back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy reflektime mbi dy refleksione te Jozef Radit – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Dy reflektime mbi dy refleksione te Jozef Radit

nga Thanas L. Gjika

“Jepini guxim enverizmit tuaj”

– refleksion nga Jozef Radi

Në shkrimin “Jepini guxim enverizmit tuaj! – Refleksione”, ai ka vënë në qendër trajtimin e një debati të hershëm të periudhës sonë të tranzicionit, mbi të quajturin “Komunizmi shqiptar”. Qëllimi i këtij shkrimi është kthjellimi i nostalgjikëve të sistemit diktatorial të Enver Hoxhës prej mendimit të gabuar se sistemi shoqëror politik që sundoi në Shqipëri gjatë viteve 1945-1991 ishte një sistem i mirë komunist që i dha zhvillim një të tretës së botës.
Jozef Radi si një analist i një cilësie të lartë, ka marrë përsipër prej vitesh misionin qytetar për të ndriçuar shoqërinë shqiptare mbi dëmet që i shkaktoi diktatura komuniste popullit tonë dhe çlirimin nga nostalgjia ndaj atij regjimi të atyre shqiptarëve që kishin qenë të privilegjuar prej tij.
Qysh në fillim ai shpall: “Për fatin e saj tragjik, në Shqipëri s’ka pasë asnjiherë komunizëm. Nëse ka ekzistuar ndonjë syth a bisk i asaj që rëndom quhet komunizëm, ajo u zhduk qysh në lindje të saj…”
Radi e thotë hapur se gjatë sundimit të diktatorëve Hoxha-Alia edhe gjatë tranzicionit shqiptar kemi të njëjtin sistem: “emri i vërtetë i këtij spektakli që zgjat prej 75 vitesh (47 vite lëdatash e 28 vite sharjesh) nuk mund të quhet ndryshe veçse enverizëm”.
Me zgjuarësinë dhe formimin e vet, ai jep karakterizimin e kësaj dukurie: “Enverizmi, është një fenomen okult, ku asgjëja kërcënon diçkanë, jo si vetvete, po si fenomen i sponsorizuar dhe afat gjatë: ku mashtrimi mbyt të vërtetën… për ta grabitur deri në qelizë e për ta rrënuar deri në strukturat genetike këtë popull… Enverizmi, – shton ai, – s’ka ideal, s’ka kulturë, s’respekton asnji traditë, s’respekton asnji koncept të jetës, siç janë prona, liria, drejtësia, morali… Enverizmi ka nji mision të vetëm: Pushtetin! Asnji element tjetër nuk i intereson, aq më pak elemente të tillë si Kombi, Zhvillimi, Ligji…”
Kështu ia hap petët lakrorit autori për t’i kthjelluar ata që përfituan privilegje nga ai regjim dhe në vend që të tërhiqeshin mënjanë me turp mbas dështimit të tij, vijojnë të mbajnë poste qeveritare edhe sot.
Ai e thellon më tej luftën kundër nostalgjikëve të atij regjimi, duke theksuar se enverizmi ishte një regjim çnjerëzor e kriminal: “Ai ka në themel urrejtjen, kur e lodh urrejtja ndaj atyre që i përcakton armiq, shpik dhe riciklon urrejtjen me vetveten”.
Këtë politikë të urrejtjes, ky regjim e kreu me kriminelë e banditë dhe jo me politikanë. Që t’ua presë hovin kundërshtarëve të idevetë tij autori shtron pyetjen: “Po çfarë komunisti mund të ishte Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Mehmet Shehu, Kalo Karafili, Bedri Spahiu, Koçi Zoxe, Mestan Ujaniku, Aranit Çela, Nevzat Haznedari, e plot të tjerë, të cilët do t’i kishte zili çdo kaçak e bandit i kësaj bote”?
Përsëri me pyetje e zbulon Radi dhe politikën e kuadrit që ndoqi e ndjek enverizmi duke emëruar e mbajtur në pushtet njerëz të përlyer që t’i shërbenin e i shërbejnë me nënshtrim: “Për çfarë komunizmi mund të flitet, kur nji pjesë e mirë e drejtuesve politikë të fillimit si Nexhmie Hoxha, Nako Spiru, Kahreman Ylli, Bedri Spahiu, Spiro Mojsiu e plot emra të tjerë, që figurojnë me letra në partinë fashiste dhe s’ka pasur kurrë ndonji përgënjeshtrim prej tyre”? Pas kësaj pyetje, lexuesi nuk ka si të mos e kuptojë se dhe mbajtja në pushtet e Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushit, Kastiot Islamit, dhe shumë ish-sigurimsave dhe ish-komunistëve në qeveritë e tranzicionit është vijim i politikës enveriste të kuadrit me pushtetarë të nënshtruesëm.
Asnjë iluzion nuk duhet ushqyer ndaj tranzicionit sepse: “Shqipëria, mjerisht e tragjikisht ka pasur e ka vetëm enverizëm. Edhe pasdiktatura s’është asgjë tjetër vetëm pasenveriste dhe enveriste: dikur mision për mbajtjen e pushtetit, sot detyrë e vetme për transferimin e gjithçkaje që ishte e popullit shqiptar, mbledhur prej banditizmit, në shkuarje përmes ligjesh e vendimesh gjyqësore të blera ndër persona banditeskë që kanë në shpirt diktaturën, privilegjet e veta dhe nënshtrimin e popullit ndaj enverizmit…”
Në fund nuk lihet pa u fshikulluar dhe populli shqiptar, i cili pasi e vuajti mbi kurriz enverizmin banditesk dhe tranzicionin pasenverist, ka mbetur spektator… pa busull.
Për nga stili i ngjeshur ku thuhet me shumë pak fjalë, për nga guximi dhe thellësia e kritikave, analisti Jozef Radi është një ndër talentet e rallë të ditëve tona. Këto dy shkrime analitike të tij të kujtojnë poemthin “Moj e mjera Shqipni” të Pashko Vasës.
Jozef Radi si analist dhe Visar Zhiti si shkrimtar janë dy përfaqësues të talentuar që vijnë nga radhët e atyre njerëzve që vuajtën kalvarin e dënimeve si të përndjekur politikë, të cilët sjellin mendimit demokratik shqiptar plot përvojë dhe me nivel të lartë artistik.
 
Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Të punojmë për Shqipërinë e vërtetë

Reflektim mbi “Dy Shqipnitë e nji flamuri” të Jozef Radit

nga Thanas L. Gjika

Jozef Radi, djali i juristit, shkrimtarit e përkthyesit Lazër Radi, gjatë fëmijërisë në ambjetin familjar u mëkua me idenë se krahas Shqipërisë Londineze ku ai jetonte, ekzistonte dhe një Shqipëri tjetër, ajo që përbëhej nga bashkësia e trojeve etnike ku shqiptarët përbënin shumicën dhe flitej gjuha shqipe. Kjo Shqipëri nuk përmendej në gazeta e libra shkollorë, por ajo kishte ekzistuar dhe ekzistonte në mendjet dhe zemrat e atdhetarëve. Për të kishin punuar e shkruar vëllezërit Frashëri, Atë Gjergj Fishta, për të kishin dhënë jetën Mic Sokoli, Dedë Gjoluli, Isa Boletini, Çerçiz Topull, Themistokli Gërmenji,  Azem e Shote Galica dhe një tabor i madh atdhetarësh të vërtetë. Prindërit e mëkuan me idenë se ishte detyrë e shenjtë të punoje e sakrifikoje për ta bërë realitet këtë Shqipëri, që ata e quanin “Shqipëria e vërtetë”.
Rritej Jozefi bashkë me shqetësimin brenda vetes se si të shuante luftën që Shqipëria Londineze, ajo që prindërit e tij e quanin “Shqipëri e pavërtetë”, i bënte Shqipërisë tjetër, “Shqipërisë së vërtetë”. E trondisnin lajmet dhe shkrimet e gazetave ku mësonte se shpalleshin armiq e tradhëtarë, se arrestoheshin, burgoseshin e pushkatoheshin atdhetarë. Duke gëlltitur lot dëgjonte pëshpërimat se nuk u lejua Nënë Tereza të vzitonte varrin e nënës së saj për të vënë aty një tufë me lule.
Rritej ky qytetar duke vrarë mendjen se si të pushohej lufta ndaj njerëve, të cilët kishin sakrifikuar nderin, pasurinë e talentin për “Shqipërinë e vërtetë”?
Dhe ja erdhi dita kur ai hodhi mendimin e vet se “Shqipërinë e vërtetë” e donin Zoti dhe atdhetarët e vërtetë, kurse “Shqipërinë e pavërtetë” e donin haxhiqamilistët dhe puthadorët e diktatorit Hoxha. ata që meritonin epitetin “shqiptarë të pavërtetë”. Tani ai i sulmoi “të padijshmit, të pangijshmit, të pandijshmit” për luftën e ashpër që i kishin bërë dhe i bënin “Shqipërisë së vërtetë”. I dha të drejtë dhe e ngriti lart Faik Konicën për formulën lapidare: “Shqipërinë e krijoi Zoti, e shpëtuan idealistët dhe do ta vrasin politikanët”.
Jozefi analist i pjekur shpreh besimin e vet se nga këto dy Shqipëri që ecin “si dy qè që lodhin njeni-tjetrin, si dy shina që s’puthen kërkund, si dy shemra të vëngërta e anmiqsore mes tyne, si sy krena kryeneçë që s’kthehen së mbari….” do të mbetet e paepur, kryefortë e krenare “Shqipëria e vërtetë”, ajo që ai e quan “Shqipni e fisme dhe e qytetnueme e Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës, e Eqrem Çabejt dhe e Selman Rizës, e Nanë Terezës dhe e Shote Galicës”.
Për t’i ndihmuar që të ecin drejt katarsës ata krijues që dhanë mendime për të dënuar veprat dhe autorët që kishin shfaqur mendime jokonformiste, Jozefi shton: “Shqipnia e Genc Lekës dhe e Vilson Blloshmit ka me ndje neveri dhe përçmim për Shqipninë e Diana Çulit e të Koçi Petritit”.
Nuk mund t’i lerë pa i kritikuar dhe krijuesit e letërsisë së realizmit socialist, qofshin dhe më të talentuarit e saj: “Shqipnia e Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit dikur ka m’u kujtue se ka jetue në bashkohsi me Shqipninë kryefortë të Kasëm Trebeshinës e Trifon Xhagjikës; Shqipnia e Mitrush Kutelit dhe e Lasgush Poradecit s’ka me gjetë asnji arsye me u matë me Shqipninë e Fatmir Gjatës e Andrea Varfit”.
Guximi i tij ngrihet dhe më lart kur u drejtohet studiuesve akademikë që kishin mbështetur dhe vijonin të mbështesnin mësimet e ish-partisë shtet edhe pas 25 vjetëve nga dështimi i ideologjisë socialistese. “Shqipëria e vërtetë” thekson ai, është e Isuf Luzajt dhe Martin Camajt dhe kjo Shqipëri do të ndjejë neveri dhe përçmim për “Shqipninë harbute të Enver Hoxhës dhe Aranit Çelës, të Aleks Budës, Gudar Beqirajt dhe Muzafer Korkutit”.
Duke dashur të na orientojë drejt në jetën dhe marrëdhëniet tona, eseisti Jozef shton se “Shqipëria e vërtetë ka në zemër shqiptarinë e dashurisë së Ibrahim Rugovës dhe Anton Çetës”. Dhe pas kësaj guxon të qortojë intelektualët e shquar që nuk ecin në këtë rrugë, por shkuajnë shpesh me mllefe: “Shqipnia e vërtetë… ndjen lodhje prej shqiptarisë mllefshume të Rexhep Qoses dhe Baton Haxhisë”.
Pastaj për të na treguar se nuk duhet të humbim kohë, po duhet t’i futemi punës për t’i shërbyer të gjithë “Shqipërisë së vërtetë”, ai thekson me optimizëm se kjo Shqipëri është e përjetshme, sepse “ajo është e padërmëshkallëve e lekpervizëve, arshipipëve dhe havzinelëve…”. Kjo Shqipëri e idealeve dhe e sakrificave, shton Radi, “nuk ka si të mposhtet prej Shqipnisë pragmatiste dhe kanibaleske”.
Në fund ai mbërrin te mesazhi i tij, mesazh që të kujton vijën së artë:
“Janë dy Shqipnitë që i rrijnë vetvedit përballë…
Shqipnia e Flamurit, në dukje asht Shqipni simetrike, ku njaq bukur përputhen dy gjysat e saj.
Te kjo Shqipni dy gjysash në dukje simetrike, që jo vengër e shofin njena-tjetrën, po shumë ma përtej; duhet kërkue dhe duhet gjetë Shqipnia e simetrisë së paqme e të mirkuptueshme; Shqipnia e vlerave, e sakrificave dhe e dashnisë, e cila domosdoshmërisht duhet m’u shfaqë sa ma shpejt e sa ma fuqishëm te krejt ata që ndjehen krenarë pse fati u qëlloi me qenë asgja tjetër, pos shqiptarë”!
Ky përfundim do të mbetet udhërrëfyes që vlen të ndiqet prej të gjithë atyre që e kanë në zemër Shqipërinë derisa të realizohet krijimi i shtetit shqiptar të vërtetë që do të përputhet me “Shqipërinë e vërtetë” të idealistëve të vjetër e të rinj.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.