back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Dy shkrime për jetën e këputur nga krimi të Myzerin Zenelit – Elona Caslli –

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Një natë para fundit

nga Elona Caslli

Nesër do të filloj punë. Rroga nuk është e keqe, plus që ai shoku im që punoi vjet atje, më tha se dalin edhe bakshishe dhe fundi i muajit është i mirë. 3 muaj nuk janë pak. Lekët që do marr nuk do i mbaj të gjitha për vete. Do jap edhe diçka në shtëpi dhe pjesën tjetër do e mbaj për vete.
Do blej një kompjuter të ri se ai që kam është i vjetër. Kam një shok që mund të ma gjejë me çmim të mirë. Do qeras dhe shokët me rrogën e parë.
Ja fillova. Nuk është aq e vështirë. Është pak vapë dhe nga dreka lodhja ndihet më shumë se porositë nuk kanë të sosur dhe janë të gjithë të uritur. Secili e do pjatën i pari. Klientët në përgjithësi janë të sjellshëm. Ka dhe ca të bezdisur, por unë përpiqem të jem i duruar.
Nuk më besohet që erdhi fundi i ditës së parë. Nuk i ndiej këmbët. Mezi pres të rregullojmë tavolinat e të iki në shtëpi.
Llogarinë e mbylla dhe dola në rregull. Me bakshishe nuk dola keq si për ditë të parë. Tani të rregulloj dhe tavolinat dhe të iki. Është vonë. Po shkon ora dymbëdhjetë.
Ç’është kjo zhurmë?! Kush po zihet?! Krisma, armë dhe një goditje në kraharor.
Vë dorën mbi zemër. E kam të ngrohtë dhe të lagësht. Shoh dorën që prek zemrën. Është e lyer me gjak.
Post Scriptum- Këmbët më dridhen dhe bie në tokë. Tek dritat e restorantit më shfaqen sytë e nënës dhe dëgjoj zërin e saj kur më përcolli në mëngjes – Të priftë e mbara bir!
.
Myzerin Zeneli
Myzerin Zeneli

Nuk vdiq një djalë, vdiq djali i çdo shqiptari të ndershëm

nga Elona Caslli

Eljona Kodra – është një grua të cilën nuk e njoh, por më shkroi dje pasdite duke më falenderuar për shkrimin. Nga komenti i saj kuptohet se ka një lidhje me familjen Zeneli, që humbi djalin e saj në ngjarjen tragjike të Velipojës.
E dashur Eljonë, Myzerin Zeneli ishte djali i çdo shqiptari të ndershëm. Nuk vdiq veç një djalë, por vdiq djali i çdo shqiptari të ndershëm.
Nuk vdiq veç një djalë, por vdiq djali i çdo familjeje që me kokëfortësi dhe mes vështirësive përpiqet të rrisë bijtë e saj me besimin tek puna.
Nuk vdiq veç një djalë, por ne pamë lakuriq fatin tragjik të të rinjve shqiptarë në këtë vend.
Nuk vdiq veç një djalë, por bashkë me të vdiq edhe një pjesë e kësaj shoqërie.
Ndaj Eljonë, ishte më e pakta që unë mund të shkruaja për ngjarjen tragjike. Ishte më e pakta të ndërtoja ditarin e çdo djali të ndershëm në ditën e parë të punës.
Ndihem shumë e vogël para dhimbjes së madhe të nënës së Myzerinit.
Zoti i dhëntë forcën për të përballuar këtë dhimbje të pakufishme!
.
Post Scriptum – Myzerin, të qoftë dheu i lehtë vëlla, bir dhe shqiptar i ndershëm
.
Ngjarja e Velipojës - ku u humbën 4 jetë njerëzore!
Ngjarja e Velipojës – ku u humbën 4 jetë njerëzore!
Kthjellim
Hapësira e plazhit të Velipojës administrohet nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) është një institucion publik që varet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Një nga detyrat kryesore të kësaj agjencie është krijimi i një sistemi rregullash dhe standardesh për administrimin e duhur të hapësirave publike apo private të vijës bregdetare, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Post Scriptum – Lexoni para se të akuzoni!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.