back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Dy Motrat Juka: Model jete gjithnjë më i rrallë në ditët tona – nga Aurel Plasari

Gazeta

Lume Juka
Lume Juka

Dy Motrat Juka: Model jete gjithnjë më i rrallë në ditët tona

nga Aurel Plasari

Shënim: Dje, ditë e shtunë, është përcjellë për në “banesën e fundit” zonja Lume Juka, profesoreshë muzike dhe njëherësh misionare humaniste, atdhetare – e pazhurmshme – për nga veprimtaria. Ishte motër e një tjetër zonje të nderuar, me emër në kulturën europiane, madje edhe botërore, ndonëse jo sa do të duhej e njohur në kulturën shqiptare, e profesoreshës Safete Sofia Juka. Pikërisht profesoresha, të cilën unë në vitin 2009, fort pak e njihja, – kisha në bibliotekën time vetëm librin e saj “Kosova: The Albanians in the light of historical documents”, New York 1984, – u bë shkak për të komunikuar me zonjën Lume Juka dhe për të bërë të njohur me të.
Ishte një ngjarje historike në kulturën shqiptare ajo që më njohu me Dy Motrat. Profesoresha sapo ishte ndarë nga jeta dhe në testamentin e saj kishte lënë të shënuar që një shumë kursimesh jete, prej 40.000 $ të depozituar në një bankë të Nju Jorkut, t’i dhurohej Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Këtë amanet do ta përmbushte e motra, e nderuara zonjë Lume Juka. Ajo u vu në komunikim, nëpërmjet një letre të dhembshur dhe njëherësh fort të dinjitetshme, me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare. Qe emocionuese letra e saj – aq njerëzore! – me shkrim dore gjithë trajta të rrumbullta si rruaza, e zbukuruar aty-këtu me lule të vogëlza të vizatuara me lapsa ngjyrash, athua një letër dashurie për bibliotekat, për librat.
Me rastin e pritjes së nderimit që mbahet sot në qytetin e Dy Motrave nuk mendoj të ketë vlerë të përmendurit e komunikimeve me zonjën e nderuar Lume Juka ose të kuvendimeve kërshërore me të. Më mirë po lejohem të rikujtoj – edhe për ndokënd që nuk e ka ditur – atë ngjarje të cilën vijoj ta quaj historike për kulturën shqiptare.
 .
Nene Tereza dhe Lume Juka
Nene Tereza dhe Lume Juka

“Lume Juka

New York, 19 qershor 2009
 
I ndershmi Dr. Plasari.
Uroj që të jeni mirë me shëndet, gjithashtu edhe njerëzit që ju don zemra.
Do të kishe dashtë me ardhë me ju takue unë vetë. Tash përtash nuk kam mundësi. Shpresoj të vij ma vonë. Por i jam lutë zonjës Shpresa Hudhrit – mikeshë e motrës dhe e jemja – të më përfaqësojë dhe ia dijta shum për nderë që e pranoi.
Prof. Dr. Safete Sofia Juka – motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë – ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mij dollarë) që t’i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.
Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme.
Ka pasë nji kulturë të gjanë, por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmí dhe i thojshim: “Ti ké lé me libër në dorë!”
Nuk ka mendue kurrë me u ba “e njoftun”. Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t’i shprehi ato në mënyrë të përsosun.
Me sá dij unë, asht e vetmja zonjë shqiptare që të ketë shkrue direkt n’anglisht nji libër për Kosovën, jashtzakonisht të dokumentuem, botue në vitin 1984. Ishte tué shkrue nji tjetër edhe ma të dokumentuem kur vdekja mjerisht e rrëmbeu.
Për familjen t’onë mërgimi ka kenë tepër i vështirë. Me sakrifica shum të mëdhaja motra i ka ba studimet e saja.
Ndofta edhe pse ka vuejtë kaq shum i ka kuptue e ndihmue të rijtë që nuk kanë mundësi me u edukue si duhet dhe ka thanë në nji intervistë: “Unë kam shumë besim në popullin t’em e mbajë në vetvete nji shpresë të thellë se të rijtë e sotëm Shqiptarë – djelm e vajza – kanë me pasë mundësina me krijue e prodhue, e kur të rriten kanë me pasë çka me diftue, për jetën e krijimtarinë e tyne, gjana mâ të vlefshme se kam unë sot…”
Dashtninë për atdheun e gjuhën t’onë të mrekullueshme na e mbajtën prindët. Tue shkue në shkolla të hueja na vinte ma lehtë me folë me njeni-tjetrin në gjuhë të huej. Por, posa kalojshim prakun e shtëpisë, na thojshin: “Këtu asht tokë shqiptare e flitet vetëm shqip.”
Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e Bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë… Vetëm në se ju dhe nji komision do ta shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gjâ, e kështu do t’u ndihmonte biblioteka: sugjerim i jemi.
Me respekt,
Lume Juka”.
Safete S. Juka (28 Nandor 1923-6 Nandor 2005)
Safete S. Juka (28 Nandor 1923-6 Nandor 2005)

Në fund të përgjigjes sime, mbas falenderimeve, i kam pas shkruar zonjës Lume Juka për të motrën që sapo ishte ndarë nga jeta: “Apartamenti i saj i vogël, që ka pasur për “pasuri” vetëm libra dhe piktura, sikurse Ju tregoni, më kujton apartamentin tim, gjithashtu krejt modest, që për pasuri ka jo më shumë se libra dhe piktura. Ndaj dhe ndihem dyfish i emocionuar për aktin bamirës të motrës Suaj dhe për modelin e jetës së Saj gjithnjë më të rrallë në ditët tona”.

Ua përcolla edhe mediave lajmin për atë gjest unikal, tanimë të të Dyja Motrave, duke njoftuar edhe se vendimi i njëzëshëm i Këshillit Shkencor të Institucionit që atëherë drejtoja ishte që donacioni i profesoreshës Juka të përdorej vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë, duke mbajtur edhe shënimin e dallueshëm: “Nga dhurimi i Znj. Safete Juka”.
 
Ndërsa e nderuara zonjë Lume Juka u përcoll dje, edhe ajo, në atë që e quajmë “banesë e fundit”, po ju tregoj gjithë pezm që amaneti i Dy Motrave nuk ka mundur të shndërrohet ende në libra, në koleksion librash. Dhurimi ndodhet gjithnjë në llogarinë në valutë të Bibliotekës Kombëtare: ligjet idiote të shtetit shqiptar nuk ua mundësojnë institucioneve si Biblioteka Kombëtare të operojë për blerje librash, me fonde në valutë, jashtë territorit të shtetit shqiptar. As meritojnë shpjegime këtu ligje të tilla: të shkolluara në botën normale dhe qytetare amerikane, Dy Motrat nuk do ta kuptonin aspak një absurditet të këtillë.
Por ngjarja historike, e cila në kulturën shqiptare ka mbetur e papërsëritur, nuk mund të mos kujtohet. Ndërsa shkruaj këtë mesazh, nga banesa ime si atëherë edhe sot krejt e thjeshtë, e kuptoj dhe e vlerësoj edhe më shumë modelin e Dy Motrave, të cilat pothuaj në heshtje modestie e përkushtuan veten për t’u bërë kaq të dobishme për shoqërinë shqiptare, për atdheun.
I lehtë u qoftë të dyjave dheu i vendlindjes dhe “banesa e fundit” e tyre le të jetë në kujtesat tona.
Aurel Plasari
Tiranë, më 5 korrik 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.