Gazetarja dhe shkrimtarja, Arlinda Canaj,
i dha fund jetës pasditen e djeshme duke u hedhur nga lartësia.
Ngjarja u denoncua në Policinë e Tiranës rreth orës 17:10
nga familjarët e 46-vjeçares Canaj, të cilët e raportuan rastin si vetëvrasje.
Burimet nga Policia thanë se vetëvrasja ka ndodhur në kushtet e depresionit.
Oficerët e Komisariatit nr.4 kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Fillimisht ajo është dërguar në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë të rënë për jetën. “
Rreth orës 19:30 mjekët u njoftuan se shtetësja Arlinda Canaj
ka gjetur vdekjen si pasojë e rënies nga lartësia. Nga hetimet e kryesora,
kjo shtetase merrte mejkim prej 6 javësh pasi vuante nga depresioni
dhe dyshohet se është vetëhedhur nga ballkoni i banesës së saj,” tha zyrtarisht Policia e Tiranës.
Arlinda Canaj ishte gazetarja kryesore e portalit Konica.al
ndërsa në vite ka punuar në media të njohura.
Canaj, e divorcuar, ishte nënë e dy vajzave, njera prej të cilave lajmëroi
dhe për ndarjen e papritur nga jeta të nënës së saj nëpërmjet rrejtit social Fb.
marre nga http://www.syri.net
Baladë për gruan e mirë
nga Flutura Açka
Ishte natë e vonë mbrëmë, kur mora lajmin e hidhur për ty, Arlindë, dhe ngaqë jam mësuar të të gjej gjithmonë kah drita, nuk desha të shkruaja natën. Edhe më vonë, një mesazh i shkurtër i tët bije nëpër natë, thirrja e fikur e saj “Ah, ç’më bëri!”, m’i bëjnë edhe më të vështirë këto rreshta. Liria për të cilën ke shkruar shpesh edhe ti, liria për të cilën ke luftuar edhe ti, nuk më jep të drejtën të të gjykoj në vendimin tënd, por të gjykoj një Shqipëri që ka ajër gjithnjë e më pak për gra si ti. Nëpër median shqiptare, ku je vërtitur shpesh mes pasionit dhe pasigurisë, këmbënguljes dhe drojës, dashurisë dhe hezitimit, ti ishe një specie e veçantë, ti dije vetëm të punoje, jo të shiteshe. Ka plot gra si ty, por kemi nevojë t’i njohim, sepse ato kurrë nuk bërtasin, ato vetem i japim Shqipërisë dhe kurrë nuk i marrin. Ty kurrë nuk të vinin ftesa për koktejle ministrore, për shëtitje turistike shoqëruese të tipit escort girl, nuk psherëtive kurrë për ndonjë çantë Hermes, as nuk u ankove se Tirana t’i thyente këmbë për të mbijetuar tu dhe familja jote, nuk bëre zhurmë kurrë për romanet e tu, edhe pse ishte një vajzë e talentuar, që nuk pati kohë – prej kësaj jete që po shpjegoj – as t’i ribotonte, nuk u përqave kurrë edhe pse e dite bukur mire se sa e vështirë është të rezistosh e papërlyer në kohë si tonat. Ti dije të falje bujarisht, aq sa ndonjëherë kam mendur se kjo ishte një e “metë” e jotja. E lumja ti! Por si ia dole e vetme, e pandotur, pritëse, përjetësisht e qeshur, pranuese, e pafjalë, e painat, e pamërzi, që të mbetesh ti, vetvetja, në kohën e tjetërsimit të madh që jetojmë? Gati pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, kur botuam bashkë romanin tënd të parë “Dashuri bjonde”, që u shit marramendthi, kemi qeshur shumë me faktin se do ta çudisnim dynjanë me titullin. Disa herë pata këmbëngulur ta merrje seriozisht talentin tënd, por ti nuk kishe kohë për të, nuk të tepruan kurrë minuta të mendoje për të. Ti, takëngrëna nga vrapi, ti mirësia Arlindë, je në paqen tënde tani, atje ku as moti, as stina, as koha, as fryma, as paraja nuk bëjnë sens, dhe mbase qesh me baladat e të gjallëve që kanë vendosur të vazhdojnë. Por ata duhet të vazhdojnë, për të bërë një mjedis ku Arlindat të mos ndjehen të vetmuara, dhe ku bijat dhe bijtë e Arlindjave të mos ndjehen të braktisur nga fati, dhe shoqëria.
Pushofsh në paqe!
Marrë nga muri i fb i Flutura Açkës, 26 gusht 2017
.
Lamtumire Arli**!
nga Cezar Rica
Po ta shkruaj emrin me përkëdhelinë e dy yjeve të veckël, siç ta shkruaja gjithmonë kur flisja me ty, konvencion të cilin, tashmë, vetëm unë e di. U derdhën shumë lotë e u thanë shumë fjalë të mira për ty, nga gjithë ata që të deshën. Në tryezën e rrumbullakët të miqësisë time të ngushtë, vendi i princeshës, sot ka mbetur bosh, e kështu do jetë përgjithmonë. Ti ke njohur shumë njerëz, ke patur miq, por janë shumë pak vetë që e kanë ditur se sa e farkëtuar, e palëkundur, e pastër ishte miqësia jonë. Më pyesje për dorëshkrimet e tua, e më jepje mendime për poezitë e mia të papublikuara. Në ty ishin të gjitha bukuritë e gruas, nga inteligjenca e kultivuar deri te shikimi i kristaltë i syve kthjellorë. Ti zgjodhe fluturimin përmbi regjimin karantinë të antivlerave, ndërsa turmat dominuese gëlojnë nga vulgariteti metafizik, ti zgjodhe arratinë nga kazerma e degradimit social, ndërsa gulagët e zymtë të iluzioneve tona, janë mbushur me rafte të pluhurosur për mallra ”shpirtra të përdorur”, ti u kape pas dritës se fundit, ndërsa ne rendim pas fundit të dritës, Arli**.
Më buzëqeshje e më vlerësoje kaq shumë, nuk m’u zemërove asnjëherë, më zgjove besimin në një virtyt kaq të rrallë, siç është Miqësia, duke e pasuruar kaq shumë jetën time me rrezatimin e botës tënde shpirtërore. Pa ty, bota është një vend edhe më i dyshimtë…
Lamtumirë Arli**!
Marrë nga muri i fb i Cezar Ricës, 25 gusht 2017