Dy shkrime për një vajzë një program dhe një sistem…
nga Elona Caslli & Sonila Meço
Dy shkrime, për një vajzë, një sistem dhe një program,
nga dy zonja të medias që shtrojnë një shqetësim të madh shoqëror!
Krejt e dobët në përgaditjen intelektuale
dhe mjeshte në sistemin e intrigës dhe përfitimeve skuthore!
BBB (Bjondja e Big Brother) është tipike e të pashkolluarve laureatë!
Është humor i zi po edhe dhimbje ta ndiqja përmës saj
surratin e vërtetë të shkollës sonë që ka degraduar
dhe vazhdon ta degradojë pa asnjë mëshirë nga politika!!
Mjerim jo veç bjond i një bote tashmë të zezë…
jozef radi, 5 shkurt 2023
Dea Mishel, e vërteta që s’duam ta shohim e ta pranojmë
nga Elona Caslli
Rruga më e lehtë dhe më e shkurtër e mendimit është të kryqëzosh Dea Mishelin për njohuritë e cunguara që ka në fushën e historisë dhe të gjeografisë. Ta kryqëzojmë këtë vajzë dhe mbyllim historinë.
Kur isha në fakultet, në një orë seminari mes një profesori dhe një studenteje u zhvillua dialogu i mëposhtëm, pasi profesori i bëri një pyetje studentes së cilës studentja nuk dinte t’i përgjigjej.
Profesori – Kush të ka kaluar ty deri në vit të katërt?! Nuk e kuptoj.
Studentja – Ti më ke kaluar. Ti më ke dhënë mësim në vit të parë dhe më ke kaluar.
Është dialogu më kuptimplotë që ka lënë gjurmë në kujtesën time.
Lind pyetja: Një vajzë e re që pohon se ka kryer studimet me një mesatare të lartë, çfarë filtrash ka kaluar?! Sa e vërtetë është mesatarja e saj?!
Dea Mishel ka pasur mësues gjeografie dhe historie. Kush i ka dhënë mësim dhe si e ka vlerësuar?!
Pra, Dea Mishel është e vërteta që nuk duam të shohim. Prej shumë vitesh arsimi në Shqipëri është në rënie. Dallohet qartazi fenomeni i notave fiktive dhe i punësimit të mësuesve në bazë të përkatësisë partiake dhe kjo panoramë ka prodhuar dhe prodhon një studente me mesatare të lartë, që nuk ka njohuritë bazike në histori dhe në gjeografi.
Dea Mishel është plaga e kësaj shoqërie. Ajo nuk përfaqëson veç veten. Jo. Dea Mishel përfaqëson dështimin e një shoqërie që nuk i formëson dhe nuk i vlerëson si duhet të rinjtë e saj.
Para se të kryqëzoni Dea Mishelin, pyeteni veten në sa filtra mësuesish dhe në sa filtra vlerësimesh ka kaluar kjo vajzë?!
Nëse mësimdhënia do të kish qenë në nivelin e duhur dhe nëse vlerësimi do të kish qenë objektiv, do të kishim sot një studente me mesatare të lartë me formim të cunguar?! Unë besoj se jo.
Post Scriptum – Teksa opinioni vazhdon të kryqëzojë Dea Mishelin, qindra Dea Mishel janë në gjimnazet dhe në universitetet e Shqipërisë.
Nuk na e ka fajin Dea Mishel, nuk na e ka!
nga Sonila Meço
Po si ka mundësi, vëmë kujën për formimin e një të reje shqiptare, që jeton e studion këtu dhe nuk ka marrë përsipër të promovojë asnjë institucion arsimor në vend duke e mallkuar, sharë, fyer, denigruar, masakruar si individ kur britma duhej të vinte oshëtimë prej këtij lajmi:
“Prej 20 vitesh, grupi spanjoll Cybermetrics Lab përgatit një renditje të universiteteve në nivel botëror, mbështetur në volumin e përmbajtjes së tyre në internet, për shikueshmërinë dhe ndikimin e punimeve të këtyre universiteteve, bazuar kryesisht në citimet e tyre në punimet e studiuesve të tjerë (Webometrics Ranking of World Universities).
I pari mes universiteteve shqiptare renditet Universiteti i Tiranës, që mban vendin e 3972-të në botë, i ndjekur nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në vendin e 4379-të në botë.
Pozicioni i Shqipërisë është i dobët krahasuar edhe me vendet fqinje të rajonit. Mes pesë vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë), numërohen 14 universitete që kanë renditje më të larta se universiteti i parë shqiptar (Universiteti i Tiranës).
Universiteti i parë në rajon renditet Universiteti i Beogradit, në vendin e 443-të në botë, i ndjekur nga Universiteti i Novi Sadit, në vendin e 963-të, Universiteti i Nishit, në vendin e 1487-të. Ndër universitetet me pozicionim më të mirë se Universiteti i Tiranës renditet edhe ai i Prishtinës, në vendin e 2982-të në Botë.”
Dea Mishel është pasojë e zgjedhjeve të veta, si çdokush zgjedh të qendrojë injorant, i pa shkolluar, të korruptojë për notat (tek e fundit u korruptua FBI, jo më universitetet tona). Dhe të bësh shënjestër pa mëshirë pasojën pa i hyrë shkaqeve është më dëshpëruese se njohuritë e Deas, që nuk ka marrë përsipër të përfaqësojë kënd tjetër veç vetes. Edhe të fitojë famë duke e përçmuar po deshi.
Po si do t’ja bëjmë me arsimin, edukimin, institucionet tona të rraskapitura që nga Universitetet e deri tek Akademia e Shkencave?
Shkrimet jane marrë nga Muri i FB, i Elona Casllit, 4 shkurt 2023