Dy poezi të Visar Zhitit
nga Libri “Kujtesa e Ajrit” (1993)
…Nëse “fatkeqsia” e të qenit poet, i dhuroi fatkeqsinë e të qenit i burgosur, fatkeqsia e të qenit i burgosur e dhunoi me fatkeqsinë e të qenit i urrejtun në amshim… ndërkohë që fatkeqsia e të qenit i urrejtur, rafinoi dhe madhështoi në shpirtin e Visar Zhiti “fatkeqsinë” e të qenit i dashuruem me gjithçka të kësaj bote.
Midis këtyre hallkave të pafundme fatkeqsish, gjarpëron shtegu i librit të parë të poetit Visar Zhiti: “Kujtesa e Ajrit”
“Kujtesa e Ajrit”, asht nji libër i blerët, ku gjithkund të shfaqet ajo… e vërteta e thjeshtë dhe e thellë, dashuria e trishtë dhe e bukur… Pylli i kësaj dashurie të vërtetë, të merr dhe të humb në pafundësinë e mistereve të veta, dhe nëse ndokund ndjehet përçmim dhe neveri ndaj shkaktarëve të vuajtjes njerëzore, ajo asht shumë herë ma e bukur dhe ma fisnike se “dashnia” e atyne që urrejtjen u përpoqën ta maskojnë me art… jr
Elegjia e pyjeve
Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe është shtuar sipërfaqja e frikës,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve,
ka më pak kafshë tani
më pak guxim e vetëtima më pak,
më pak bukuri
dhe hëna është e pambuluar
si një zhvirgjërim i dhunshëm dhe
pastaj i braktisur,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
sipërfaqja e poezisë, e psherëtimave,
fjalë gjethesh ka më pak
e thashetheme më shumë.
Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
lumenjtë s’magjepsen,
lumenjtë hutohen,
si zebra parqesh zoologjike na shohin
lumenjtë
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe sipërfaqja e turpit,
sa pak turp kemi tani
s’pendohemi për asgjë,
fare pak kohë kemi për t’u penduar.
Janë shtruar rrugët,
reklamat dhe dilemat
magazinat, kinematë e lavditë
është zmadhuar sipërfaqja e qyteteve
dhe sipërfaqja e turpit është zmadhuar
gjithë ato turpe sa s’i nxënë gazetat
dhe vijojnë në numrin e ardhshëm
dhe në abonimin e vitit tjetër të marrëzisë
Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe janë shtuar drejtoritë e pyjeve,
sipërfaqja e dashurisë është zvogëluar
dhe zogjtë kanë më pak vend
për dashuritë e tyre
se ata s’dinë të bëjnë dashuri zyrave,
është zvogëluar sipërfaqja
e fytyrave.
Një çunak vizton pemë mureve,
në sytë e mi vizaton pemët,
bën tatuazhin e pëemës
në lëkurën e krahut të tij të hollë
si fundi i shekullit të XX,
kaq shumë e ngul gjilpërën e nxehtë me bojë
sa pylli gumëzhin në gjak si dhimbje
e maisur plage.
Ëndrrat
Ti mbyll sytë, i dërrmuar
nga puna e tmerrshme këtu nën tokë.
Patjetër je duke ëndërruar,
se ëndrrave pranga s’u vënë dot.
Dhe le ta bëjnë ferr galerinë,
ti vuan që të mbetesh ëngjëll.
Mbi supe si flatra ke mirësinë
dhe fluturon nëpër ëndërr.
Ku vete kështu? Ah, unë e di
dhe ëndrrat lodhen prej kaosit,
dhe kanë ftohtë ashtu si ti
veç me kapotën e të burgosurit,
dhe spo të them që i vrasin ëndrrat
që kam shëtitur ndër varret e tyre.
Ndodh që të na vrasin më parë ëndrrat
dhe qajnë ato mbi ne si vejushe.
Befas u zgjove. Buzëqesh i trembur,
sapo u ktheve nga ai vend i lumtur.
Balli i mbushur plot me ëndërr
e di që bëhet më i bukur.
Spaç, dimër 1982
(Arbëria 11, shtator 1993)
Tek poezitë e tua z.Zhiti, lexoj gjithë vuajtjet e jetës sime!