back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy letra të At Fishtës dërgue albanologut të madh Norbert Jokl

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Dy letra të At Gjergj Fishtës

dërgue albanologut të madh Norbert Jokl

(Nga fondi i Bibliotekës Kombëtare Austriake në Vjenë)

Paraqitje
Këto dy letra që po botojmë janë shkrue prej P. Gjergj Fishtës dhe i drejtoheshin albanologut të madh austriak me origjinë izraelite Norbert Jokl. Miku e studiuesi i pashoq i gjuhës e letërsisë shqipe pat lindë në Bisenz me 25 shkurt 1877, dhe vdiq në rrethana tragjike me 6 maj 1942 në afërsi të lokalitetit Maly Trostinec, ndërsa internohej prej nazistëve në një kamp përqëndrimi në Poloni.
Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Skiroit, Naimit dhe traditës bektashiane, De Radës dhe arbëreshëve, Shantojës dhe Koliqit, pat krijue një bibliotekë albanologjije e indogermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtue rreth 300 copë. Duhet thanë se dëshira e tij ishte që ajo bibliotekë t’i përkiste Shqipnisë. Së dyti, duhen shenjue tentativat e bame prej personaliteteve të ndryshme të kulturës e politikës europiane dhe prej vetë qeverisë shqiptare, të përfaqsueme në personen e Ernest Koliqit, për me e shpëtue Prof. Jokl-in, tue e ftue me jetue e me punue në Shqipni. Kët gja e dëshmojnë letrat e profesorave Krahe, Kretschmer, Tagliavini, Koliqi, F. Ercole, G. Schiro, e gjithashtu edhe hapat e marrun në rrugë diplomatike prej ministrit Bottai, prej ambasadorit italian në Berlin dhe prej konsullit shqiptar në Vjenë, Dr. Nikollë Rrotës. Mjerisht egërsija naziste nuk i dha mundësi profesorit të shquem me u strehue në Shqipni, e ai i dëshpëruem, prej se i ndamë nga librat e tij të çmueshëm, gjatë rrugës për në kamp të përqëndrimit u hodh prej trenit tue mbytë veten. Dorëshkrimet e tij të vlerta, prej kah u nxorën këto letra të Fishtës, të cilat botohen të plota e pa kurrfarë ndryshimi, gjinden sot e kësaj dite në fondin e Bibliotekës Kombtare Austriake në Vjenë.
A.N.

Norbert Jokl (1877-1942)
Norbert Jokl (1877-1942)

Letra e parë

Shkodër, 26 fruer 1926
Clarissime,
U falem nderës shi prej zemret per t’interesantshem vepren t’Uej, qi m’keni dergue prej Berlinit, si edhè per “brochures” tjera mbi gjûhë shqype. Kemi per t’i ruejt si një visar në bibljotekë të Kuvendit t’onë Vllazent e mië Françiskaj kan marrë krye (sont orgueilleux)1) per fjalë të bukura, me të cillat m’i keni percjellë ato botime. U falem nderës fort.
Edhè un vetë kam redue m'”Arkiv” të Belgradit artikullin e Prof. Sufflay mbi “A A”, prej të cillit u vertetova, se as Zotnija e Juej atjè në Wien as un ktû në Shkoder tash per tashme gjith vullndesë të mirë t’onen nuk do mund të konkretojmë gja per vijim t’asajë vepre aq t’interesantshme. Intonacjoni i artikullit të Prof. Sufflay as mue s’më ká ba pershtypje fort të kandshme. Duket se lufta e madhe, posë kartet t’Europës, ká çatrafillue edhè karten e trûve të shûm e shûm kujë n’Europë…
Sado qi në pikpamje dijenike nihma e ême në perpilim t’asajë vepre të ré mbi gjûhë shqype, per të cillen m’flitni në letër t’Uej, do të ketë një vlerë tepër relative, me gjith kta kam me u gjetë në dispozicjon të Zotnis s’Uej, sa herë të m’drejtohi me ndonjë pvetme mbi shqyptim a kuptim të ndonjë fjalës shqype. E si peng të ksajë vullndese të mirë t’ême, palue ktû mbrendë po u dergoj një listë ma 500 êmnash të vjeter Shqyptarësh, burrash e grásh: m’pjesë t’eper, të burrave; në pjesë të fundit, të gráve. Kta êmna kan kênë mbledhë në Malci të Madhe. Do t’a dini, se Malcorët e vërtetë qi në pagzim fmive u njesin êmna të kshtênë; por në shpi, ma e shûma, u vên një êmen pagan Ilyrsh(?), me të cillin mandej e quejn të gjith. Ket listë m’a ká përmbledhë një Frat i joni, Pater Bernard Llupi, i cilli ká ndêjë shúm kohë në Hot; edhè e ká mbledhë për qëllime të mija letrare. Un po i a dërgoj Zotnis s’Uej me mendimin se mundet me U hie në studjim të gjûhës shqype.
Sikurë keni mûjtë me pa “Hylli i Dritës” vjetin 1924, ka botue disa rapsodi të Maleve t’ona. Disa ndër to b.f. “Martesa e Mujit”, “Martesa e Halilit”, “Gjergj Elez Alija”, “Múj e Behuri” mbas mendimit t’ êm, nën ç’do pikpamje kan një randsi të madhe fort e meritojnë me kênë studjue e kthellue sa ma mirë. Një gjýgj i Z. s’Uej mbi to né kishte me na dhanë ma tepër zêmer në të mbledhun të tyne. Në Malci të Madhe gjindet një malcuer, i cilli pos sa tjerash di 63 rapsodija mbi Mujon e Halilin, e thotë se të gjitha kan një lidhni ndërmjet vedit. A mos gjindemi para cyklit rapsodijash mbetë prej ndonjë poemit të madh të vjetër?… “Martesa e Halilit”, fjala vjen, mue m’duket se ká një rrjedhë logike ma të madhe, se mund të pritet prej një rapsodit të maleve t’ona. Sod per sod nuk asht punë qi bahet, me i përshkrue ato 63 rapsodi; pse aj malcori sod gjindet nën Jugoslavi. Per në paçi kohë, U lutem me m’shkrue mendimin t’Uej mbi kto rapsodi. Një herë tjetër edhè un kam me u shkrue pak ma gjatë mbi kto rapsodi.
Për në mûjsha e për në kjoftë se Jue u hinë në punë, do të mundohem me perba edhè një tjeter listë êmnash topografike. Kujtoj se hinë në punë në pikpamje historjake. Nen Shkodër gjindet një vend qi i thonë: “Kodra e Katilinës”; Nën mal të Bishkasit, nja katër orë larg Shkodre, gjindet një tjetër vend i quejtun “Kodrat e Çamarratit”. M’duket se kam pasë kndue dikur m’Tiraboschi-n, se një mbretit t’Etrusqve i kishin pasë thanë: Ciamaratius.
N’e páshi kund Prof. Dr. Patsch, U lutem falju me shndet prej anes s’eme.
Tuj U shtërngue dorën, U falet fill e prej zêmret
P. Gjergj Fishta

1)Teksti këtu lexohet pak me vështirësi e me shumë mundësi dëshmon një pasiguri drejtshkrimore të letërshkruesit.

Fishta midis Profesorëve të Illyricum 1922
Fishta midis Profesorëve të Illyricum 1922

***

Letra e dytë

Shkodër, 27 Qershuer 1926
Fort i Ndritshmi Zotni Professor,
Shi ndër kto dit, tuj mendue un si me vertetue, shqyptimin e kuptimin e fjalës birov, për të cillat sende Zotnija e Juej m’pvetshi me letër të 7 të k. m. për fat të bardhë i a mbrrini në Shkodër një franciskan shqyptar, P. Zef Mesi, i cilli para do vjetsh ká pasë shërbye për shum kohë si famullitar në Lurë: bajrak i Dibërs, nja 5 orë në Nord-Est t’Oroshit.
Mbas dishmis s’ktij P. Zefit, pra, fjala birov vertè ekziston në gojë të popullit të Lurës, edhè merret në kuptim të caktuem në fjaluer të “Bashkimit”, por jo vetëm per të shenjuem një capovilla, principale d’un paese, veç edhè ç’do tjetër kryetar vepre a acjende: njashtû si përdorohet n’anglishte fjala chairman. Për kahë shqyptimi kjo fjalë asht oksitone. Kshtû oksitone asht fjala Ungrej e fjala pedim. Për fjalën pedim sod me sod nuk mundem me U thanë, se në të cillen krahina të Shqypnis përdorohet. Edhè kshtû sugurisht mund të dihet, se fjala birov përdorohet në Lure e në Mirditë; pra, posë qi Lurja, asht per kufi me Orosh, Don Dodë Koletsi, qi ká pasë pregatitë fjalorin e “Bashkimit” për botim, sado qi lé në Zadrimë jetën e vet e ká kalue krejt në Mirditë tue marrë djalektin e shqyptimin e ksajë krahine.
Ktû po marr lirin, me hie në bisedë me Zotnin t’Uej, mbi një çashtje e cilla, kujtoj, jo veç se asht n’interese të Shqypnis, por edhè t’historis s’kulturës e të gjytetnis s’Europës.
Kam pasë marrë vesht, se në Akademi të Wien-s gjinden në dorshkrim dy blêjtvolumes e mbramë t'”Acta et Diplomata etr.” të Thalloczit, Jireçek, Souflay, e se ajo Akademi nuk i boton vetëm për mungesë të mjeteve. Tashti, tuj u gjetë un në Romë, kû kam ndêjë prej 1 Nanduer 1924, e dér me 11 Máj 1926, Qeverija Shqyptare m’proponoj, qi un të rrijshe në Romë edhè mbas të mbyllunit t’Ekspozicjonit Vatikan, pranë të cillit un kam kênë si atachè për repart të Shqypnis etr. për me shqertue nëpër arkive të Vatikanit dokumentat, qi mund t’interesojshin Shqypnin e historin e sajë; e sikurë për tjerë shqërtuesa dokumentash qi ajo kishte ndër mend me dërgue në Wien, Cosple1), Belgrad, etr. m’lajmote, se për kët shërbim do të m’kishte caktue një rrogë. Un nuk e pranova kët përlim, për arsye qi tuj mos me pasë kurrnjë kompetencë të veçantë në histori, me at vepër un nuk do të kishe kalue caqet e një periferis s’kopistit.
Veç shka se nëpër një mik t’êmin tërhoqa vrejtjen e Qeveris Shqyptare mbi fakt, qi ato shpenzime per dokumenta do të dilshin të kota: mbasi askush ndër Shqyptarë të sodshëm nuk mund do t’a kishte krye at vepër me një kompetencë sado elementare. Prandej do të kishte dalë punë fort ma e dobishme, qi Qeverija at credit për të mbledhun dokumentash t’a epte për botim t’atyne dy blêjve t’ “Acta e Diplomata etr.” qi Akademija e ëien-s nuk mundte me i botue për mungesë mjetesh. Ky mendim i êmi duket se u ká hie në krye do njerzve të Qeveris s’Tiranës, edhe Ministri i Punve të Mbrendshme, m’ká lypë zhvillime en dettaille2) mbi ket çashtje.
A ká mndyren Zotnija e Juej si me m’ba me diejt: a përnjëmend ekzistojnë kto dy dorshkrime të A.A. n’Akademi të Wien-s? Sa të holla në Frcs.3) ár kishin me u lypë të botuem të parin blê? mbas cillash konditash a shartesh Akademija kishte me pranue konkursin e Qeveris Shqyptare per botim t’asaj vepre? Po pat mirsin Zotnija e Juej m’e vijue korispondencën me mue mbi ket çashtje, un kam me U a diejtë fort për nderë ket punë… Un nuk mund U tham, se dér kû ka giasë me u realizue ky proponim i jemi; por me gjith kta asht punë e levdueshme, qi un për interese t’historis s’komit t’êm e Zotnija e Juej n’interese, mostjetër, të dijenis të mundohemi për botim t’asajë vepre përnjimend kolosale qi janë “Acta et Diplomata etr.”
Në shpnesë se Zotnija e Juej ká me u marrë edhè tash e mbrapa me vepra kulturale, qi kan të përpjekun me përparim të Shqypnis. U shtërngoj dorën e kam nderin me u dishmue i Juej
P. Gjergj Fishta ofm

1)Constantinople.
2)Détail.
3)Francs.
Marrë nga http://www.kulturserver-hamburg.de/home/shkodra/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.