën çnjerëzore të sistemit. Midis tyre qarkullonte citati i shkruar nga Ismeti, me gjakun e tij, natën e fundit mbi muret e kalasë së Gjirokastrës që mbeti postulat dhe flet sa një tog me libra. “Bota ju përket atyre që digjen, jo atyre që ngrohen!” Slogani u bë frymëzues deri në sakrificë për Jakovin dhe gjithë të rinjtë e atyre viteve. Ky slogan e shoqëroi edhe në vendimin që mori për t’u bërë Ministër i Bujqësisë në vitin 1943. Ndërsa Branko Merxhani, ishte një far i vërtetë ku orientoheshin të rinjtë e kohës. Puna e tij ishte e jashtëzakonshme në revistë. Edhe drekën e hante në tavolinën e punës. Kur vinte ora hapte sirtarin dhe përtypte shpejt e shpejt bukën që kishte marrë me vete. Pastaj iku në Turqi me një fat të përmbysur si kupë sherbeti nga Tirana komuniste. Ajo natë e pagjumë shkaktuar nga vështrimi tinëzar i bojaxhiut, ishte e rëndë për Jakovin, ndoshta më e rëndë nga net të tilla që kishte kaluar më parë. Sepse kjo natë nuk lidhej vetëm me të. Kthente kokën nga e shoqja dhe i dhimbej. Ajo më shumë se kushdo ishte lidhur që në fëmininë e saj të hershme me koburet. I kishte mbartur tashmë me sendet e saj më të vyera dhe kudo ku kishte banuar ishte kujdesur për to si për një ikonë shenjtori. Tashmë shenjtërimi i tyre mori fund nga një sy bojaxhiu…
Të nesërmen Vasiliqia i bëri kafen dhe e ndjente ankthin torturues të të shoqit. Ai e pa në sy dhe ajo pohoi me kokë në heshtje. Ishte një heshtje që vetëm ata të dy ia dinin kuptimin e hidhur. Jakovi i mblodhi koburet me një gazetë, i futi në një kuti kartoni dhe doli për t’i dorëzuar në Muze. Vasiliqia e ndoqi e pikëlluar sikur i shoqi të mbante në dorë një arkivol të vogël, u ngashërye dhe… qau në heshtje. Kjo ishte odisea e relikeve të patriotit Dhimitër Kolea, të cilat ndodhen sot në fondin e Muzeut Historik të Fierit duke evokuar kohë, ngjarje dhe persona të ndryshëm për gati një shekull e gjysmë të historisë së tyre.
.
Marrë nga https://shekulli.com.al
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.