back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy shkrime për Petro Zhejin në Njëvjetorin e Mungesës nga Leka Tase dhe Lluka Qafoku

Gazeta

Petro Zheji (1929)
Petro Zheji (1929-2015)

Idealisti Petro Zheji

nga Lekë Tasi

Sot mbushet një vit që Petro Zheji u largua nga kjo jetë. Emri i tij u bë i njohur me përkthimet e një numri librash të mëdhenj nga letërsia botërore. Por ky profesion me rezultate kaq cilësore sa të konsiderohet prej shumëkujt si diçka unike në letërsinë e përkthyer, fshihte një vokacion tjetër, të cilin ai e mbante me xhelozi brenda tij. Petro kishte lindur mendimtar dhe me natyrën e fortë që i ishte dhënë, s’mund ta braktiste këtë prirje për hir të jetesës, as për kënaqësinë e garës me gjenitë e kohërave; ajo do të mbante vendin kryesor në sferën e qëllimeve të tij. Fakt është që ai i dëgjonte herë-herë gati me indiferencë vlerësimet që i bënin për shqipërimet e tij, të mbushura me perla të mirëfillta. I nisur rrugës së filozofisë, ai kishte shkaktuar habinë buzëqeshëse të Musine Kokalarit, kur në moshën 13-vjeçare kish kërkuar në Mesagjerinë e saj librin fondamental të Spinozës… “De….” Me këtë inicim të hershëm, ai kuptoi shpejt dhe e çoi më tej pasionin e tij për matematikën, kurse më pas kaloi në dorë tërë literaturën filozofike të mundshme për t’u gjetur, si dhe atë që nuk mund ta gjente veçse me anë miqsh e duke sfiduar kontrollet, për të përfunduar tek ajo mistike-simbolike, dhe te thellimi në Ungjill në vështrim të mirëfilltë shkencor… Ishin vite kërkimesh të gëzuara me gjetje ku koincidonte dituria e lashtë me zbulimet e habitshme të Fizikës së dekadave të fundit. Rezultati i tyre, janë librat e tij, që kryesisht vijnë si fryt i një ideje tepër origjinale që i pat ardhur, për të cilën kishte pranë, si kontribues dhe zbërthyes të sekreteve më të fundit të shkencës moderne, të riun Lluka Qafoku, në atë kohë thuajse adoleshent.
Si i ndarë mes përkthimit të pëlqyer nga publiku e mjet jetese për atë vetë, duhet thënë se punën e “detyruar” Petros ia lehtësonte talenti i pashembullt në gjetjen e ekuivalentit të duhur në shqip të tekstit që trajtonte, dhe fantazia për ta veshur në çast me një pasuri gjuhësore që të entuziazmon. Kështu që me kohë edhe shpejtësia e procesit u shtua dhe më me gjetjen e një daktilografisti shumë të shpejtë, të cilit i diktonte. Jam dëshmitar që disa nga shqipërimet më virtuoze janë realizuar me këtë lloj nguti, një frymëzim që vjen në momentin e duhur, si një fluks fatlum që godet në shenjë, e jo me limën e profesionalizmit të staxhionuar.
Nga ana tjetër, një mendim dhe temperament shpërthyes si i Petros, afërmendsh i ndaluar brenda regjimit diktatorial, përkthehej në mesazh për një numër jo të vogël intelektualësh të rinj, literalisht të magjepsur prej shtigjeve fare të papritura që merrnin metaforat e tij tek u fliste për gjetjet e tij filozofike, të ilustruara me Historinë e Shenjtë dhe fenomenet e botës, me anë të koincidencave të pasura që ofron gjuha shqipe në shpjegimin e tyre. Të shumtë ishin ata që morën pjesë në atë klub të fshehtë. Sigurisht nismat me brendi të rëndësishme janë dhe të rrezikuara. Kanë një fazë entuziazmi, kanë dhe një fazë krize. Interesante është që zgjidhja e krizës, pikërisht liria, ose lirshmëria duhet thënë më mirë, zbeh entuziazmin, rrjedha përçahet për ta thënë me Shekspirin, dhe pikërisht në lirinë e zgjedhjes ajo e humbet shpesh emrin e veprimit.
Vetmia është një kusht i detyrueshëm për ata që duan të mos shkëputen nga e Vërteta. Për t’u kthyer me disa hollësi te të vjetrat, fjalia e parë që lexova në një dorëshkrim të Petros, i pari që më ra në dorë, ishte pak a shumë kjo: “Për të ekzistuar, duhet të gënjesh, të shtiresh”. Më bëri përshtypje sepse realizova sakaq se sa thellë në shkelje të vetes të çon instinkti i vetëmbrojtjes . Petroja gjente kënaqësi në izolim. Por si reagim ndaj depersonalizimit si mjet mbijetese, një farë momenti i erdhi e natyrshme ta sfidonte këtë vdekje klinike të gjallërisë njerëzore, me batuta të papritura kur takonte persona ose dhe në ambiente. Kjo solli edhe mbylljen e detyrueshme në një vend ku vuajtja ia hapi edhe më të gjerë rrugën drejt Krishtit, që ishte synimi dhe njëherazi realizimi i tij i vetëm personal…
Duke përkujtuar Petron në njëvjetorin e vdekjes, le të shpresojmë që sfera e kulturës te ne, e orientuar ende sot nga filozofia materialiste për arsye të një inercie shumë jashtë kohe, të pajiset sa më parë, urgjentisht, me gjak të ri intelektual, që do të sigurojë një debat të nivelit siç i takon këtij vendi me vlera të fshehura, debat në frymë të hapur dhe pa hijen e censurës. Këtë mundësi ia garantojnë plot dijetarë të formuar e të informuar mirë, në vend e në diasporë, të cilët me vlerat e tyre na nderojnë, por që ende me ngulm nuk u bëhet vend në organet zyrtare të shkencës. Ky rinovim do ta bënte të njohur dhe të vlerësuar më gjerësisht veprën e Petro Zhejit.
http://www.mapo.al 15 Mars 2016

Petro Zheji - Roli Mesianik i Shqipes
Petro Zheji – Roli Mesianik i Shqipes

Nje vit pa Petron

nga Lluka Qafoku

Petro Zheji ka qënë një personalitet i jashtzakonshëm shumëplanësh, që rrallë, shumë rrallë, ndeshet. Ishte një mësues i supertalentuar i të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore, dhe gama e tij e mësimdhënies ishte e gjerë dhe e gjithanshme, siç ishte kultura e tij e thellë dhe e kristaltë. Takimi më të ishte shterues, ai ishte nje psikolog i jashtzakonshëm dhe ka lënë gjurmë në të gjithë intelektualët e shquar që njohu, fatkeqësisht vetëm në Shqipëri.
Përkthimet e tij të shkëlqyera kanë ushtruar një ndikim të ndjeshëm në ngritjen në një stad bashkëkohor të aftësive shprehëse të gjuhës shqipe, me fjalëformimet e tij të larmishme e të bazuara fort në traditën tonë më të mirë, por duke futur edhe po ato mjete shprehëse të letërsisë bashkëkohore që e bëjnë shqipen sot të krahasueshme me gjuhët më të përpunuara, falë kulturës së tij titanike dhe saktësisë së shprehjes së të gjitha gjëndjeve shpirtërore. P.sh. përkthimi i nobelistëve Steinbeck dhe Asturias kap edhe nuancat më fine të këtyre autorëve gjenialë.
Por puna e tij e jetës ishte ekspozimi i një mjeti brilant të mendimit të tij në dobi të njerëzve dhe pikërisht përvijimi i një sistemi të ri të formalizimit të logjikës instinktive njerëzore. Me anë të këtij projekt-sistemi synohet të riinterpretohet sintetikisht e gjithë dija dhe të gjendet ndoshta një çelës i ri për realizimin e ëndrrave të përbashkëta filozofike-fetare të gjithë njerëzimit. Ky mjet sugjerohet në botimet “Shqipja dhe Sanskritishtja” (2 vol.), “Libri i Aforizmave” dhe “Roli Mesianik i Shqipes”.
 Më poshtë po paraqes përshtypjet e mia nga komunikimi im intelektual me Petron.
 Petro mendonte vetiu, ai kishte mendim që ishte në vetvete i vërtetë.
 Ai gjente Absolutin kudo dhe punonte me të, sikurse Kisha sot lufton Relativizmin. Gjuha e tij është demaskuese por e qetë, mendimi i tij është revolucionar, por me kuptimin që trajton papa Ratzingeri në librin e tij “Revolucioni i Zotit”.
Ai kishte gjetur te shqipja mendimin e vetishëm, pra mendimin si e vërtetë e gjallë, mendimin që përjashton çdo dyshim, mendimin e pashkëputur nga fakti, mendimin e Frymës së Shenjtë. Shqipja e tij mbillte besim në çdo zemër.
 Absoluti i tij pa fërkim, pa sforcim ishte jashtë realitetit; prandaj pikërisht nëpërmjet tij ai e shihte këtë të fundit tejpërtej, si i huaj, si i jashtëm për të, pra realiteti s’mund të mbante më sekrete për të. Absoluti i tij kuptoi Krishtin si e vetmja rrugë që zgjidhet si vetvrasja e egos për të lënë të hyjë, ose për të gjetur botën që aspiron Njeriu, botën ku aspirata e tij çlirohet. 
Ai rivendos Absolutin si aksiomë të mendimit dhe përmbys Laplace-in kur i thotë Napoleonit të I: “Sire, je n`ai pas besoin de cette Hypothese” (Madhëri, nuk kam nevojë për këtë Hipotezë). Këtu me Hipotezë Laplace kuptonte Absolutin, Zotin.
Keni dëgjuar për clairvoyance? Ai e përjetonte dhe të infektonte me të.
Petrua komunikonte pa paramenduar siç porosit Ungjilli, mendimi i tij ishte vallëzues , siç e kërkon Niçja. Prandaj askush s’e kapte dot me algoritma linearë mendimi. Ai vuante nga “la douce folie de Christ” (çmendia e ëmbël e Krishtit). Zoti i tij s’luante me zare (Einstein) por ai e përdorte gjuhën si zar për zbulim e krijim.
Algoritmi i Petros është simbolik, ai s’kapet dot akoma informatikisht. Mesazhi i tij është i shifruar, i enkriptuar, por me shifër, zarf të hapur (One time pad), si vetë natyra. Ai mund të quhet edhe Algoritëm natyral. Ai është pra edhe Antialgoritëm, i lindur edhe nga përpjekja për t’u përballur me Antiligjin e asaj kohe.
Gjatë këtij viti dhurata më e bukur për trashëgiminë që na la Petrua ishte punimi i përkushtuar i Znj. Afërdita Zaja “Mendimi mistik dhe Norvegjishtja”, ku ajo tregon se gjuhët e Evropës veriore, aty ku ajo jeton e punon, i binden sistemit logjik inherent të gjuhës që propozon Petro. Gjithshtu komente shumë të vlefshme dhe të thella për punën e Petros ka bërë dhe filozofi dhe personaliteti i mirënjohur, Prof. Përparim Kabo.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.