back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Dy shënime për “193 Kafazët” e Rezart Palluqit nga Shpend Sollaku – Noe e Maks Rakipaj

Gazeta

 

Rezar Palluqi - Roman -"193 Kafazët"
Rezar Palluqi – Roman -“193 Kafazët”

Dy shënime për Romanin “193 Kafazët” e Rezart Palluqit

 nga Shpend Sollaku – Noe & Maks Rakipaj

Shpend Sollaku - Noe - 1977
Shpend Sollaku – Noe – 1977

“193 kafazët” nën prizmin artistik…

nga Shpend Sollaku – Noe

Është folur tashmë për romanin e Rezart Palluqit “Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet” por është parë më shumë në aspektin politik. Por, rreth ngjarjesh të tilla, është shkruar e do të shkruhet përsëri. Nga ato shkrime voluminoze do të mbeten vetëm ato që kanë merituar të ngjiten deri tek arti i vërtetë. Prandaj, në këto shënime të shkurtra, po përpiqem në mënyrë modeste ta shoh në prizmin artistik:
Cilat janë pikat e forta të autorit?
Mendoj se aftësia të zotërojë një fjalor të admirueshëm në përshkrimet e ngjarjeve, e bën këtë vepër mjaft të pasur nga përmbajtja leksikore. Gjë e rrallë kjo për një autor që jeton larg Shqipërisë. Po ashtu Palluqi është i zhdërvjellët në dialog, kusht ky i domosdoshëm për të mos e lodhur lexuesin.
Në një roman me një subjekt të tillë edhe personazhet duhet të jene tipa “të rinj”, që nuk u ngjajnë shablloneve të krijuar nga autorucë të tjerë. Edhe kësaj gracke autori ia ka arritur tʼi shmanget.
Aftësia për të ndërtuar një ngjarje të besueshme, me detaje origjinale, që shket lirshëm, me dialogë të zhdërvjellët e një leksik të pasur janë një bazë e rëndësishme edhe për të ardhmen artistike të Rezart Palluqit. Fjala e fundit i mbetet lexuesit.
Me këto lloj romanesh ai vetëm pasurohet shpirtërisht.

Maksim Rakipaj 1971
Maksim Rakipaj 1971

Përshtypje nga romani “193 kafazet” i Rezart Palluqit

nga Maks Rakipaj

…Një roman është një vepër artistike që shpesh, bazohet edhe mbi fantazinë dhe përfytyrimet e artistit. Mund të jenë edhe ngjarjet e trajtuara në këtë roman thjesht fantazi. Por është një fantazi që nuk të le të fluturosh mbi flatrat e saj. Por të përplas përtokë. Të shkund. Të tmerron. Të hap sytë ta shohësh syhapur realitetin shqiptar, 25 vite pas “ndërrimit të regjimit komunist”.
Për krimet e përbindshme të kryera nga “arma e dashur e PPSH”, Sigurimi i Shtetit ende nuk ka asnjë fajtor, asnjë të dënuar. Kriminelët e dikurshëm jetojnë të qetë pa u hyrë gjemb në këmbë nëpër Europë dhe në SHBA. Edhe në Shqipëri, në pension të qetë ose në parlament, gjykata, prokurori.
Gjykatësin që vari poetin Havzi Nela e kemi patur deri vonë kryetar të Gjykatës Kushtetuese; të birin e atij që firmosi varjen – e kemi Kryeministër. Dhe askush nuk ka kërkuar falje. Dhe nuk ka përse ta kërkojnë atë. “Ata” janë në pushtet. Siç qenë qysh kur i sollën jugosllavët më ’44, siç mbetën edhe pas vitit ’90, kur shpresuam se…
…Vite para arrestimit dhe dënimit tim në vitin ’77, kam qenë i bindur se Shqipëria nuk qe aspak një vend socialist, apo komunist, quajeni si të doni. Në një revistë ekonomike që botohej në vitet e regjimit hoxhist, qe një shkrim-protestë i ca mender me thanë “ekonomistave” shqiptarë, ku kritikonin përshtypjet e dy ekonomistëve englezë që patën vizituar Shqipërinë në fillim të viteve ’80. Me dy fjalë, bindja e ekonomistëve englezë qe se: “sistemi ekonomik i ngritur në Shqipëri, s’kishte të bënte aspak me idetë e socializmit shkencor po shërbente vetëm si fasadë për regjimin autokratik!!”. Për mua, qe një sistem që i lejonte padrinos enver hoxha dhe pjestarëve të Kupolës të sundonin të plotfuqishëm dhe vetëm familjarët e tyre qenë të lirë të gëzonin gjithë të mirat e kësaj jete. Sigurimi i tmerrshëm i shtetit luante rolin e atyre që padrinot siçiljanë i quajnë “piçoti”, që rrëmbenin njerëz, (arrestonin), që grabisnin (sekuestronin me gjyq), që vrisnin, që eliminonin bandat rivale (dënimi i antarëve të byrosë)… shpesh për t’u dhënë një mësim të tjerëve; dhe kontrabanda e duhanit dhe drogës vazhdonte. Kontrabanda e duhanit bëhej në një kalatë të posaçme në portin e Durrësit (kalata 1) dhe njeriu i ngarkuar me këtë punë qe një sigurims i besuar Q. Myftiu që hynte dhe bënte pazaret me mafiozët brenda në port me një veturë të bardhë Peugeot me targa TR 55-45; për drogën qe ngarkuar trupi diplomatik, një tjetër grup “piçotësh” edhe ky. E mbani mend skandalin në fund të viteve ’80, kur një diplomat shqiptar V. Thanasi u kap nga policia austriake me një sasi të konsiderueshme heroine dhe u shpall “persona non grata”, më pas u shtrua në psikiatri dhe nuk e di se ç’u bë me të. Por sigurisht duhet të ketë emigruar në SHBA si shumica e sërës së tij.
Të kujtosh dhe nipin e padrinos hoxha që drejtonte një laborator të madh droge është e tepërt. Dhe pas ndryshimeve “demokratike” nuk ndryshoi asgjë. Padrinot tani rrinë në hije; kryetarët e partive që shesin pordhë si të plotfuqishëm s’janë veçse mëkëmbësa; dhe “piçotët” janë të plotfuqishëm si më parë; janë po ata që bëjnë “aksidentet” (vrasje politike). Por paratë, si gjithmonë shkojnë tek Padrino dhe Kupola. Këta janë kriminelët e vërtetë.
Ish shefi i Sigurimit tek romani i Palluqit qe vetëm një shef “piçotësh”. Ish hetuesi im Spiro Spiro, që m’u prezantua në arrestimin tim si oficer sigurimi, pas fitores së “demokracisë” u emërua nga qeveria demokratike si antar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë!! Këto më kujtoi romani ngjethës “193 kafazet” i shkrimtarit Rezart Palluqi, ku 193 kafazet janë 193 shtetet e botës, por kafazi që ndërtoi kryemafiozi enverhoxha qe më i pashembëllti në historinë e njerëzimit!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.